E pafalshme / Publikohet letra personale e shkrimtarit Kadare

Periskopi.com Lajme

Një letër tepër-tepër personale që shkrimtari Ismail Kadare i ka dërguar Shefes së Delegacionit të BE-së në Tiranë, është bërë publike pasditen e së martës nga media.

Shkrimtari Kadare shprehej tepër i pikëlluar në letër, ndërsa i shpjegonte zonjës Romana Vlahutin se pikëllimi i tij lidhej me publikimin e shkrimit kërcënues të Kastriot Myftarajt në media.

Kadare nuk e përmendte emrin e Myftarajt në letër, por e linte të nënkuptuar si origjinën e pikëllimit të tij.

Por sikur të mos mjaftonte pikëllimi i paradites,  media ka abuzuar sërish pasdite, por kësaj here me letrën tepër-tepër personale që Kadare i ka dërguar zonjës Vlahutin. Media publikoi dhe letrën personale të Kadaresë.

Është ende e paqartë se si ka përfunduar në media kjo letër që zoti Kadare e konsideron ‘krejtësisht personale’.

Opsioni se e ka shpërndarë vetë Kadare nuk ekziston, pasi zoti Kadare nuk bën asnjëherë të tilla pelivanlliqe me letrat.

Kështu që opsioni më i mundshëm është që letra të ketë dalë prej zonjës Vlahutin ose ndonjë të njohuri të saj.

Zoti Kadare ka qenë aktiv javët e fundit në media.  Fillimisht Kadare zhvilloi një letërkëmbim publik me intelektualin e përmasave evropiane, zotin Henri Çili.

Letërkëmbimi karakterizohej nga doza mahnitëse intelektualizmi ku dy intelektualët shpalosën kompetencën profesionale mbi disa copa letre të tërhequra nga dosja e hetuesisë së Fatos Lubonjës.

Më pas Kadare dha një intervistë për një media ndërkombëtare, ku sërish me një kompetencë të spikatur intelektuale, i vuri vulën Enver Hoxhës, Stalinit dhe Leninit duke i cilësuar si mediokër, me verdikt intelektual të formës së prerë. / Hashtag.al

Lexoni të plotë dhe letrën personale të zotit Kadare:

“Letër për Romana Vlahutin, ambasadore e BE në Shqipëri

E nderuara Zonjë,

Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar.

Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.

Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.

E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme”.

Ismail Kadare / Paris, 10 maj 2017

Fatos Lubonja është shpifës ordiner

“Të shkojnë të kërkojnë në mijëra arkiva dhe nuk do të gjejnë një radhë timen kundër një shkrimtari tjetër”. Numërohen disa libra tanimë me dokumente arkivore që dëshmojnë “gatishmërinë” e sistemit komunist për ta “kapur mat” Ismail Kadarenë, por edhe të kolegëve të tij shkrimtarë për t’i vënë në dukje “shkeljet”.

Periskopi.com Intervista

Ka pasur edhe nga ata që kanë hedhur hije dyshimi mbi këto dokumente, duke i konsideruar si selektive.

Analisti Fatos Lubonja, nisur nga eksperienca personale, jo vetëm vë në diskutim mënyrën e ndërtimit të këtyre librave me dokumente, nga ana e autorit të tyre (bëhet fjalë për atë me autor Dashnor Kaloçin), por është shprehur edhe se Kadare nuk ka qenë as i persekutuar dhe as i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Në një intervistë për Mentor Nazarkon (Konica.al), Kadare, me tone të ashpra, i përgjigjet Lubonjës, duke e quajtur një “shpifës ordiner”.

Në vijim të intervistës, Kadare është shprehur për përkatësinë europianiste të Shqipërisë, lidhjen e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe rezultatet e një sondazhi të OSCE-së, sipas të cilit shqiptarët janë nostalgjikë për regjimin diktatorial.

Është edukative… Është shumë e bukur kjo parabolë që bëre me Senekën, sepse ke alibinë, madje shpjegimin universal të raportit me Enver Hoxhën për të cilin të akuzojnë këta, që thonë që e ke glorifikuar, dhe prandaj nuk “vdiqët”…

Nuk është fare e vërtetë. Unë kam dyzet vepra, a dyzet e pesë, varet si ndahen titujt, nga të cilat në njërën është i pranishëm shefi i regjimit, dhe në atë, vetëm në rreth 30 për qind të saj. Dhe ajo vepër vazhdon të qëndrojë, vazhdon të lexohet dhe do të lexohet gjithmonë. Unë nuk kam turp prej saj, sepse ajo vepër nuk është e tillë, dhe nuk ka pse të mohoj unë veprën time dhe të kem ndjenjë faji, dhe nuk ka asnjë vepër tjetër që mund të quhet problematike.

