Pse po takohen Haradinaj, Limaj dhe Pacolli?

Të pasigurt dhe të pafuqishëm nëse të vetëm do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme, liderët e AAK’s, AKR’s dhe NISMA’s, po mbajnë takime intensive.

Periskopi Lajme

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, Kryetari i NISMA’s, Fatmir Limaj, si dhe biznesmeni dhe shefi i AKR’s, Behgjet Pacolli, ditëve të fundit janë parë në takime dhe darka të shpeshta.

Burime të Periskopi’t mësojnë se takimet po mbahen me qëllim gjetjen e një mundësie që këto tri parti politike, AAK, NISMA, dhe AKR të ndërtojnë së bashku një koalicion parazgjedhor.

Treshja po synon përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme për të cilat po flitet, edhe pse  një datë apo muaj i mbajtës së tyre ende është vetëm në rrafshin e spekulimeve.

Bisedimet e para po tregohen konstruktive dhe shpresëdhënëse, thonë burime të Periskopi’t.

Takimet janë parë të jenë mbajtur në dhomën e duhanit të Hotelit Swiss Diamond.

Mes mjegullës nga tymi i cigareve, dhe halli që i ka bërë bashkë, burrat që drejtojnë këto tri parti po përpiqen të gjejnë një derë shpëtimi për të dalë nga mjegulla dhe ankthi që sjellin zgjedhjet e përgjithshme.

Që të tria, AAK, AKR dhe NISMA, ndihen të pasigurta dhe të pafuqishme nëse të vetme do të garojnë në zgjedhjet eventuale të përgjithshme. Të vetme në garë, asnjëra prej tyre nuk pritet të shënojë ndonjë rezultat që do t’u përmirësonte renditjen e tyre në top listën e partive politike në Kosovë.

Përkundrazi.

AAK tashmë është dëshmuar se ka një elektorat statik, që as nuk e rriti, por as nuk e zvogëloi këtë parti. Me këtë elektorat të besës dhe kanunit, humnera në mes dëshirave të  Haradinajt, dhe numrave kryeneçë të votuesve, kurrë nuk u ngushtua.

Me një partneritet a koalicion parazgjedhor me financierin Behgjet Pacolli dhe politikanin e shkathët të mbijetesave, Fatmir Limaj, obsesioni i Haradinajt për t’iu afruar postit të Kryeministrit bëhet më me shumë gjasa.

Çfarë do të përfitojë nga kjo NISMA e Fatmir Limaj? Asgjë, përpos një kalim pragu për të qenë pjesë e Kuvendit dhe lojërave politike.

Sidoqoftë, nuk është pak për NISMA’n. Brenda këtij subjekti tashmë edhe vet janë bindur se kalimi i 5 për qindëshit mbetet vetëm një kujtim i këndshëm – por i papërsëritshëm –  nga zgjedhjet e vitit 2014. Prandaj, për NISMEN dhe Limajn, më shumë se kurrë më parë vlen udhëzuesi i emergjencave “të shpëtohet çfarëdo që mund të shpëtohet”.

Megjithëse me një fuqi të madhe financiare, por tejet i papërfillshëm në politikë, lidhja e një marrëveshjeje mes Pacollit, Haradinajt dhe Limajt, do ta nxirrte AKR’n nga estradizimi dhe rajoni i Gollakut. Rikthimi i saj në Kuvend do të shprushte ambiciet e Pacollit dhe AKR’s për vazhdimin të atyre 35 ditëve të Presidencës. Nuk pritet që AKR të ketë tjetër projekt, përveç se ‘Baci Presidentë’.

Krijimi eventual i këtij koalicioni parazgjedhor do të mund të ndryshonte shumëçka në projeksionet para dhe pas zgjedhore.

Me dobësimin e madh të LDK’së, me një PDK të plagosur e të pasigurt se do ta ruajë vendin e partisë së parë, synimi i treshes Haradinaj, Limaj dhe Pacolli, mbetët dobësimi i fuqisë dhe lënia jashtë loje e partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje.

Një koalicion pas zgjedhor PDK+AAK+AKR+NISMA, do të ishte klubi i të njëjtëve. Klubi ku dikur përkisnin të gjithë, por tradhtitë, intrigat, e mashtrimet i kishin bërë pikë e pesë.

Ndoshta, zori i madh do t’i bëjë sërish së bashku.