Edita Tahiri

ITU ia ndan Kosovës kodin telefonik shtetëror +383 më 15 dhjetor 2016

Në bisedimet që zgjaten tre ditë në Bruksel e që përfunduan sonte, u konfirmuan obligimet finale zbatuese për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovws thotw se ky proces u përmbyll me sukses me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me të cilin u konfirmua se në bazë të Marrëveshjes për telekomin ashtu siç është paraparë me planin për zbatim për telekomin, ITU do t’ ia ndaj Kosovës kodin telefonik 383 me datë 15 dhjetor 2016.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore në Dialogun e Brukselit dhe në përbërje të të cilit ishin edhe Kreshnik Gashi, kryetar i bordit i ARKEP-it dhe koordinator profesional për telekom, Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Tahiri dhe koordinator politik për telekom, Ilir Imeri, shef i departamentit për komunikime elektronike në ARKEP, Mehdi Latifaj, drejtor teknik i Telekomit të Kosovës, Elona Cecelia, këshilltare politike dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.

Ministrja Edita Tahiri me këtë rast deklaroi se bisedimet e këtyre tre ditëve u përmbyllen me sukses, tashmë çdo gjë është e saktësuar se Kosova bëhet me kodin e saj telefonik shtetëror 383 të cilën ITU do t’ia alokoj këtë kod telefonik drejtpërdrejt Kosovës me datën 15 dhjetor 2016. Ajo tha se për herë të parë në histori Kosova do ta ketë kodi telefonik shtetëror.

Më tej, Ministrja Edita Tahiri theksoi se Organizata Ndërkombëtare për Telekomunikacion e OKB-së (ITU) me datë 15 dhjetor 2016 do të ia ndaj Republikës së Kosovës kodin e saj telefonik shtetëror që do të jetë +383. Me marrjen e kodit të vet telefonik shtetëror, Republika e Kosovës e fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit dhe subjektiviteti i saj si shtet në fushën e telekomunikacionit do të njihet nga bashkësia ndërkombëtare përmes kodit të saj telefonik.

Republika e Kosovës është pronare e kodit telefonik 383 dhe Kosova do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administroj me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet tjera. Në këtë kuadër Kosova do të bashkëpunoj me ITU-në për zbatimin teknik të kodit telefonik. Kosova më në fund do ta kodin e vet telefonik ndërsa të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 do të shuhen. Ministrja Tahiri potencoi se do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999. Ajo po ashtu edhe njëherë e rikonfirmoi se të gjitha thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Ajo tha marrëveshja për kodin telefonik do të ketë efekte pozitive të shumëfishta, si në planin shtetëror, të sovranitetit, ekonomik dhe telekomunikues.

Ajo theksoi se gjatë këtyre bisedimeve nga pala e Kosovës u konfirmua se autorizimi  i përkohshëm dhe i kufizuar në telefoni mobile do të realizohet sipas planit në ditën që Kosova e merr kodin e vet telefonik nga ITU, pala serbe konfirmoi se letra që Serbia do të ia dërgoj ITU-së ku shpreh pajtimin për kodin telefonik për Kosovën do të realizohet në afatin e paraparë. Delegacionet e dyja shteteve konfirmuan para BE-së se këto dokumente janë në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit për telekomin dhe planin aksional.

Ministrja Tahiri tha se e falënderojmë Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin efektiv të kësaj Marrëveshje për telekomin dhe se ky proces po rezulton me sukses duke dëshmuar suksesin e radhës së Dialogut të Brukselit.

Ministrja Tahiri me ketë rast shprehu mirënjohje për gjithë delegacionin shtetëror të Kosovës për punën e madhe dhe të përkushtuar për gjithë këto vite për arritjen e këtij suksesi për Kosovën. Ajo në mënyrë të veçantë vlerësoi lart edhe angazhimin e kryetarit të bordit të ARKEP-it njëherit koordinator profesional i grupit shtetëror për telekomin i cili dëshmoi përkushtim shtetëror dhe profesional për këtë proces./ Periskopi

Bisedimet / ARKIV

Kosova bëhet me kod shtetëror telefonik nga 15 dhjetori

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore në Dialogun e Brukselit ka deklaruar se sot është arritur Marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Periskopi.com Lajme

“Kosova tashmë do ta ketë  kodin telefonik shtetëror të saj që është 383 i cili do të alokohet nga ITU, dhe ky është një sukses i madh i dialogut të Brukselit dhe një lajm shumë i mirë për shtetin tonë dhe qytetarët tanë, tha ajo, raporton Periskopi

“ITU do t’ja alokoj Kosovës kodin telefonik 383 më datën 15 dhjetor 2016. Shteti jonë do ta ketë kodin e vet telefonik sikur edhe shtetet tjera dhe do të ketë sovranitet të plotë për kodin e vet telefonik, ndërsa të gjitha kodet tjera që janë përdorur deri më tash ( 381, 377, 386) do të largohen nga përdorimi, tha ajo.