Ka një moment të afërt, që është botimi i një libri me dokumente që tregon që ju përndiqeshit, mbikëqyreshit nga Sigurimi, që kishte njerëz që vepronin për t’ju shkatërruar, që është libri i Dashnor Kaloçit, “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”. Fatos Lubonja, një nga kritikët tuaj kryesorë, më i kualifikuari dhe ndoshta më cilësori në statusin e tij publik, thotë që nga ato dokumente, që sipas tij nuk janë përzgjedhur në mënyrë korrekte, nuk del kjo përndjekje, përkundrazi, dhe përmend Zylyftar Ramizin dhe të tjerë. Cila është përgjigjja juaj për këtë?

Përgjigjja ime është që unë nuk e marr fare seriozisht këtë Lubonjën që po thoni ju…

Fatosin…

Po, sepse shkrimi i tij ishte një lloj përçartjeje dhe asgjë tjetër. Ju përmendët një Zylyftar Ramizi. Zylyftar Ramizi ka qenë shef i Sigurimit shqiptar dhe zëvendësministër i Brendshëm. Ditën që u dënua me vdekje, në zemërim e sipër, ose në panik e sipër, tha “do t’ju them edhe unë disa gjëra që do t’ju prishet gjaku”, dhe foli kundër meje. Tani, të përmendësh këtë argument kundër meje, është turpi më i madh. E para, sepse në një letër që i kam shkruar Ramiz Alisë, të vetmin që propozova për të hequr urgjent nga posti ka qenë Zylyftar Ramizi, kur ky ishte ende në post, dhe ky letrën sigurisht e mori vesh nga të parët, dhe e ka treguar. Nuk ka se si të dalë një njeri dhe të marrë sharjet e Ramizit kundër meje, dhe ta botojë këtë shpifje pa pikë ndërgjegje. Unë po flas me një fjalor të ashpër, e di, që nuk i shkon një bisede letrare, por unë jam që në Shqipëri nuk duhet kurrsesi që, nën maskën e mendimit të lirë, të justifikohen shpifjet. Shpifja vjen pas vrasjes, ose është njëlloj si një vrasje. Të shpifësh kundër një shkrimtari të njohur (sepse kjo është shpifje e pastër, ai tha “Kadareja ka qenë agjent i Sigurimit”) është diçka, por si e boton ti sot në gazetë këtë gjë? Së paku duhet vënë në kllapa “sipas kokës së tij, mendjes së tij”, aq më tepër pas një libri që ka njëqind e një dokumente ku vërtetohet e kundërta, apo jo? Si e gjete ti që në këto dokumente nuk ka të vërteta? Ato janë dokumente me emra, me data, me shifra, me faksimile, me çdo gjë që ka një dokument, dhe vetëm në një shtyp të degjeneruar mund të dalë dikush në këtë mënyrë për të thënë që këto dokumente janë false, dhe mos t’i përgjigjet askush. Unë kam deklaruar në intervista, në shtypin shqiptar apo dhe në atë botëror, kudo, me përgjegjësi personale, që të shkojnë të kërkojnë në mijëra arkiva, dhe nuk do të gjejnë një radhë timen kundër një shkrimtari tjetër. Ç’do më tepër, atëherë? Këtë deklaratë e kam bërë 5-6 vite më parë, sigurisht që janë turrur të kërkojnë, por nuk kanë gjetur dot, dhe tani na del ky shpifës ordiner, fare i neveritshëm, dhe thotë “po, ato dokumente janë të falsifikuara”. Kemi një kaos total, dhe Shqipëria po e vuan së tepërmi këtë kaos, sepse kaosi nuk të lejon të shpjegosh asgjë, çdo gjë e nxin, çdo gjë e çorienton.

Duke mbetur në temën e së kaluarës, është një figurë interesante, për aq sa flitet për të, dhe është figura e Mehmet Shehut. Presidenti francez Hollande përmendi librin tuaj “Pasardhësi” si një ndër librat e suksesshëm. Rreth Mehmet Shehut ka folur Nexhmije Hoxha, që tregonte se si ndodhi tragjedia e tij dhe si përpjekje për të justifikuar të shoqin. Ka pasuar ditët e fundit historiani dhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, që thoshte që është vetëvrarë, ndërkohë vëllai i Mehmet Shehut thotë se e kanë vrarë. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje që vjen nga e kaluara, por që ende krijon kaq shumë vëmendje publike?

Pyetja juaj më tingëllon pak e çuditshme. Unë nuk kam asnjë qëndrim të veçantë nga ai që duhet të ishte qëndrimi i opinionit publik në përgjithësi, i shtypit, i shoqërisë. Mendimi i parë që më vjen është që Shqipëria nuk duhet të merret me kaq zell të madh, me kaq zjarrmi si të thuash, me asnjë nga figurat që kanë drejtuar diktaturën. Sigurisht duhet të merret me seriozitet, të zbërthejë krimet e tyre…

Është një vrasje e pazakontë, apo jo…

Sigurisht! Vrasja e një kryeministri është një ngjarje e pazakonshme, dhe mund të jetë edhe shumë simbolike për një vend. Megjithatë, ato deklarata që bëhen poshtë e përpjetë dhe që kam parë, pra që në Shqipëri po zgjohet interesi për diktaturën…

