Toka nuk falet për viza, Ushtria nuk na duhet pa pajtimin e ndërkombëtarëve

Dikur deputetët e edhe ministër në një kohë, tashmë kryetar komune, Idriz Vehapi gjithmonë në radhët e PDK-së, flet për demarkacionin, ushtrinë dhe tregon nëse do të jetë sërish kandidat për kryetar të Rahovecit.

Teuta Gashi Intervista

Në një intervistë për Periskopi.com ai tregon hapur për premtimet që ka bërë dhe nuk i ka realizuar, madje pranon se ka të atilla premtime që as që ka filluar puna rreth tyre.

Vehapi pranon se është papunësi në gjithë Kosovën, por beson se në komunën që ai udhëheqë ka më pak të papunë dhe tregon arsyet pse.

Palestra Sportive në këtë komunë që filloi së ndërtuari në vitin 2008 ende ka mbetur jofunksionale, por Vehapi për Periskopi.com premton se këtë vit do funksionalizohet.

Në fund të intervistës, jep mendimin e tij për Demarkacionin, për Projektligjin për Ushtrinë, e mbi të gjitha flet nëse koalicioni qeverisës PDK-LDK po luhatet.

Periskopi: A do kandidoni sërish për kryetar të Rahovecit?

Vehapi: Vendos partia, edhe dega, edhe niveli qendror, nëse ata mendojnë që jam kandidati adekuat.

Periskopi: A është diskutuar dhe a është vendosur diçka në degën këtu në Rahovec dhe a jeni ju i gatshëm?

Vehapi: Është diskutuar, por konkretisht jo. Nëse ata mendojnë që unë jam i denjë për të vazhduar mandatin, unë jam i gatshëm.

Periskopi: PDK udhëheqë në Rahovec, por para jush ishte AAK-ja, mendoni që PDK mund ta marr sërish këtë komunë?

Vehapi: Unë besoj që PDK-ja do e mbajë Komunën e Rahovecit, me cilindo kandidat që do ta ketë. Sepse, nëse është bërë zhvillim në Rahovec lidhet me mandatin e PDK-së, qoftë në kohën e kryetarit Qeska apo edhe tani. Sepse, të gjitha donacionet që janë, subvencionet dhe grantet që janë implementuar dhe po implementohen janë premtime të programit të PDK-së.

Periskopi: A e pranoni se fati për realizimin e projekteve është se partia juaj është në qeverisjen qendrore të vendit. Po të ishit në opozitë në qendër a do mund t’i realizoje këto?

Vehapi: Nuk ju besoj shumë këtyre gjërave, janë çështje premtimesh dhe fushatash, pasi të merret mandati është përgjegjësi e secilit të shikojë qytetarët.

Periskopi: A ka qoftë edhe një projekt që e keni prezantuar te ndonjë ministri e që u është refuzuar mbështetja?

Vehapi: Decedivisht kthim mbrapa nuk kemi pasur, por prolongim pak po. Kjo për faktin se disa projekte të cilat janë pranuar e që janë kompetencë e nivelit qendror janë paraparë të kryhen por janë shkuar pak më zvarrë.

Periskopi: Cili nga premtimet e fushatës tuaj nuk është realizuar dhe pse?

Vehapi: Premtime unë në fushatë nuk kam dhënë ta tilla që nuk mund t’i bëjë, nuk kam premtuar shumë dhe besoj që kam realizuar më shumë se që kam premtuar, ka edhe video incizime për këtë. Por, ajo që unë e kam pasur një premtim për të bërë  vlerësimin e jashtëm të nxënësve, pra shkollave të mesme dhe fillore, atë nuk kemi mundur ta realizojmë, për faktin se këtu duhet të jetë e implikuar edhe Ministria e Arsimit sepse është një projekt kombëtar, në vende tjera bëhet si testi i maturës. Është një premtim i imi që as nuk e kemi filluar, besoj se në të ardhmen do realizohet.

Periskopi: A e keni prezantuar si ide te Ministria e Arsimit?

Vehapi: Po, por e di që Ministria është e obliguar ta bëjë këtë, nëse jo tash, në mandatin tjetër gjithsesi. Kjo është një çështje që do përgatitje.

