Kjo është vaktia e Ramazanit për Kosovën (Foto)

Periskopi.com Lajme

Nga muaji i shenjtë i Ramazanit na ndajnë vetëm edhe tre ditë. Të gjithë besimtarët e fesë islame do të agjërojnë për 30 ditë rresht.

Sipas kalendarit mysliman, muaji i Ramazanit fillon më 27 maj dhe dita e parë e Fiter Bajramit është me 25 qershor, transmeton Indeksonline.

Sipas fesë islame, agjërimi në Islam nënkupton abstenimin apo “me u përmbajte nga një veprim”.

Më poshtë e gjeni vaktinë e Ramazanit për Kosovën për këtë vit.

Mesazhi emocionues nga arresti i kandidatit Frashër Krasniqi (Video)

Periskopi.com Lajme

Zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi, tash e 9 muaj ndodhet në arrest shtëpiak. Ai së bashku me tre aktivistë të tjerë po akuzohet për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, Gjykata ende nuk ka mundur ta vërtetojë fajësinë e tyre.

Krasniqi dhe tre aktivistët tjerë, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Atdhe Arifi janë pjesë e listës së VV-së për deputet.

E në pamundësi për të bërë fushatë e për të takuar qytetarët, Krasniqi iu është drejtuar atyre me një video.

Ai ka thënë se dyert e banesës së tij janë të hapura për të gjithë ata qytetarë që duan ta takojnë e të bisedojnë me të.

Pritet që edhe kandidatët e tjerë të VV-së që ndodhen në arrest, t’u drejtohen votuesve me video të ngjashme./Periskopi

Emrat më të çuditshëm të kandidatëve për deputetë, ka Kolosale e edhe Vetima (Dokument)

Periskopi.com Lajme

Qindra kandidatë kërkojnë votën për deputetë, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 11 qershor në Kosovë.

Ata vijnë nga lista të ndryshme, ka kryesisht emra të zakonshëm, por ka edhe më të veçantë.

Në listën e përgjithshme të kandidatëve ka emra si Kolosale, Abdelnasi e Vetima.

Kolosale Çitaku ndodhet në listë, Abdelnasi Çuni, Vetima Koprani, Moamer Alaksa, Stamifer Kryeziu e edhe Vezir Jonuzi.

Ka edhe emra si Nevzad, Shyqeri, Mirdita, Nasir e të ngjashëm. Por ndër më të veçantët mbetet padyshim Koloasle.

Ata janë pjesë e listave të ndryshme, që të gjithë kërkojnë votën për deputet të Kosovës./ Periskopi

 

Krejt kush kërkon votën më 11 qershor, emrat dhe numrat e tyre (Dokument)

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për Certifikimin e Subjekteve Politike dhe Kandidatëve të Subjekteve Politike shqiptare.

Lidhur me Subjektet Politike nga komunitetet pakicë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi në këtë mbledhje që të bëjë vetëm Certifikimin e Subjekteve Politike, ndërsa Kandidatët e tyre të certifikohen më së largu ditën e nesërme (e mërkurë), pasi institucionet përkatëse të verifikojnë përkatësinë etnike të disa prej kandidatëve të tyre.

Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ-së, Enis Halimi bëri të ditur se është duke u vazhduar me përgatitjet lidhur me organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Duke folur për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve nga jashtë vendit, e cila është përmbyllur me datë 22 maj, Halimi bëri të ditur se numri i aplikacioneve për regjistrim është: 11 mijë e 818 aplikacione.

Anëtarët e KQZ-së shprehën falënderim për interesimin e madh të diasporës për të aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, ndërsa inkurajuan shërbimin e votuesve për të shqyrtuar të gjitha aplikimet e pranuara./ Periskopi

 

Beogradi shantazhon serbët e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Beogradi zyrtar po u bën presion qytetarëve serbë të Kosovës që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës të votojnë vetëm për Listën Serbe, si dhe po përdor forma shantazhi ndaj pesë subjekteve tjera politike serbe, të cilat janë pjesë e garës zgjedhore, vlerësojnë përfaqësuesit e disa subjekteve politike serbe në Kosovë, si dhe njohësit e zhvillimeve politike.

Kryeministri në largim, përkatësisht presidenti i zgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë vetëm për Listën Serbe.

Ai, madje, ka theksuar se “forca të caktuara shqiptare dhe të botës po i blejnë serbët, në mënyrë që t’i kenë katër prej dhjetë deputetëve serbë për ta votuar ushtrinë e Kosovës”.

Nenad Rashiq, drejtues i Partisë Demokratike Përparimtare, subjekt politik serb në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se Beogradi zyrtar as që ka tentuar t’i unifikojë përfaqësuesit politikë të serbëve në një listë të përbashkët, por i ka ndarë serbët në “të mirë” dhe në “të këqij”.

