Thaçi-Veseli-Mustafa

Tre krerët e lartë të shtetit, shkelin sërish ligjin, dalin njëherësh jashtë shtetit

Në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër sonte nuk mund të jenë të gjithë fizikisht, por së paku do të jenë me zemër dhe pranë televizionit për të parë ndeshjen Kosovë-Kroaci.

Periskopi.com Lajme

Por ata që nuk e kanë lëshuar një rast të tillë t’iu ikë nga duart janë krerët e shtetit.

Lajmi.net merr vesh se sonte në stadiumin e Shkodrës për të parë këtë ndeshje janë Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, i cili këtë edhe e ka deklaruar më herët, raporton lajmi.net

Por atje sonte janë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. E përveç tij, drejt qytetit kryesor të veriut të Shqipërisë ka udhëtuar edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Në anën tjetër, dalja e tre zyrtarëve të lartë të shtetit është kundër Ligjit të Protokollit të Shtetit, pasi praktikisht vendi mbetet pa asnjërin prej zyrtarëve të lartë.

Kjo është e sanksionuar në Ligjin Nr. 03/L-132 për protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, saktësisht, kreu IV që flet për ceremonialin zyrtar të autoriteteve të larta të shtetit.

Kjo do të thotë se në rast të ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në Kosovë, askush nuk do të jetë në gjendje të japë ndonjë urdhër, pasi kështu parashikohet me ligj.

Në këtë Ligj, në nenin 19, pika 4, saktësisht shkruan se “ Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”.

Arsyeja pse Protokolli i Shtetit që funksionin në kuadër të Ministrisë së Punëve të jashtme e që merret me të gjitha përgatitjet e vizitave brenda e jashtë vendit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë edhe ministrit të Punëve të Jashtme është që vendi të mos mbetet me vakuum institucional.

E kjo nuk është hera e parë që Presidenti, kryeministri e Kryetari i Kuvendit, shkelin këtë ligj.

Kështu kanë vepruar edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, javë më parë.

Në atë meshë ishin të pranishëm që të tre, duke e lënë vendin në mëshirën e askujt.