Është një sondazh i OSBE-së që thotë se 53%…

… e duan regjimin! Këtë unë e gjykoj një sondazh racist, kundër popullit shqiptar. Nuk mundet kurrsesi që një popull që ka vuajtur në një regjim kaq të egër, pas 27 vitesh që ky regjim ka ikur, t’i degradojë mendja dhe papritur të ndjejë nostalgji për atë kohë. Kjo nuk është thënë për vendet e tjera, dhe nuk ka pse të thuhet dhe nuk ka pse shqiptarët ta ndihmojnë këtë gjë, që është një hedhje balte kundër kombit shqiptar, kundër popullit shqiptar.

Bashkim Shehu thoshte që e shpjegueshme është në qoftë se në sondazh kanë marrë pjesë mosha mbi 50 vjeç, që ka qenë dominante.

Po pse ajo moshë nuk kishte…? Ajo lidhet me sa ishin pro regjimit dhe sa ishin kundër. Nuk është e vërtetë që shumica e njerëzve ka qenë me komunizmin.

Kjo po, por ka ndodhur një gjë, që kudo në këto vendet ish-komuniste, papritur, njerëzit ballafaqohen me atë që sistemi i ri ekonomikisht është në rënie, nuk kishte fabrika, nuk kishte punësim 100%, nuk kishte garanci, as spitale falas, ajo ndjenjë e barazisë në varfëri. Kapitalizmi në ato vitet e para është i tmerrshëm, dhe disa thonë “sa mirë kemi qenë, ç’na u desh”…

Po janë klishe të vjetra. Edhe përpara piramidave thoshin “përpara ishte më mirë”, po çfarë mund të ishte më mirë përpara piramidave? Mund të ishte rastësisht më mirë…

Mos e nxisin nostalgjinë, siç thotë edhe opozita, këto muzetë që po hapen, si te Ministria e Brendshme, “Bunk’Arti”, “Shtëpia me Gjethe”…

Ato mund ta nxisin, por në radhë të parë duhet të nxisnin antinostalgjinë, pra të kundërtën, dhe mund t’i pranosh të dyja. Por që populli shqiptar të jetë katandisur në atë derexhe që t’i mbushen sytë me lot për atë regjim, jo, është diçka që nuk mund ta pranoj, është një fyerje. Mendoj gjithashtu që këto deklarata duhet të verifikohen. Nga i kanë marrë të dhënat, nga i kanë nxjerrë. Me sondazhet në Shqipëri është vërtetuar dhe unë kam shkruar disa herë, bëhen spekulime të pështira. Kam shkruar dhe nuk kam marrë përgjigje nga askush, për shembull, për çështjen e popullsisë së Shqipërisë, e cila ka 500-600 vjet që nuk ka ndryshuar, përtej kohëve të fundit. Nuk është normale. Ka sondazhe të paturpshme. Janë të gjitha me qëllim, janë pa qëllim, gjysmë me qëllim, rastësore, këtë nuk e di. Por nuk ka popull që 500 e ca vjet përpara të ketë bërë qoftë edhe njëfarë pengese për një perandori për një kohë të caktuar, dhe të ketë qenë 1 milion banorë, si 30 vjet më parë. Nuk ekzistojnë popuj të tillë.

Ju jeni vlerësuar nga presidenti francez si një proeuropian i vendosur, edhe pse vini nga një vend i vogël, siç thonë, me një shumicë myslimane dhe që ka lavdëruar islamin e moderuar shqiptar. Ndërkohë ka shfaqje të ekstremizmit islamik në vend. Cili është gjykimi juaj për këtë?

Ky është një shqetësim, me thënë të drejtën, dhe një gjë jo shumë e shpjegueshme, jo fort logjike. Unë nuk kam ndonjë mendim që ta zbërthej se përse ndodh. Në radhë të parë dyshoj se ndodh. Është vërtet Shqipëria një vend ku po rritet islamizmi, siç thonë? Karakterizohet vërtet si një komb me shumicë myslimane? Kjo është një lloj formule që zakonisht përdoret, kur flitet për popullsitë e botës. Për një vend që ka një harmoni fetare të konfirmuar, nuk ka “me shumicë” a “pa shumicë”. Këto terma përdoren për shtete, të cilat ndërtojnë sistemet e tyre shoqërore, politike dhe juridike edhe në bazë fetare. Populli shqiptar në këta 100 vjet, nuk ka lejuar që feja të ndikojë në sistemin e tij të brendshëm, shtetëror, juridik, politik. Prandaj, nuk ka pse ta pranojmë ne këtë kualifikim, i cili në botë ka marë vetvetiu një konotacion racist dhe me sa duket do të vazhdojë kështu.

E majta shqiptare ka disa prekursorë, si paraprijës, që kanë qenë intelektualë por edhe patriotë, vlen të përmendet Sejfulla Malëshova dhe të tjerë. Pse e majta nuk u referohet këtyre figurave?

