MPJ dhe komunat gati për bashkëpunim në kuadër të diplomacisë ekonomike

Në kuadër të zhvillimit të diplomacisë ekonomike, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka organizuar konferencën me temën “Takimi me komunat për promovimin e tyre përmes diplomacisë”. Në takimin, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe komunave të Kosovës, është diskutuar rreth arritjeve të deritashme në marrëdhëniet e jashtme të komunave, përfitimi i tyre nga diplomacia dhe mundësitë e reja të promovimit përmes diplomacisë ekonomike.

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike në MPJ, Guner Ureya ka bërë një paraqitje të të dhënave sa i përket aspekteve ekonomike të vendit, si dhe ka folur për rolin e MPJ-së në fushën e diplomacisë ekonomike. “Kosova, me 38 komunat e saj mund të përfitojë më shumë nga angazhimet e autoriteteve lokale sidomos në bashkëpunimin ndërkufitar. Me kapacitetet ekzistuese dhe me vullnetin politik komunat si akterë konstruktivë mund të angazhohen më shumë në promovimin e komunave të tyre, natyrisht duke kontribuar edhe në promovimin e Kosovës”, ka vlerësuar Ureya.

Për këtë arsye, ai ka thënë se duhet inkurajuar binjakëzimet dhe bashkëpunimet përmbajtjesore të komunave të vendit tonë, me komunat e shteteve të tjera, si dhe  pjesëmarrjen, por edhe anëtarësimin e komunave në organizatat ndërkombëtare të pushteteve lokale.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Çështje Rajonale në MPJ, Fitim Gllareva duke folur për rëndësinë e këtij takimi ka thënë se “MPJ, në vazhdën e koordinimit të aktiviteteve me jashtë, ka organizuar këtë takim për të marrë informata rreth nevojave dhe shqetësimeve të komunave sa i përket bashkëpunimit në fushën e promovimit të mundësive për investime të jashtme”.

Nga ana tjetër, udhëheqësja e Divizionit për avancim të buxheteve nëpër komuna në MAPL,  Fetije Begolli ka vlerësuar se komunat kanë nevojë për zhvillim ekonomik, derisa ka folur edhe për aktivitetet e kësaj Ministrie, e cila gjatë vitit 2016 ka mbështetur katër komuna me hartimin e planeve për zhvillim ekonomik lokal.

Kurse drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, ka njoftuar për aktivitetet e kësaj agjencie, ndërkohë ka theksuar nevojën për bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërinstitucional.

 

Nis konferenca e parë e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon

Në prag të festave të Nëntorit, Tirana është kthyer në kryeqytetin e shqiptarisë.

Periskopi.com Lajme

Delegacioni i Tiranës ishte nikoqir i delegacioneve nga komunat e hapësirave shqiptare si Prishtina, Tetova, Ulqini e Presheva.

Në takimin e udhëheqësve të këtyre komunave u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit, por edhe shkëmbimit të përvojave më të mira për zhvillimin dhe mirëqenien e faktorit shqiptar në këto komuna.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shprehu kënaqësinë për konkretizimin e kësaj nisme, si dhe theksoi se takime të tilla i shërbejnë drejtuesve të komunave/bashkive, por edhe stafeve të tyre drejtuese, për të vlerësuar drejt problematikat me të cilat përballen sot qytetet shqiptare.

“Problematika e qyteteve shqiptare, pajtohem që është problematikë e veçantë, e cila na detyron, na sfidon që të bashkëpunojmë, në mënyrë që këto çështje t’i shkëmbejmë edhe si përvoja, edhe si zgjidhje, e pse jo, edhe nëse diçka ka që e kemi provuar dhe s’ka ecur, t’i themi të tjerëve që mos e provoni, sepse kjo nuk funksionon. Ky është vetëm takimi i parë, shpresoj që komunat e tjera sa më shpejt të jemi nikoqirë të takimeve të radhës dhe të fillojmë dhe të shtojmë komunat e tjera, që edhe ato të bëhen pjesë e këtij rrjeti”, tha Ahmeti.

15224662_10211101326591679_2004503910_o 15205544_10211101325711657_1472445744_o

Ilustrim

Këto janë komunat e PDK-së që udhëhiqen nga burgu dhe gjykatat

Proceset e hapura gjyqësore, aktakuzat e ngritura, apo edhe vuajtja e dënimit me burg, nuk po i pengojnë disa nga kryetarët aktualë të komunave të Kosovës që të ushtrojnë funksionin e tyre.

