besnik-berisha

Këshilltari i Isa Mustafës ‘zbulon’ takimet e shefit të tij me Vetëvendosjen

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Besnik Berisha ka thënë se përfaqësuesit e subjekteve politike takohen edhe pa prezencën e medieve, kur flitet për çështje të rëndësishme aktuale në vend.

Periskopi.com Lajme

Duke komentuar thellimin e hendekut politik për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe përpjekjet e shoqërisë civile për t’i përafruar qëndrimet ndërmjet palëve, Berisha ka thënë se përpos këtyre takimeve për të cilat është në dijeni opinioni publik, ka edhe takime të cilat bëhen pa prezencën e medieve.

“Ekzistojnë edhe takime pa dijeninë mediatike. Politikanët shpesh herë takohen dhe diskutojnë edhe për gjëra që nuk pajtohen”, ka thënë Berisha.

“Këtu përfshihen të gjitha subjektet politike parlamentare, pra edhe Vetëvendosje”, tha ai.

Këto komente ai i bëri në Klan Kosova ku tha se ka përfaqësues të Vetëvendosjes të cilët nuk pajtohen me politikat e Albin Kurtit dhe lidershipit të subjektit më të madh opozitar.

“Ka përfaqësues politik të Vetëvendosjes të cilët mendojnë ndryshe nga Albin Kurti, dhe komunikimi me ta është në rregull, sikundër që ka edhe përfaqësues të LDK-së që janë më të afërt me opozitën që nga koha e bllokut”, ka thënë Berisha.

“Ky nuk është krim. Nëse ata janë kundërshtarë politik, kjo nuk do të thotë se janë armiq”, tha ai.