Interpoli kërkesë zyrtare Tiranës për arrestimin e Balilit

Interpoli grek i transmeton Shqipërisë vendimin e formës së prerë për shpalljen në kërkim të Klement Balilit, dhe i kërkon për herë të dytë Policisë shqiptare kapjen e të kërkuarit.

Periskopi.com Lajme

Në datën 30 janar 2017, Interpol Athina i ka përcjellë Interpol Tiranës dokumentin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit në Greqi, e cila ka lënë në fuqi urdhërarrestin ndërkombëtar për biznesmenin nga Shqipëria për akuzën e trafikut të drogës. Urdhërarresti ndërkombëtar ndaj Balilit, me të dhënat FE 7698, datë 17.05.2016, është përditësuar nga pala greke me disa të dhëna të reja në lidhje me aktivitetin kriminal të personit të kërkuar.

“Është e nevojshme të vazhdojnë kërkimet ndaj tij, na njoftoni se keni lokalizuar këtë person, nëse është identifikuar gjeneraliteti i tij dhe nëse përdor apo jo të njëjtën pasaportë me nr. BF 2613552, apo ka një mjet tjetër identifikimi”, thuhet në shënimin e Interpolit grek.

Sipas akuzës së palës helene, grupi i Klement Balilit, i përbërë nga së paku 11 persona, akuzohet se gjatë aktivitetit kriminal ka transportuar në total 3.8 tonë kanabis dhe 83 kilogramë kokainë, në periudhën 2014- 2016.

Duket se kërkesa e palës greke, e rifreskuar dhe e përsëritur në adresë të Interpol Tiranës, ka nxitur edhe një herë kërkimet në Shqipëri për Klement Balilin. Policia mësohet se i ka kërkuar leje Prokurorisë për përdorimin e pajisjeve e metodave speciale të gjurmimit për të kërkuarin.

Bazuar në urdhërarrestin e lëshuar në datën 9 dhjetor 2016 nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Policia shqiptare ka kryer disa aksione pa sukses për kapjen e Klement Balilit.

Përveç katër operacioneve në Gjirokastër, Delvinë e Sarandë, në datat 9, 10, 11 e 12 dhjetor 2016, policia kreu kontrolle banesash në Tiranë dhe disa qytete të tjera më vonë. Në disa nga këto aksione, fillimisht u arrestua me amë pa leje një i njohur i Klement Balilit, ndërsa më 26 janar 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në gjykatë autorizimin për kryerjen e kontrolleve në një sërë banesash e biznesesh në Tiranë, Delvinë dhe Sarandë.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë, Gjykata ka krijuar bindjen dhe më pas ka dhënë autorizim për kontrollin e banesave dhe bizneseve, siç ka kërkuar organi i akuzës. Mësohet se në javët e fundit, Policia e Shtetit i ka kërkuar autorizim Prokurorisë edhe për përdorimin e një pajisjeje speciale gjurmimi me qëllim kapjen e Klement Balilit.

Burime jozyrtare kanë thënë se bëhet fjalë për pajisjen gjurmuese të telefonatave “IMSI-Catcher”, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për një aparaturë që ka hyrë rishtazi në Shqipëri për aksionin e kapjes së Klement Balilit, apo për aparaturën e cila u bë objekt hetimesh nga Prokuroria në qershor 2016 dhe që nuk u gjet asnjëherë.

Nga ana tjetër mësohet se policia ka vendosur edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh për informatorët e saj, që japin të dhëna për kapjen e Klement Balilit, kurse publikisht u deklarua se 5 milionë lekë të rinj do të jepen për qytetarët që informojnë policinë për vendndodhjen e tij./Panorama

Godet Brahimaj: Qeveria ka negociuar listën e Interpolit, e shpëtuan veten

Institucione shtetërore të Kosovës kanë pasur njohuri të sakta se kush është pjesë e listës së INTERPOLIT, mirëpo nuk u kanë treguar partive politike e as deputetëve.

Periskopi.com Lajme

 

Kështu ka deklaruar Lahi Brahimaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Brahimaj ka thënë se këto institucione gjithashtu e kanë ditur se nga lista e INTEPORLIT janë larguar 137 persona, nga 157 sa ishin gjithsej dhe në listë tashmë janë vetëm 20 persona.

“Këtë gjë e ka konfirmuar përmes një interviste tre javë para se të arrestohej Haradinaj, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa. I pari në listën e 20 personave tash është Ramush Haradinaj”, ka thënë Brahimaj, i cili ka pohuar gjithashtu se ai dhe partia e tij tashmë e posedojnë këtë listë.