Periskopi.com Lajme

Aktakuzat që rëndojnë mbi këta udhëheqës lokalë kryesisht kanë të bëjnë me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë theksojnë se ky fenomen pengon zhvillimin dhe funksionimin e qeverisjes lokale.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e quan të pashpjegueshme se si një numër i kryetarëve të komunave vazhdojnë të jenë në procedura hetimore apo të burgosur dhe njëkohësisht të qeverisin komunat përkatëse. Qeverisja me këta kryetarë, thotë ai, që shumicën e kohës e kalojnë nëpër procese gjyqësore, nuk mund të jetë efikase dhe model i qeverisjes së mirë.

“Por, në Kosovë tashmë është shndërruar në standard që një kryetar i suksesshëm mund të konsiderohet vetëm ai që mund të ketë ndonjë aktakuzë dhe tani gara në mes tyre është çfarë aktakuze kanë, dhe mos eventualisht kanë akuza edhe për krim të organizuar”, thekson Musliu.

Organizata joqeveritare Iniciativa për Progres, që njihet me akronimin INPO, kryesisht përcjellë nga afër funksionimin dhe punën në nivelet lokale të qeverisjes.

Albulena Ndrecaj, drejtore ekzekutive në këtë Iniciativë, për Radion Evropa e Lirë shprehet se këto veprime ndikojnë në qeverisjen lokale, duke zvarritur përparimet për zhvillimin e komunave përkatëse.

Ajo vlerëson se mbajtja e posteve, pavarësisht proceseve apo edhe vendimeve gjyqësore, ka si efekt edhe humbjen e besimit të qytetarëve karshi komunave përkatëse.

“Ata (kryetarët e komunave) kohën e tyre e harxhojë duke u marrë me procese gjyqësore dhe duke u munduar që të organizojnë dhe strukturojnë mbrojtjen e tyre. Në këtë mënyrë nuk mund të themi se angazhimi i tyre është serioz apo qind për qind, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç e kanë marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur me komunën”, ka thënë Ndrecaj.

Ndërkohë, zëvendësministri i pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje ndikon në funksionimin e komunave, por, sipas tij, ligji ekzistues në Kosovë e mundëson që të ushtrohet funksioni deri sa vendimi është i plotfuqishëm.

“Vendimi për këta individë duhet të jetë i plotfuqishëm. Pra, është ligji në shprehje dhe ne duhet t’i respektojmë ato vendime”.

“Nëse kryetarët e komunave janë të involvuar në procese gjyqësore, natyrisht se kjo pengon punën e tyre. Por, megjithatë, shumica e tyre e ushtrojnë atë funksion deri sa vendimi të jetë definitiv”, thekson Gecaj.

Në anën tjetër, Betim Musliu thotë se në vendet demokratike kjo çështje nuk do të lejohej të ndodhte nga vet partitë politike, të cilat, sipas tij, përmes kodeve, nuk i lejojnë kandidatët e tyre që kanë probleme me ligjin të jenë pjesë e listave zgjedhore.

 

“Në këtë rast, burimi i të këqijave janë partitë politike, të cilat për shkak të interesave të ndryshme vazhdojnë të mbajnë individë edhe me aktakuza, edhe me dënime të shkallëve të para”, shprehet Musliu .

Përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë që kryetarët e komunave të Kosovës – që përballen me akuza nga organet e drejtësisë – të japin dorëheqje dhe ky vendim, sipas tyre, të kërkohet nga vetë partitë politike.

Disa nga kryetarët që kishin apo kanë probleme me organet e drejtësisë janë Xhabir Zharku, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, i cili vazhdon të qëndrojë në arrati, pasi ishte shpallur fajtor për një vepër penale, duke iu shqiptuar dënimi me tri vite burgim.

Sami Lushtaku, kryetar i komunës se Skenderajt, ndërkaq, po e mban dënimin prej 12 vitesh burg për krime lufte.

Kurse, edhe Nexhat Demaku, kryetar i Komunës se Drenasit, është dënuar me tri vite burgim.

Pozitën e kryetarit të Komunës së Prizrenit vazhdon ta mbajë Ramadan Muja, edhe pse gjykata e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim dhe korrupsion në këtë komunë.

Së fundmi, aktakuza janë ngritur edhe ndaj kryetarit të Klinës, Gjilanit, si dhe atij të Mitrovicës. (REL)