Thaçi e pranon: Mediat nuk lejuan cenimin e lirisë së shprehjes përmes Kodit Penal

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot e ka hapur zyrtarisht konferencën ndërkombëtare “Prishtina Media Days”, e cila është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe me Southeast European Media Organization (SEEMO), si dhe është mbështetur nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Duke ua uruar 3 Majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për të gjithë gazetarët që me guxim dhe profesionalizëm vazhdojnë të kryejnë punën e tyre fisnike, të informimit të drejtë të opinionit publik.

“Liria e shtypit, e cila në kuptimin më të gjerë përfshin lirinë e shprehjes së mendimit dhe të drejtën për t’u informuar është një nga liritë themelore të njeriut dhe ndër më të dëshiruarat. Përpjekjet për të realizuar këtë liri janë përpjekje që nderojnë historinë e kulturës njerëzore”, u shpreh presidenti Thaçi, transmeton Periskopi

Ai tha se gazetaria në Kosovë ka qëndruar e palëkundur përkundër presioneve dhe joshjeve, duke u rritur dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë.

“Ju përgëzoj për pavarësinë dhe integritetin profesional që keni ruajtur. E përgëzoj edhe transmetuesin publik për pavarësinë redaktuese që ka ruajtur, përkundër përpjekjeve të politikës për ta cenuar dhe për ta ndikuar”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi dënoi çdo kërcënim kundër gazetarëve dhe i përgëzoi edhe organet e rendit dhe ligjit që kanë vepruar menjëherë kundër kërcënuesve.

“Përpjekjet për të penguar gazetarët në punën e tyre, kërcënimet kundër tyre, janë të papranueshme në shoqërinë kosovare dhe do të luftohen me forcën e ligjit. I përgëzoj organet e rendit dhe ligjit që kanë vepruar menjëherë kundër atyre që guxojnë të kërcënojnë gazetarët. Kam kërkuar edhe që drejtësia të zbulojë fatin e gazetarëve të zhdukur apo atyre të vrarë në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës”, shtoi ai.

Presidenti theksoi se është i mirëseardhur lajmi se këtë vit progresi në Kosovë njihet edhe nga “Reporterët pa Kufij”, që renditi vendin tonë për tetë vende më lartë se një vjet më parë në shkallën e lirisë së shtypit.

“Përkushtimi ynë, i tërë shoqërisë, është që të mbrohet dhe të forcohet edhe më tutje liria e të shprehurit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai përgëzoi mediat dhe shoqërinë civile edhe për debatin publik për ndryshimet fillestare të propozuara në kodin penal, që cenonin lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.

“Kjo edhe një herë dëshmoi fuqinë e mediave dhe të debatit të lirë”, theksoi presidenti Thaçi.

Në përputhje me kompetencat e tij, presidenti Thaçi tha se është përkushtuar që nga dita e parë që të mbrojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Ai tha se zhvillimi i teknologjisë informative ka krijuar mundësi që nuk i kemi pasur kurrë më parë për t’u shprehur dhe për të komunikuar.

“Sot është më lehtë se asnjëherë më parë që të shprehemi dhe të ndajmë mendimet tona. Por, kjo e ka bërë edhe më të lehtë se kurrë më parë që të abuzohet me lirinë e të shprehurit. Kjo është sfidë jo vetëm për shoqërinë kosovare, por për tërë botën. E tërë bota po përballet me fenomenin e lajmeve të rrejshme, por edhe me përpjekjet e regjimeve jodemokratike që nëpërmjet luftës hibride të abuzojnë me lirinë e shprehjes dhe të cenojnë rendin e vlerave dhe parimeve që ndërtojnë shoqëritë liberal-demokratike”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi theksoi se sfidë sot nuk është vetëm ruajtja e lirisë së shprehjes nga përpjekjet për të kufizuar atë, por edhe mbrojtja e saj nga përpjekjet për të abuzuar me të./ Periskopi

Ministrja e Drejtësisë thotë se dy nenet kundër lirisë së shprehjes janë futur për të provokuar

Periskopi.com Lajme

Kjo javë është përshkuar me debate të shumta rreth draftit të ndryshimit të Kodit Penal të Kosovës. Ky debat është zhvilluar më shumë rreth dy neneve të këtij drafti, nenit që i referohet Shpifjes ndaj Shtetit dhe Simboleve të Shtetit dhe nenit tjetër, Shpifja ndaj Organeve Kushtetuese.

Pas këtyre debateve, lajmi.net merr vesh nga burime të sigurta brenda Ministrisë së Drejtësisë së ministrja, Dhurata Hoxha ka urdhëruar largimin e këtyre dy neve nga drafti për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal.