Me këtë retorikë, sipas tij, Beogradi zyrtar po i përçan serbët në “të jugut” dhe “të veriut” dhe ka shfaqur tendencën që serbët e veriut të Kosovës t’i marrin funksionet në institucionet e Kosovës.

Sjellja aktuale e Beogradit zyrtar ndaj subjekteve politike dhe vetë komunitetit serb në Kosovë është formë e presionit, tha Rashiq.

“Me këtë sjellje, Beogradi do të ndikojë në strukturat e serbëve të Kosovës dhe vetë serbët dhe sigurisht do ta pamundësojë që përfaqësimi të jetë me kapacitete të plota dhe me njerëz burimorë. Ju keni parë se çfarë terminologjie po përdoret, se kinse disa serbë, siç thotë edhe Marko Gjuriq (drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë) do të votojnë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Në fakt, në këtë moment nuk ekziston ndonjë serb në Kosovë që do të votonte për këtë ushtri”, tha Rashiq.

Beogradi (s’)mund ta krijojë listën unike për zgjedhjet në Kosovë

Aleksandar Jabllanoviq, ish-themelues i Listës Serbe, aktualisht drejtues i Partisë së Serbëve të Kosovës, e cila në garën zgjedhore të 11 qershorit është futur në koalicion me Iniciativën Qytetare Aktive, tha për Radion Evropa e Lirë se Beogradi zyrtar është duke gabuar me politikën e tij të animit vetëm kah Lista Serbe.

“Ato po u ndodhin serbëve në Kosovë, mund të them lirisht se janë kërcënimet më të vrazhda, të cilat serbët i kanë prej vitit 1999, prej kur merren me politikë. Këto kërcënime, fatkeqësisht, vijnë nga ana e institucioneve të shtetit tonë, Serbisë, të cilat funksionojnë ende në Kosovë. Unë nuk e kuptoj se cila është prapavija e kësaj, përveçse mund të shoh se caku është që tash të krijohet frikë dhe ngatërrim te njerëzit, se kinse një grup i serbëve do të ketë guxim dhe do të vendosë që ta formojë Ushtrinë e Kosovës”, tha Jabllanoviq.

Ai shtoi se kërcënime janë duke marrë përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme politike serbe në Kosovë. Gjithashtu, sipas tij, familjarët e tyre kërcënohen se do të mbesin pa punë, se studentët do të mbesin pa konvikte.

Jabllanoviq theksoi se Beogradi, me këto veprime, vetëm sa po e vë veten në situatë të rëndë.

Tensione në Listën Serbe, nuk dihet kush është kryetari, Jabllanoviq apo Simiq

Por, njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjell Nojkiq, tha për Radion Evropa e Lirë se sjellja e Beogradit zyrtar ndaj serbëve të Kosovës nuk paraqet asgjë të re.

 

Sipas tij, Beogradi, tash e disa vite, përpiqet t’i orientojë serbët e Kosovës se si të votojnë, duke mos llogaritur se një pjesë e votuesve janë kundër Listës Serbe ose favorizojnë ndonjë subjekt tjetër politik serb.

“Ata që janë kundër kësaj liste, ose favorizojnë ndonjë listë tjetër, nuk janë më pak serbë, më pak të rëndësishëm dhe të ndershëm sesa këta që zoti Vuçiq, Gjuriqi dhe të tjerët nga Qeveria e Serbisë i bëjnë të rëndësishëm dhe vetëm ata i promovojnë si përfaqësues serbë. Mendoj se kjo është krejtësisht e gabuar dhe kjo është një prej nënçmimeve të radhës të serbëve të kësaj hapësire. Do të shihni se, pavarësisht faktit se do të ketë presione të llojllojshme që të votohet për Listën Serbe, një numër i caktuar këtë nuk do ta bëjë dhe kjo edhe më shumë do t’i ndajë serbët”, tha Nojkiq.

Ai shtoi se në mesin e serbëve të Kosovës ka mjaft të tillë, të cilët nuk mendojnë ashtu siç mendon Qeveria e Serbisë.

Përfaqësuesit politikë të serbëve po garojnë për 10 vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 vende.

Sipas Nojkiqit, në sesionin e ri, në opozitë do të ketë edhe serbë, në qoftë se Beogradi zyrtar nuk i dëgjon edhe serbët tjerë dhe jo vetëm Listën Serbe. /REL

Flet Ferid Agani, tregon a do të jetë në listë për deputetë ose jo

Periskopi.com Lajme

Akuzat e rënduara mbi ish Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Aganin, për keqpërdorimet në rastin “Stenta”, kanë detyruar Aganin të tërhiqet nga gara për deputetë.

Lajmi është bërë i ditur nga vet Agani, përmes një postimi në llogarinë personale.

Agani ka shkruar se ka vendosur që të mos i shfrytëzoj të drejtat për të kandiduar për deputetë, me kandidatët tjerë, në situatën ku sipas tij me akuza të pabazuara është hedhur hije mbi figurën e tij publike.

