Komisioni për matjen e territorit nesër publikon draft-raportin

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës njofton opinionin se sot mbajti takimin e radhës, në të cilin debatoi dhe bëri përgatitjet e fundit për prezantimin e Draft-raportit para se t’i prezantojë publikisht gjithë dokumentacionin dhe rezultatet profesionale, shkencore dhe menaxheriale që lidhen me madhësinë territoriale të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

“Prezantimi publik i të gjitha të dhënave, materialeve dhe gjetjeve do të bëhet më 21 shkurt 2017, në ora 10:00, në mjediset e Qeverisë, ndërkaq diskutimi publik do të zgjasë nga 21 – 24 shkurt 2017, nga ora 10:00 -15:00 në ndërtesën e Qeverisë”, ka thënë Tomor Çela, zëdhënës i Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit.

“Gjithashtu, njoftojmë opinionin publik se përfaqësuesi i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore e braktisi në mënyrë demonstrative takimin vetëm pak minuta pas fillimit të tij ende pa filluar prezantimi profesional i Draft-raportit dhe me këtë rast, e deklaroi dorëheqjen e tij nga ky Komision”, ka thënë më tej Çela duke e konfirmuar lajmin e publikuar.

Komisioni thotë se s’është vonë që ekspertët e qytetarët të kontribuojnë në matjen e territorit

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, tashmë ka në dispozicion të gjitha materialet bashkë me gjetjet relevante për procesin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Periskopi.com Lajme

“Pas kompletimit të dokumentacionit, analizës dhe studimit të tij nga ekspertët brenda organizatave dhe agjencioneve profesionale, shkencore dhe menaxheriale, Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës iu dorëzuan të gjitha materialet, bashkë me gjetjet relevante për procesin.

Komisioni sot, më 10 shkurt 2017, organizoi takimin e radhës ku specialistët e këtyre organizatave dhe agjencioneve prezantuan të dhënat gjeoinformative, hartat e kadastrit të tokave dhe të komunave administrative, planet zhvillimore e mjedisore, hartat topografike, skicat, të dhënat statistikore, baza ligjore, faktet shkencore, etj. Secila organizatë dhe agjencion i prezantoi rezultatet e punës së vet”, thuhet në njoftimin për media.

Më tej Komisioni përmes këtij njoftimi ka bërë të ditur se shumë shpejt do të organizoj edhe vizita në terren, duke thënë se mirëpret çdo dëshmi, vërejtje dhe sugjerim të argumentuar.

“Nuk është vonë që të gjithë specialistët e gjeoshkencave, ekspertët e shkencave të afërme dhe qytetarët, me njohuritë e tyre, të kontribuojnë në ndriçimin e së vërtetës për madhësinë territoriale të Kosovës dhe problemet dhe dilemat eventuale.

Komisioni do të bëjë sistemimin e të gjitha rezultateve për të hartuar raportin final të problemit dhe pastaj të gjitha materialet dhe gjetjet do t’i ofrohen opinionit për diskutim publik. Do të caktohen ditët kur opinioni profesional dhe opinioni i gjerë mund të kenë qasje në materialet dhe gjetjet përkatëse.

Komisioni mirëpret çdo dëshmi, vërejtje dhe sugjerim të argumentuar. Gjatë ditëve në vijim, sipas nevojës, Komisioni do të organizoj edhe vizita në terren për verifikimin e pikave me të cilat vërtetohet mbulueshmëria me dokumentacion administrativ e hartografik”, thuhet në fund të njoftimit.

 

Të gatshëm për matjen e territorit

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka mbledhur dokumentet e nevojshme për të filluar punën në terren.

Periskopi.com Lajme

Anëtari i grupit të ekspertëve dhe zëdhënësi i komisionit, Tomor Çela tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni ka pranuar dokumentet e nevojshme dhe brenda javës do të prezantohen nga institucionet përkatëse për shqyrtim dhe diskutim.