“Dy nenet e kontestuara janë përfshirë në draft me qëllim të hapjes së debatit në shoqërinë e kosovare, mirëpo kjo nuk do të thoshte që me automatizëm do të përfshihen në Kodin e ri”, kanë thënë burime të lajmi.net brenda Ministrisë së Drejtësisë.

Drafti i Kodit Penal do të duhej që brenda dy javësh të merrte kritikat dhe propozime nga shoqëria civile, gazetarët, etj., në mënyrë që të konsumoheshin të gjitha debatet e më pas të rikthehet në MD për t’u plotësuar para shkuarjes në Kuvend.

Në draft-nenin 134, pika D “Shpifja ndaj Organeve Kushtetuese” thuhet: 1. Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shtetit dhe kështu qëllimisht mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës se Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.

Kurse në draft-nenin 134, pika C “Shpifja ndaj Shtetit dhe Simboleve Shtetërore” thuhet: Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara:

1.1.            fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose

1.2.            fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë.

Kushdo që heq, shkatërron, dëmton, e bën të papërdorshme ose palexueshme, ose ndryshon me dashje flamurin e ekspozuar publikisht të Republikës së Kosovës ose një emblemë shtetërore të vendosur nga një autoritet publik i Republikës se Kosovës, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë.

Kushdo që me qellim mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës se Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, dënohet me dënim me burgim deri në pesë (5) vite.

Tentativa për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në këtë nen është e dënueshme.

 

 

 

 

 

BE reagon ashpër për ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës, madje paralajmëron

Periskopi.com Lajme

Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së është e brengosur në lidhje me synimin e autoriteteve të Kosovës për të ndryshuar e plotësuar Kodin Penal të Kosovës me dispozita të reja për shpifjen dhe fyerjen.

“Kjo është në kundërshtim me trendet ndërkombëtare të shfuqizimit të ligjeve penale të shpifjes. Një numër shtetesh anëtare apo anëtare potenciale të BE-së, duke përfshirë Kosovën, tashmë kanë hequr kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, ndërsa vendet tjera kanë bërë hapa të rëndësishëm në të njëjtin drejtim. Dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes në Kosovë është raportuar si përparim në Raportin e Komisionit Evropian më 2013. Legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet”, thuhet në reagimin e BE-së, raporton Periskopi

BE-ja në Kosovë i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë respektimin e parimeve ekzistuese të garantimit të lirisë së shprehjes, të përligjur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është përafruar me standardet më të larta evropiane./ Periskopi

 

Shoqëria civile reagon ashpër për ndryshimin e Kodit Penal: Po kriminalizohet liria e shprehjes

Periskopi.com Lajme

Organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë fuqishëm draftligjin e hartuar të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Draftligji i propozuar shkel thellësisht parimet fundamentale të një shteti demokratik ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut.

Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë që të kriminalizojë lirinë e shprehjes përbën një hap drejtë autoritarizimit të Kosovës, dhe në kundërshtim të plotë me rrugën e reformave Evropiane për të cilat Republika e Kosovës duhet të jetë e përkushtuar, raporton periskopi

Ne vlerësojmë që draftligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë është hartur në një proces krejtësisht të mbyllur, pa u thirrur grupi punues përkatës, dhe është nxjerrur në publik në një mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme. Ndryshimet e propozuara përbëjnë hap drejtë kontrollit të fjalës së lirë për të kritikuar institucionet e larta të Republikës së Kosovës përmes procedurës penale, standard i cili do të ngulfaste lirinë e fjalës publike si instrument për të kërkuar përgjegjësi institucionale dhe politike.

Për më shumë, ndryshimet e propozuara në draftligjin në fjalë (në veçanti neni 6 i draftligjit që i referohet nenit 134 të Kodit Penal) nuk janë hapur dhe diskutuar asnjëherë në takimin e grupit punues për këtë draftligj.

Ne kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të tërhiqet prej një draftligji të tillë, dhe të kërkoj falje publike për këtë veprim autoritar të saj i cili ka cënuar seriozisht kredibilitetin e institucionit dhe politikbërjes në Kosovë. Gjithashtu, i bëjmë me dije Ministres së Drejtësisë që rruga Evropiane e Kosovës nuk mund të vihet përpara sfidave të tilla në një mënyrë kaq të papërgjegjshme.

Në të kundërtën, organizatat e poshtëshënuara do të marrin çdo hap për të penguar që një draftligj i tillë të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Këto janë organizatat nënshkruese:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Organizata Cohu

Instituti Demokratik i Kosovës

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës  /Periskopi

Reagimet të ashpra për ndryshimet e Kodit Penal, konsiderohet kthim në diktaturë

Periskopi.com Lajme

Ndër punët e para që e kishte përmendur se do t’i inicionte sapo qe ngjitur në krye të shtetit presidenti Hashim Thaçi ishin ndryshimet në Kodin Penal dhe të Procedurës Penale.