Ish ministri ka përmendur edhe kohën kur është larguar nga post që mbante përshkak të njejtave akuza.

Postimi i plotë i Aganit:

Zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale të 11 Qershorit janë njëlloj me rëndësi të jashtëzakonshme për Republikën tonë të re dhe të ardhmen e çdo qytetari të vendit. Pas më shumë se një viti të stagnimit në rrugën e shtëndërtimit sipas agjendës Europiane dhe Euro-atlantike është e domosdoshme që të gjitha subjektet politike tu’a dëshmojnë qytetarëve dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare e në veçanti miqëve tanë të dëshmuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkësisë Europiane se kanë vendosmëri dhe përkushtim të paluhatur që angazhimin e mëtutjeshëm në arritjen e objektivave strategjike shtetërore ta mbështesin mbi standardet më të larta politike ndërkombëtare.

Mbështetur mbi këto parime kam vendosur që të mos i shfrytëzojë të drejtat e mia kushtetuese dhe ligjore për të garuar i barabartë me kandidatët e tjerë për postin më të nderuar të përfaqësuesit të popullit në situatën kur me akuzë plotësisht të pabazuar dhe të padrejtë është qitur hije mbi figurën time publike politike. Janë këto të njejtat parime që më kanë shtyrë që vitin e kaluar, menjëherë pas ngritjes së kësaj akuze, si shprehje e përgjegjësisë sime publike ndaj qytetarëve të vendit e me qëllim të lirimit të plotë të hapësirës për proces të drejtë gjyqësor pa asnjë presion të kërkojë lirimin nga detyra e Ministrit në Qeverinë e Kosovës, duke e rikonfirmuar me këtë përkushtimin për ndërtimin e shtetit të së drejtës si dhe të vërtetën shumë herë të provuar se anëtari i Partisë së Drejtësisë me asnjë çmim nuk bënë tregëti me vlerat etike dhe morale që janë të domosdoshme për ushtrimin e postit shtetëror.

Të dashur bashkpartiak dhe mbështetës të Partisë së Drejtësisë, Kërkojë mirëkuptim që me këtë ju kam privuar nga e drejta që duke votuar për Kryetarin e Partisë së Drejtësisë në garën për deputet në Kuvendin e Kosovës të votoni vlerat e programit politik të PD-së, dhe njëkohësisht Ju lus që ta bëni këtë duke mbështetur në mënyrë masovike dhe pa asnjë kursim dy zyrtarët e lartë të Partisë sonë Merjeme Uka dhe Ardian Sejdiun që jam i sigurtë se si përfaqësues të gjeneratës së re të PD do të shkëlqejnë në arenën politike të vendit me gjithë pasurinë që ua ofrojnë personalitetet e tyre dhe programi politik i PD-së. Jam i bindur se ky veprim paraqet ngritje të standardeve politike të Partisë dhe vlerë të re në funksionimin e sajë demokratik.

Të respektuar anëtarë dhe mbështetës të Partisë së Drejtësisë,

Vitin e fundit ishim dëshmitarë të veprimeve agresive dhe të pamatura të shumë zyrtarëve të lartë të Partisë në qendër dhe në degë, që me pretekste prej më të ndryshmeve tentuan që me veprime kundër-statutore të uzurpojnë udhëheqjen e Partisë. Se cilët kanë qenë motivet e tyre të vërteta më së miri flet e vërteta e ditës së sotme, mjafton të shihni listat zgjedhore të subjekteve të tjera politike dhe të shihni se cilat kanë qenë motivet e vërteta, u shpërndan në së paku tri lista zgjedhore të subjekteve të tjera politike; por le të jetë e qartë ata që kanë vendosur që karierën politike ta ngrisin duke shkelur mbi dinjitetin e Partisë e cila i solli në skenën politike dhe i bëri figura publike nuk i pret asgjë tjetër veçse se fundi i turpshëm politik.

Të nderuara motra dhe vëllezër, Zgjedhjet e 11 Qershorit janë me rëndësi të veçantë për vendin dhe për Partinë e Drejtësisë. Të mobilizohemi si asnjëherë më parë, të jemi të bashkuar rreth vlerave programore të Partisë sonë të shtrenjtë, të dëshmojmë vlerat tona të larta etike dhe morale gjatë fushatës zgjedhore dhe të votojmë në mënyrë masovike Ardianin dhe Merjemen, dhe me këtë të sigurojmë zërin e fuqishëm, vizionar dhe të vendosur politik të PD-së në Kuvendin e Kosovës.

Me fat zgjedhjet. Zoti i Madhërishëm na ndihmoftë.

Listat e natës!

Periskopi.com Lajme

Partitë politike kanë pritur minutat e fundit të afatit ligjor, përkatësisht pak para orës 24:00 të së premtes, që t’i dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve për deputetë në KQZ.

