Policia e Kosoves / Ilustrim

Këpucët problematike të Policisë së Kosovës

Më 17 nëntor, Policia e Kosovës do të tentojë të përzgjedhë furnizuesin e saj për këpucë, pas gati 2 vjetësh dështim.

Periskopi.com Lajme

Pavarësisht gjykimeve dhe rigjykimeve të bëra në gjykatën e tenderëve dhe 3 herë anulimin e këtij tenderi, Policia e Kosovës është detyruar të nisë nga e para procesin e tenderimit dhe ofertat do të hapen më 17 nëntor, raporton KTV

Pavarësisht që kompania SOLID tri herë dështoi të marrë këtë tender, u ankua në Gjykatën Themelore, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ, me pretendimin se kishte dëme të pariparueshme.

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e kësaj kompanie.

Të njëjtën përgjigje SOLID-i e mori edhe nga Gjykata e Apelit, e cila ndër të tjera theksoi se pretendimet ankimore nuk kanë ndikim për të vendosur për një mënyrë tjetër dhe se ankesa refuzohet derisa aktvendimi i Themelores të vërtetohet si i drejtë dhe i ligjshëm.

Por pavarësisht që kërkesa e tyre për pezullim u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit, Solid ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi edhe nëse rasti do disa vjet për t’u zgjidhur.

Tenderi në gushtin e 2015-ës ishte anuluar me pretendimin se ishte kurdisur, pasi kompania që ishte me çmim më të ulët e që ishte distributori i “Solidit”, u tërhoq nga gara pa shpjegim.