Sepse është një mungesë e saj, do të thosha unë, tregon që nuk ka thellësi, që nuk ka sinqeritet ndoshta, sepse një lëvizje e majtë ka edhe ajo ligjet e saj, origjinën, idolet e saj, dhe ne kemi pasur një plejadë të tillë që përmendët ju si Sejfulla Malëshova, që ishte intelektual i madh, dhe të tjerë si ai. Këta janë dënuar nga regjimi i kaluar dhe me sa duket vazhdon jehona e këtij dënimi.

Në Shqipëri është duke ndodhur një lloj rinovimi ose më mirë rilindje urbane, domethënë rishikimi ose rindërtimi i shesheve kryesore. Në fakt, nga disa vëzhgues kjo konsiderohet pak si restaurimi i atyre qendrave dhe qyteteve që ishin ndërtuar dhe projektuar nga mbreti Zog. Pra kemi një udhëheqës të majtë si Edi Rama i cili, megjithëse e kritikon publikisht Zogun, në fakt është duke nxjerrë në dritë ato që ishin pjesë e trashëgimisë më të rëndësishme, që janë planet rregulluese urbane, apo monumentet, godinat kryesore të asaj periudhe. Ju bën përshtypje kjo?

Unë mendoj që kjo nuk lidhet thjesht me figurën e Ahmet Zogut dhe as me mbretërinë e mbretit Zog, sesa lidhet me atë që ne e quajmë “europianizimin” e Shqipërisë, pra prirjen europiane të Shqipërisë. Është kjo një prirje e ngritur artificialisht, apo një prirje natyrale, shpëtuese për Shqipërinë? Sepse Shqipëria sot është shumë europianiste, ne e dimë, ne linjën e saj politike, ideore e të gjitha, por a është vërtet kjo një nxitje e viteve të fundit, apo është një linjë që vazhdon prej shumë shekujsh?

Unë mendoj që Shqipëria të drejtën e saj për të hyrë në Europë nuk e ka mohuar kurrë. Tërë Rilindja Kombëtare shqiptare është një lëvizje absolutisht europianiste dhe prandaj nuk është një e gjetur si modus vivendi, “se kështu është koha, Bashkimi Europian ka këto kërkesa dhe ne duhet t’i përshtatemi”. Jo, lidhjet shqiptare me Europën përbëhen nga shumë elementë, përveçse është truall europian i mirëfilltë, ka kujtesë historike të mirëfilltë, ka gjuhën europianiste etj.

Dhe kjo ringjallje e trashëgimisë, për të cilën folët ju, unë e lexoj në radhë të parë si një trashëgimi që na lidh me kujtimet europiane. Shqipëria, për fat të keq, nuk i kultivon disa herë kujtimet europiane. Çdo vend do t’i gjurmonte kudo dhe do t’i vinte në pah.

Po marr një shembull që duket fare banal dhe i thjeshtë. Në bulevardin kryesor të Tiranës ndodhet ndërtesa e hotel “Dajtit”, e cila po prishet përballë syve tanë. Të kalosh andej të vjen për të qarë me ato dritaret e shkulura. Ka qenë hoteli më modern në Ballkan, për disa vite. Një pjesë e historisë së Shqipërisë ka kaluar atje, janë zhvilluar ngjarje të mëdha, të gë- zueshme, të hidhërueshme, komplote, ballo… Pse ne që i kemi kaq të rralla këto…

Qeveritë e majta nuk ia dhanë lejen e ndërtimit një ndërtuesi të madh si Behgjet Pacolli, që supozohet do ta rikthente në shkëlqimin e dikurshëm sepse kishte nostalgji për atë hotel…

Në qoftë se kjo është bërë me qëllim dhe me ndërgjegje është një ndërgjegje e keqe që e ka bërë. Këto nuk janë thjesht qeveri të majta, por janë qeveri dëmprurëse për popullin shqiptar. Si ka mundësi që ti ndërtesën kryesore, “nostalgjike” të viteve ’30 dhe ’40, e hedh mënjanë? Je gati të ngresh lloj-lloj hauresh, t’i rindërtosh dhe ringjallësh, dhe nuk mbron atë që çdo qytet do ta kishte për krenari. Asnjë qytet europian nuk do të guxonte të linte të shkatërrohej hotelin e saj me të famshëm të viteve ’30 dhe ’40. Do të ishte një krim publik.

Gjithmonë ne kemi bërë intervista së bashku kur kemi krijuar media të reja, si me “Ditën” dhe “ABC”-në. Tani po krijojmë një portal, “Konica”, dhe doja një gjykim tuajin për figurën e Konicës dhe rezonancën e tij aktuale. I duhet Shqipërisë sot një mendje kritike e formatit të Konicës?