Për shkak të koalicioneve parazgjedhore shumë emra të rëndësishëm brenda partive kanë mbetur jashtë, duke krijuar kështu edhe përçarje jo të vogla, të cilat pritet t’u kushtojnë shtrenjtë subjekteve politike. Në mungesë të koalicionit vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e favorizuar në përpilimin e listës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Nëse për asgjë tjetër, zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë do të mbahen mend si zgjedhjet e koalicioneve të mëdha dhe të cilat u kanë shkaktuar më së shumti kokëçarje partive politike.

Koalicionet e bëra në ditën e fundit të afatit ligjor, nga dy të dy blloqet, atij “të luftës” dhe “të paqes”, kanë bërë që listat e kandidatëve për deputet të partive politike të përgjysmohen, duke nxitur kështu një luftë të pakompromis brendapartiak mes individëve dhe klaneve të ndryshme.

Hiç Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka dorëzuar listën 24 orë para afatit përfundimtarë, PDK-ja, LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje dhe “Nisma për Kosovën”, kanë zhvilluar negociata intensive deri në minutat e fundit brenda strukturave partiake, duke bërë “eliminimin” e disa kandidatëve dhe “përzgjedhjen” e disa të tjerëve.

Si rrjedhojë, shumë emra të rëndësishëm brenda partive kanë mbetur jashtë duke krijuar kështu edhe përçarje jo të vogla të cilat pritet të ju kushtojnë jo pak disa partive. E arsyet për secilin prej tyre dallojnë.

Derisa disa janë tërhequr vet nga kandidatura për deputet, disa të tjerë janë eliminuar nga partitë e tyre për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të cilat ata i kanë pasur në legjislaturën e kaluar.

E në fund, ka pasur edhe të tillë që për interesa të partisë janë bërë edhe “Kurbanë”.

 

Sekretari i OKB-së i brengosur për mungesën e përparimit në dialogun Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka vlerësuar se periudha e kaluar në Kosovë është shënuar me ngjarje të cilat nuk kanë kontribuar në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai për këtë është shprehur i brengosur, duke përmendur, sipas tij, edhe pengesat që po vështirësojnë përparimin në dialog dhe mungesën e implementimit të marrëveshjeve të arritura, shkruan lajmi.net.

“Implementimi praktik i marrëveshjeve të dala nga dialogu ka qenë ekstremist i ngadalshëm. Kurrfarë hapash konkret nuk janë bërë për implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thekson ndër tjerash Guterres në raportin e rregullt tremujor për punën e UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës për periudhën nga 16 janari deri më 15 prill 2017.

Lokja nga Drenica tregon kë duhet të votoni në këto zgjedhje (Video)

Periskopi.com Lajme

Është 76 vjeçe, nuk ka asnjë ditë shkollë por së fundmi është irrituar m politikanët e vendit.

Ajo megjithatë ka një propozim brilant.

Thotë qytetarëve të mos e votojnë asnjërin nga ata që deri më tani ishte në udhëheqje.

Ka edhe arsyet e saj.

“Kuadro të reja duhet t’i vendosni në Qeveri”, thotë ajo.

Isa Mustafa ende kryeministër, nesër ka një takim në Qeveri

Periskopi.com Lajme

Isa Mustafa ende është kryeministër, pavarësisht mocionit të votë-besimit.

Ai duhet dërguar punën e tij deri në fund, siç edhe e thotë kushtetuta, deri në zgjedhjet e reja.

Mustafa, nesër, e enjte, 11 maj, ka takim me ish-presidentin e Shqipërisë, bujar Nishanin. Takimi zhvillohet në objektin e Qeverisë, në orën 12:00, raporton Periskopi

Ndryshe, jo vetëm Mustafa. Punën do e vazhdojnë edhe i gjithë kabineti qeveritar.

Ata kanë të drejtë të marrin vendime për çështje teknike, ndërsa moralisht dhe ligjërisht nuk mund të marrin vendime që duhet proceduar në Kuvend.

Ndryshe, zgjedhjet në vendin tonë duhet të mbahen brenda 45 ditësh . Llogaritet se ato do të jenë më 11 ose më 18 maj. Nesër në mëngjes mund të vendoset data, kur presidenti Hashim Thaçi ka ftuar subjektet politike në takim për të caktuar këtë datë./ Periskopi

Bujar Nishani nesër në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Ish – presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani nesër do të jetë në Kosovë.

Në vizitën e tij shtetërore do të pritet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pritja ceremoniale do të bëhet në orën 10:00, që nënkupton se takimi paraprak që Thaçi ka me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme duhet të përfundoj deri në atë kohë.

Takimi me subjektet politike është paraparë të fillojë në orën 08:45./ Periskopi

 

Sërish befason moti, ja temperaturat për ditët e ardhshme

Periskopi.com Lajme

Pas depërtimit të fushave të qëndrueshme me presion të lartë, gjatë ditës së sotme, ditëve në vijim mbi rajon nga Atlantiku pritet të depërtojnë fusha jostabile me presion të ulët dhe masa të ngrohta ajrore nga Afrika veriore.

