10344833_10155541391600247_5923771516913694106_n

A është marre me punësu njerëz me të njofshëm?

Kur flasim për luftë kundër korrupsionit, nepotizmit e klientelizmit, në fakt lufta nuk është kundër një grupi të politikanëve, por kundër mentalitetit i cili mbizotëron tek një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë.

Birol Urcan Opinione

Fillimisht duhet të definojmë se çfarë kuptimi ka fjala marre. Në të shumtën, me fjalën marre në diskursin publik në Kosovë nënkuptojmë veprime të cilat nuk janë në përputhje me kodet morale të shoqërisë. Pra, marre është ta gënjesh mikun, të mos e mbrosh nderin e familjes, të mos i respektosh prindërit etj. Por punësimi i personave me lidhje (në formë klienteliste), korrupsioni në disa forma të saj dhe nepotizmi jo domosdoshmërisht hyjnë në veprime për të cilat përsonit ”duhet t’i vijë marre “ nëse i ndërmerr. Këto veprime janë të jashtëligjshme, por jo edhe në kundërshtim me kodet morale të shoqërisë.

Kjo shpjegon shumë për situaten e përgjithshme politiko shoqërore në raport me demokracinë në Kosovë.

Marre ishte edhe të mos bashkangjiteshe në rezistencen kundër nacizmit Serb në vitet 80 dhe 90. Deputeti Adem Grabovci ishte njëri ndër të shumtë që i ishte bashkangjitur kësaj rezistence në formën më aktive të mundshme. Si rezultat kishte vuajtur disa vite burg në fundvitet 80 dhe më vonë kishte qenë edhe pjesë e luftës Çlirimtare të UÇK-së duke rrezikuar kështu edhe jetën për çlirimin e Kosovës nga nacizmi i ushtruar nga shteti Serb. Nga ana tjetër, në kuadër të aferës “Pronto” ai tregoi se është i gatshëm të jetë pjesë e fenomeneve negative is klientelizmi e nepotizmi e korrupsioni në disa forma të saj.

Por këto veprime janë negative sipas kujt?

Sigurisht se jo sipas kodeve morale që mbizotërojnë në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë Kosovare. Deputeti Grabovci, në një nga deklaratat e tij lidhur me këtë çështje, tërthorazi pohoi se në veprimet e tij nuk sheh asgjë të keqe. Unë besoj se kjo deklaratë buron nga kodet morale të cilat mbizotërojnë në rrethin e zotëri Grabovcit dhe tek një pjesë e konsiderueshme e kosovarëve. Pra, sipas këtyre kodeve morale, punësimi në formë klienteliste, korrupsioni në disa forma dhe nepotizmi nuk konsiderohen si marre. Përkundrazi, evitimi i nepotizmit, pra “mos t’i ndihmuar familjarëve të gjejnë punë” konsiderohet si diçka shumë negative dhe si marre.

Pra, veprimet e deputetit Grabovci në kuadër të aferës “Pronto” mund të jenë negative sipas botëkuptimeve të vendeve të civilizuara që kanë përvojë shtetërore, por jo edhe sipas botëkuptimeve dhe kodeve morale të një pjese të konsiderueshme të kosovarëve përfshirë deputetin Grabovci dhe rrethin e tij.

Në 16 vitet e fundit ka patur më qindra shkrime lidhur me korrupsion, nepotizëm e klientilizëm në mediat në Kosovë. Megjithatë, përqindjet e votave të partive në pushtet kanë ndryshuar shumë pak. Rëniet në vota kanë ndodhur kryesisht si rezultat i ndarjes së fraksioneve; si LDD nga LDK e NISMA nga PDK. Kjo situatë vërteton se për votuesit e partive në pushtet, e që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullatës në Kosovë, fenomenet e lartpërmendura nuk janë fenomene negative, pra nuk janë marre. Prandaj, pavarësisht raportimeve dhe fakteve për këto fenomene, vazhdojnë të votojnë për partitë e njëjta.

Prandaj, kur flasim për luftë kundër korrupsionit, nepotizmit e klientelizmit, në fakt lufta nuk është kundër një grupi të politikanëve, por kundër mentalitetit i cili mbizotëron tek një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë. Kjo luftë në Kosovë nuk është dhe nuk pritet të jetë aspak e lehtë pasi që demokracia(shumica) nuk është në anën e atyre që kundërshtojnë këto fenomene dhe kjo reflektohet qartazi edhe në numrin e qytetarëve që dalin për të protestuar kundër aferës “Pronto”.

Në këtë luftë aleat është vetëm ligji që në raport me këtë çështje mund të konsiderohet si ligj i huaj pra ligj kundër vullnetit të qytetarëve, pasi që është në shpërputhje me kodet morale të një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë, pra është ligj “jodemokratik”.

Kësisoj, insistimi për luftë kundër korrupsionit, nepotizmit e punësimeve klienteliste duhet të bëhet vetëm në fushën ligjore. Në aspektin moral, në Kosovë, kjo luftë tanimë është e humbur.