Së pari, dua të saktësoj që, sipas mendimit tim, për figurat që ne do të kujtojmë, mund të kujtojmë ose duhet të kujtojmë, nuk duhet të nisemi nga mendimi “i duhet sot apo jo”. Përkundrazi, “a kanë qenë, a janë të tilla”? Në qoftë se ata kanë qenë të tillë, ata prapë janë. Konica është një figurë e rëndësishme e kombit shqiptar, me gjurmë të thella shumë që nuk i ka zbehur dot asnjë kritikë studimore marksiste leniniste. Dhe kjo është një shenjë e mirë, lidhet me atë frymën europianiste dhe të natyrshme që ka vendi ynë. Kjo nuk do të thotë që nuk ka edhe mendime trillane, për të qenë i butë.

Në Kosovë do të thoshin trullane…

Trullane, dakord. Mendime pra që nuk hynë në punë. Por kjo nuk do të thotë asgjë, madje do të thosha që Noli, Konica dhe Zogu përbënin një treshe pak të habitshme. Këta kanë qenë tre armiq, shpeshherë të betuar të njëri-tjetrit, dhe më pas tre miq, ndoshta jo të betuar, por gjithsesi miq që kanë arritur të bëhen të tillë herë pas here.

E bënë sepse ndërgjegjja e tyre ishte e kthjellët dhe kuptuan që e donte e mira e Shqipërisë, e bënë thjesht si qenie njerëzore, e bënë thjesht si krijues të politikës, të diplomacisë, të filozofisë shqiptare, këtë unë nuk jam në gjendje ta them, por ata janë një shembull, sepse armiqësia Noli–Zog ka qenë aq e madhe, sa për çudi ka edhe një simetri të pabesueshme, ku të dy e kanë dënuar me vdekje njëri-tjetrin në mungesë, dhe më pas të dy u pajtuan pas Luftës së Dytë Botërore.

Konicën gjithashtu e kritikojmë pse u bë ambasador në Amerikë, por ai ka dhënë shpjegimet e tij, që janë të gjitha pothuajse të besueshme.

E kisha fjalën edhe për sensin demistifikues të tij…

Në këto çaste që jetojmë, nuk vuan demistifikimi shqiptar për shembuj. Ka mjaft ushqim të brendshëm dhe nuk ka pse ta marrë diku.

Një pyetje tjetër lidhet me jetën tuaj midis Shqipërisë dhe Francës. Përgjithësisht, intelektualet që kanë jetuar dhe jetojnë në Francë sjellin edhe kriticizmin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rolin e saj në Shqipëri, Kosovë, Ballkan etj. Ndërkohë, ju në asnjë rast në shfaqjet tuaja publike nuk keni bërë një kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për atë që ka bërë në Shqipëri. Cili është gjykimi juaj për raportin midis shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara?

Unë mendoj që Shqipërisë, krahas thashethemeve dëmprurëse, që janë përhapur me shumice sot në botë, dhe që duhet të na brengosin jo thjesht në emër të patriotizmit të modelit klasik, por për imazhin e njeriut shqiptar, ka edhe një thashethem që do ta quaja pozitiv dhe po aq të përhapur në botë, që ky është një shtet që ka simpati për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe amerikanizmin.

Kjo është e vërtetë dhe nuk na turpëron. Të parën e quaj turp, që të na dalë nami që jemi vendi i drogës, i prostitutave dhe gangsterëve, patjetër asnjë vend nuk do t’ia uronte vetes. Por që të dalë nami që Shqipëria është tepër e dalldisur pas SHBA-ve, përveç një buzëqeshjeje, nuk i bën dëm vendit. Për mua është gjë pozitive dhe unë jam dakord. Populli shqiptar, me gjithë akuzat që i bëjnë, pra që e ka mendjen nga Lindja, nga Otomanët, nga kinezët, megjithatë për çudi mendjen e tij di ta ketë edhe nga ky kontinent i ri i botës, ky vend i madh dhe demokratik.

E kisha fjalën edhe për atë kriticizëm që shihej kur bëhej fjalë për armët kimike, ka intelektualë që jetojnë këtu në Francë dhe kritikojnë ambasadorët amerikanë që përfshihen në çështjet e Reformës për Drejtësi.

Unë këtë do ta quaja konformizëm ndaj vendit ku jetojnë. Unë nuk e kam ndier kurrë këtë gjë dhe as nuk e kam ndier, dhe as nuk e kam quajtur të nevojshme./MENTOR NAZARKO/ Konica.al

 

 

Ismail Kadare: Rreziqet që i kanosen Shqipërisë në këtë mijëvjeçar

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare trajton mitin e katastrofës te “Kombi Shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”. Sipas tij, në kushtet sidomos kur kombi shqiptar vazhdon të jetë i prerë më dysh, vizioni rilindës mbetet vizioni bazë për botën shqiptare.

