Manastir

Në Manastir po mbahet konferenca botërore për dialog ndërfetar

Në Manastir sot filloi Konferenca e katërt botërore e dialogut ndërfetar dhe ndërcivilizues, e cila organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë dhe Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, me temën qendrore “Migrimi dhe sfida e integrimit përmes dialogut midis religjioneve dhe kulturave”, raporton Anadolu Agency (AA).

Periskopi.com Lajme

Në hapjen e konferencës, e cila zhvillohet në kuadër të Axhendës globale të Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s, për dialog në mes të civilizimeve dhe Dekadës së UNESCO-s për paqe në mes të kulturave, morën pjesë presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, ministrja e Kulturës Elizabeta Kançevkska- Milevska, përfaqësues fetarë, profesorë dhe shumë të tjerë.

Presidenti Ivanov në fjalimin e tij, u shpreh se konferenca është e dedikuar për dy tema shumë të rëndësishme dhe aktuale, ajo e migrimit dhe integrimit. Ivanov tha se për t’u përgjigjur në këtë sfidë të dyfishtë duhet shkuar më thellësisht.

“Të marrim parasysh rolin e migrimit në zhvillimin e fesë, nga njëra anë, dhe ndikimin e fesë mbi migrimin, në anën tjetër. Për ta sqaruar këtë kompleks çështjesh nuk është i mjaftueshëm diskutimi akademik. Duhet t’i hapim librat e shenjtë”, tha Ivanov.

Ai më tej duke dhënë shembuj nga 3 religjionet më të mëdha, gjithashtu edhe nga religjionet tjera, theksoi se si historia e tyre është e ndërlidhur me lëvizjen dhe zhvendosjen e vazhdueshme.

“Çfarë është e përbashkët në të gjitha këto tregime? Sa më shumë që ata janë të ndryshme, fetë e botës kanë të paktën një gjë të përbashkët. Dhe, kjo është se secila prej tyre është ndodhur nga një thirrje për të lënë shtëpinë me mërgim, ikje apo migrim. Themeluesit e feve botërore ishin emigrantë, refugjatë, mërgimtarë, të dëbuar”, tha presidenti Ivanov.

Ai duke treguar se sipas UNHCR-së në botë janë më shumë se 65 milionë persona të zhvendosur me forcë, 21 milionë prej të cilëve janë refugjatë, tha se “Liria në shtetet e dështuara në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, në shoqëritë e varfra të botës së tretë është vetëm emër abstrakt”.

“Konferenca është një kontribut i sinqertë për Republikën e Maqedonisë”

Ndërsa Ministrja e Kulturës Kançevska- Milevska, tha se mendon që konferenca botërore e dialogut ndërfetar dhe ndërcivilizues është një kontribut i sinqertë për Republikën e Maqedonisë.

Ajo tha se me realizimin e konferencave të mëparshme në mënyrë të qartë kanë demonstruar vullnetin e tyre për të ndërtuar së bashku një model të civilizimit të paqes, tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.

“Këto tre konferenca siguruan të shkëmbejmë mendimet dhe përvojat tona, të cilët konfirmuan potencialin dhe pasurinë stimuluese të diversitetit të cilat duhet të jenë bazë për shkëmbimet dhe bashkëpunimet tona të përbashkëta”, theksoi Kançevska- Milevska.

Ajo duke theksuar se dialogu ndërkulturor dhe ndërfetar është një domosdoshmëri e kohës sonë, tha se “Sot më shumë se kurrë, në një botë të ndryshme dhe të pasigurtë, nuk është vetëm e nevojshme, por është e domosdoshme diskursi që tejkalon ndarjet dhe dallimet gjuhësore, etnike, kulturore dhe fetare”.

Rexhepi për AA: Në Maqedoni nuk ekziston dialogu ndërfetar

Mirëpo, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi tha se institucioni që drejton ai ka marrë pjesë vetëm në konferencën e parë dhe të dytë botërore për dialog ndërfetar. Ai për Anadolu Agency (AA) deklaroi se “BFI nuk do të marrë pjesë në konferenca të tilla”, sepse siç tha “në Maqedoni nuk ekziston dialogu ndërfetar dhe nuk respektohet komuniteti musliman sa duhet”.

Rexhepi përmendi disa arsye për bojkotimin e kësaj konference botërore, me theks të veçantë rinovimin e xhamisë në çarshinë e Prilepit dhe mos lejimi i ndërtimit të xhamisë në fshatin Llazhec të Manastirit, ku numri i banorëve të komunitetit musliman dhe ortodoks është i barabartë.

Sipas tij, me anë të konferencave të tilla “synojnë të gënjejnë botën se në këtë vend ka harmoni ndërfetare, drejtësi dhe vepron një shtet demokratik, por këtu ushtrohet një padrejtësi e madhe”.

“Këtu në Maqedoni nuk ka dialog dhe unë nuk mund ta gënjej vetveten, nuk mund ta tradhëtoj institucionin dhe interesat e saj, si dhe nuk mund të marrë pjesë në atë konferencë, të bëhem një instrument i rrejshëm dhe të krijojë atmosferë se këtu në Maqedoni vetëm qumësht dhe mjaltë bie nga qielli. Në këtë vend dialogu nuk ekziston, këtu ka qenë dhe ende mbretëron një diktaturë e çuditshme”, tha Rexhepi për AA.

Rexhepi në vijim theksoi se në Konferencën e dytë botërore për dialog ndërfetar, mori pjesë me kusht që të fillojë rinovimi i xhamisë në Prilep. Mirëpo, siç tha ai, edhe pse është arritur të nënshkruhet marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë për rinovimin e saj, ajo marrëveshje nuk u zbatua.