Periskopi: Cili premtim apo projekt që ke bërë kërkon ende kohë dhe mund të mbetet për në mandatin tjetër?

Vehapi: Është projekti për Zonën Industriale, AgroZona. Kjo ka qenë premtim i mandatit kur ka qenë në pushtet LDK-ja, menjëherë pas zgjedhjeve të para lokale. Kjo kërkesë ka vazhduar edhe në qeverisjen e kaluar, unë kam bë përpjekje për implementimin e saj, por as unë nuk kam mundur, edhe pse nuk jemi ndalur, po vazhdojmë me ‘presion’. Ajo pjesë ku është vendosur për atë zonë, menaxhuese është Agjencioni i Pyjeve, toka është e zhveshur, as pyll as tokë pune, ka qenë donacion nga KE-ja që komuna Suharekës e shfrytëzuar, e ne nuk kemi mundur sepse është në pjesën afër kësaj komune.

Në fillim të vitit 2014 kam kërkuar te Qeveria e edhe tani, kemi biseduar dy herë, e edhe me ministritë përkatëse, dhe tash jemi duke punuar që ajo pronë të kthehet në pronësi të komunës me çfarëdo vendimi, por është e pakuptueshme, dhe absurde për mua të mos mund të punohet. Në këtë drejtim, e di që janë angazhuar edhe kryetarët paraprak.

Periskopi: Sa të papunë janë në Rahovec, a keni shifra?

Vehapi: Shifra të sakta nuk dua të spekulojë sepse nuk besoj që ka. Është papunësi edhe në komunën tonë, por nëse e krahasojmë me komunat tjera është pak më e vogël, për faktin se qytetarët e Komunës së Rahovecit janë të vetëpunësuar, për shkak se merren me bujqësi, punojnë tokat, bujqësi, blegtori dhe këto bodrumet e vertarisë, mirëpo si gjithkund në Kosovë edhe në Rahovec ka të papunë.

Periskopi: Çfarë po ndodh me palestër sportive me një zvarritje shumëvjeçare, kur mund të thoni se do të jetë funskionale?

Vehapi: Palestra sportive, dua të jem korrekt, i hapur dhe i drejtpërdrejt, nuk kam dëshirë të akuzojë askënd, kjo palestër ka qenë e filluar dhe e papërfunduar, është absurd që duhet ta ketë fundin dhe besoj që do i vie fundi, do rregullohet. Kjo është neglizhencë, papërgjegjësi, krejt nga pak, por, prej vitit 2008 deri tani. Shpresoj dhe besoj se këtë vit do të kryhet. Është kompetencë e nivelit qendror, projekt i Ministrisë së Kulturës, të cilin në vitin 2008 ministër ka qenë Valton Beqiri e unë kam qenë ministër i Bujqësisë, janë ndërruar ministrat, por besoj se ministri aktual edhe ka premtuar edhe ka vizituar dy herë vendin.

 

Periskopi: Çka konkretisht nevojitet për të dhe edhe sa para duhen?

Vehapi: Ka mbetur vetëm pjesa brenda të rregullohet, parketi ulëset dhe eneteriare që parasheh një sallë. Besoj kryhet këtë vit, nëse nuk ndodhin këto procedurat e prokurimit. Saktësisht nuk e di, por diku rreth 300 mijë euro.

Periskopi: Pse profesori që u pa me armë kohë më parë vazhdon punën normalisht. A do duhej të merreshin masa?

Vehapi: Është e vërtetë ka pasur një rast, por ka ndodhur jashtë hapësirës shkollore, ka pasur profesori telashe me nxënës, por incidenti ka ndodhur jashtë hapësirave shkollore. Profesori e ka pasur një dënim, ne e kemi shqiptuar atë, ai i është përmbajtur, lënda ka qenë edhe në Inspektorat të Arsimit dhe institucione të Drejtësisë, pastaj ata kanë pasur një marrëveshje në mes vete, një mirëkuptim, ne kemi vazhduar në bazë të procedurave ligjore, që i është lejuar profesorit që të kthehet prapë në vendin e punës. Për fat të keq është një profesor që ka qenë udhëheqës i një subjekti politik, nuk dua të gjykoj. Nëse Gjykata do vendoste që ai nuk duhet punuar ne do e respektonim, por ajo nuk ka ndodhur.