Periskopi.com Lajme

Popujt, ashtu si qeniet njerëzore, kanë dëshirë të kujtojnë fatkeqësitë e kaluara. Me kalimin e viteve, shpesh qëllon që këto fatkeqësi të skajuara në ndërgjegjen e tyre, ndryshojnë trajtë, rrallëherë zbehen ose harrohen, së shumti zmadhohen ose nxihen më fort. Në ndryshim me qenien njerëzore, që e ka jetën të shkurtër, jetëgjatësia e kombeve krijon kushte për tjetërsimin e fatkeqësive, të cilat disa herë shndërrohen në mite të vërteta. Në këto mite mbështetet shpesh kujtesa historike, prej tyre ushqehen letërsia dhe artet ose krijohen psikoza fataliste që ngjyrojnë për një kohë të gjatë atë që quhet shpirtësi e një populli. Ndërkaq, kaq raste që prej këtyre miteve ushqehen propagandat shoviniste e doktrinat hakmarrëse kundër popujve të tjerë. Një nga mitet tipike që gjendet në historinë e shumë popujve është ai i katastrofës së dikurshme. Është një thyerje ose një humbje e dhembshme ose disa gjëma të njëpasnjëshme, kujtimi i të cilave nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, shërben për fisnikërimin e një populli, kur selitet në një kah të mbarë. Për fat të keq, koha ka treguar se mund të shërbejë edhe për të kundërtën: për ta egërsuar një popull kundër të tjerëve.

Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqiptar, pushtimi osman në shekullin XV, copëtimi i Shqipërisë në fillim të shekullit XX dhe izolimi i saj nga bota, për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të këtij shekulli, nuk krijuan të shqiptarët as doktrina shfarosëse, as urrejtje kundër të tjerëve dhe kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit, e atij që është i ardhur, i huaj, mik ose bujtës, një mendësi që vjen qysh nga kohërat antike, ka qenë një nga gurët themelore të qytetërimit shqiptar.

Që ky nderim nuk është një shpikje poetësh e as një cilësi e elitës shqiptare, u rivërtetua gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Dhjetëra-mijëra ushtarë italianë të mbetur në Shqipëri nën mëshirën e popullsisë së armatosur shqiptare, pas kapitullimit të Italisë, nuk u prekën aspak prej kësaj popullsie, përkundrazi u morën në mbrojtje prej saj. Nga ana tjetër, është një fakt i njohur tashmë se Shqipëria ishte një nga vendet e rralla në botë, në mos i vetmi, ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.

 

Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u përpoq ta armiqësonte popullin shqiptar me të gjithë botën, kryesisht me Evropën Perëndimore, por nuk ia doli dot. Pas rënies së komunizmit, populli shqiptar dëshmoi ndaj të huajve evropianë dhe amerikanë po atë ndjenjë miqësore të dikurshme.

Kjo tolerancë e gjerë e këtij populli, e shoqëruar me tolerancën fetare, gjithashtu të vërtetuar gjatë shekujve, nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. E ishte e nevojshme, për të mos thënë e detyrueshme, të çmohej, sepse kishim të bënim me një shembull të shkëlqyer ballkanik, në kohën që gadishulli i madh u përfshi tej e mbanë nga furtunat shoviniste, nga intoleranca e urrejtja etnike e nga krimet e rënda të ushqyera prej saj. Për t’u kthyer te miti i katastrofës, ky mit te shqiptarët, ndërsa nuk shkaktoi acarimin kundër të tjerëve, mori, për fat të keq, një zhvillim të papritur: revoltim kundër vetvetes.

Psikoza mohuese

Rilindësit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se, përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: Rizgjimi i atdhedashurisë.

Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim, kambanat e tyre, thirrjet e zjarrta, shpeshherë të dëshpëruara “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar !”, dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese: një pjesë e shqiptarëve ishte ftohur prej atdheut të tyre. Turqizmi i qindra-mijëra shqiptarëve, greqizmi i një pjese tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmonin se ndjenja patriotike te një pjesë e shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe.

Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli shqiptar, mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, e institucioneve kulturore e, natyrisht, mungesa e strukturave shtetërore, e zbehu fort shqiptarizmin ose, në rastin më të mirë, e la atë në një nivel parak (primitiv), që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla, takimi me një kulturë të huaj ishte tronditëse për shqiptarët.

Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata, që në shembullin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet, ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej atdheut. Kështu, në agimin e çlirimit të Shqipërisë, i kemi pasur të dyja prirjet: atdhedashurinë e disave dhe anti-shqiptarizmin e, disa herë, kundër shqiptarizmin e të tjerëve. Rilindësit u përpoqën si titanët t’i bindin shqiptarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vendi i tyre, se ata kishin një atdhe të bukur, se kishin një gjuhë madhështore, një nga 5-6 gjuhët themelore të botës, së ishin një racë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mendërisht, së kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin arsye për t’u ftohur me atdheun, por përkundrazi, për t’u afruar më fort me të.

Aksioni i rilindësve për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madhi e më i gjëri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqiptare. Rrallëherë emërtimi i një lëvizjeje përkonte me qëllimin e saj, ashtu si në rastin e Rilindjes shqiptare. Në të vërtetë, ishte ajo që e rilindi Shqipërinë, ose për të qenë më të saktë, ishte ajo që e lindi Shqipërinë moderne.

