Mosul

ISIS privon banorët nga uji në Mosul

ISIS po përdor një “armë të re” në betejën për Mosulin...ujin! Të paktën gjysmë milionë njerëz që jetojnë të bllokuar mes zjarrit të artilerisë në qytetin irakian nuk kanë më akses ndaj ujit të pijshëm, siç bëri të ditur OKB për median amerikane CNN.

Periskopi.com Lajme

Një prej tubave kryesore të ujit është dëmtuar rëndë dhe duke qenë se gjendet në territorin e kontrolluar nga xhihadistët, kjo e bën të paaksesueshëm për riparime.

Ushtria irakiane, e ndihmuar nga forcat aleate nisi në shtator ofensivën për çlirimin e Mosulit, prej dy vitesh nën kontrollin e Shteti Islamik.

Zyrtarë dhe dëshmitarë në zonë thonë se tubi ishte dëmtuar gjatë luftimeve, por se axhenda ogurzezë e ISIS-it e kishte përshkallëzuar edhe më tej problemin. Grupi ka ndërprerë qëllimisht furnizimin me ujë në lagjet pranë frontit të luftës sipas supervizorit të shërbimeve energjetike dhe të ujit në Mosul.

Ata po i privojnë njerëzit nga uji i pijshëm dhe elektriciteti dhe duan t’i tërheqin ata pas vetes për t’i përdorur si mburoja njerëzore”, ishin fjalët e tij. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se nuk mund të verifikojë pretendimet, por thotë se kjo lloj praktike ishte parë edhe në qytete të tjera të pushtuara nga ISIS.

Ish-ushtari i ISIS-it që abuzoi me fëmijët, mik me të arrestuarin për sulmin Shqipëri-Izrael

Ish-ushtari i ISIS-it në Siri, Denis Shmilli, i arresuar për dhunë në familje dhe vepra të turpshme ndaj fëmijëve të tij, rezulton se është mik i të arrestuarit për “terrorizëm” Medat Hasani.

Periskopi.com Lajme

Ky i fundit, u prangos tre ditë para ndeshjes kualifikuese Shqipëri-Izrael bashkë me 3 persona të tjerë, me dyshimin se po përgatisnin një sulmit terrorist gjatë ndeshjes së futbollit në “Loro Boriçi”.

ABC News ka siguruar një kopje të listës së personave që kanë luftuar në Siri për disa muaj, ku me numrin rëndor 81 është identifikuar shtetasi Denis Shmilli. Sipas kësaj liste, thuhet se Shmilli bashkë me Dritan Kosturin, i lindur në Cërrik dhe banues në Elbasan dhe ish-efektivin e forcave komando Medat Hasani kanë qëndruar për rreth 137 ditë në frontet e ndryshme në Siri.

Në dosje thuhet se tre shtetasit shqiptarë, Shmilli, Kosturi dhe Hasani i arrestuar pak ditë më parë për terrorizëm, kanë udhëtuar së bashku nga Shqipëria në drejt të Turqisë me makinë të vogël.

Ata kanë dal nga terroritori shqiptar më 28 Korrik 2013 drejt Greqisë, ku më pas mendohet se kanë udhëtuar në drejtim të Turqisë për të përfunduar në krah të organizatës terroristë Al-Nusra në Siri. Sipas verifikimit të sistemit TIMS rezulton se ata kanë hyrë në territorin Shqiptar më 17 Dhjetor 2013, rreth 4 muaj e gjysëm pas daljes nga Shqipëria. Referuar këtij materiali, të përpiluar nga agjentët e antiterrorit, thuhet se ata kanë qëndruar në kampet e Sirisë për stërvitje dhe kanë marrë pjesë edhe në luftime kundër forcave të Bashar-Al-Asadit.

Sa i përket njohjes mes tyre, në dosje thuhet se ata frekuentonin të njejtën xhami, atë të Unazës së Re ku predikonte imami i vetshpallur Genc Balla, tashmë i dënuar me 17 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Pavarësisht këtyre detajeve të dosjes së anti-terrorit, Denis Shmilli tashmë po hetohet për akuzën e dhunës në familje dhe veprave të turpshme, ndërkohë rezulton i dënuar për mbajtje pa leje të eksplozivëve.

Ndërsa shoku i tij me të cilin ka qenë në Siri, ish-oficer i forcave komando Medat Hasani po hetohet për terrorizëm së bashku me tre të arrestuarit e tjerë, Bekim Protopapa, Xhezair Fishti dhe Ergys Faslija. Në mesin e personave të kthyer nga lufta në Siri, është edhe Ervin Duka, edhe ky tashmë i arrestuar një ditë para ndeshjes në banesën e tij për mbajtje pa leje të eksplozivëve dhe armës.

Ikballe Berisha-Huduti

E dyshuara se rekrutoi gra për në Siri, tash organizon kurse për fëmijë në Prishtinë

E dyshuara për rekrutimin e grave kosovare në Siri, Ikballe Berisha-Huduti ka filluar një projekt tjetër në Prishtinë. Ajo kundërshton ashpër ekstremizmin dhe thotë se nuk duhet vritet askush në emër të Allahut.

Teuta GASHI Intervista

Në një intervistë për Periksopi.com ajo tregon se ka filluar të mbajë orë rehabilituese psikologjike për gratë në Kosovë, dhe tregon financuesit që i ka, thotë se janë britanikë.

E diplomuar në Letërsi Shqipe dhe Letërsi Krahasimtare e master në Psikologji, ajo flet për kombin kosovar, për mësuesen e Malishevës që u largua nga puna për shkak të mbulesës, e edhe për kosovarët që iu bashkuan ISIS-it. Këta të fundit, ajo thotë se kanë bërë mëkat.

Është bashkëthemeluese e Institutit Kërkimor Ndërkombëtar “Naim Frashëri”, e thotë ferexheja nuk është obligim fetar.

Berisha-Huduti thotë se ekstremizmi te myslimanët e Kosovës vjen për shkak padrejtësive që i shohin, dhe për shkak të injorancës.

Së fundmi ajo ka shpërndarë disa fletushka të cilat njofton se ofrojnë kurse për fëmijë dhe të rritur për mësim të besimit islam, për leximin e bukur të Kuranit dhe studimin e tij, si dhe që mbajnë takime fetare javore për biseda të lira jetësore dhe psikologjike.

Për Periskopi. com ajo thotë këto kurse i ofrojnë pa pagesë dhe se janë të regjistruar si OJQ.

Periskopi: I kemi parë disa fletushka nëpër hyrje të banesave, çka janë ato, çfarë kurse, a janë me pagesë?

Berisha-Huduti: Ne ende nuk kemi filluar punën zyrtarisht, për shkak të financave, presim të fillojmë në janar. Kemi donacione nga biznesmen nga Londra, të cilët edhe e kanë blerë këtë objekt, për Institutin. Aktivitetet tona ende nuk kanë filluar, por unë si psikologe në departamentin e grave dhe fëmijëve këtu, kanë shprehur dëshirën disa persona që të mësojnë shkronjat e gjuhës arabe. Ka shumë studentë të orientalistikës, e të cilët duan ta përforcojnë atë që e bëjnë në fakultet. Ka edhe besimtarë, që kanë shprehur dëshirën të mësojnë shkronjat e gjuhës arabe.