Periskopi: Ka pasur akuza nga opozita në këtë komunë për punësime pa kritere?

Vehapi: Unë personalisht mundohem që të kemi kujdes maksimal, por në fund të fundit në suaza të optimales, nuk e di çka quajnë kritere…. Askush nuk pranohet në vendin e punës, nëse nuk i plotëson kriteret e vendosura paraprakisht.

Periskopi: Siguroni se në drejtoritë e kësaj komune janë të gjithë profesional?

Vehapi: Profesional janë të gjithë ata që kanë fakultetin e kryer, janë këshilltarët e kryetarit, drejtorët janë sipas statusit këshilltarë të kryetarit, janë njerëz me përvojë pune, dikush në arsim, dikush në administratë, besoj se janë profesional.

Periskopi: Nga gjithë këta është ndonjë grua?

Vehapi: Është drejtoresha e Arsimit.

Periskopi: Pse vetëm një grua?

Vehapi: Ajo është në vitin e tretë të punës, unë kam pas ofertë edhe për të tjerat, jo për shkak gjinisë, por kam menduar se disa drejtori nëse do jenë kandidate me përvojë gra. U jam ofruar, nuk ka pasur gatishmëri dhe ka mbetur vetëm një.

Periskopi: Deri ku është kufiri me Malin e Zi?

Vehapi: (qeshë) Nuk e di!

Periskopi: Me cilin Komision pajtohesh dhe a duhet dërguar sa më shpejt në Kuvend?

Vehapi: Unë jam që me kufijtë mos të bëhet politik.

Periskopi: Kush po bën?

Vehapi: Nuk e di, por jam ithtarë i asaj që të mos bëhet. Dhe kur them nuk e di, vërtetë nuk e di, as nuk jam qytetar i asaj zone, as nuk jam ekspert i fushës. Në këtë drejtim çfarëdo që flas është e pasaktë. Sa më përket mua, e la një pikëpyetje, nuk e di cili komision ka të drejtë.

Periskopi: A duhet të dërgohet në Kuvend?

Vehapi: Së pari duhet vërtetuar ku është kufiri, të ketë një konsensus, dhe pastaj të dërgohet në Kuvend, se nëse shkon dhe nuk votohet, asgjë nuk është ajo punë.

Periskopi: A do pajtoheshit të humbet territor për liberalizim vizash?

Vehapi: Jo, asnjëherë. Jo. Nëse është ashtu, unë nuk pajtohem të humbet territor. Dhe prapë po e them nuk jam ekspert i fushës e as banor i zonës, e nuk e di saktësisht ku është kufiri.

Periskopi: A sheh ndonjë zgjidhje për këtë çështje?

Vehapi: Në të gjitha shtetet Kuvendi është organi më i lartë i një vendi dhe aty vendoset.

Periskopi: A veproi mirë presidenti Hashim Thaçi që kërkoi që ushtria të bëhet me Ligj?

Vehapi: Mendoj se do të ishte mirë që kjo çështje të zgjidhej siç ka qenë e paraparë përmes Kushtetutës. Ju e dini që kushtetuta jonë për shumë çështje kërkon votim të dyfishtë, kjo çështja ka mundur të zgjidhej para shumë kohe, atëherë kam qenë deputet në Kuvend, është bërë politik me Ushtrinë.

Periskopi: Kush?

Vehapi: E kanë bërë ata që kanë menduar se përfitojnë prej asaj, e dini se ka qenë çështja e vendeve të rezervuara dhe ndërrimi i kushtetutës dhe formimi i ushtrisë, këto, ju e dini shumë mirë.

Periskopi: Të jemi më korrekt me lexuesit, kush?

Vehapi: Është përmendur disa herë tashmë.

Periskopi: Ishte vetëm LDK sipas jush, apo edhe ndonjë parti tjetër?

Vehapi: Nuk e di që kishte tjetër. Por ka qenë ashtu që nuk i pranonin vendet e rezervuara dhe unë besoj që ata nuk e kanë ditur që do vinim në këtë situatë të vështirë se do e pranonin, se është e palogjikshme ndryshe. Nganjëherë ne shohim shumë afër, prandaj mendoj që do ishte e përfunduar tashmë. Por në situatën ku jemi është ndryshe dhe në një ngërç. Ka strukturë tjetër në Kuvend nga komunitetet jo shumicë, nuk e di nëse do të kalonte votimi i dyfishtë dhe nuk e di a kemi ne mundësi të presim pafund pa e krijuar ushtrinë. Nëse nuk ka zgjidhje tjetër, duhet ….nuk ka shtet pa ushtri.

