Edi Rama

Rrëfimi i Edi Ramës për luftën e djalit të tij me kancerin

Kryeministri Edi Rama, flet për herë të parë për momentet dramatike kur ai mësoi se djali i tij ishte prekur nga sëmundja e rëndë e kancerit. Rama tregon kohën e gjatë dhe të rëndë që ka përjetuar për shkak të Gregorit, djalit të tij të parë që e vuajti këtë sëmundje për një kohë të gjatë.

Periskopi.com Lajme

Rama foli në Kongresin e Onkologjisë që po zhvillohet në Tiranë. Ai ndau me mjekët, momentin vështirë që nisi 11 vjet më parë dhe vazhdoi për muaj e muaj të tërë. Në rrëfimin e tij, kryeministri i foli mjekëve për momentin kur mësoi se djali i tij i madh, Gregu ishte i sëmurë me kancer.

“Njëmbëdhjetë vjet më parë m’u desh të luftoja një realitet shumë të keq për mua dhe familjen time, pasi mora vesh se djali im ishte i sëmurë me kancer”, rrëfeu Edi Rama për djalin që kishte nga martesa e tij me aktoren e mirënjohur Matilda Makoçi e cila prej shumë vitesh është tërhequr nga bota e kinemasë, raporton NOA.

Rama tha se në vitin 2005 ka mësuar sëmundjen e rëndë të djalit dhe vazhdoi: “Mësimet që nxora nga kjo përvojë transformuese ishin të mëdha, por një nga gjërat që m’u desh të provoja në lëkurën time ishte dallimi që bën dija, kur ne kemi të bëjmë me kancerin”.

“Një dallim që ndryshon në vende të ndryshme. Shqipëria është e mbushur me burime natyrore ose me ato çfarë na dha Zoti. Në krahasim me vendet më të zhvilluara, sigurisht që jemi më të pasur. Por çfarë i bën ato më të pasur, është dija e tyre. Kjo lloj mbledhjeje është thelbësore për këtë aspekt, se sjell më shumë dije dhe njohuri”, u shpreh kryeministri duke vlerësuar kongresin e Onkologjisë.

Gregor Rama, djali i madh i kryeministrit që shumë e njohin me emrin Greg, qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku iu bënë ndërhyrjet e plota mjekësorë. Shpesh në SHBA ka udhëtuar edhe Edi Rama, sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2009, kur situata e Gregut ishte përkeqësuar.

Gregor Rama arriti ta kalojë sëmundjen e tij dhe aktualisht gëzon shëndet duke përbërë një ndër pak raste kur kanceri nuk merr jetë njerëzish.

Në Shqipëri, sëmundjet tumorale janë shndërruar për fat të keq në një faktor të gjerë te shumë njerëz duke marrë përditë jetë shqiptarësh. Një pjesë e tyre nuk arrijnë të kurohen, të tjerë nuk kanë shpëtim, disa bëjnë shumë përpjekje dhe nuk ia dalin dot, duke lënë pas jo vetëm ikjen e tyre nga kjo botë por edhe brenga të mëdha familjare e shoqërore.