keku

Klubi kosovar bëhet me pronar gjerman

Klubi i futbollit KEK-u nga Obiliqi që nga dita e martë do të funksionojë si shoqëri aksionare.

Periskopi.com Sporti

Shumicën e aksioneve në klubin e KEK-ut i ka marrë kompania gjermane “Rahmer”. Madje, qysh të martën është mbajtur edhe takimi fillestar i Bordit të KEK-ut, i udhëhequr nga kryetari Bernd Rahmer. Kështu ka njoftuar anëtari i Bordit të ri të KEK-ut, Istref Klinaku.

Klinaku ka thënë se kompania gjermane në krye me kryetarin Rahmer është zotuar se do të bëjë punë të madhe për ta shndërruar KEK-un në një skuadër serioze.

“KEK-u është shndërruar në shoqëri aksionare. Një firmë gjermane do t’i ketë shumicën e aksioneve. Ajo dëshiron të punojnë me projekte dhe po më duket shumë serioze në atë drejtim. Investimet do të bëhen 100 për qind nga kompania ‘Rahmer’. Sot (e martë v.j.) është mbajtur takimi fillestar i Bordit të KEK-ut. Atë e udhëhoqi kryetari Bernd Rahmer dhe tash e tutje ky klub do të funksionojë si shoqëri aksionare”, ka thënë Klinaku, që është një prej tre anëtarëve të Bordit të klubit.

Klubi i KEK-ut garon në Ligën e Parë të Kosovës. Pas pesë xhirove të zhvilluara zë vendin e 11-të me vetëm pesë pikë. Por Klinaku beson se me investime të reja KEK-u do të krijojë një skuadër të fortë dhe stabile.

“Sigurisht se do të ketë investime dhe ndryshime në organizim. Kemi besim se KEK-u do të jetën një skuadër stabile”, ka theksuar Klinaku, udhëheqës shumëvjeçar i kësaj skuadre.