“Ne jemi në fazën e rishikimit të dokumentacionit komplet. Me datën 10 do ta kemi një takim të përbashkët ku secili institucion do të prezantojë të gjeturat e veta rreth sipërfaqeve dhe projekteve që i kanë realizuar në territorin e Kosovës”, ka thënë Çela.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtari i komisionit, tha po ashtu se përfaqësuesit e komunave nga të cilat është kërkuar dokumentacioni për territor, i kanë dorëzuar në komision.

“Ne si komuna kemi dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Atë çka posedon Komuna e Pejës, (është dorëzuar dokumentacion) 602 kilometra katrorë e 58 hektarë është sipërfaqja totale e komunës së Pejës. Në bazë të llogarisë së matjeve që do të bëhet më tutje, do të konstatohet a ka humbje të territorit – a mungojnë ato 83 kilometra që po i propagandon opozita dhe disa deputet të pozitës”, ka thënë Muhaxheri.

Komisioni përbëhet nga ekspertë, të cilët janë deleguar nga institucionet dhe subjektet e ndryshme vendore.

Në këtë komision gjatë punës pritet të ketë edhe ekspertë në cilësinë e vëzhguesve nga institucionet dhe përfaqësitë ndërkombëtare në Kosovë.

Formimin dhe punën e këtij komisioni e kanë kundërshtuar partitë politike opozitare dhe nuk kanë dashur që të marrin pjesë në ketë komision duke thënë se “nuk dëshirojnë të legjitimojmë veprime dhe marrëveshje tejet të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, siç është edhe Komisioni për matjen e territorit”.

Në Komisionin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës nuk po marrin pjesë as përfaqësuesit e banorëve të brezit kufitar mes Kosovë dhe Malit të Zi.

Ali Lajçi, ishte caktuar nga komisioni si përfaqësues i banorëve, por ai nuk ka marrë pjesë dhe konfirmon se nuk do të përcjellë punimet e komisionit.

“Nuk kam shkuar ngase e konsiderojmë si farsë. Është humbur legjitimiteti, kurse tash po bëhen prova për të dërguar edhe një herë (në Kuvend) për ta bërë një kamuflim. Ne nuk jemi të interesuar ta legjitimojmë atë lloj projekti tashmë të dështuar”, tha Lajçi.

Partitë politike opozitare në vitin e kaluar patën bllokuar disa herë seancat plenare, duke përdorur dhe gazin lotsjellës dhe fishkëllima në sallën e Kuvendit, kur është tentuar të trajtohet çështje e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi apo çështje tjera që nuk janë mbështetur nga tabori opozitar.

Komisioni për matjen e territorit të Republikës së Kosovës me anë të një komunikate për media ka deklaruar se është duke punuar intensivisht në kuadër të ndarjes së punës.

“Në punën e Komisionit mungojnë vetëm ata që nga fillimi nuk iu kanë përgjigjur ftesës së Qeverisë dhe të Kryeministrit (partitë opozitare dhe dy kryetarë të komunave). Komisioni i fton edhe ato subjekte që përmes përfaqësuesve të tyre t’i bashkohen diskutimit konstruktiv për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të vërtetës dhe të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, duke thënë se në komision “nuk ka asnjë përçarje”.

Matja e territorit është iniciuar si kërkesë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pas akuzave të opozitës por edhe disa deputetëve në pushtet, se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se kjo matje nuk do të marrë shumë kohë dhe se me anë të këtij procesi do t’i jepet një përgjigje profesionale dhe shkencore pyetjes se a ka humbur apo jo territor shteti i Kosovës me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. /rel/

Selimi: Qeveria po formon komisione në krye me njerëz të dëgjueshëm

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,  Rexhep Selimi ka theksuar se qeveria po emëron njerëz të dëgjueshëm në komisione, vetëm e vetëm që ta kalojë Demarkacionin.

Periskopi.com Lajme

 

Ai për Gazeta Blic ka thënë se përveç opozitës edhe qytetaria aktive në Kosovë po e mbrojnë territorin e Kosovës, duke e kundërshtuar demarkacionin.