Nën këto kushte, të enjten do të mbajë mot i ngrohtë, paradite me diell, e gjatë ditës vransirat do të shtohen, e në mbrëmje priten mundësi për riga lokale shiu, të cilat vende-vende do të vazhdojnë edhe të premten paradite, e më pas gjatë ditës së premte do të mbajë mot i ngrohtë, me vransira dhe diell.

Në fundjavë do të mbajë mot i ngrohtë, jostabil dhe i ndryshueshëm, me vransira të pjesëshme, ku në orët e pasdites priten edhe të reshura lokale shiu me bubullimë.

Edhe në fillim të javës së ardhshme do të mbajë mot jostabil, me vransira dhe diell, e gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes priten reshje lokale shiu me bubullima.

Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje rreth vlerave mesatare, me minimale nga 5C deri në 13C, e maksimale nga 22C deri në 24C.

Do të fryejë erë mesatarisht e fuqishme nga jugu-jugperëndimi 3-11m/s. Shtypja atmosferike do të luhatet rreth vlerave normale.

 

Sejdiu tregon se kur do të mbahen zgjedhjet në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Ish-presidenti i Kosovës thotë se qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa është dashur të jetë me e përgjegjshme kur është fjala për ruajtjen e sovranitetit të vendit. Ndërkohë thekson se ka shenja se Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Ish-kryetari i LDK’së Fatmir Sejdiu ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.

“Unë mendoj se ka pas nevojë për një përgjegjësi shumë më të madhe, absolutisht po. E them pa rezervë”, tha Sejdiu.

Thotë se sovraniteti i vendit duhet ruajtur në çdo proces.

‘Sovraniteti i vendit duhet të ruhet në vendim marrje dhe në proceset e nevojshme që të ruhet ai sovranitet i garantuar i Kosovës”, tha Sejdiu.

Thotë se ka shenja për zgjedhje të parakohshme.

“Të parakohshme sa e shoh se po. Në këto zhvillime në këto gjuajtje që i gjejmë ditë e përditë. Në njëfarë mënyre jo do të ndodh kjo jo do të ndodh kjo’, tha Sejdiu, për emisionin ‘Debat’ në RTK.

Thotë se ka mosmarrëveshje në mes të partnerëve në koalicion e cila po vërehet nga të gjithë.

‘Unë nuk them se kanë raporte të këqija personale por them se nga ajo që e shohim në publik ..ose mund të jetë e papërgjegjshme e themi edhe kështu. Unë s’mendoj se qytetarët kanë nevojë të bëhet lojë me ta”, tha Sejdiu.

Vajza nga Kosova arrestohet në Zvicër, priste të adoptohej

Periskopi.com Lajme

Tash ajo po mbahet në burgun për dëbim ndërsa pritej të adoptohej nga një familje austriake, te e cila po qëndronte e strehuar.

Filloreta Paluca, shqiptarja 16 vjeçe nga Kosova është arrestuar të martën në rrugë pa paralajmërim në Timelkam të Vöcklabruck-ut, Austri. Tash ajo po mbahet në burgun për dëbim. Por Filloreta pritej të adoptohej nga një familje austriake, te e cila po qëndronte e strehuar prejse babai dhe vëllai i saj ishin dëbuar në mënyrë të rrufeshme më 20 shkurt, shkruan Nachrichten.at.

Filloreta me familjen kishte ardhur në Austri në vitin 2013 dhe ishte integruar mirë. Por pasi i kishin dëbuar papritur të atin dhe vëllain, ishte edhe ajo në rrezik për dëbim, transmeton albinfo.ch. Kështu këshilltari komunal i Partisë së Gjelbër, Thomas Eder kishte vendosur ta adoptonte vajzën në mënyrë që ajo të mund të mbetej në Austri. Dhe, procedura e adoptimit dukej se po rridhte mirë: me ndihmën e avokatit të tij, Eder i kishte siguruar nënshkrimet e prindërve biologjikë të Filloretës që e pranonin adoptimin. Për 11 maj ishte caktuar një seancë për ta bërë këtë akt. Por, pasi që nga janari ndaj Filloretës është marrë vendimi për dëbim, autoritetet duket se nuk njohin  mëshirë ndaj saj, përkundër faktit se ajo e ka të caktuar terminin për adoptim.

Bashkëshortja e Thomas Eder, Otilie Eder punon si ndihmëse e refugjatëve dhe patronë (ndrikull) e saj, përcjell albinfo.ch. Ajo është prekur me faktin se vajza e cila do të bëhej fëmijë e adoptuar e saj po mbahet në burg.