Marrëveshja për kodin telefonik është arritur në saje të angazhimeve maksimale të Bashkimit Evropian i cili ka qenë shumë aktiv në procesin e ndërmjetësimit për harmonizimin e konkluzioneve që saktësojnë obligimet zbatuese për Marrëveshjen për kodin telefonik, ka thënë ministrja Tahiri dhe po ashtu ka konfirmuar se këto konkluzione janë në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit për Telekomin të vitit 2013 dhe Planin Aksional të dakorduar në vitin 2015.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, siguroi se gjatë gjithë procesit të negociatave për telekomin që kanë zgjatur rreth gjashtë vite, delegacioni i Republikës së Kosovës i ka mbrojtur fuqishëm interesat e shtetit, ka mbrojtur marrëveshjen për telekom dhe planin aksional, që janë në pajtim të plotë me Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Republikës së Kosovës do t’i caktohet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) kodi shtetëror telefonik +383, i cili do të administrohet nga ARKEP dhe institucionet e Kosovës do të kenë përgjegjësinë për implementimin e tij.

Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshje, Serbia obligohet t’i dërgoj letër ITU-së me të cilën pajtohet që ITU t’ja alokoj kodin telefonik Kosovës, dhe ky obligim duhet të realizohet me datën 3 dhjetor 2016. Kosova obligohet që të jep një lejim të përkohshëm dhe të kufizuar për telefoni mobile për një kompani të re mts.d.o, kompani kjo e regjistruar sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës. Ky lejim i përkohshëm dhe i kufizuar brenda infrastrukturës aktuale të telefonisë mobile është në përputhje me pikën 4 të Marrëveshjes së Telekomunikacionit të vitit 2013. Kësaj kompanie do t’i ndahen resurse të mjaftueshme frekuencore për të mbuluar zonat që aktualisht mbulon në territorin e Kosovës gjatë kohëzgjatjes së licencës së përkohshme dhe të kufizuar.  Për më tepër, operatori në fjalë do të jetë i kufizuar edhe në numrin e përdoruesve (konsumatorëve) që mund t’i ketë gjatë periudhës së autorizimit të përkohshëm. E njëjta kompani,  do të autorizohet edhe për operim në telefoninë fikse bazuar në ligjet e Kosovës. Të gjithë operatorët ilegal që kanë vepruar pa licencim në Kosovë do të shuhen. Do të largohen të gjitha kodet ekzistuese (381,377, 386) dhe do të përdoret vetëm kodi shtetëror i Kosovës 383 për thirrje ndërkombëtare. Ndërsa gjatë një periudhe tranzitore deri në implementim të kodit shtetëror të Kosovës, do të përdoret numeracion i dyfisht.

Marrëveshja për telekomin dhe zbatimi i saj do të mundësoj të vendoset rendi dhe ligji edhe në fushën e telekomit dhe nuk do të ketë më asnjë operim ilegal në sektorin e telekomit në të gjithë territorin e vendit.

Më poshtë janë dhënë përfitimet që do të ketë vendi jonë si rezultat i fillimit të implementimit të kësaj marrëveshje:

Republika e Kosovës krijon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve, pasi që do të njihet/identifikohet ndërkombëtarisht me kodin e saj unik shtetëror +383;

Me implementimin e kodit të ri, ai do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës;

Me implementimin e kodit të ri unik, do të eliminohen pengesat e krijuara nga mungesa e tij, respektivisht përdorimi i tri kodeve të ndryshme (aktualisht +377, + 386, dhe +381), të cilat e kanë bërë të pamundshëm implementimin e disa mekanizmave të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës (si p.sh. Portabiliteti/bartshmëria i/e numrave në telefoninë mobile). Po ashtu do të eliminohen pengesat në orientimin e trafikut si në shkuarje ashtu edhe në ardhje, si dhe menaxhim më adekuat të resurseve të kufizuara numerike;

Republika e Kosovës është pronare e kodit telefonik 383 dhe është sovrane për qeverisjen e kodit të vet telefonik. ARKEP do të bëjë implementimin dhe administrimin e kodit telefonik të Kosovës si dhe do të koordinoj aktivitetet direkt me ITU.

Me këtë marrëveshje për telekomin vendoset kufiri frekuencor mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe hapet rruga që Kosova ta realizoj programin shtetëror të digjitalizimit sipas standardeve të ITU

Përfitimet ekonomike janë të mëdha marrë parasysh kostot e larta të shkaktuara nga mungesa e kodit, pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare për përdorimin e kodeve të huaja, e që reflektohen edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të lira ndaj qytetarëve të vendit.

Ndërpriten operimet ilegale (aktualisht 3 operatorë të telefonisë mobile) të operatorëve në veri të vendit;

Eliminohen interferencat e krijuara nga operatoret ilegal, përmes përdorimit të një pjesë të brezeve frekuencore të operatorëve të autorizuar nga ARKEP;

Krijohen kushtet për eliminimin e vështirësive, të cilat i kanë operatorët e licencuar/autorizuar të telefonisë mobile në shtrirjen e aktiviteteve të tyre në pjesën veriore të vendit./ Periskopi