Brahimaj tha se në debatin e Kuvendit të Kosovës për rezolutën e AAK-së për lirimin e Ramush Haradinajt të gjithë deputetët pajtoheshin me të gjitha pikat që kishte rezoluta.

“Gjatë gjithë debatit asnjë deputet nuk kishte kundërshtuar asnjë nga pikat që kishte rezoluta e AAK-së, mirëpo ajo nuk u votua. Kjo ngase Salih Morina nga LDK dhe Zenun Pajaziti nga PDK u kanë bërë presion të gjithë deputetëve të tyre që mos ta votojnë këtë rezolutë”, tha Brahimaj, në emisionin “Republika” në Tribuna Channel.

Ai ka treguar gjithashtu se seanca për këtë rezolutë ishte paraparë të bëhej më herët por ishte shtyrë vetëm për shkak të festës, që sipas tij është konsideruar më e rëndësishme, sesa senaca për Haradinajn./Tribuna

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së thotë se Serbia po abuzon përmes Intepolit

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se Kosova nuk duhet lejuar më që Serbia t’i abuzoj ata që kanë luftuar përmes Interpolit.

Periskopi.com Lajme

Paraziti ka thënë se shteti i Francës duhet të veproj sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që Haradinaj të jetë sa më shpejtë në vend, transmeton lajmi.net.

“Sot jemi në këtë seancë për të ndarë shqetësimin për ndalimin e padrejtë të Haradinajt në Francë, ne e kemi pranuar kërkesën e AAK-së që këtë shqetësim ta ndajmë në Parlamentin e Kosovës para qytetarëve. Duhet të flasim për një rast të përsëritur, me persona të ndryshëm që kanë qenë në luftë e që janë në listat e Serbisë. Këtë shqetësim dua që sot ta kanalizojmë sa më drejtë që është e mundur. Është mirë që ky adresim i këtij shqetësimi të drejtohet sa më shpejt në vendin e duhur dhe Haradinaj të lirohet. Të mos lejohet që Serbia të abuzoj përmes Interpolit”, ka thënë Pajaziti

UÇK/ arkiv

Mustafa: Të kërkuar nga INTERPOL-i janë 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, ka thënë se janë 20 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kërkohen nga INTERPOL-i.

Periskopi.com Lajme

Këtë koment ai e ka bërë si reagim ndaj lajmit të publikuar në disa portale se bëhet fjalë për 157 persona nga Kosova që do të kishin problem me ligjin, si pjesë e urdhërarresteve të lëshuara nga Beogradi.

“Nga kjo listë e publikuar, vetëm 20 ish pjesëtar të UÇK-së kërkohen nga INTERPOL. Policia e Kosovës (Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit ILECU) ka verifikuar të gjithë 157 emrat të cilët janë pjesë e kësaj liste dhe e cila po prezantohet nëpër media si listë e INTERPOL-it. E vërteta është se vetëm 20 nga këta 157 emra janë në listën e INTERPOL-it”, ka shkruar Mustafa.

Sipas numrit dy të dikasterit të rendit në Kosovës, Policia e Kosovës, më 16.12.2016 përmes zyrës së INTERPOL-UNMIK ka dërguar ankesë për futjen e këtyre 20 personave në listën e kërkimit nga INTERPOL dhe ka kërkuar largimin e tyre.

“Përndryshe, dhjetëra emra janë larguar nga kjo listë si rezultat i reagimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net.

“Përndryshe, lista prej 157 ish pjesëtarëve të UÇK e cila po prezantohet nëpër media si listë e INTERPOL-it, në të vërtetë është listë e publikuar në ‘Libri i Bardhë’ i nxjerr nga Qeveria e Serbisë në vitin 2003”, ka shtuar më tej ai.

Serbia ka lëshuar 167 fletëarreste në Interpol për shqiptarët

Arrestimi i fundit i Ramush Haradinaj, në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Serbia, ka ngritur reagime. Por, të njejtin fat mund ta kenë edhe rreth 167 shqiptarë të tjerë, po që se kapen në ndonjë vend anëtar të Interpolit, shkruan Gazeta Metro.

Periskopi.com Lajme

 

Serbia ka deponuar rreth 167 fletëarreste në Interpol, për shqiptarë të cilët kanë marrë pjesë në luftën e fundit në Kosovë. Këto informata, Gazeta Metro i ka siguruar përmes burimeve në Ministrinë e Brendshme, e për të cilat, Interpoli s’e ka njoftuar Kosovën asnjëherë.