“Këtu ka të drejtë qeveria kur thotë se ata që po e pengojnë demarkacionin janë opozita. Në fakt jo vetëm opozita, por edhe disa deputetë të mazhorancës dhe qytetaria aktive në Kosovë po e mbrojnë territorin e Kosovës duke e kundërshtuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi” tha Selimi për GazetaBlic.

Selimi tutje tha që është hera e dytë që Qeveria po formon komisione me njerëz të dëgjueshëm të pushtetit.

“Është hera e dytë që Qeveria po formon komisione për demarkacion e që në përbërje dhe në krye të atyre komisioneve po i vë disa të dëgjueshëm të pushtetit të cilët janë edhe joprofesionalë por edhe jokredibilë për të dhënë mendimin e tyre” tha Selimi.

E krejt në fund ai e ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk bënë kompromise në dëm të Kosovës, përcjellë GazetaBlic.

“Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje as nuk merr pjesë në ato komisione e as nuk bën kompromise në dëm te Kosovës. Përkundrazi, ne do ta kundërshtojmë çfarëdo pazari me Kosovën” ka përfunduar deklaratën e tij Selimi.

Ndryshe në një komunikatë të dërguar për media nga Qeveria e Kosovës, thuhet se Komisioni për matje të territorit është duke e kryer punën e tij me sukses, duke bërë të ditur se të vetmit që po mungojnë në këtë komision janë opozita.

“Komisioni i fton edhe ato subjekte që përmes përfaqësuesve të tyre t’i bashkohen diskutimit konstruktiv për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të vërtetës dhe të Kosovës”, thuhet në komunikatë

Komisioni për matjen e territorit thotë se nuk ka kurrfarë përçarje!

 Komisioni për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj lajmeve që qarkulluan sot se në këtë komision ka përçarje.

Periskopi.com Lajme

Përmes një njoftimi për media, ky komision ka dematuar lajmet për përçarje, duke shtuar se puna është duke vazhduar në mënyrë intensive.

“Komisioni për matjen e territorit të Republikës së Kosovës është duke punuar intensivisht në kuadër të ndarjes së punës. Priten edhe disa materiale. Në punën e Komisionit mungojnë vetëm ata që nga fillimi nuk iu kanë përgjigjur ftesës së Qeverisë dhe të Kryeministrit (partitë opozitare dhe dy kryetarë të komunave). Komisioni i fton edhe ato subjekte që përmes përfaqësuesve të tyre t’i bashkohen diskutimit konstruktiv për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të vërtetës dhe të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Përmes këtij njoftimi bëhet e ditur edhe puna aktule që është duke u bërë nga ky komision.

” Dje është takuar Grupi organizativ për të konstatuar kompletimin e materialit dhe për të caktuar datën e organizmit të debatit nga profesionistët e organizatave dhe të agjencive profesionale, shkencore dhe menaxheriale. Me këtë rast Grupi organizativ e caktoi si zëdhënës të Komisionit, dr. Tomor Çelën. Grupi organizativ e pa të arsyeshme që t’i dërgojë një letër Dekanit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, dr. Tahir Arbneshit, nga i cili kërkon që punës së Komisionit t’i bashkëngjiten të gjithë studiuesit dhe profesorët e Departamentit të Gjeografisë që janë marrë dhe merren me problemet gjeohapësinore dhe posedojnë materiale dhe të dhëna të nevojshme. Disa nga anëtarët e këtij Departamenti tashmë e kanë iniciuar dhe kanë marrë pjesë në debate të tilla tash e sa kohë dhe ftohen që të vijnë në debat ditën që do të caktohet dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në emër të profesionit dhe shkencës dhe rrjedhimisht të së vërtetës.

Nuk ka asnjë përçarje, siç është raportuar nga disa media. Komisioni po punon në mënyrë profesionale për matjen e territorit”, është potencuar në njoftim./Periskopi/

 

Javën e ardhshme mbahet mbledhja e Komisionit profesional për Demarkacion

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, tha se pa e dhënë dritën jeshile opozita ose Lista Serbe nuk do të mund të miratohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi.