Periskopi: Çka duhet?

Vehapi: Duhet ta bëjmë ushtrinë.

Periskopi: A duhet dërguar projektligji në Kuvend?

Vehapi: Duhet diskutuar mirë këtë çështje, të shteren gjitha mundësitë dhe në fund të bëhet ushtria.

Periskopi: Pa pajtimin e SHBA-së dhe NATO’s a duhet dërguar në Kuvend?

Vehapi: Pa pajtimin e tyre nuk do thoja që është mirë.

Periskopi: Çfarë po ndodh me koalicionin PDK-LDK, a është në rrezik?

Vehapi: Për koalicion e di që nuk ka telashe, në kryesi të partisë që marr pjesë nëpër takime kur është biseduar për koalicionin asnjëherë nuk është biseduar se është në krizë. Besoj që ky vazhdon, e që del ndonjë çështje që nuk kalon apo rrethana të ndryshe shkon vendi në zgjedhje nuk e di, por koalicioni nuk e shoh që ka probleme. Deputetë të caktuar dalin flasin, janë normale, secili grup ka ata që mendojnë ndryshe. Në kushte normale nuk do shihja zgjedhje.

Periskopi: Ushtria, demarkacioni, asociacioni apo kush mund të sjell zgjedhje?

Vehapi: Ushtria nuk e dërgon vendin ën zgjedhje, të gjithë e votojnë. Mundet ndonjëra nëse duhet patjetër të kalohet dhe kjo strukturë nuk është e gatshme që ta kaloj, atëherë mbetet zgjedhjet si mundësi./Periskopi

Reklamë
Reklamë

Ish-zyrtari i Rahovecit burgoset për keqpërdorim seksual të të miturës

Ish-zyrtari i Komunës së Rahovecit, S.K., është dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim seksual të një personi nën moshën 16-vjeçare.

Periskopi.com Lajme

Gjykata e Apelit ka dënuar me 3 vjet heqje lirie ish-drejtorin për Komunitete dhe Kthim të Komunës së Rahovecit, S.K., i cili akuzohej për veprën penale keqpërdorim seksual i personit nën moshën 16-vjeçare.

Në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO.com të Gjykatës Themelore të Gjakovës të datës 29 prill 2016, S.K. ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vitesh.

Ndaj këtij aktgjykimi ishte ankuar mbrojtja e të akuzuarit.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se aprovohet ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, duke ndryshuar më pas aktgjykimin e Gjykatës Themelore përkitazi me vendimin për dënim.

“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit S.K. ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë i datës 29.04.2016, përkitazi me vendimin për dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin S.K. për veprën penale – keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, nga neni 235 par. 1 pika 1.1 të KPRK-së, për të cilën është shpallur fajtor, e gjykon me dënim burgu në kohëzgjatje prej tri vitesh, të cilin dënim do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në dënimin e shqiptuar i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14.08.2015 e tutje, thuhet po ashtu në aktgjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës i akuzuari kishte pasur disa herë marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur.

“Sepse në kohën e pacaktuar të muajit qershor 2015 e gjerë më 12.08.2015, i akuzuari me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç, pikërisht me të dëmtuarën – të miturën NN ka kryer marrëdhënie seksuale, në atë mënyrë që të njëjtën i akuzuari gjithherë e ka marrë me veturën zyrtare të K.K. Rahovec, duke e dërguar në Rahovec, respektivisht në një rrugë malore në dalje te Rahovecit, në një rrugë me vreshta dhe me të ka kryer disa herë marrëdhënie seksuale, e që për këto shërbime seksuale i akuzuari të dëmtuarës i ka dhënë të holla nga 30 euro deri në 50 euro, si dhe një telefon të mençur të tipit “Lenovo”, gjersa i njëjti më 14.08.2015 është arrestuar nga Policia”, thuhet në aktakuzë.

Reklamë
Reklamë