Nga ana tjetër, në Ministrinë e Brendshme nuk marrin ndonjë qëndrim. Rastet e veçanta nuk komentohen, thotë një zëdhënës. Por, ai ka theksuar se autoritetet mbështeten vetëm në faktet ekzistuese dhe jo në ato që priten në të ardhmen.

Jeton në Serbi, por merr pagë nga Kosova (Foto)

Periskopi.com Lajme

Është emëruar për të qenë afër qytetarëve dhe tu shërbej atyre, por nënkryetari i Kllokotit, Millosh Stojkoviq ka zgjedhur t’i shërbej kishës ortodokse.

Stojkoviq ishte emëruar në këtë pozitë në vitin 2014, por asamblistët thonë se kanë harruar kur e kanë parë Stojkoviqin në objektin e komunës.

Stojkoviq ishte bërë i njohur me skandalin kur kishte deklaruar për media në Serbi se komandanti Ramush Haradinaj “Ka vrarë dhe kidnapuar njerëz”. Kundër kësaj deklarate pati reaguar  Xhelal Rexhepi, asamblist nga NISMA në komunën e Kllokotit duke kërkuar shkarkimin e të njëjtit.

Xhelal Rexhepi ka treguar për Telenews.al se nënkryetari ka kohë që nuk vjen në komunë.

“Millosh Stojkoviq vetëm kur është emëruar zëvendëskryetar, ka prezantuar në seancën e kuvendit, dhe askush më nuk e ka parë të qëndrojë në objektet e komunës së Kllokotit”, thotë Rexhepi, duke shtuar se Stojkoviq jeton në qytetin e Paraqinit të Serbisë.

Rexhepi tha se ndaj Stojkoviqit është kërkuar që të hapet procedurë hetimore për nxitje të urrejtjes në mes komuniteteve. Në muajin shkurt të vitit 2016 në takimin në mes Stojkoviqit dhe ministrit të punës Aleksandar Vulin, Stojkoviq kërkon nga Vulini që të ndikoj te deputetët e tij (Pokret Socialista) që bisedimet Prishtinë-Beograd të zhvendosen në Moskë e jo në Bruksel.

Në një artikull të www.informer.rs, Stojkoviq tregon për raportet e mira me kryeministrin grek Aleksisu Ciprasu.

Sipas tij, këto raporte i kishte krijuar qysh në kohën e studimeve në Greqi. Mbetet të shihet nëse organet e ndjekjes do të ndërmarrin ndonjë veprim pas deklaratave nxitëse të “nënkryetarit teolog” Stojkoviq.

Zbehja e BE-së i lë më shumë hapësirë Turqisë në Ballkan

Periskopi.com Lajme

Zbehja e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, vlerësohet se ka shtuar ambiciet e vendeve më të fuqishme që të shtrijnë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, përfshi edhe Kosovën. Krahas ambicieve të theksuara për rritjen e ndikimit rus në rajon, edhe Turqia, mbetet si një nga vendet më të përfolura për shtrirje ndikimi në këtë pjesë të Evropës.

Megjithatë, tash për tash, njohës të rrethanave politike, nuk besojnë që rajoni mund të rrëshqas nga orientimet integruese në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike.

Analisti Ilir Ibrahimi thotë se është krejt normale që shtetet më të fuqishme të provojnë të shtrijnë ndikimin në pjesë të ndryshme të botës. Por, në rastin e Turqisë, ai nuk sheh ndonjë lloj rreziku që t’i stopoj vendet e rajonit në proceset integruese evropiane, pavarësisht së tash për tash Bashkimi Evropian po ballafaqohet me sfidat e zgjerimit, sidomos pas daljes së Britanisë së Madhe.

“Nuk shoh ndonjë rrezik apo tërheqje të Bashkimit Evropian në këtë rast, sepse kemi një zbehje momentale të proceseve integruese, duke pas parasysh Brexit-in, zgjedhjet në Francë dhe zhvillimet tjera në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Por, nuk besoj që ky interes i Bashkimit Evropian për integrimin e rajonit do të dalë nga rendi i ditës”, konsideron Ibrahimi.

Në rajonin e Ballkanit, një ndikim të fuqishëm kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë Ilir Ibrahimi. Ndërkaq, kohët e fundit, interesim për të shtri ndikimin e vet vërehet edhe te Rusia, thekson ai.

“Mos të harrojmë që një shtet shumë i fuqishëm i cili është i interesuar të mbaje dhe të forcoj ndikimin e vet janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, kur kemi një fuqi të tillë, pra Shtetet e Bashkuara të cilat janë të interesuara të kenë ndikimin e tyre në rajon, për t’i bërë ballë edhe ndonjë ndikimi të mundshëm rus, atëherë nuk shoh që Turqia të ketë këtu ndonjë hapësirë të madhe”, thotë Ibrahimi.

Ndërkohë, Blerim Burjani, analist, thotë se Turqia ka shprehur në vazhdimësi interes për të shtri ndikimin në Ballkanin Perëndimor.

