bora

Kur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës nuk i di kompetencat e veta, reagon ndaj deklaratave

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të ish drejtorit Sylë Tahirsylaj dhe disa portaleve që raportuan mbi deklaratën e tij se “duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme”.

Periskopi.com Lajme

IHMK-ja thotë se është duke e përcjellë situatën meteorologjike në gjithë territorin e Kosovës.

“Temperaturat e ulëta gjithmonë merren ato të orëve të para të ditës. Kjo gjendje e tanishme meteorologjike nuk është diçka që nuk ka ndodhur vite më parë, prandaj nuk e kemi parë të arsyeshme që ne si IHMK të shpallim një gjendje të jashtëzakonshme apo emergjente siç pamë në disa portale që njerëzit jozyrtar që në fakt nuk janë as pjesë e IHMK dalin e prononcohen me vlera të cilat nuk janë institucionale”, thuhet në njoftimin e IHNK-së.

“IHMK posedon rregulloren me të cilën ia ndalon të gjithë personave jashtë institucionalë që të merren apo të informojnë popullatën me informata rreth motit. Do të vjen dita që përpos individëve që japin informata rreth motit e aq ma keq edhe shpallin gjendje të jashtëzakonshme dhe bashke me ata edhe portalet që lansojnë informata jashtë institucionale, të japin përgjegjësi para ligjit”, thuhet më tej në reagim.

Në fund të reagimit të saj, IHMK ka thënë se bëjnë parashikime dhe ju dërgojnë medieve, kurse organet kompetente janë ato që nëse e shohin të nevojshme shpallin gjendje të jashtëzakonshme.

Instituti i Administrates Publike te Kosoves

Fillon ndërtimi i objektit të Institutit të Kosovës për Administratë Publike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të objektit të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP).

Periskopi.com Lajme

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete të tjera.

Vënia e gurthemelit të Institutit të Administratës Publike të Kosovës dhe ndërtimi i tij, sipas kryeministrit Isa Mustafa, do të luajë rol esencial në formimin dhe përgatitjen e administratës së ardhshme të modernizuar shtetërore të Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, Mustafa tha se ky është një gurthemel evropian për Kosovën, duke e falënderuar Bashkimin Evropian për pjesën e kontributit dhe po ashtu edhe Ministrinë për të gjitha përgatitjet që ka bërë.

Më tej, ai shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të vazhdojë me institucione të tilla, me ngritjen e tyre në atë pjesë të Prishtinës së Re, ku ngadalë po transferohen institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

“Po krijojmë një ambient të ri këtu afër Pallatit të Drejtësisë dhe institucioneve tjera, të cilat do të kalojnë në këtë pjesë dhe kjo flet për një përkushtim të zgjerimit tonë, për një qasje krejtësisht të re për institucione të reja dhe për zhvillimin demokratik dhe shoqëror të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar që shumë shpejt të inaugurohet dhe realizohet efikasiteti i këtij instituti.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se vetëm me depolitizim të administratës, mundet që Qeveria e Kosovës të rikthej besimin e qytetarëve në Qeverinë.

“Shërbimi civil i profesionalizuar, modern dhe etik, ndërton besim dhe mirëbesim të publikut në Qeveri dhe shërbimet qeveritare. Mënyra se si shërbyesit civil ndërveprojnë me qytetarët ndikon direkt në mënyrën se si qytetarët perceptojnë legjitimitetin e Qeverisë. Besimi publik dhe mirëbesimi në Qeveri është esencial për ndërtimin e besimit nga ana e investitorëve, që është vital për rritjen ekonomike dhe çrrënjosjen e varfërisë”, tha Apostolova.

Ministri Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se arritja deri në këtë fazë është rezultat i shumë përpjekjeve dhe mbështetjes së vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës nga njëra anë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë nga ana tjetër, në veçanti të Komisionit Evropian.

“Pesha e Institutit të Kosovës për Administratë Publike tashmë është e afirmuar në nivel qeveritar dhe kjo falë trajnimeve të shumta dhe të vazhdueshme që ofrohen për nëpunësit civil të administratës publike. Ky projekt do të mundësojë realizimin e të gjitha trajnimeve në nivelin qendror dhe në atë lokal. Planifikimet tona për modernizimin e administratës publike dhe për evropianizimin e saj kanë nxjerrë në pah pengesën në infrastrukturë në realizimin e trajnimeve të nevojshme për nëpunësit civilë. Prandaj, jemi zotuar që edhe këtë sfidë ta tejkalojmë duke ndërtuar godinën e cila do të plotësojë të gjitha nevojat infrastrukturore dhe logjistike për trajtimet e gjithë nëpunësve të administratës publike”, tha ministri.

Ndërtesa e Institutit të Kosovës për Administratë Publike do të ketë sipërfaqe prej afro 3500 metër katrorë, në aspektin funksional ndërtesa do të përdoret për qëllime të trajnimeve dhe do të jetë e pajisur me mjete të nevojshme për zhvillimin e trajnimeve edhe nga fusha e teknologjisë informative.

Hapësira përreth objektit, sipas ministrit Yagcilar është planifikuar për kampusin e agjencive qeveritare, për të cilin është hartuar plani rregullues dhe është bërë marrëveshje me komunën e Prishtinës për shfrytëzimin e tokës./ Periskopi

 

zkp-05