Për momentin e kemi parë që nuk ka interesim. Po punojmë vetëm me orë rehabilitimi, që e kemi çdo të enjte, orë rehabilitimi shpirtëror, aty këndojnë gratë së bashku, këngë të ndryshme, lutje të ndryshme, tema të ndryshme, ka edhe psikologe. Është freskim shpirtëror për gratë. Ne si OJQ nuk e kemi problem sekularizmin, kemi qëllim të ngrisim vlerat ndërfetare, tradicionale dhe morale. Në Institut kemi edhe të krishterë që janë të interesuar të bashkëpunojnë. Edhe këto kurse janë kurse që nuk paguhen, janë falas, por prej janarit do të kemi kurse që do të paguhen, një shumë simbolike vetëm sa për të mbuluar shpenzimet e profesorëve, një nga ato kurse janë ‘Self Development” që e mbanë një angleze, në gjuhën e saj. Ne e kemi edhe  “British Corner”, ua kemi hatrin donatorëve, ka kushtuar ky objekt.

Periskopi: Po thoni që kurset tjera janë pa pagesë krejtësisht?

Berisha-Huduti: Pothuajse po. Ose paguhen me një shumë të vogël.

Periskopi: Po thoni që ka edhe njerëz të feve të ndryshme këtu, çfarë bëjnë ata?

Berisha-Huduti: Agnostikë kemi shumë. Qëllimi ynë është të kemi liri dhe respekt për diversitetin.

Periskopi: Çfarë bëjnë ata këtu?

Berisha-Huduti: Me agnostikët ne e kemi formuar grupin dhe dëshirojmë të bëjmë 10 sesione, vetëm biseda pse, qysh, tek!

Periskopi: Çfarë temash?

Berisha-Huduti: Tema rreth mosbesimit, pse është agnostik, pse është ateist, kështu pra, tema kryesisht sociale, ka edhe filozofike.

Periskopi: Keni ndonjë qëllim që dikush nga ta të kthehet në ndonjë fe tjetër?

Berisha-Huduti: Mundemi edhe prej fesë sonë (myslimane) me qenë agnostik, nëse ne nuk i kemi profesorët që munden t’i bindin atëherë secili është i lirë të shpreh mendimi e tij, pse jo. Edhe mua nëse më bind dikush që besimi im nuk është në rregull, është e drejtë e imja ta ndryshoj.

Periskopi: A e keni këtë qëllim, që ata të orientohen kah feja islame?

Berisha-Huduti: Qëllimi im ynë është vetëdijesimi për liri dhe respekt për diversitetin. Të gjithë ta kenë atë lirinë dhe respektin. Këtu në Kosovë është një sëmundje patologjike e paragjykimit. Në momentin kur e sheh me mbulesë ka një lloj fobie.  

Periskopi: Si financoheni kur gjithë këto shërbime i ofroni pa pagesë?

Berisha-Huduti: Kemi qenë shumë transparentë deri tash dhe jemi OJQ që ka filluar të ketë prestigjin e vet në këtë shoqëri. Ende nuk kemi filluar punën, prej një janar besojmë të fillojnë, dashtë Zoti, sepse ne nuk kemi financa dhe vetëm çka po mundemi vullnetarisht me punu. Të gjithë po angazhohen në mënyrë vullnetare, njerëzit kanë dhuruar libra, kemi ndërmend të bëjmë  digjitalizimin, që studentët të vijnë të përgatisin seminare, tema etj.

Pa donatorë nuk do të funksiononim.

Periskopi: Kush janë donatorët tuaj?

Berisha-Huduti: Donatorët për momentin janë Federata Botërore në Britaninë e Madhe “Registration Charity”, të cilët janë biznesmen të besimeve të ndryshme, ka të gjitha feve aty, por që e vlerësojnë kulturën. Ne jemi bazë themelore e krijimtarisë së Naim Frashërit, pra tri shtyllat që Frashëri u ka vëne theks: kombëtarja, tradicionalja dhe moralja. E tek moralja normal që hynë edhe feja.

Periskopi: Po e theksoni shumë temën e kombit, a e njihni kombin kosovar?

Berisha-Huduti: Patjetër që po, është pjesë e shqiptarëve. Unë dy flamujt i mbajë në tavolinën time. Kombi kosovar është një komb shqiptarë, bazën e kemi shqiptare, por për shkak politikave, për shkak gjendjes aktuale, kemi qenë në kurthe të serbëve. Së paku duhet ta shfrytëzojmë atë që kemi aktualisht, e pastaj, patjetër që vjen Bashkimi Kombëtar.

Periskopi: Në çfarë lloj Bashkimi Kombëtar?

Berisha-Huduti: Unë besoj në të, sepse mundemi me shku në Evropë, kemi nevojë për të dhe kemi kapacitet. Evropa po plaket, ne kemi rini të shëndosh edhe pse fatkeqësisht janë shërbëtorë të Evropës. Fillimisht besoj në Bashkimin Kombëtar mes Kosovë dhe Shqipërisë, pastaj trojet tjera do vijnë vetvetiu.

Periskopi: Një kolege e juaja me mbulesë, është larguar nga puna në Malishevë, si e komenton?

Berisha-Huduti: Secili ka të drejtën e bindjes së vet të brendshme, por duhet edhe të respektohen Ligjet e vendit ku jeton. Për ato Ligji dikush është munduar.

Periskopi: Atë e larguan nga puna, a është vepruar drejt?

Berisha-Huduti: Për mua nuk është vepruar drejt, nëse ajo si mësimdhënëse ka kapacitete dhe ka kaluar konkurset, është bërë e padrejtë ndaj saj kur e larguan ga puna. Por, meqë i kanë gjet punë tjetër mirë është bërë, këto mendoj se janë vetëm acarime lokale. Ne e dimë mirë që shqiptarëve përveç Ligjeve formojmë edhe rregullore autonome, që aq shumë ju japin forcë saqë bëhen Ligje në një shtet. Ne kemi probleme më të mëdha, ajo duhet të kërkoj të drejtën e saj.

Periskopi: A kanë probleme gratë me mbulesë në Kosovë?

Berisha-Huduti: Gratë me mbulesë në Kosovë kanë probleme, por nuk jemi vetëm ne. Më shumë probleme kanë gratë pa mbulesë, sepse gruaja tek ne nuk vlerësohet për qëndrimin e saj dhe kapacitetet, por për dukjen. Gratë me mbulesë duhet të punojnë. Ato vetë duhet të kërkojnë të drejtat, në suaza të normales. Nuk mundet kurrsesi një grua që mbanë ferexhe të inkuadrohet në shoqëri, ferexheja ajo nuk është obligim në islam.

Periskopi: A jeni kundër ekstremizmit?

Berisha-Huduti: Ajo nuk ndodh vetëm te myslimanët, ndodh gjithkund nëpër botë, është nihilizëm, humbje e botëkuptimit. …Ekstremizmi, normal që jam 100% kundër, sepse asnjëra nfa fetë nuk e pranojnë ekstremizmin si element të tyre. Ekstremizmi tek të krishterët paraqitet për shkak të nihilizmit, sepse një i ri e humb botëkuptimin: i ka të gjitha, drogë, alkool, shije, filma e gjithë të tjerat dhe thotë te shoh tash çka bëhet tash – të vrasë dikë ose të vrasë veten, humb botëkuptimin, sepse janë kriminalizuar duke shikuar kinematografi moderne. Ndërkaq te myslimanët e Kosovës, ekstremizmi vjen për shkak të padrejtësive që i shohin, dhe për shkak të injorancës. Çdo padrejtësi mundet me u zgjedh me negociata, ne të gjithë mund të kuptojmë njëri-tjetrin.

Periskopi: A duhet të vrarë apo të bëhet sulm vetëvrasës në emër të Allahut?

