Ikballe Berisha-Huduti

E dyshuara se rekrutoi gra për në Siri, tash organizon kurse për fëmijë në Prishtinë

E dyshuara për rekrutimin e grave kosovare në Siri, Ikballe Berisha-Huduti ka filluar një projekt tjetër në Prishtinë. Ajo kundërshton ashpër ekstremizmin dhe thotë se nuk duhet vritet askush në emër të Allahut.

Teuta GASHI Intervista

Në një intervistë për Periksopi.com ajo tregon se ka filluar të mbajë orë rehabilituese psikologjike për gratë në Kosovë, dhe tregon financuesit që i ka, thotë se janë britanikë.

E diplomuar në Letërsi Shqipe dhe Letërsi Krahasimtare e master në Psikologji, ajo flet për kombin kosovar, për mësuesen e Malishevës që u largua nga puna për shkak të mbulesës, e edhe për kosovarët që iu bashkuan ISIS-it. Këta të fundit, ajo thotë se kanë bërë mëkat.

Është bashkëthemeluese e Institutit Kërkimor Ndërkombëtar “Naim Frashëri”, e thotë ferexheja nuk është obligim fetar.

Berisha-Huduti thotë se ekstremizmi te myslimanët e Kosovës vjen për shkak padrejtësive që i shohin, dhe për shkak të injorancës.

Së fundmi ajo ka shpërndarë disa fletushka të cilat njofton se ofrojnë kurse për fëmijë dhe të rritur për mësim të besimit islam, për leximin e bukur të Kuranit dhe studimin e tij, si dhe që mbajnë takime fetare javore për biseda të lira jetësore dhe psikologjike.

Për Periskopi. com ajo thotë këto kurse i ofrojnë pa pagesë dhe se janë të regjistruar si OJQ.

Periskopi: I kemi parë disa fletushka nëpër hyrje të banesave, çka janë ato, çfarë kurse, a janë me pagesë?

Berisha-Huduti: Ne ende nuk kemi filluar punën zyrtarisht, për shkak të financave, presim të fillojmë në janar. Kemi donacione nga biznesmen nga Londra, të cilët edhe e kanë blerë këtë objekt, për Institutin. Aktivitetet tona ende nuk kanë filluar, por unë si psikologe në departamentin e grave dhe fëmijëve këtu, kanë shprehur dëshirën disa persona që të mësojnë shkronjat e gjuhës arabe. Ka shumë studentë të orientalistikës, e të cilët duan ta përforcojnë atë që e bëjnë në fakultet. Ka edhe besimtarë, që kanë shprehur dëshirën të mësojnë shkronjat e gjuhës arabe.

Për momentin e kemi parë që nuk ka interesim. Po punojmë vetëm me orë rehabilitimi, që e kemi çdo të enjte, orë rehabilitimi shpirtëror, aty këndojnë gratë së bashku, këngë të ndryshme, lutje të ndryshme, tema të ndryshme, ka edhe psikologe. Është freskim shpirtëror për gratë. Ne si OJQ nuk e kemi problem sekularizmin, kemi qëllim të ngrisim vlerat ndërfetare, tradicionale dhe morale. Në Institut kemi edhe të krishterë që janë të interesuar të bashkëpunojnë. Edhe këto kurse janë kurse që nuk paguhen, janë falas, por prej janarit do të kemi kurse që do të paguhen, një shumë simbolike vetëm sa për të mbuluar shpenzimet e profesorëve, një nga ato kurse janë ‘Self Development” që e mbanë një angleze, në gjuhën e saj. Ne e kemi edhe  “British Corner”, ua kemi hatrin donatorëve, ka kushtuar ky objekt.

Periskopi: Po thoni që kurset tjera janë pa pagesë krejtësisht?

Berisha-Huduti: Pothuajse po. Ose paguhen me një shumë të vogël.

Periskopi: Po thoni që ka edhe njerëz të feve të ndryshme këtu, çfarë bëjnë ata?

Berisha-Huduti: Agnostikë kemi shumë. Qëllimi ynë është të kemi liri dhe respekt për diversitetin.

Periskopi: Çfarë bëjnë ata këtu?

Berisha-Huduti: Me agnostikët ne e kemi formuar grupin dhe dëshirojmë të bëjmë 10 sesione, vetëm biseda pse, qysh, tek!

Periskopi: Çfarë temash?

Berisha-Huduti: Tema rreth mosbesimit, pse është agnostik, pse është ateist, kështu pra, tema kryesisht sociale, ka edhe filozofike.

Periskopi: Keni ndonjë qëllim që dikush nga ta të kthehet në ndonjë fe tjetër?