Që kjo lëvizje e ky vrull të ishin të suksesshëm, rilindësit e himnizuan dhe e sublimuan historinë e shqiptarëve. Ata qëmtuan në të kryesisht kulmet e ndritura, duke mos u ndalur në njollat e saj. Po me këmbëngulje ata vunë në pah vlerat morale e fizike të shqiptarëve, kryesisht virtytet, pa dashur të ndalen në cenet e tyre, që nuk ishin më të pakta se virtytet. Kjo ishte rrjedhojë logjike e qëllimit të lëvizjes: rifitimin e besimit të humbur.

Një arsye tjetër që e përligjte plotësisht optikën e tyre pozitive ishte propaganda kundër shqiptare, që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë: kryesisht nga rrethet shoviniste serbe e greke. Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallëherë ishte parë në faqe të dheut. Përballë kësaj furtune të sëmurë, rilindësit shqiptarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm.

Në vend që të binin në nivelin e saj, duke u përdhosur edhe vetë nga balta e kundërshtarëve, ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë: lartësimin e vlerave shqiptare.

Ky vizion optimist i rilindësve, i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e më vonë prej Gjergj Fishtës, u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Në ngjarjet e fundit tragjike të Shqipërisë ishte pikërisht ky vizion rilindës që u sulmua në mënyrën më barbare. Një grusht intelektualësh renegatë e një grusht politikanësh të papërgjegjshëm, të bashkuar me turmat e vulgut (llumit) shqiptar, u përpoqën dhe arritën t’ia vinin zjarrin Shqipërisë. Qëllimi i tyre ishte zhbërja e Shqipërisë, çka ata e treguan me shkatërrimet e vlerave kombëtare, të atyre që nuk ishin prekur as nga pushtuesi otoman e as nga ai nazist.

Nga këto ngjarje Shqipëria, e ndoshta jo vetëm Shqipëria, por Evropa e tërë, nxori një mësim që asnjëherë nuk ka qenë kaq i qartë: në kushtet e demokracisë, turmat vulgare të fshehura prapa fjalës “popull” mund të kthehen në varrmihës të demokracisë, po aq sa tiranët, në mos më keq. Kjo është edhe arsyeja që grekët e vjetër, kur diskutonin për demokracinë, për të mirat e të këqijat e saj, ishin tepër gjakftohtë, pa paragjykime, rrjedhimisht pa entuziazëm. Nën trysninë e populizmit të majtë, bota e sotme, ashtu siç ka harruar mjaft mësime të historisë, e ka harruar, me sa duket, edhe këtë mençuri antike. Shqipëria, që e provoi në mish të saj ç’do të thotë kjo karikaturë e demokracisë shpresojmë të mos e harrojë.

Mësimi, pra, është i qartë: demokracia e pashoqëruar nga një strukturë ligjesh e një strukturë e fortë shtetërore që të sigurojë funksionimin e saj, mund të kthehet lehtë në të kundërtën e vet.

Për sa i përket kritikës ndaj vizionit të rilindësve shqiptarë, ajo, gjithashtu, duhet parë në rrethanat kur është bërë e në zhvillimin e dramës shqiptare. Ai këndvështrim inkurajues lindi në kushte të caktuara, për një qëllim të caktuar. Në kushte të mëvonshme, kur kombi shqiptar, ose së paku një pjesë ë tij që e kishte shtetin e vet të pavarur, ndeshej me probleme të tjera, me probleme të së drejtës, të demokracisë, të emancipimit shoqëror etj. Ai këndvështrim optimist nuk ishte i mjaftueshëm. Ndaj edhe bota shqiptare kërkoi dhe gjeti shtigje të reja të mendimit e të veprimit (“Kombi Shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”, Onufri 2013, “Dielli” 2016).

 

Kadare njeri i regjimit?

Lubonja mohon dokumentin e hetuesisë ku ka folur për Kadarenë. Cili e vërteta jonë vetëm dokumentet

Periskopi.com Kulturë

Ka shpërthyer një polemikë e fortë lidhur me librin “Kadare në dokumentat e Pallatit të Endrrave” të Dashnor Kaloçit, botuar nga Mapo lidhur me imazhin që ai do të japë për shkrimtarin më të madh të kohës së komunizmit, Ismail Kadare. Shkak për këtë është bërë 1 nga 101 dokumentat ku përmendet edhe emri i Fatos Lubonjës. Sipas këtij dokumenti hetuesie, pasi e kanë burgosur, pretendohet se Lubonja i paskësh thënë hetuesve se i ati i tij, Todi Lubonja, gjithashtu i burgosur nga Enver Hoxha, e vlersonte Kadarenë “sepse vetëm ai thoshte të vërtetën”.