Berisha-Huduti: Ajo është absurd i papërshkrueshëm, atë mund ta bëjnë vetëm kriminelët, nuk vritet në emër të Allahut. Neve historia islame na mëson se Imam Aliu kurrë nuk ka shku në fushëbetejë pa bërë me dhjetëra herë negociata. Në fund edhe nëse ka shkuar, ka bërë dyluftim, e jo vetëvrasje me ato mjete siq po ndodh tani nëpër botë.

Periskopi: A ka ekstremizëm në Kosovë?

Berisha-Huduti: Ka, por më shumë është i fryrë. Shoqëria jonë është shumë e shëndosh.

Periskopi: Çka me të rinjtë që i janë bashkuar ISIS-it?

Berisha-Huduti: Zoti ia faltë!

Periskopi: A është e drejtë kjo?

Berisha-Huduti: Zoti ia faltë!

Periskopi: A kanë bërë mirë?

Berisha-Huduti: Zoti ia faltë, çfarë mëkati kanë bërë.

Periskopi: Keni pasur OJQ tjetër në emrin tuaj?

Berisha-Huduti: Po, edhe ende punoj në organizatën NISA, aty e kam rolin tim më të madh, në Institutin “Naim Frashëri” jam vetëm një nga 15 themeluesit. Punoj në NISA, por për shkak se ne nuk kemi dashur të fusim nxitje dhe urrejtje fetare që nga viti 2012 ka stagnuar. Për shkak mendimeve tona që në realitet ne nuk kemi bërë ndryshe, por vetëm sipas statusit kemi vepruar, statusi thotë se mund të merremi me aktivitete fetare, e jemi marrë me kurse të Kuranit, më shumë kurse humanitare, por për shkak të hoxhallarëve ekstrem. Dis aprej atyre hoxhollarëve i kanë fshirë videot e tyre pastaj, pasi janë burgosur, kanë bërë padrejtësi ndaj meje, ne s’kemi dashtë për shkak atyre me ba probleme, prandaj e kemi stagnuar punën nga vitin 2012.

Periskopi: A keni pasur probleme me Ligjin?

Berisha-Huduti:  Jo, kemi dhënë intervistën, avokate e kam pasur Kosovare Kelmendin, ajo më ka thënë: nuk paskam për çfarë të të mbroj unë ty.

Periskopi: Cili ka qenë problemi?

Berisha-Huduti: Prokuroria ka shprehur dyshime, e kanë vërtetuar dyshimin, por edhe pse ata kanë shprehur vetëm  dyshime, ne kemi stagnuar punën.

Periskopi: Cili ka qenë dyshimi?

Berisha-Huduti: Dyshimi ka qenë rekrutim i femrave në Siri, shpëlarje parash dhe ekstremizëm, nuk kemi pasur të bëjmë asgjë me to.

Periskopi: A është mbyllur çështja?

Berisha-Huduti: Jo, por ne nuk po ngutemi, sepse kemi punë të tjera, ata le të përfundojnë punën e tyre. Nuk nuk kemi mundësi për avokat dhe të tjera gjëra sepse kushtojnë, e dimë se jemi të pastër dhe kemi punë tjera, kur t’i vie koha le te mbyllin organizatën nëse gjejnë diqka, hiq se kemi problem, vetëm duam të kemi arsyet e pastra.

Periskopi: Po thoni që ka stagnuar puna në atë OJQ apo?

Berisha-Huduti: Patjetër, ne e respektojmë Ligjin, përndryshe s’mund të jemi pjesë e kësaj shoqërie.

Ridvan haqifi

Ky është komandanti i shqiptarëve në ISIS

Ridvan Haqifi është emëruar komandant ‘në parimin e islamit’ – më të dijëshmit udhëheqin, madje edhe në ‘namaz’ (lutje). Derisa edhe xhihadi konsiderohet ‘ibadet’ (mënyrë adhurimi) dhe si rregull i tillë, solli Haqifin në krye të xhematit të shqiptarëve në ISIS.

Periskopi.com Lajme

Ishte shumë i varfër dhe hamall në Gjilan. Tashmë është komandant i shqiptarëve në ISIS. Terroristi me gisht lart duke kërcënuar në foton e njohur tashmë ndërkombëtarisht është Ridvan Haqifi.

Ai është lindur në fshatin Bukovik më 4 korrik të vitit 1990. Vjen prej një familje shumë të varfër, derisa tregimet e njerëzve që e njihnin atë, flasin se i njëjti pos punës si imam ka kryer edhe punën e hamallit në treg në Gjilan, për të plotësuar nevojat financiare të familjes. Kështu tregojnë bashkëfshatarët e tij që e njohin nga vogjlia.

Komandanti Haqifi është në lidhje familjare me Naim Aliun, (nip i tij) aktualisht Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Gjilan. Por, në kohën kur Haqifi u radikalua ai ishte në pozitën e ligjëruesit kryesor në rrethin e Gjilanit.

Përndryshe, Ridvani posedon dije islamike, sepse edhe ishte nxënës i medresesë “Alaud-din”- Dega në Gjilan, që është shkollë publike e finacuar mga finacat publike, por e mbështetur me fonde edhe nga BIK. Por e kontrolluar apo e rregulluar kompletisht sipas korrikulumit dhe planit arsimor nga BIK’u.

Sipas të dhënave që posedon Gazeta Metro, Haqifi që tash është drejtuesi i shqiptarëve në ISIS ishte radikalizuar nga Zeqirja Qazimi, tash një imam i dënuar me 10 vite burg për rekrutim të terroristëve, të cilin e shihni në përcjhellje të policisë më poshtë.

zeqirija-qazimi-768x432

Qazimi e kishte “talebe” Haqifin, siq e cilësojnë islamikët, e që në shqip i bie si nxënës personal. Po ashtu dihet se Haqifi pas orëve të mësimit në Medrese shkonte për mësime shtesë te Imami Zeqirja Qazimi, në xhaminë e që e udhëhiqte në Gjilan. Aty dhe ka mbajtur ligjërata, prej të cilave një sërë prej tyre gjinden edhe në linqe të ndryshme të postuara nga ky grup  në youtube, e ku shihet duke i mbajtur  ligjeratat në zyrën personale të Imam Qazimit tashmë të dënuar.

Ajo çka është arritur të dihet nga stafi i Gazeta Metro është se Haqifi e zëvendësoi terroristin e famshëm, Lavdrim Muhaxheri në Komandë në ISIS në fundin e viti 2014. E që sipas njohësve dhe studiuesve të funksionimit të kësaj strukture terroriste të bazuar në dogmë fanatike islamiste, edhe zëvendësimi i tij është bërë ‘në parimin e islamit’ – më të dijëshmit udhëheqin, madje edhe në ‘namaz’ (lutje). Derisa edhe xhihadi konsiderohet ‘ibadet’ (mënyrë adhurimi) dhe si rregull i tillë, solli Haqifin në krye të xhematit të shqiptarëve në ISIS. Pasi që ai gëzon dije më të mëdha fetare sesa Lavdrim Muhaxheri.

Aktualisht, analizat mbi përgjimet e reja të interceptuara nga Shërbimi i Intelegjencës Izraelite MOSAD për sulmin e mundshëm në ndeshjen Shqipëri-Izrael, nënvizohet se Lavdrim Muhaxheri e Ridvan Haqifi udhëzonin njerëz për të bërë sulme, e që poashtu kanë nxjerrë edhe faktin që Haqifi mund të jetë ngritur në detyrë.