Fletëarrestet nga Serbia janë dorëzuar në Interpol, ku është e anëtarësuar Serbia, dhe fletëarrestet e secilit vend anëtar në këtë organizatë, e detyrojnë çdo anëtar tjetër që t’i zbatojë këto urdhërarreste. Ndërkaq, Kosova ende nuk është futur në këtë organizatë.

Në bazë të urdhërarresteve nga Serbia, më herët ishte arrestuar edhe Agim Çeku, Gafurr Dugolli e disa shqiptarë të tjerë, që ishin pjesëtarë të UÇK’së. Gjithashtu, Haradinaj ishte arrestuar para 1 viti e gjysëm, në bazë të po kësaj liste.

Interpol suspendon anëtarësimet e reja, përfshi edhe Kosovën

Organizata ndërkombëtare e policisë, Interpol, ka thënë se ka suspenduar procesin e pranimit të vendeve të reja.

Periskopi.com Lajme

Në një komunikatë të lëshuar të martën, Interpol ka thënë se e ka angazhuar një këshilltar për t’u marrë me rekomandimet për anëtarësimet e reja.

“Të gjitha kërkesat aktuale dhe të ardhshme, duke përfshirë ato nga Republika e Kosovës, Shteti i Palestinës dhe Ishujt Salomon, janë suspenduar”, thuhet në komunikatë, raporton Koha.net.

Raporti i këshilltarit të angazhuar do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme në Pekin, vitin tjetër.

 

Hyseni në konferencën e INTERPOL-it kërkon anëtarësimin e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, me ftesë të drejtorit ekzekutiv të INTERPOL-it, po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme, të 85-të të INTERPOL-it, e cila po i zhvillon punimet në Bali të Indonezisë, i është drejtuar sot kësaj asambleje me një fjalë rasti.

Periskopi.com Lajme

Pikë e veçantë në punimet e ditës së sotme ishin kriteret e anëtarësimit të vendeve aplikuese në këtë organizatë.

Këtë vit asambleja po diskuton vetëm për kriteret e anëtarësimit të vendeve aplikuese, ndërsa varësisht nga kriteret që do të vendosen votimi do të bëhet gjatë asamblesë së ardhshme të INTERPOL-it, që do të mbahet në nëntor të vitit të ardhshëm në Peking.

“Në fjalën e tij para delegatëve të organit më të lartë të INTERPOL-it, ministri Hyseni paraqiti në detaje arsyetimin e kërkesës për anëtarësim, duke theksuar shkallën e lartë të përgatitjes profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera për rend e ligj”, thuhet në njoftim.

Ministri Hyseni ka bërë ftesë që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të marrë trajtimin e merituar gjatë vendosjes së kritereve.

Ministri Hyseni theksoi se Policia e Kosovës është policia më e trajnuar dhe më profesionale në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftim theksohet se kjo hera e parë që Republika e Kosovës përfaqësohet si shtet dhe në këtë nivel në AP të INTERPOL-it.

Kërkesa e Kosovës në Interpol të bëhet përmes SHBA-së!

Kosova ka dështuar të anëtarësohet në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë, në veçanti në organizatën ndërkombëtare të policisë kriminale “Interpol”, pasi që përpjekjet e saj kanë qenë joserioze.

Periskopi.com Lajme

Kështu ka vlerësuar raporti i nxjerrë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me titull “Nyja e Gordianit: Pengesat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të sigurisë – Rasti i INTERPOL-it”, raporton Zëri

Sipas këtij raporti, prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) angazhimi i institucioneve kosovare ka ngelur më tepër në kufijtë e deklarimeve politike sesa të veprimeve konkrete në këtë drejtim.

“Institucionet përkatëse të Kosovës nuk kanë dëshmuar vendosmëri politike për të vendosur marrëdhënie zyrtare dhe të drejtpërdrejta me INTERPOL-in, derisa urë lidhëse vazhdon të mbetet misioni i UNMIK-ut”, thuhet ndër të tjera në këtë raport-analizë. Ky hulumtim bën të ditur se për anëtarësim në INTERPOL, Kosova nuk duhet të jetë pjesë e OKB-së.

“Diplomacia kosovare duhet të argumentojë në pikëpamje juridike e policore të drejtën për anëtarësim në INTERPOL. Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe argumentet juridike me rastin e pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA shërbejnë si përparësi”, rekomandohet në raport.