Berisha-Huduti: Mundemi edhe prej fesë sonë (myslimane) me qenë agnostik, nëse ne nuk i kemi profesorët që munden t’i bindin atëherë secili është i lirë të shpreh mendimi e tij, pse jo. Edhe mua nëse më bind dikush që besimi im nuk është në rregull, është e drejtë e imja ta ndryshoj.

Periskopi: A e keni këtë qëllim, që ata të orientohen kah feja islame?

Berisha-Huduti: Qëllimi im ynë është vetëdijesimi për liri dhe respekt për diversitetin. Të gjithë ta kenë atë lirinë dhe respektin. Këtu në Kosovë është një sëmundje patologjike e paragjykimit. Në momentin kur e sheh me mbulesë ka një lloj fobie.  

Periskopi: Si financoheni kur gjithë këto shërbime i ofroni pa pagesë?

Berisha-Huduti: Kemi qenë shumë transparentë deri tash dhe jemi OJQ që ka filluar të ketë prestigjin e vet në këtë shoqëri. Ende nuk kemi filluar punën, prej një janar besojmë të fillojnë, dashtë Zoti, sepse ne nuk kemi financa dhe vetëm çka po mundemi vullnetarisht me punu. Të gjithë po angazhohen në mënyrë vullnetare, njerëzit kanë dhuruar libra, kemi ndërmend të bëjmë  digjitalizimin, që studentët të vijnë të përgatisin seminare, tema etj.

Pa donatorë nuk do të funksiononim.

Periskopi: Kush janë donatorët tuaj?

Berisha-Huduti: Donatorët për momentin janë Federata Botërore në Britaninë e Madhe “Registration Charity”, të cilët janë biznesmen të besimeve të ndryshme, ka të gjitha feve aty, por që e vlerësojnë kulturën. Ne jemi bazë themelore e krijimtarisë së Naim Frashërit, pra tri shtyllat që Frashëri u ka vëne theks: kombëtarja, tradicionalja dhe moralja. E tek moralja normal që hynë edhe feja.

Periskopi: Po e theksoni shumë temën e kombit, a e njihni kombin kosovar?

Berisha-Huduti: Patjetër që po, është pjesë e shqiptarëve. Unë dy flamujt i mbajë në tavolinën time. Kombi kosovar është një komb shqiptarë, bazën e kemi shqiptare, por për shkak politikave, për shkak gjendjes aktuale, kemi qenë në kurthe të serbëve. Së paku duhet ta shfrytëzojmë atë që kemi aktualisht, e pastaj, patjetër që vjen Bashkimi Kombëtar.

Periskopi: Në çfarë lloj Bashkimi Kombëtar?

Berisha-Huduti: Unë besoj në të, sepse mundemi me shku në Evropë, kemi nevojë për të dhe kemi kapacitet. Evropa po plaket, ne kemi rini të shëndosh edhe pse fatkeqësisht janë shërbëtorë të Evropës. Fillimisht besoj në Bashkimin Kombëtar mes Kosovë dhe Shqipërisë, pastaj trojet tjera do vijnë vetvetiu.

Periskopi: Një kolege e juaja me mbulesë, është larguar nga puna në Malishevë, si e komenton?

Berisha-Huduti: Secili ka të drejtën e bindjes së vet të brendshme, por duhet edhe të respektohen Ligjet e vendit ku jeton. Për ato Ligji dikush është munduar.

Periskopi: Atë e larguan nga puna, a është vepruar drejt?

Berisha-Huduti: Për mua nuk është vepruar drejt, nëse ajo si mësimdhënëse ka kapacitete dhe ka kaluar konkurset, është bërë e padrejtë ndaj saj kur e larguan ga puna. Por, meqë i kanë gjet punë tjetër mirë është bërë, këto mendoj se janë vetëm acarime lokale. Ne e dimë mirë që shqiptarëve përveç Ligjeve formojmë edhe rregullore autonome, që aq shumë ju japin forcë saqë bëhen Ligje në një shtet. Ne kemi probleme më të mëdha, ajo duhet të kërkoj të drejtën e saj.

Periskopi: A kanë probleme gratë me mbulesë në Kosovë?

Berisha-Huduti: Gratë me mbulesë në Kosovë kanë probleme, por nuk jemi vetëm ne. Më shumë probleme kanë gratë pa mbulesë, sepse gruaja tek ne nuk vlerësohet për qëndrimin e saj dhe kapacitetet, por për dukjen. Gratë me mbulesë duhet të punojnë. Ato vetë duhet të kërkojnë të drejtat, në suaza të normales. Nuk mundet kurrsesi një grua që mbanë ferexhe të inkuadrohet në shoqëri, ferexheja ajo nuk është obligim në islam.