Por, sa i takon Kosovës, ai thotë se Kosova është përcaktuar qartë se ka orientim pro- evropian dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu që raportet me Turqinë ai i sheh vetëm si një miqësi të mirë dhe jo rrezik për kthim kah lindja.

“Politika e jashtme e shtetit të Kosovës është e orientuar drejt Bashkimit Evropian në mënyrë të fuqishme dhe nuk është aspak, asnjë milimetër duke shkuar kah lindja, prandaj këto raporte, kur flasim vetëm për Kosovën, janë më tepër të natyrës miqësore dhe natyrave tjera për të cilat Kosova ka pasur dhe ka përkrahje nga Turqia, sidomos në planin e njohjeve ndërkombëtare”, thekson Burjani.

Si vend mjaft i fuqishëm, Turqia në Kosovë është e pranishme me bizneset dhe investimet në shkolla e shëndetësi, kurse në një rrafsh më të gjerë, kompanitë turke u përfshinë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore – kryesisht përmes ndërtimit të autostradave; pastaj asaj ajrore – me marrjen me koncesion të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës dhe në fushën e energjisë, duke marrë nën menaxhim sistemin e distribuimit.

Në mungesë të shifrave më të reja, vetëm gatë viteve 2004 – 2014, Turqia thuhet se ka investuar në Kosovë mbi 360 milionë euro. Përderisa, sipas shifrave zyrtare, thuhet se ka afro 700 kompani turke që veprojnë në Kosovë.(REL)

Pse u shty takimi Kosovë-Shqipëri, ja përgjigja e Mustafës

Periskopi.com Lajme

Kosova dhe Shqipëria shënuan një etapë tjetër bashkëpunimi mes tyre në vitin 2014, pasi nisën takimin e parë të përbashkët të të dyja qeverive, i cili u mbajt në Prizren.

Një vit pas takimi i dytë u zhvendos në Tiranë, për të vazhduar kështu takimin e tretë sërish në Prishtinë, ku deri më tani kanë vendosur për rreth 28 marrëveshje të përbashkëta në shumë fusha.

Sipas Elmi Reçicës, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, takimet janë të ralla dhe zbatimi i marrëveshjeve nuk ka ecur ashtu siç është planifikuar.

Anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik nga radhët e LDK-së, Blerim Grainca, ka thënë se të gjitha institucionet e Kosovës me seriozitetin më të madh po i qasen raporteve me Republikën e Shqipërisë, duke e konsideruar atë jo vetëm si partner ekonomik, por edhe si një vend strategjik.

Por, anëtarë të komisioneve parlamentare nga opozita që bëjnë analiza për zbatim të marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri janë edhe më kritikë se pothuajse të gjitha marrëveshjet kanë shënuar ngecje në zbatim dhe nuk ua kanë pa, siç thonë, hairin qytetarët e Kosovës. Opozitarët shkojnë aq larg sa thonë se këto takime u bënë sa për sy e faqe dhe sa për të bërë foto.

Për anëtarin e Komisionit për Punë të Jashtme, nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, marrëveshjet Kosovë – Shqipëri nuk kanë pasur fare efekt. Ai thotë se takimet kanë ndodhë vetëm sa për t’u dukur në media, ndërsa diçka konkrete apo ndonjë implementim të marrëveshjeve që shkon në dobi të dy palëve, nuk ka pasur, shkruan “rtv21.tv”.

Por, se ka sfida në shumë çështje e thonë edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ministri kjo që ka nënshkruar disa marrëveshje me Shqipërinë.

Sekretari i Përgjithshëm në MTI, Agron Maxhuni tha se problemet me Shqipërinë po paraqiten në sektorin e pijeve dhe ushqimit.

Pavarësisht, nënshkrimit të një sërë marrëveshjesh, eksportuesit kosovarë vazhdojnë të kenë probleme në Shqipëri. Madje, nuk është arritur të eliminohen siç thuhet, problemet më të vogla teknike, qoftë çështja e një udhëzimi administrativ.

Por, pse u anulua data e mbajtjes së takimit të radhës Kosovë-Shqipëri e konfirmon vetë kryeministri Isa Mustafa, si një ndër personazhet kryesore të këtij takimi.

“Unë jam i kënaqur me implementimin e marrëveshjeve me Shqipërinë. Ne po punojmë në mënyrë që këto marrëveshje të implementohen. Ne po punojmë edhe për marrëveshje të reja, i kemi dhënë pak vetit kohë që marrëveshjet të cilat po përgatiten, të përgatiten në mënyrën e duhur dhe pastaj të gjejmë një kohë më të mirë të mbajtjes së takimeve të përbashkëta”, ka thënë Mustafa.

Ditë më parë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka bërë të ditur se në takimin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të flitet kryesisht për shkëmbimin tregtar mes dy vendeve.