Përgjimet lënë të kuptohet se tash Haqifi është pjesë e shërbimit sekret të Shtetit Islamik, i quajtur ‘Emnija’ (siguri), që besohet se e ka kryesuar zëdhënësi i ISIS’it, Abu Muhammad al-Adnani, i cili është vrarë gjatë një sulmi ajror ne fund te muajit gusht të këtij viti.

abu-muhammad-al-adnani-800x450

Por tashmë ende nuk dihet pasardhësi i tij dhe kryesuesi i ‘Emnija’ së ISIS.

Ky sherbim sekret terrorist, brenda vetës ka edhe departamentin e jashtëm, ku dyshohet se tashmë është aktivizuar Haqifi, e që po ashtu shton dyshimet se ai mund të ketë koordinuar edhe ndihmuar sulmet e fundit në Belgjikë dhe Francë.

ISIS

ISIS vret 80 njerëz në Bagdad

ISIS-i e ka marrë përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës në afërsi të kryeqytetit irakian, Bagdad.

Periskopi.com Lajme

Një kamikaz e ka hedhur në erë makinën plot me eksplozivë afër një pike karburanti në qytetin al-Hilla, 100 kilometra në jug të Bagdadit.

Lajmi është bërë i ditur nga burimet policore dhe mjekësore, raporton Reuters, përcjell Express.

Sulmi ndodhi në pikën e karburantit e cila ka edhe një restorant afër, që përdorej nga pelegrinët iranianë për të pushuar rrugës për në shtëpi nga pelegrinazhi Arbajin, në qytetin e shenjtë shiit, Kerbala.

ISIS-i, i cili është grupit i sektit suni, i sheh besimtarët e sektit shiit, si femohues.

isis-ne-evrope

Alarmojnë shërbimet sekrete: ISIS në Evropë, gati për sulme

Nga 60 deri në 80 terroristë të ISIS ndodhen në Europë, gati për të ndërmarrë sulme.

Periskopi.com Lajme

Alarmi vjen nga shefi i Antiterrorit në Holandë, Dick Schoof, mbi bazën e informacioneve të shërbimeve të inteligjencës.

Në një intervistë për “Associated Press”, Schoof tha se Shteti Islamik po u përcjell luftëtarëve të mundshëm mesazhin që të mos udhëtojnë drejt Sirisë dhe Irakut, por të përgatisin sulme në kontinentin e vjetër.

Sipas tij, përgjatë 6 muajve të fundit numri i luftëtarëve të huaj terroristë nuk ishte rritur, por fakti se ata nuk po udhëtojnë më nuk nënkupton se rreziku potencial i atyre që kanë mbërritur në Europë më herët është reduktuar.

Operacionet ushtarake për të larguar militantët nga kalifati i vetëshpallur në Siri dhe Irak po ndikojnë në shpërndarjen e luftëtarëve dhe mbështetësve të grupit ekstremist.

Kjo me shumë gjasë do të çojë drejt një rritjeje graduale të refugjatëve që do të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të vendeve europiane.

Sipas zyrtarit holandez, nga 4 mijë deri në 5 mijë terroristë gjenden në Irak dhe Siri. /TCH/

Ekskluzive: Ebu Bekr planifikonte sulme në Kosovë me urdhra nga Siria

A.Sh i lindur në vitin 1994, i arrestuar ditë më parë nga Policia e Kosovës në grupin e 18 vetave për terrorizëm, me nofkën Ebu Bekr nuk ka pasur lidhje me rrjetin e të arrestuarve.

Periskopi.com Lajme

Gazeta “Zëri” merr vesh nga burimet e saj se ky i arrestuar kishte planifikuar i vetëm të bëjë sulme terroriste në Kosovë me urdhëresa nga kosovarët që aktualisht janë në Siri.

A.Sh në kontakt me një tjetër kosovare në Siri kishte shikuar mundësinë për të shkuar në Siri, bëjnë të ditur burimi i gazetës “Zeri”.

Ndërkohë, kontakti i tij në Siri e sygjeron që të mos niset për atje por të kryej akte terroriste në Kosove.  A.Sh, kishe pranuar i gatshëm që të veproi. Në aksionin për arrestimin e grupit të fundit, është arrestuar edhe A.Sh 22 vjeçe.

ISIS

Paralajmërimi tmerrues: 80 terroristë të ISIS gati për sulme në Evropë

Koordinatori kundër terrorizmit në Holandë, ka vlerësuar se organizata terroriste Shteti Islamik ka ndërmjet 60 dhe 80 operatorë në Evropë për të përgatitur dhe kryer sulme terroriste.

Periskopi.com Lajme

Në një intervistë ekskluzive me AP, Koordinatori Kombëtar Kundër terrorizmit dhe Sigurisë në Holandë, Dick Schoof tha se IS ju ka thënë mbështetësve në Evropë “që të mos vijnë në Siri, por të bëhen gati për sulme në Evropë”, përcjell lajmi.net

Ai tha se Evropa ka pasur sukses në uljen e numrit të luftëtarëve të mundshëm të IS-it që udhëtojnë në Lindjen e Mesme, në vitet e fundit, por “kjo nuk do të thotë se kërcënimi i mundshëm i atyre që do të mund të udhëtonin është zhdukur”.

Mbi të gjitha, ai paralajmëroi se suksesi në çrrënjosjen e luftëtarëve të IS-it në Irak dhe Siri po i shpërndanë militantët gjithandej botës.

Ai vlerësoi se rreth 4 mijë deri në 5 mijë evropianë aktualisht luftojnë me IS-in në këto dy shtete.

Raketa godet makinën bombë të ISIS-it (Video +18)

Pamje të reja të frikshme vijnë nga zona e luftës në Siri. Një video e publikuar një ditë më parë në rrjetet sociale tregon momentet kur një raketë godet dhe shkatërron një makinë bombë të ISIS.

Periskopi.com Lajme

Video e rëndë është regjistruar në Raqqa të Sirisë, shkruan Daily Star, sipas së cilës kjo video është regjistruar nga ushtarët kurdë.

Ushtarakët kanë goditur makinën rrugës kur ajo po afrohej drejt postbllokut të tyre.

 

 

Kërcënojnë imamët shqiptarë: Zullumqarët po qeshin tani, por do qajnë më vonë

Ndaj mbështetësve të nëntë të pandehurve për çështje terrorizmi, të cilët ndjekin procesin në Apelin e Krimeve të Rënda ndaj të ashtuquajturve “imamët, si në çdo seancë tjetër kanë vijuar kontrollet e rrepta sipas një plani masash që zbatohet posaçërisht gjatë ditëve që zhvillohet gjyqi.

Periskopi.com Lajme

Të shpallur fajtorë dhe të dënuar me 126 vite burg në total për rekrutim të shqiptarëve që janë dërguar prej tyre në luftimet në Siri, të akuzuarit vijojnë të mos e njohin gjykatën shqiptare edhe dy vjet pas arrestimeve.

Në procesin me dyer të mbyllura, vetëm Verdi Morava u ngrit në këmbë gjatë apelit të gjykatës, ndërkohë që të tjerët lëshuan apel tek mbështetësit duke thënë se “do të ketë gjykim sipas ligjeve të Allahut”, raporton TopChannel.

Fadil Muslimani, i dënuar me 12 vjet burgim, u tha gjyqtarëve se “kot kam ardhur, këtu komandon Mossadi”. Më pas ai iu drejtua mbështetësve duke u thënë se “zullumqarët do qeshin tani, por do qajnë më vonë”.

Deklaratat e tyre konsiderohen si mesazhe për të tjerë persona jashtë sallës, aq më tepër që nga përgjimet telefonike edhe brenda në burg, rezulton se të pandehurit vijojnë të flasin me telefon me të dyshuar që ndodhen në luftime pranë ISIS-it në Siri.

