klmdnj

KMDLNj: Nxënësit e Kosovës librat i kanë zëvendësuar me armë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë, ka drejtuar një letër të hapur në drejtim të institucioneve përkatëse në lidhje me dhunën në shkolla.

Periskopi.com Lajme

Në këtë letër, KMDLNJ thotë se jemi dëshmitarë të incidenteve të përditshme ku protagonistë janë nxënës të cikleve të larta të shkollës fillore si dhe të shkollave të mesme që tashmë, për fatin tonë të keq janë shndërruar në “luftëtarë” të vërtetë që librin e kanë zëvendësuar me armë të cilat lehtësisht i përdorin duke plagosur nxënës të tjerë që, në disa raste përfundojnë me fatalitet.

“Deri më tani, kryesisht po merremi me pasoja që janë të kushtueshme për të gjithë dhe me këto pasoja po merret Policia e Kosovës, prokuroria e Shtetit dhe Gjyqësori në ndërkohë që askush nuk ka punuar në përpilimin e planeve parandaluese prandaj kjo dukuri, dhuna në shkolla, dhuna ndaj nxënësve dhe dhuna e nxënësve ka marrë përmasa shqetësuese”, thotë ndër të tjera ky Këshill.

Më poshtë ju sjellim të plotë reagimin e KMDLNJ-së:

Të nderuar,

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë , në kuadër të mandatit për monitorimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të drejtave të fëmijëve në veçanti, i shqetësuar thellë për rritjen e dhunës në shkolla fillore dhe të mesme, dhunës fizike ndaj nxënësve, dhunës së ushtruar ndaj personelit arsimor, bartjes së armëve të ftohta dhe të zjarrit, përdorimi i këtyre armëve, përdorimit të papenguar të mjeteve narkotike, duhanit dhe pijeve alkoolike si dhe dukurive të tjera negative që ndikojnë në formimin e personalitetit të nxënësit, edukimit të tyre përmes planprogrameve të avancuara si parakusht për krijimin e një brezi regjenerues strategjik për kombin dhe Kosovën, Ju drejtohet që t’i ndërmerrni të gjitha masat e duhura që të eliminohen këto dukuri negative që seriozisht po e dëmtojnë brezin më premtues dhe më të ndjeshëm, nxënësit dhe rininë e Kosovës.

Të nderuar,

 

Jemi dëshmitarë të incidenteve të përditshme ku protagonistë janë nxënës të cikleve të larta të shkollës fillore si dhe të shkollave të mesme që tashmë, për fatin tonë të keq janë shndërruar në “luftëtarë” të vërtetë që librin e kanë zëvendësuar me armë të cilat lehtësisht i përdorin duke plagosur nxënës të tjerë që, në disa raste përfundojnë me fatalitet. Deri më tani, kryesisht po merremi me pasoja që janë të kushtueshme për të gjithë dhe me këto pasoja po merret Policia e Kosovës, prokuroria e Shtetit dhe Gjyqësori në ndërkohë që askush nuk ka punuar në përpilimin e planeve parandaluese prandaj kjo dukuri, dhuna në shkolla, dhuna ndaj nxënësve dhe dhuna e nxënësve ka marrë përmasa shqetësuese.

 

Të nderuar,

KMDLNj ka shpresuar që komisionet që i drejtoni do ta ndajnë shqetësimin me prindërit e nxënësve që nuk kanë siguri për fëmijët e tyre në shkollë apo rrugës gjatë shkuarjes apo kthimit nga shkolla duke pritur që këtë fenomen, tashmë me përmasa shqetësuese do ta trajtoni si pikë të rendit të ditës apo në njërën nga seancat parlamentare sepse, si të zgjedhurit e tyre keni detyrim t’i përfaqësoni dhe mbroni interesat e tyre.

Është koha e fundit që institucionet përgjegjëse ta trajtojnë seriozisht këtë çështje të dhunës në shkolla sepse, nëse merremi vetëm me pasoja dhe jo me masa parandaluese, atëherë kjo dukuri do të prodhojë një situatë të tensionuar në shkolla ku nuk do të ketë kushte , as për mësimdhënie e as për mësimnxënie. Kjo dukuri do të ndikojë edhe në situatën e përgjithshme të sigurisë të vendit.

 

Të nderuar,

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejatve e t lirive të Njeriut pret nga ju një veprim të shpejtë në përpilimin e planeve të zbatueshme për parandalimin e dukurive negative në shkolla siç janë rritja e përdorimit të mjeteve narkotike, pirja e duhanit, pirja e alkoolit, ikja nga orët dhe braktisja e shkollimit, martesat e hershme dhe të kundërlighshme, “demilitarizimin” e nxënësve si parakusht kryesor, në mos në eliminimin e tërësishëm të dhunës atëherë në zvogëlimin e saj.

Në këtë kontekst duhet të kërkohet aktivizimi më i madh i prindërve, dënimi i atyre që shesin pije alkoolike dhe duhan personave të moshës së mitur, ashpërsimi i politikës ndëshkuese për shitësit dhe shpërndarësit e mjeteve narkotike, forcimi i punës së psikologëve që është simbolik në shkolla dhe kontrolli më i madh i nxënësve që dyshohen se bartin armë.

Mirëpo, si kusht i domosdoshëm për luftimin e këtyre dukurive negative është përpilimi i programeve arsimore që mund të zbatohen në Kosovë e jo kopjimi i këtyre programeve nga shtetet tjera që janë përpiluar në një kontekst krejt tjetër politik, ekonomik, social, shoqëror, kulturor dhe tradicional prandaj nuk gjejnë zbatim.