Kështu nëntë muaj pasi u zgjodh president, në fund të nëntorit të vitit 2016 edhe vetë ai mori pjesë në takimin e parë të Grupit punues për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale.

Rezultatet e këtij komisioni të themeluar nga vetë presidenti Thaçi kanë filluar të duken menjëherë. Sot ka qarkulluar në media një prej draftneneve problematike që do të gjejë vend në Kodin e ri penal, ai me nr. 134 që ka të bëjë me fyerjen dhe shpifjen ndaj simboleve dhe institucioneve të shtetit.

Në pikën D të këtij neni sanksionohet shpifja ndaj organeve kushtetuese.

“Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shteti dhe kështu qëllimisht mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet”, thuhet në pikën 1..

Mëenjëherë pas kësaj kanë filluar reagimet e ashpra.

Dikush e quan kthim në diktaturë, dikush arkaike e shumë të tjera.

Analisti Halil Matoshi i cili  këtë draftligj e ka konsideruar si draftligj të kohës së Titos.

” Diktatura po troket në derë:  Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Kadri Veseli, Arta Rama dhe ministrat e Qeverisë kosovare po duen me ba ligj me e mbrojt emnin dhe “veprat” e tyne”, ka shkruar ndër tjerash z. Matoshi në një postim në rrjetin social Fb, duke shtuar se nëse shkon në Kuvend  ky draftligj, “kish me qenë marrja e dheut për këtë kastë politikanësh despotik”.

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj pyet se me cilin kod dënohen ata që kanë vjedhur.

“E me cilin kod dënohen këta tipat që e kanë vjedhë, shkatërru e përvetësu këtë vend?

Na ju rrejmë, po ju dënoheni nëse na fyeni! #kodipenal”, ka shkruar ai, raporton periskopi

Analisti politik Behlul Beqaj thotë se  nuk do ta barazonte çështjen e shpifjes me  fyerjen. “Shpifja, gjithsesi se është akt i dënueshëm, por pasojat e shpifjes  nuk mund të tejkalohen me dënime drakonike deri në pesë vjet”, thotë Beqaj.

“ Qëllimi nuk arrihet me ashpërsimin e dënimit, por me mundësinë e risocializimit sa më të shpejtë duke vuajtur një ndëshkim racionalisht të përballueshëm që parandalon mundësinë e shpifjes. Ndërsa, fyerja është dicka krejt tjetër, ngase varet shumë nga interpretuesi ligjor i cili zakonisht është dorë e zgjatur e pushtetit. Kështu mund të kuptohet fyerje edhe nëse unë i them të vërtetën se kryeministri dhe presidenti janë mashtrues, ngase e kanë një koalicion që është krijuar me mashtrim, kanë premtuar transformimin e FSK-së me ligj në koordinim me ndërkombëtarët, që nuk ishte e vërtetë, kanë deklaruar se  më 2010 do të kryhet liberalizimi i vizave… kanë premtuar 200.000 vende pune…nëse dikush është fyer janë qytetarët, por meqë  drejtësia është nën kontrollin e politikës atëherë shumë më lehtë do të ndëshkohen qytetarët e jo politikanët mashtrues, apo jo !”, thekson z. Beqaj për Gazetën Observer.

Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi thekson se ndryshimet që pritet të ndodhin në Kodin penal, e penalizojnë shpifjen kur kemi të bëjnë me flamurin, stemën apo bartësit e institucioneve në Kosovë.

“Edhe për kundër faktit se një praktikë e tillë përkon me praktika dhe standard që aplikohen në shtete edhe të BE-së, duke pasur parasysh kontekstin politik në Kosovë, Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi duhet ta shqyrtojnë edhe njëherë këtë në mënyrë që pastaj mos të jetë në kundërshtim me vlerat demokratike dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve të Kosovës”, deklaron Miftaraj

Avokati Dastid Pallaska thotë se propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për të sanksionuar penalisht shpifjen dhe fyerjen ndaj udhëheqësve shtetëror është arkaik.

Ndërsa, sipas tij, arsyetimi i Ministrisë së Drejtësisë se propozimi bazohet në Kodin Penal të Gjermanisë është qesharak.