Pas arrestimit të katër personave në Shkodër, pasi dyshohet se po planifikonin të sulmonin stadiumin ku do të luhej ndeshja Shqipëri-Izrael, antiterrori dhe Shërbimi Informativ vijojnë të jenë në gatishmëri jo vetëm në disa qytete ku dyshohet se qëndrojnë bashkëpunëtorët e tyre, por edhe në disa burgje ku mbahen elemente me prirje radikale.

Flamuri shqiptar në kujtimin e sulmeve terroriste në Paris

Franca po shënon një vit që kur militantët nga i ashtuquajturit Shteti Islamik, vranë 130 njerëz me armë dhe bomba.

Periskopi.com Lajme

Sulmet u përqendruan rreth kryeqytetit francez, Paris, duke lënë të vdekur 90 njerëz.

Presidenti Francois Hollande zbuloi pllaka përkujtimore për viktimat, shumica e të cilëve vdiqën në teatrin Bataclan.

Pikërisht te memoriali ku mijëra njerëz po vendosin lulet në kujtim të viktimave, është parë edhe një flamur shqiptar i fiksuar mbi qirinjtë që digjeshin./ Shqiptarja

 

Dorëzohet një kamikaz i ISIS-it, braktisi makinën me eksploziv (Video)

Në internet po qarkullon një video e regjistruar në Siri, që tregon se si një pjesëtar i ISIS-it ikën nga makina nën zjarrin e kundërshtarit.

Periskopi.com Lajme

Sipas “Mail Online”, video është regjistruar nga rebelët e mbështetur nga Turqia, në provincën veriore të Aleppos.

Videoja tregon një njeri që vrapon, që ka shumë të gjasa që të jetë një sulmues potencial vetëvrasës, që nën zjarrin e armëve ikën nga makina e ngarkuar me eksploziv nga ISIS.

 

Gjermania arreston pesë pjesëtarë të ISIS-it, mes tyre një serbo-gjerman

Policia në Gjermani ka arrestuar të martën pesë të militantë të dyshuar islamikë nën akuzën e rekrutimit të luftëtarëve për ISIS-in në Siri, ka bërë me dije përmes një komunikate prokuroria federale.

Periskopi.com Lajme

Të pesë të arrestuarit – një irakian, një turk, një gjerman, një serbo-gjerman me dy shtetësi dhe një kamerunas – përballen me akuzën e ngritjes së “një rrjeti xhihadist” që ka tentuar të rekrutojë myslimanë për të shkuar në Siri dhe për të luftuar përkrah militantëve të Shtetit Islamik, raporton Reuters.

Rrjeti ia kishte dalë që të dërgonte një të ri dhe familjen e tij në zonën e kontrolluar nga ISIS në Siri, ka thënë prokuroria, por nuk kanë dhënë detaje tjera.

Rreth 820 persona kanë ikur nga Gjermania për t’u bashkuar me luftëtarët e ISIS-it në Siri e Irak ndërsa zyrtarët dyshojnë se ata mund të jenë rrezik për sigurinë shtetërore me t’u kthyer në vend.

Pesë të dyshuarit u arrestuan gjatë bastisjeve në shtetet e Saksonisë së Ulët dhe North-Rhine Westphalia. Ata kishin mbajtur ligjërata fetare gjatë të cilave, rekrutëve potencialë u kishin dhënë materiale “të islamit radikal”, kanë thënë prokurorët.

I dyshuari kryesor është identifikuar si Ahmad Abdulaziz Abdullah A, një 32 vjeçar nga Iraku, përkrahës i hapur i Shtetit Islamik që akuzohet për mbikëqyrje të procesit të rekrutimit dhe aprovimit të atyre që shkojnë në Siri.

“Kjo është një goditje e fortë e skenës ekstremiste në Gjermani”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Heiko Maas, transmeton Koha.net.

Sipas të dhënave të inteligjencës gjermane, thuhet se në vend jetojnë rreth 8,900 myslimanë ultra-konservatorë. Rreth 500 prej tyre konsiderohen si rrezikues të sigurisë, që do të thotë se ata janë të gatshëm të kryejnë vepra të dhunshme, kanë thënë zyrtarë gjermanë të sigurisë.

ISIS

Kreu i ISIS-it bënë thirrje të pushtohet Turqia

Lideri ISIS-it Abu Bakr al-Baghdadi ka shprehur besimin në fitore, në mesazhin e tij të parë pasi forcat irakiane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara filluan një ofensivë për të marrë përsëri Mosulin, qytetin e fundit të madh nën kontrollin e grupit të tij në Irak.

Periskopi.com Lajme

 

Ai gjithashtu i bëri thirrje ISIS që të pushtojnë edhe Turqinë.

“Kjo betejë e ndezur, lufta totale dhe xhihadi i madh se gjendja e Islamit po luftohet,  sot vetëm rrit besimin tonë të fortë, dashtë Zoti se e gjithë kjo është një rrugë për fitore,” tha ai në një regjistrim audio të publikuar në internet nga mbështetësit të enjten.

Sherifa Zuhur, një studiues vizitor në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, tha për Al Jazeera se me këtë regjistrim Baghdadi po dërgon një mesazh për mbështetësit e ISIS-itpër të luftuar deri në vdekje.

“Kjo është një thirrje për të martirizimit që thotë: në qoftë se ju qëndroni në frontin e koalicionit, vetëm duhet te të qëndroni të patundur dhe të thonë:” Perëndia na mjafton ‘, tha ajo./Periskopi/

mosul

ISIS dëbohet nga dhjetëra fshatra pranë Mosulit

Forcat shiite irakiane kanë mundur të çlirojnë 46 fshatra në perëndim dhe jugperëndim të Mosulit, si pjesë e një operacioni për të larguar grupin militant Shtetin Islamik (ISIS) nga qyteti verior i Irakut, njoftoi një zyrtar.

Periskopi.com Lajme

“Forcat çliruan një sipërfaqe prej 590 kilometra katrorë, duke shkatërruar 20 makina me bomba dhe duke vrarë dhjetëra militantë të Shtetit Islamik, ndërsa të tjerët u larguan”, deklaroi Ahmmed Al-Asady, deputeti dhe zëdhënësi zyrtar i grupit paraushtarak shiit.

Në një zhvillim tjetër, forcat e përbashkëta të ushtrisë dhe policisë së Irakut dhe grupet e tjera aleate filluan një operacion në boshtin e jugut pranë Hammam al-alil, 20 kilometra në jug të Mosulit.

“Pasi të çlirojmë Hammam al-Alil dhe qytetet e fshatrat e lidhura me të, forcat do të depërtojnë në qarqet në jug të Mosulit dhe më pas të hyjnë në qytet nga ana e djathtë në perëndim të lumit Tigër”, tha kolonel Ahmmed al-Jabouri.

Kosovari lut të birin me lot në sy që të kthehet nga ISIS-i

Periskopi.com Video

Italianët sërish Kosovën e quajnë kampi i rekrutimit të ISIS-it (Video)

Mbrëmjen e së martës, emisioni investigativ “Le Iene” në Itali i ka dedikuar një reportazh çështjes së rekrutimit të luftëtarëve të Shtetit Islamik, duke u fokusuar këtë herë në Kosovë, aty ku kamerat thuhet se kanë qenë në kampin e supozuar të rekrutimit të militantëve.

Periskopi.com Uncategorized

Reportazhi është publikuar nën titullin “Në kampin e rekrutimit të ISIS”.

Gjithçka nis me lotët e një personi, të cilit gazetari i thotë t’i japë një mesazh të birit, pasi ai me siguri përdor internetin dhe mund ta shohë këtë emision.