Periskopi.com Lajme

Ai ka thënë se në mungesë të votave të opozitës dhe Listës Serbe, ata si koalicion qeverisës nuk i kanë votat e nevojshme.

“Ne kemi edhe disa deputetë nga radhët e koalicionit qeverisës që e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje. Por, Qeveria e Kosovës e ka iniciuar themelimin e një komisioni profesional për zgjidhjen e demarkacionit. Në këtë komision do të marrin pjesëtarë të pozitës dhe opozitës, tre ekspertë ndërkombëtarë dhe një përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA ) – në Prishtinë, një i Bashkimit Evropian (BE) dhe një i KFOR-it”, ka shtuar Gecaj.

Gecaj për telegrafin tha se kanë kërkuar nga opozita, e cila nuk i është përgjigjur ende ftesës që në këtë komision të ketë ekspertë dhe jo politikanë, duke shtuar se “takimi i parë pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme”.

Propozimi për themelimin e Komisionit profesional ka ardhur ditë më parë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ndryshe, për më tepër se një vit nuk ka mundur të kalojë në Kuvend Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, në versionin të cilin e ka propozuar Qeveria e Kosovës.

Demarkacioni, vetëm me ndërmjetësues kredibil

Gjasat praktike që Kuvendi i Kosovës të ratifikojë marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi deri në fund të këtij vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm, janë të pamundura, vlerësojnë përfaqësues të opozitës dhe njohësit e zhvillimeve politike.

Periskopi.com Lajme

Sipas tyre, miratimin e kësaj marrëveshje e bëjnë të pamundur pozicionimet e kundërta, në të cilat janë betonuar partitë në pushtet dhe partitë opozitare rreth kësaj çështjeje.

Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo opozitare, thotë përRadion Evropa e Lirë se partitë opozitare nuk janë kundër shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, por janë kundër variantit aktual të marrëveshjes që ka dalë nga Komisioni shtetëror për shënimin e vijës kufitare, e cila, sipas tij, i humbë territor Kosovës.

Siç thotë ai, as partitë opozitare, e as një numër deputetësh që vijnë nga radhët e dy partive në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, nuk do ta votojnë marrëveshjen aktuale.

“Sa i përket ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacion, mendoj që kjo nuk do të ndodhë këtë vit, fatkeqësisht për mos-seriozitetin e Qeverisë së Kosovës, në këtë rast të kryeministrit të Kosovës, që me kokëfortësi e mban marrëveshjen e Vjenës dhe thotë që Kosova nuk humb asnjë milimetër territor. Po e them që nuk ka gjasa që të ratifikohet në Kuvend këtë vit. Jam i bindur që as në fillim të vitit të ardhshëm, ky version assesi”, thotë Lekaj.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se janë duke zhvilluar takime ditore me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, i cili njëherësh është edhe kryetar i PDK-së, me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe me e përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Amerikane, për të gjetur një mënyrën se si të gjendet zgjidhja për miratimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se nëse këtë nuk e bëjmë tani, e them gjatë kësaj periudhe deri në fund të vitit, ose eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm, ne do ta humbim hapin dhe do të ngecim në këtë proces”, ka thënë Mustafa.

Por, edhe analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se gjasat për t’u ratifikuar marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës, praktikisht nuk janë të mundura, bazuar në pozicionimet e tashme, siç thotë ai, të dy taborreve.

Sipas Muhaxhirit, as propozimet e pushtetit ndaj opozitës, e as ato të opozitës ndaj partive në pushtet, nuk janë të tilla që do të mund të krijonin ndonjë ide që njëra palë e ka seriozisht gjetjen e modalitetit të zgjidhjes, që do ta përfundonte këtë proces.

Profesor Muhaxhiri, vlerëson se zgjidhja e vetme do të ishte që në kontestin e pushtetit dhe opozitës të përfshihet një palë e tretë, më e fuqishme se të dyja këto sa i përket, siç thotë ai, efektit të demarkacionit.