Ai ka thënë se në këtë mbledhje do të trajtohen një varg çështjesh, por temë kryesore do të jetë shkëmbimi tregtar. Ai ka mohuar se do të diskutohet për bashkimin tregtar. Por, edhe ambasadori Minxhozi e ka parë si tejet të rëndësishme dhe me më shumë prioritet, që në këtë takim do të flitet, për hapjen e një pikë doganore të Kosovës në portin e Durrësit. /albeu.com/

Zgjedhje të parakohshme në Kosovë, mësohet data

Periskopi.com Lajme

Kosovarët pritet të votojnë në zgjedhjet e parakohshme në fund të muajit të ardhshëm, ose fillimin e 30 ditëshit pasues.

Klan Kosova mëson se 28 maji ose 4 qershori janë datat kur qytetarët besohet se do të mësyjnë kutitë elektorale për të shfaqur preferencat e tyre politike.

Këtij zhvillimi të madh për vendin i paraprinë një tjetër ngjarje e rëndësishme. Kjo ka të bëjë me prishjen e koalicionit aktual qeverisës.

Burime të televizionit thonë që kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa i japin fund bashkëpunimit të tyre më 25 prill. Një ditë më parë, pra më 24 prill, çështja e demarkacionit pritet të jetë në rend dite, në punimet e Kuvendin të Republikës së Kosovës, pasi kështu do të vendosë Kryesia, gjatë kësaj jave, njofton Klan Kosova.

Rezultati i votimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, nuk e paracakton fatin e koalicionit, i cili, siç bën me dije burimi i Klanit, prishet menjëherë, një ditë më pas. Kjo nënkupton edhe shpërndarjen e menjëhershme të parlamentit.

Sapo të bëhet zyrtare prishja e koalicionit, cështja e caktimit të datës për zgjedhjet e parakohshme i kalon presidentit. Ky, sipas dispozitave, cakton datën e zgjedhjeve të reja, e cila, në opsionin më të largët duhet të jetë 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

E llogaritë matematikore thonë që në rast se koalicioni prishet me 25 prill, atëherë, zgjedhjet, më së voni, duhet të mbahen deri të dielën e 4 qershorit, pasi çfarëdo date tjetër e mëvonshme, është jashtë kornizave kushtetuese për votime të parakohshme nacionale.

E datë më e preferuar se kjo, siç i është thënë Klanit, është 28 maji, e diela e fundit e majit.

Kontratë e re kolektive për punëtorët e arsimit në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Nesër pritet të bëhet nënshkrimi i kontratës së re kolektive në mes të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe Kryetarit të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Rrahman Jashari.

Rrahman Jasharaj, Kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës  ka treguar për  ka treguar për Kallxo.com përmbajtjen e kontratës së re dhe ndryshimet që do t’i ketë nga ajo e vjetra.

Jasharaj tha kontrata e re do të përfshijë të gjithë punëtorët e arsimit e jo vetëm ata të arsimit parauniversitar.

“Kontrata e re është për gjithë punëtorët arsimit që nënkupton dallon nga kontrata aktuale sepse e ka të përfshirë edhe Universitetin . Çështjet që kanë qenë të mbrojtura me kontratën e vjetër si pagat përcjellëse do te jenë edhe tash. Kësaj radhe është vendosur që kontrata t’i përfshijë edhe punëtorët e arsimit të lartë”, deklaroi Jashari.

Kontrata kolektive e punëtorëve të arsimit që ishte nënshkruar nga ish-Ministri i Arsimit Ramë Buja në vitin 2014 skadoi më 11 prill të këtij viti.

Me këtë kontratë përveç të tjerash i mundësohej pensionistëve që t’i marrin deri në 6 paga në emër të pagave përcjellëse dhe asaj jubilare.

Me skadimin e kësaj kontrate SBASHK kishte paralajmëruar greva nëse një e re nuk nënshkruhet megjithëse patën ankesa për moszbatimin e kontratës paraprake.

Megjithatë sipas Jasharit presioni  me paralajmërimin e  grevës nuk ka qenë faktori i vetëm për arritjen e kontratës së re.

“Unë ma tepër do të thoja se ditëve të fundit është për t’u lavdëruar angazhimi i kabinetit i ministrit Bajrami jo për shkak se ne kemi bërë presion me greva. Besoj që një angazhim i tillë do të vërehet edhe në të ardhmen”, tha Jasharaj.

Kontrata që planifikohet të nënshkruhet nesër do të jetë e vlefshme për 3 vite sipas ligjit të punës./ Kallxo

Parashikimi i motit për fundjavë

Periskopi.com Lajme

Gjatë dy ditëve të vikendit parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe intervale me diell.

Vranësirat gjatë ditës do të intensifikohen duke krijuar kushte për reshje shiu dhe vende-vende parashihet të ketë edhe zbrazje elektrike.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 15-21 gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe verilindja me shpejtësi deri 9m/s