Rrëfimi shqetësues është bërë nga babai i një luftëtari me emrin Atdhe, i cili e ka njohur të birin gjatë një kronike të një mediaje lokale, dedikuar rekrutimeve të grupit xhihadist të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Në reportazh jepen edhe pamje nga i biri i rekrutuar, ndërsa gazetari italian në Kosovë sjell edhe dëshmi të djemve të tjerë, të rekrutuar pikërisht nga e supozuara “shtëpi pushimi”.

Vet gazetari Pelazza, por edhe babai rrëfyes kanë shkuar të shohin me sytë e tyre vendin ku grumbulloheshin djemtë, të cilët më pas rekrutoheshin për të luftuar për ISIS në Siri apo Irak.

“Gjendemi në fshatin Debëllde, ku disa të rinj kanë ardhur për të qëndruar për rreth një javë dhe një numër i konsiderueshëm i tyre kanë shkuar më pas në luftë, në Siri dhe Irak”, shprehet babai. I biri është sot 26 vjeç dhe, nëse është vërtet gjallë, sipas gjasave ndodhet në Siri. “Në familjen time nuk është praktikuar kurrë feja dhe nuk i është dhënë rëndësi e madhe asaj. Ndërsa im bir është praktikant i rregullt mysliman. Ai frekuentonte xhami që nuk kanë qenë nën juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ishin xhami me të radikalizuar, sidomos ajo e Termokosit në Prishtinë”, shton më tej babai.

I pyetur nëse ai beson vërtet se i biri është bindur që të nisej për në Siri teksa frekuentonte këto xhami, ai shprehet: Mendoj se këta janë fajtorë, madje edhe në deklaratat e mëparshme të miat kam nxjerrë me emër dhe mbiemër fajtorët kryesorë të mundshëm.

Mes të cilëve edhe emri i imamit Zekerija Qazimi, që në një video të publikuar predikimi thotë ndër të tjera se “gjaku i jobesimtarëve është pija më e mirë për ne”. E teksa grumbullonte besimtarë për t’u indoktrinuar radikalizmin, ai shprehej shpesh se “ai që nuk i bashkohej xhihadit vdes si tradhtar”.

“Me gjasë, edhe shumica e këtyre të rinjve vinin këtu pa lejen dhe pa dijeninë e prindërve. Me të mbërritur këtu, imami u ka marrë telefonat celularë, duke iua sekuestruar”, rrëfen më tej babai.

I biri i tij është shfaqur në një dokumentar kosovar, mbante syze si i ati dhe së bashku me të rekrutuar të tjerë shihen teksa dëgjojnë imamin Zekerija, një mysliman radikal dhe rekrutues xhihadistësh, që sot gjendet pas hekurave të burgut, i dënuar me 10 vite heqje lirie, transmeton TCH.

“Sa herë që bie të fle natën, mendoj gjithnjë për tim bir. Ku është dhe çfarë bën? Angazhimi im është maksimal për ta bindur atë të kthehet. Do të kisha qenë shumë më i kënaqur sikur ai të kthehej dhe shteti le të merrej me të, drejtësia të veprojë, mjafton që të jetë gjallë. Edhe nëqoftëse kthehen ata, Kuvendi i kosovës ka miratuar një ligj, me të cilin të gjithë pjesëmarrësit në luftërat e jashtme do të dënohen me heqje lirie deri në 15 vite. Kjo më duket si një gabim i madh, sepse nuk po dënohen frymëzuesit e tyre, por vetëm për ata që kanë rënë prè e fajtorëve kryesorë”, thotë ai.

Gazetari i “Le Iene” i jep një shembull. Një prej djemve kosovarë të nisur nga i njëjti vend kishte shkuar në Siri, kishte hedhur veten në erë duke vrarë të paktën 50 persona. A nuk i druhej babai faktit se edhe i biri mund të bënte të njëjtën gjë po të kthehej?

“Sigurisht që mundet, sepse ata janë radikalizuar totalisht dhe janë të bindur për gjithçka bëjnë”.

Gazetari Pelazza ka intervistuar edhe një tjetër rekrut të mundshëm, të penduar përpara se të shkonte në luftë. “Imami Zerija na ftoi thjesht për piknik. Kur shkuam në kamping nisëm të ndiqnim leksionet fetare, predikimet e tij, por edhe trajnoheshim”, thotë i penduari.

Ndërkohë që në një deklaratë të mëhershme për mediat kosovare, ai rrëfente qartësisht se çfarë u predikonte imami. “Ai na thoshte se nëse prindërit tanë e kundërshtonin fenë tonë, ne mund t’i mohonim dhe t’u bënim edhe keq madje”.

Sa i përket kampit, ai thotë se “atje na bënin stërvitje të çuditshme për ne që ishim të moshës 14-vjeçare dhe nuk i kuptonim. Na jepnin shpata për të mësuar t’i përdornim. Na fliste vetëm për Sirinë dhe sesi duhej të shkonim atje për t’u bashkuar në xhihad. Kam pasur plane njëherë të ikja nga shtëpia ime dhe të shkoja te shtëpia e imamit, e prej andej të nisesha për në luftë në Siri”.

Gazetari dhe babai rrëfimtar kanë takuar edhe pronarin e shtëpisë, i cili kur nis të flasë me babain e të rekrutuarit mohon që prona e tij të jetë përdorur për qëllime të tilla. Madje i kërkon edhe kameramanit të mos i fokusojë atë, duke i folur edhe italisht. E pavarësisht se aty ka shkuar edhe policia, pasi ka pasur dokumentarë që bënin të ditur grumbullimin e shumë djemve në shtëpinë e tij, pronari thotë se këto janë vetëm “fjalë dashakeqëse” dhe se policia atë punë ka, të shkojë të kontrollojë, të largohet e ndoshta edhe të rikthehet sërish.

Në njërën prej atyre videove shfaqet edhe i biri i pronarit, e kur gazetari dhe babai rrëfyes i bëjnë të ditur se kush ishin, ai irritohet dhe i fton ata të largohen, pasi nuk ka ç’të flasë më shumë përpara tyre. “Unë jam thjesht viktimë”, e mbyll ai.

 

Keqkuptimet e Kosovës ndaj ‘Islamit Radikal’ mbeten pa përgjigje

Nga gabimet faktike tek ato konceptuale, e deri te dyshimet për plagjiaturë nga Wikipedia, strategjia e Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk i është nënshtruar një rishikimi prej më shumë se një viti, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kthejnë përgjigje.

Periskopi.com Lajme

Që nga publikimi i saj në shtator të vitit të shkuar, qeveria e Kosovës nuk ka arritur të adresojë një sërë mangësish në Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm, 2015-2020.

Përveç disa pasaktësive dhe ambiguiteteve, në përmbajtjen e dokumentit është vërejtur të paktën një paragraf që mund të përbëjë rast plagjiature.

Ndërkaq, zyrtarët përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e këtij dokumenti, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë për rastet në diskutim.

Qeveria e Kosovës njoftoi në mars të këtij viti formimin e grupit të punës për hartimin e strategjisë kundër parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa në shtator u miratua varianti i saj zyrtar.

Strategjia përmban propozime që përfshijnë masa jashtë institucioneve të zbatimit të ligjit për të trajtuar radikalizmin, përfshirë edukimin fetar dhe fushatat e ndërgjegjësimit, duke renditur ndër dobësitë kryesore edhe problemet me arsimin dhe papunësinë e lartë.