Periskopi: A jeni kundër ekstremizmit?

Berisha-Huduti: Ajo nuk ndodh vetëm te myslimanët, ndodh gjithkund nëpër botë, është nihilizëm, humbje e botëkuptimit. …Ekstremizmi, normal që jam 100% kundër, sepse asnjëra nfa fetë nuk e pranojnë ekstremizmin si element të tyre. Ekstremizmi tek të krishterët paraqitet për shkak të nihilizmit, sepse një i ri e humb botëkuptimin: i ka të gjitha, drogë, alkool, shije, filma e gjithë të tjerat dhe thotë te shoh tash çka bëhet tash – të vrasë dikë ose të vrasë veten, humb botëkuptimin, sepse janë kriminalizuar duke shikuar kinematografi moderne. Ndërkaq te myslimanët e Kosovës, ekstremizmi vjen për shkak të padrejtësive që i shohin, dhe për shkak të injorancës. Çdo padrejtësi mundet me u zgjedh me negociata, ne të gjithë mund të kuptojmë njëri-tjetrin.

Periskopi: A duhet të vrarë apo të bëhet sulm vetëvrasës në emër të Allahut?

Berisha-Huduti: Ajo është absurd i papërshkrueshëm, atë mund ta bëjnë vetëm kriminelët, nuk vritet në emër të Allahut. Neve historia islame na mëson se Imam Aliu kurrë nuk ka shku në fushëbetejë pa bërë me dhjetëra herë negociata. Në fund edhe nëse ka shkuar, ka bërë dyluftim, e jo vetëvrasje me ato mjete siq po ndodh tani nëpër botë.

Periskopi: A ka ekstremizëm në Kosovë?

Berisha-Huduti: Ka, por më shumë është i fryrë. Shoqëria jonë është shumë e shëndosh.

Periskopi: Çka me të rinjtë që i janë bashkuar ISIS-it?

Berisha-Huduti: Zoti ia faltë!

Periskopi: A është e drejtë kjo?

Berisha-Huduti: Zoti ia faltë!

Periskopi: A kanë bërë mirë?

Berisha-Huduti: Zoti ia faltë, çfarë mëkati kanë bërë.

Periskopi: Keni pasur OJQ tjetër në emrin tuaj?

Berisha-Huduti: Po, edhe ende punoj në organizatën NISA, aty e kam rolin tim më të madh, në Institutin “Naim Frashëri” jam vetëm një nga 15 themeluesit. Punoj në NISA, por për shkak se ne nuk kemi dashur të fusim nxitje dhe urrejtje fetare që nga viti 2012 ka stagnuar. Për shkak mendimeve tona që në realitet ne nuk kemi bërë ndryshe, por vetëm sipas statusit kemi vepruar, statusi thotë se mund të merremi me aktivitete fetare, e jemi marrë me kurse të Kuranit, më shumë kurse humanitare, por për shkak të hoxhallarëve ekstrem. Dis aprej atyre hoxhollarëve i kanë fshirë videot e tyre pastaj, pasi janë burgosur, kanë bërë padrejtësi ndaj meje, ne s’kemi dashtë për shkak atyre me ba probleme, prandaj e kemi stagnuar punën nga vitin 2012.

Periskopi: A keni pasur probleme me Ligjin?

Berisha-Huduti:  Jo, kemi dhënë intervistën, avokate e kam pasur Kosovare Kelmendin, ajo më ka thënë: nuk paskam për çfarë të të mbroj unë ty.

Periskopi: Cili ka qenë problemi?

Berisha-Huduti: Prokuroria ka shprehur dyshime, e kanë vërtetuar dyshimin, por edhe pse ata kanë shprehur vetëm  dyshime, ne kemi stagnuar punën.

Periskopi: Cili ka qenë dyshimi?

Berisha-Huduti: Dyshimi ka qenë rekrutim i femrave në Siri, shpëlarje parash dhe ekstremizëm, nuk kemi pasur të bëjmë asgjë me to.

Periskopi: A është mbyllur çështja?

Berisha-Huduti: Jo, por ne nuk po ngutemi, sepse kemi punë të tjera, ata le të përfundojnë punën e tyre. Nuk nuk kemi mundësi për avokat dhe të tjera gjëra sepse kushtojnë, e dimë se jemi të pastër dhe kemi punë tjera, kur t’i vie koha le te mbyllin organizatën nëse gjejnë diqka, hiq se kemi problem, vetëm duam të kemi arsyet e pastra.

Periskopi: Po thoni që ka stagnuar puna në atë OJQ apo?

Berisha-Huduti: Patjetër, ne e respektojmë Ligjin, përndryshe s’mund të jemi pjesë e kësaj shoqërie.