Për fund, nëse nuk hartoni programe parandaluese kundër dhunës në shkolla, atëherë për pasojat e pashmangshme përgjegjësinë (më të madhe) do ta keni ju!

vete

KMDLNj kërkon spastrimin e listave e veteranëve të luftës

KMDLNj ka kërkuar që të bëhet spastrimi i listave të fryera të veteranëve të luftës së UÇK-së, derisa shton se  përgjegjësit për fryerjen e këtyre listave vëni para përgjegjësisë.

Periskopi.com Lajme

Kështu kërkon përmes një komunikate për media, KMDLNJ

“Verifikimi i listave të veteranëve të luftës ishte një proces i stërzgjatur, i ngarkuar me parregullësi dhe për pasojë bëri që Kosova të radhitet si vendet ndër më të militarizuarat në vitet 1997 e deri te përfundimi i verifikimit të listave. Afërsisht 47.000 veteranë me status të njohur dhe të tjerët që presin njohjen e këtij statusi e bënë që numri i veteranëve të luftës të kalojë shifrën 70.000 veteranë që më shumë është në fushën e fantastikës shkencore se realitetit”, thuhet në një komunikatë të KMDLNJ-së.

Veteranët e luftës që vërtetë ishin veteranë asnjëherë nuk dolën në radhët e para për statusin e tyre por mashtruesit e konvertuar, brenda ditës apo natës në veteranë ishin ata që i bënë listat nga të cilat turpërohet çdo ushtar i UÇK – së, përkrahës i tyre, mbështetës i luftës së UÇK – së apo edhe çdo qytetar që mendon me kokë të vetën dhe që ia donë të mirën këtij vendi.

Kjo listë është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës dhe kjo listë është kërcënim për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e Kosovës. Kjo listë nuk është dashur të pranohet asnjëherë, përkundër shantazheve dhe kërcënimeve me protesta, që , në të shumtën e rasteve ishin të orkestruara nga persona të papërgjegjshëm, të pandërgjegjsshëm që kontribuan në hartimin e këtyre listave.

Pati kërkesa që të bëhen hetime për këto lista, të caktohet përgjegjësia për mashtruesit dhe të sigurohet një trajtim i dinjitetshëm për veteranët e vërtetë që kontribuan për lirinë e Kosovës e të cilët nuk po trajtohen as për së afërmi si duhet dhe në përputhje me sakrificën që e bënë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e përkrahë fuqishëm çdo nismë për rishikimin e këtyre listave që do ta bëjë Qeveria e Kosovës përmes një komisioni tjetër i cili do të bënte verifikimin e listave në mënyrë të paanshme, me profersionalizëm, të mbështetur në fakte pas së cilave do të kishim një listë e cila, vështirë se do ta kolonte numrin e 20.000 veteranëve. Po të mos ishin këto lista manipulative dhe korruptive, do të krijoheshin mundësitë që veteranët e dëshmuar duke e fituar statusin e merituar të trajtohen në mënyrë shumë dinjitoze e jo të trajtohen si kategori sociale.

Për t’u sqaruar gjërat KMDLNJ propozon të merren parasysh praktikat e mira si ato të Kroacisë, ku veteranët trajtohen si vlerë kombëtare, morale dhe shtetërore e jo si kategori sociale.

Mënyra më e mirë e dhënies së kontributit për caktimin e listave objektive të veteranëve të luftës është bërja e tyre publike në bazë të komunave pas së cilave lehtësisht do të identifikohen përfituesit mashtrues të statusit të veteranit sikur edhe i atyre që ua mundësuan këtë status. Pastaj, mosha është me rëndësi të madhe për pastrimin e listave sikur edhe sqarimi i raportit nepotist (familjar) midis atyre që përfituan statusin e veteranit dhe anëtarëve të komisionit. Kemi raste kur “ komandantët “ i kanë futur në lista të gjithë anëtarët e familjes ( vëllezër , motra , nipër dhe mbesa , teze dhe halla etj.) Lehtësisht është e identifikueshme nënshkrimi i atij që e rekomandoi dikënd për këtë status të pamerituar dhe kjo nënkupton edhe përgjegjësi konkrete.

Nga statusi i veteranit të luftës duhet të përjashtohen ata që dezertuan, ata që nuk morën pjesë aktive ( me armë ) në luftë dhe ata që e ndihmuan luftën me mjete materiale apo që e fituan statusin e  veteranit të luftës duke kënduar e që pastaj këtë këndim e materializuan duke shitur CD apo duke organizuar koncerte para bashkëatdhetarëve tanë. Atyre që kontribuan pa qenë pjesë e strukturave të armatosura, shteti duhet t’u ndajë mirënjohje apo falenderime dhe kurrsesi t’ua njoh statusin e veteranit të luftës.

Për manipuluesit e listave përgjegjësia morale është e panjohur si kategori e nderit prandaj duhet t’u nënshtrohen përgjegjësisë ligjore dhe në këtë drejtim KMDLNj , fuqishëm e përkrahë përpjekjen e kësaj apo qeverisë së ardhshme për normalizimin e listave të veteranëve të luftës që seiozisht po e dëmtojnë buxhetin e Kosovës duke e rrezikuar edhe vet statusin e veteranëve të vërtetë të luftës së UÇK – së, thuhet në këtë komunikatë.