Por, një nga problemet e strategjisë ka të bëjë me aventurizmin e saj në klasifikimin e rrymave fetare brenda Islamit sunit. Sipas strategjisë, me një gjuhë alarmante thuhet se shkolla selefiste përbën rrezik sa i takon radikalizimit, praktikisht duke e barazuar këtë doktrinë me ekstremizmin e dhunshëm.

“Ekstremistët kanë për qëllim zbatimin e fesë në bazë të rregullave dhe ligjeve strikte sipas pikëpamjes së tyre të Sheriatit si dhe shpalljen e Kalifaiti [Kalifatit] si synim final. Ata me këtë rrezikojnë që të zhdukin mësimet fetare tradicionale jashtëzakonisht tolerante dhe racionale të Methhebit– Hanefi dhe t’i zëvendësojnë ato me mësime tepër ekstreme e irracionale të doktrinës Selefiste.”

Së pari, “Methheb” do të thotë doktrinë apo shkollë mendimi në arabisht, ndaj “të Methhebit–Hanefi”, do të thotë “të doktrinës/shkollës Hanefite”, të quajtur kështu sipas emrit të një prej teologëve kryesorë të islamit, Ebu Hanife, i cili jetoi rreth viteve 700.

Nga ana tjetër, sikurse në rastin e doktrinës Hanefite, nuk ekziston asnjë burim zyrtar, sipas të cilit doktrina Selefite promovon ekstremizmin e dhunshëm. Madje, Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se praktikantë të kësaj doktrine konservatore në Kosovë, që prej vitit 2004 kanë botuar dhe shpërndarë libra që dënojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Për më tepër, vlerësimi i mësimeve fetare si “racionale” apo “irracionale”, nuk janë objekt i strategjive zyrtare, dhe të përdorura pa argumente mbështetëse, përcaktime të tilla janë subjektive.

Keqkuptimet mbi rrymat fetare brenda islamit, në ndarjen e tyre si të moderuara dhe paqësore apo radikale dhe të rrezikshme, ndodhin shpesh në mungesë të përfshirjes së ekspertëve dhe teologëve relevantë.

Për shembull, Hanefizmi militant figuron si rryma bazë e talebanëve që nga fillimi i kësaj lëvizjeje (ndonëse kjo shkollë mendimi në thelb nuk mbështet ekstemizmin e dhunshëm), dhe në pjesën e vonë të viteve 2000 është pasuruar edhe me mësime më të ashpra nga rryma Deobandiste, e cila ka origjinën në Pakistan.

Ndërsa një pjesë e luftëtarëve të ISIS e identifikojnë veten si selefë, ndonëse në kundërshtim të provuar me mësimet themelore të Selefizmit, duke u përcaktuar më shumë si Takfiristë.

Edon Myftari, i cili kryesoi grupin e punës për hartimin e kësaj strategjie, ishte i paarritshëm përmes emailit. Myftari, që më parë mbante postin e këshilltarit për sigurinë të Kryeministrit Isa Mustafa, nuk punon më në qeverinë e Kosovës.

Gjithashtu, Zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigj të njëjtave pyetje të redaksisë sesi ishte arritur në këtë klasifikim të rrymave fetare dhe nëse në hartimin e strategjisë ishin përfshirë teologë relevantë dhe ekspertë me përvojë në çështjen e ekstremizmit të dhunshëm.

Të njëjtat pyetje iu drejtuan përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të Ministrisë së Brendshme edhe zëvendësministrit Valdet Hoxha, koordinator i strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, por pa marrë përgjigje.

Plagjiaturë nga Wikipedia?

Përkundër klasifikimit të mësimeve “tepër ekstreme e irracionale të doktrinës Selefiste”, në të njëjtin dokument të strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, gjendet një përcaktim shumë më i butë për selefët.

“Selefi, Selefizëm: përshkruan një person, grup apo besimin brenda Islamit që përqendrohet në imitimin e gjeneratave të hershme të myslimanëve (“Selefët”) dhe restaurimin e fesë të pastër. Shumica e selefive nuk janë të dhunshëm, dhe shumica i shmangen angazhimit politik të çdo lloji, ndërsa, disa janë politikisht aktiv. Një pakicë e selefive janë ekstremistë të dhunshëm apo xhihadistë”, thuhet në strategji [kliko këtu për variantin shqip dhe këtu për variantin anglisht të strategjisë].

Ky paragraf ndonëse i rifrazuar, është në thelb identik me një përshkrim nga Wikipedia, e cila si rregull nuk konsiderohet burim i besueshëm për t’u përfshirë në punime të ndryshme apo në artikuj gazetarie.

Paragrafi nga Wikipedia i përkthyer në shqip: “Lëvizja [Selefite] shpesh ndahet në tre kategori: grupi më i madh janë puristët (të papërfshirët), të cilët i shmangen politikës; grupi i dytë janë aktivistët, të cilët përfshihen në politikë; dhe grupi më i vogël janë xhihadistët, të cilët formojnë një pakicë të vogël”, thuhet në artikullin e Wikipedia.

Vetë artikulli i Wikipedia ka probleme sepse lexuesit kanë sugjeruar që të bëhet dallimi mes dy formave të Selefizmit, atij modern me pikënisje Egjiptin, si rrymë fetare me karakter politik e ndikuar nga kolonializmi perëndimor, apo atë të Arabisë Saudite, të frymëzuar nga mësimet e Muhamed Abdul Vahabit për rikthim në traditën ekzakte të myslimanëve të parë.

As Zyra e Kryeministrit e as Ministria e brendshme nuk iu përgjigjen pyetjeve për ngjashmëritë thelbësore mes dy paragrafëve – përkatësisht në strategjinë e Kosovës dhe në Wikipedia – duke pamundësuar të kuptohet se si apo kush e ka përfshirë këtë përcaktim në dokumentin zyrtar kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Sa për krahasim, termi “Selefizëm”, apo cekje të përgjithshme të rrymave fetare, nuk bëjnë pjesë në strategjinë e Shqipërisë për ekstremizmin e dhunshëm [kliko këtu për dokumentin].

Gjithashtu, strategjia e Kosovës përmban edhe disa dallime të veçanta sa i takon përcaktimeve mes terroristëve dhe ekstremistëve të dhunshëm.

“Terrorizmi: përdorimi i dhunës me qëllim të shkaktimit të terrorit mbi popullsinë civile. Terrorizmi është një lloj i veçantë i ekstremizmit të dhunshëm. Ekstremizmi i dhunshëm: Ekstremizmi që përvetëson përdorimin e dhunës; përfshin, por nuk kufizohet vetëm në terrorizëm. Për shembull, ekstremistët e dhunshëm që sulmojnë pjesëtarët e policisë ose të ushtrisë, ose që marrin pjesë në luftime, zakonisht nuk janë terroristë”, thuhet në strategji.

Është e paqartë nëse me këto përcaktime do të pajtoheshin vetë strukturat brenda qeverisë së Kosovës, përfshi Ministrinë e Brendshme, apo mbështetësit tradicionalë të Kosovës në luftën kundër terrorizmit, siç janë SHBA-të, duke qenë se sulmet ndaj ushtrisë apo policisë për arsye ideologjike – fetare apo laike – në shumicën e rasteve konsiderohen si sulme terroriste.

Dyshime mbi aftësitë zbatuese

Strategjia kundër ekstremizmit të Kosovës ka marrë vlerësime të përziera nga ekspertë të ndryshëm.

Shpend Kursani, autor i një hulumtimi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak, kishte shprehur më parë për Gazetën Jeta në Kosovë, dyshimet e tij për aftësitë e qeverisë në zbatimin e kësaj strategjie.