“Ajo (pala e tretë) do të mund të ishte Bashkimi Evropian. Nëse BE-ja shfaqë sadopak vullnet dhe gatishmëri që të përfshihet në këtë proces, si një garantues kredibil i riformatizimit të të gjithë procesit apo të dhënies së ndonjë ideje për të dalë nga kjo krizë, atëherë ndoshta edhe do të mund të kishim pak shpresë për gjetjen e zgjidhjes”, vlerëson Muhaxhiri.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka themeluar një Komision për matjen e territorit të vendit, mirëpo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e opozitës për këtë qëllim, si dhe përkrahjen e disa deputetëve nga partitë e koalicionit.

Deputeti Lekaj, thotë se matja e tillë, siç pretendon Qeveria, është e papranueshme për opozitën.

“Nëse thuhet se vetëm po hyjmë, po e masim një hapësirë, tokën, territorin e Kosovës, pa u nisur se prej cilës pikë po fillojmë, mendoj se është e kotë dhe ne nuk pranojmë assesi”, shprehet Lekaj.

Profesor Muhaxhiri, thekson se propozimi i Qeverisë që nëpërmjet një Komisioni për matjen e territorit ta zgjidhë nyjën që ka krijuar çështja e demarkacionit me Malin e Zi, është, sipas tij, qasje krejtësisht e gabueshme.

“Propozimi i Qeverisë është krejtësisht i pavend, sepse edhe vetë mënyra e prezantimit të tij është me një lloj snobizmi, me një lloj kompleksi superioriteti dhe është qesharake të mendohet se opozita do ta përulë veten dhe ta pranojë pjesëmarrjen në këtë format të komisionit”, thekson Muhaxhiri.

Sido që të jetë, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, është një prej dy kushteve të fundit nga Bashkimi Evropian, që Kosova duhet t’i plotësojë për të marrë liberalizimin e vizave. Mosratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, siç është thënë, do ta shtyjë procesin dhe Kosovës do t’ia pamundësojë marrjen e liberalizimit të vizave edhe vitin e ardhshëm.(REL)

Sherifi për formimin e komisionit për demarkacion: “Mos paç punë luaje derën”

Vendimi i Qeverisë për formimin i një komisioni të ekspertëve për matjen e kufirit me Malin e Zi, çështje kjo që ka shkaktuar kriza e trazira politike në vendin tonë gjatë vitit të kaluar, nuk po shihet me optimizëm dhe si lajm i mirë nga opozita.

Periskopi.com Lajme

Sekretari i Nisma për Kosovën Bilall Sherifi për Gazetën Monitor ka thënë se Qeveri tash ka mbetur pa punë dhe se përmes formimit të këtij komisioni donë të krijojë përshtypjen se është duke punuar, por se kjo sipas tij nuk paraqet realitetin.

Ai ka përshkruar për Gazetën Monitor në një mënyrë interesante formimin e këtij komisioni.

“Kanë mbet pa punë dhe përmes formimit të këtij komisioni po bëhen gjoja po punojnë diçka. Kësaj i thonë “Mos paç punë luaje derën”, ka thënë Sherifi për Gazetën Monitor.

Ndryshe sot gjatë ditës qeveria ka miratuar  vendimi për formimin e një komisioni për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës.

Ky ekip do të ketë ekspert të ndryshëm përfaqësues të partive opozitare, agjencive tjera , fakultetit Matematikës Natyror, Polica , shoqëria civile, përfaqësues të komunës së Pejës, gjeodezisë dhe do të mbikëqyret edhe nga BE.

Procedohet në lexim të parë Projektbuxheti për vitin 2017

Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, me shumicë të votave, kanë miratuar në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2017.

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Shukri Buja, ka votuar kundër, ndërsa pavarësisht vërejtjeve të shumta, kryetarja e Komisionit, Safete Hadergjonaj po nga PDK, ka votuar pro, raporton KP.