E parë nga vështrimi i asaj kohe kjo dukej si një thikë me helm që i futej shkrimtarit. Të deponoje në hetuesi se një armik i Enverit e donte shkrimtarin, do të thoshte ti bëje atij dëmin më të madh.

Pikërisht për këtë fakt ka rreaguar edhe Fatos Lubonja, i cili pasi tregon se pse u arrestua, letërsinë anti regjim dhe dokumentat që iu gjetën nga hetuesia thotë: “sipas Kaloçit në dokument shkruhet se unë u paskam thënë hetuesve se im atë çmonte vetëm Kadarenë, pasi vetëm ai thoshte të vërtetën, kurse të tjerët kishin frikë. E vërteta është që im atë në atë kohë çmonte Kadarenë, si më të talentuarin e shkrimtarëve dhe se e kishte mik, por kurrsesi nuk mund të thoshte se ky shkruante të vërtetën. As unë s’mund ta sajoja këtë. Kjo është një fyerje për inteligjencën, edhe të hetuesve madje, pasi çdokush me dy pare mend ishte i vetëdijshëm se askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën në atë kohë. Se përndryshe, ç’kuptim kishte që unë shkruaja letërsi sirtarësh po qe se të vërtetën mund ta shkruaje si Kadareja? Prandaj, nëse dokumenti thotë vërtet kështu, atëherë fjala ime është zbardhur në mënyrë të deformuar. Dhe gjëra të tilla duhen pasur parasysh kur kërkojmë të kuptojmë të vërtetën e asaj kohe nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit. Jo më kot në Gjermani, krahas arkivit të STAZ-it, sot ka edhe një arkiv tjetër ku njerëzit që figurojnë në dosjet e STAZ-it janë ftuar të dëshmojnë të vërtetën e tyre. Prandaj dhe Adam Michniku ka thënë se “ne (disidentët polakë F.L.) nuk mund të gjykohemi nga dokumentet që kanë bërë persekutorët tanë për ne”.

Pra sipas Lubonjës dokumentat e librit janë të nxjerra jashtë kontekstit, Qëllimi i tyre është të ndërtojnë portretin e Ismail Kadaresë si një njeri që qe në kundërshti me regjimin e Hoxhës, gjë që nuk qe e vërtetë. Ata shkëpusin dokumente dhe fakte që vetëm përforcojnë këtë tezë. “E bukura në këtë histori është që Kaloçi dhe ata që promovojnë librin e tij, nuk nisen të kërkojë të vërtetën e këtyre dramave. As të evidentojë faktin (sado modest, por për t’u njohur) se në atë kohë paska pasur edhe të rinj që bënin letërsi sirtarësh kundër regjimit, që eksperimentonin forma të tjera nga socrealizmi; që nuk i ngrinin himne Partisë dhe shokut Enver, po shkruanin për varfërinë, mjerimin dhe udhëheqjen “idiote”; as se si regjimi i vriste në një mënyrë apo në një tjetër këta të rinj. Ata i (keq)përdorin drama si kjo për t’u shërbyer gënjeshtrave të një shkrimtari të socrealizmit si Kadareja, i cili, edhe pse në vend të dënimeve dhe ridënimeve me burgje ka njohur vetëm promovime e privilegje e çmime, duke arritur deri të bëhet deputet dhe zv.kryetar i Frontit Demokratik, pretendon se na qenka persekutuar nga Enver Hoxha dhe Sigurimi”.

Por këtyre pretendimeve të Lubonjës i është përgjigjur botuesi i Librit Henri Cili.  “Shkurt, me këtë libër kemi dashur t’i japim fund një ideje të krijuar gjatë këtyre 25 viteve sikur Ismail Kadare ishte aty, përbri Enver Hoxhës dhe firmoste bashkë me të dëbimet, internimet dhe pushkatimet. Sigurisht kjo ishte një metaforë e tepruar, por kështu u krijua përshtypja e shumë mjediseve intelektuale. Ne kemi dashur ta tregojmë këtë vërtetë dhe besojmë se ky libër dokument, me 101 dokumente, e jep këtë përgjigje. Nuk e di ku i gjen Fatos Lubonja akuzat për një strategji stimulim manipulimi tonën, kur 101 dokumentet janë botuar të plota, përfshi edhe dëshminë e tij në hetuesi në dënimin e pare”, ka thënë ai.

Por duke lexuar argumentat e Cilit është vështirë të mos i japësh të drejtë Lubonjës. Ky i fundit nuk thotë se ata letra hetuesie nuk ekzistojnë. Ai pretendon gjë tjetër. Ai ngre pyetjen nëse është e majftueshme që vetëm përmes letrave të manipuluara që ka krijuar diktatura, të zbulohet e vërteta. Dhe sipas argumentëve të Lubonjës një pyetje mbetet pa përgjigje: Kur në dokumenta e trejtonte si armik, përse regjimi e ngrinte lart e më larta Kadarenë? Kësaj pikpyetjeje ky libër e ka vështirë ti japë përgjigje. (Lapsi.al)