“Nuk kam shumë shpresa që ky plan i qeverisë do të funksionojë sepse ende nuk e kanë kuptuar problemin si duhet, dhe nga sa i kam përcjellë, kanë një qasje shumë sipërfaqësore në diskutimet që bëjnë, duke i ndarë praktikantët në ata me mjekra dhe ata pa mjekra, dhe duke ia lënë fajin kryesisht fesë, a thua se Islami ka lindur në 11 shtator”, tha Kursani.

Kosova është me gjasa vendi me numrin më të lartë në Evropë të të aktakuzave që lidhen me terrorizmin, me afër 120 arrestime dhe gati 60 individë që po gjykohen apo janë shpallur fajtorë për krime që përfshijnë: rekrutim për terrorizëm, lehtësim dhe mbështetje të veprave terroriste, organizim dhe pjesëmarrje në organizata terroriste dhe armëmbajtje pa leje.

Rreth 40 nga këta të dyshuar akuzohen se u janë bashkuar ISIS-it dhe Al Nusra në Siri dhe Irak gjatë viteve 2013 dhe 2014.

Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, kryesuesi i grupit të punës për strategjinë e Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm, Edon Myftari, tha se vendi ishte i përgatitur nga rrafshi ligjor për t’u përballur me sfidën e ekstremizmit të dhunshëm.

“Ne si Kosovë, si shtet, këto ligje dhe strategji na bëjnë shumë të përgatitur në raport me rajonin që të përballemi me ketë fenomen dhe këtë sfidë globale mund të them”, tha Myftari.

Kosova miratoi reforma ligjore në mars të vitit 2015, të cilat e bënë në shumicën e rasteve luftimin në konflikte të huaja një vepër penale që dënohet deri në 15 vite burg.

Por, duke qenë se shumica e të dyshuarve që janë aktualisht në gjyq akuzohen se kanë luftuar në Siri dhe Irak në vitin 2013 ose 2014, ata nuk mund të gjykohen sipas legjislacionit të ri. Rrjedhimisht, ata janë akuzuar sipas ligjeve të vjetra kundër terrorizmit.

Gazeta jeta në Kosovë ka zbuluar se disa aktakuza apo aktgjykime janë të pambështetura mbi prova konkrete, dhe se shumë nga të akuzuarit janë gjykuar apo shpallur fajtorë, shpesh mbi një deklaratë të vetme apo mbi rrethana dytësore, si ajo e një udhëtimi në Stamboll.

Gjithashtu, ka pasur raste të dokumentuara të fabrikimit të organizatave terroriste fantazmë nga Prokuroria Speciale dhe dënimit të të akuzuarve mbi të njëjtat trillime.

‘Trimat’ e ISIS-it largohen nga beteja të veshur si femra (Foto)

Beteja për rimarrjen e Mosulit ka hyrë në ditën e saj të katërt tashmë por duket se xhihadistët nuk janë edhe aq të vendosur për të luftuar.

Periskopi.com Lajme

Forcat qeveritare irakene kanë dhënë urdhër që gjithë femrat të largohen nga qyteti deri sa të mbarojë lufta.

Nga kjo kanë përfituar edhe xhihadistët të cilët janë veshur si femra për t’u larguar nga qyteti.

Por shumë prej tyre janë kapur nga ushtria irakene dhe tashmë përveç tentativës së dështuar për arratisjen duhet të përballen edhe me turpin, kuptohet, nëse kanë.

d1-260

d4-233  d2-253

Arrestim / ARKIV

Emri Bushi mohon të ketë luftuar për ISIS-in (Video)

I akuzuari Emri Bushi mohoi të ketë qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist. Si dëshmi ai ka ofruar dy video-incizime, të cilat sipas tij dëshmojnë se ka luftuar përkrah Ushtrisë së Lirë Siriane. Edhe i akuzuari tjetër Fitim Dema mohoi të ketë luftuar për ndonjë organizatë terroriste.

Periskopi.com Lajme

Emri Bushi, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, gjatë marrjes së tij në pyetje tha se qëllimi i tij i shkuarjes në Siri ishte ta ndihmonte popullatën civile siriane, dhe se atje luftoi vetëm në radhët e Ushtrisë së Lirë Siriane.

Ky ish -ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Hani i Elezit akuzohet se me qëllim që t’i bashkëngjitej grupit terrorist ISIS, më 29 maj 2013 nga Aeroporti i Prishtinës ka udhëtuar për në Stamboll e pastaj nga aty për në Gazientep e pastaj në KIlis, qytete këto në Turqi, e pastaj nga aty ka hyrë në territorin e Sirisë.

Sipas Prokurorisë, Emri Bushi, i njohur me nofkën “Ebu-Amar”, fillimisht ishte stërvitur me armë të ndryshme e pastaj kishte marrë pjesë edhe në frontet e luftës deri më 6 gusht 2013 kur ishte kthyer në Kosovë.

Bushi në seancën e sotme kur u mor në pyetje nga avokatja e tij, Labinota Qosaj-Ilazi dhe prokurori Ali Rexha, mohoi të ketë qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë organizate terroriste.

Mbrojtja gjatë shqyrtimit gjyqësor Gjykatës i dorëzoi edhe një CD me materiale, të cilat sipas Bushit përmbajnë dy video-materiale.

“Njëra është një video e një iftari në qytetin Haritan, në afërsi të qytetit të Alepos, ndërsa pjesa tjetër është një aksion në Rashidin, në rrethinën e Alepos, nga Ushtria e Lirë Siriane”, tha i akuzuari.

Emri Bushi përmes profilit të tij i ka dërguar monitoruesit të KALLXO.com edhe linqet e videove në të cilat ai pretendon se shihet duke luftuar krah Ushtrisë së Lirë Siriane:

 

dhe tjetrin duke ngrënë iftar:

Po ashtu, Bushi mohoi se në kohën kur shkoi në Siri të ketë qenë i njoftuar për ndonjë ndalesë për t’u bashkuar në luftërat e huaja, ndërsa tha se madje e dinte se nuk kishte asnjë ndalesë të tillë.

Emri Bushi ishte i prerë duke thënë se asnjëherë nuk ishte pjesë e ndonjë organizate terroriste.

Dëshminë e tij në seancën e sotme e dha edhe i akuzuari tjetër, Fitim Dema nga Kaçaniku.

Ai tregoi se në Siri kishte shkuar me 70 euro në xhep dhe biletë njëdrejtimëshe por tha se Ushtria e Lirë Siriane do t’ia paguante biletën e kthimit.

Dema tregoi se në Siri kishte shkuar për arsye humanitare, për të ndihmuar civilët dhe sidomos fëmijët sirian.

“Fillimisht kam shkuar atje për të ndihmuar popullin e Sirisë, por kur shkova më doli tjetër gjë”, tha ai.

I akuzuari tregoi se ndonëse shkoi për të ndihmuar, përfundoi duke bërë ushtrime dhe pastaj edhe me armë në duar.

“Unë nuk kam dashur që të qëndroj më tutje, sepse filluan përçarjet mes grupeve dhe unë atje kisha shkuar për të ndihmuar popullsinë civile”, tha Dema.

Demaj tregoi se në Siri ka qëndruar afër një kampi ku ishte edhe një depo dhe shpërndanin ndihma humanitare.

Edhe Dema ishte kategorik se asnjëherë nuk kishte qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist, ndërsa tha se familja e tij sa herë komunikonte me ta i kërkonte të kthehej. Pas këtyre kërkesave ai edhe ishte kthyer në Kosovë më 7 shkurt 2014.

Seanca e radhës do të mbahet më 24 tetor.