Pallaska thotë se kjo dispozitë ligjore në Kodin Penal të Gjermanisë është mbeturinë arkaike e një epoke tjetër. Këtë e vërteton fakti se asnjë politikan gjerman modern nuk ka kërkuar mbrojtje sipas kësaj dispozite ligjore në shekullin XXI./ Periskopi

 

Pallaska godet Ministrinë e Drejtësisë për Kodin Penal: Bazuar në një mbeturinë arkaike

Periskopi.com Lajme

Avokati Dastid Pallaska thotë se propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për të sanksionuar penalisht shpifjen dhe fyerjen ndaj udhëheqësve shtetëror është arkaik.

Ndërsa, sipas tij, arsyetimi i Ministrisë së Drejtësisë se propozimi bazohet në Kodin Penal të Gjermanisë është qesharak.

Pallaska thotë se kjo dispozitë ligjore në Kodin Penal të Gjermanisë është mbeturinë arkaike e një epoke tjetër. Këtë e vërteton fakti se asnjë politikan gjerman modern nuk ka kërkuar mbrojtje sipas kësaj dispozite ligjore në shekullin XXI.

“Në fakt – pasi që kjo dispozitë ligjore në Gjermani mbron edhe udhëheqësit shtetëror të huaj – i vetmi politikan në botë që e ka përdorur këtë dispozitë ligjore të Kodit Penal të Gjermanisë në shekullin XXI ishte Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i cili vitin e kaluar kërkoi dënimin dhe burgosjen e një satiristi gjerman. Si pasojë e (keq)përdorimit të kësaj dispozite ligjore të Kodit Penal të Gjermanisë nga Presidenti Erdogan, në fillim të këtij viti Kancelarja Merkel ka marrë iniciativë që këtë dispozitë ligjore ta largoj nga Kodi Penal i Gjermanisë deri më 1 janar 2018”, thotë ai, përcjell periskopi

Ai vlerëson se shpifja dhe fyerja në Kosovë janë probleme të mëdha për të gjithë qytetarët dhe thotë se këtë problem duhet ta adresojnë gjykatat civile duke i shpërblyer viktimat e shpifjes dhe fyerjes, kushdo qofshin ata/ato, për dëmin që ju shkaktohet nga gazetarë dhe mediume të papërgjegjshme dhe/ose joprofesionale./ Periskopi

Fillon rishikimi i Kodit Penal dhe i Kodit të Procedurës Penale në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në takimin e Grupit Punues, i cili është themeluar për të rishikuar dhe amendamentuar Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Para anëtarëve të Grupit Punues, presidenti Thaçi ka theksuar se qysh në fillim të marrjes së mandatit si president i Republikës së Kosovës, ka kërkuar ndryshim dhe plotësimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

“Këtë gjë e kam kërkuar në funksion të rishikimit të legjislacionit të drejtësisë penale me qëllim të plotësimit të  infrastrukturës ligjore në fushën e drejtësisë penale dhe eliminimin e zbrazëtive dhe mangësive ligjore në këtë fushë”, ka shtuar ai, raporton Periskopi

Presidenti ka thënë se të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve dhe rreziqeve globale me të cilat po përballet e gjithë bota ndaj të cilave Kosova nuk është imune. 

Sipas tij, rreziqe të tilla të përmasave globale, siç janë terrorizmi dhe krimi i organizuar, kërkojnë infrastrukturë ligjore më të fuqishme në funksion të lehtësimit të punës së institucioneve zbatuese që t’i luftojnë këto dukuri. 

“Si President i Republikës së Kosovës, e kam potencuar disa herë prioritetin që ka Kosova në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë ai.

Presidenti ka inkurajuar Grupin Punues që t’i kushtojë vëmendje të veçantë dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale që kanë të bëjnë me veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Me këtë rast, ai ka bërë thirrje që të bëhen ndryshimet e nevojshme që institucionet zbatuese të kenë kompetenca më të fuqishme për të goditur krimin, me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.  

“Dua të ritheksoj edhe njëherë përkushtimin tim si president i vendit për të mbështetur çdo iniciativë që vjen nga institucionet e Republikës së Kosovës për të fuqizuar kornizën ligjore, për luftimin e krimit në përgjithësi, por krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti”, ka thënë ai. 

Thaçi ka shprehur besimin se iniciativa të tilla si kjo e ndryshim plotësimit të legjislacionit penal, tregojnë se Kosova është shumë serioze dhe e vendosur për të luftuar krimin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit. 

“Si president i vendit, kërkoj që të punohet drejt fuqizimit të kodeve moderne që respektojnë të drejtat e njeriut dhe që i përshtaten sistemit tonë gjyqësor duke adresuar specifikat e vendit tonë”, ka thënë ai.

Qysh në fillim të mandatit si president i Republikës së Kosovës, Thaçi ka kërkuar rishikim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale./ Periskopi

dsc_2931 dsc_2918