Presidenti i Kosovës reagon vetëm kur sulmohen anëtarët e PDK-së

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar për sulmin ndaj anëtares më të re të PDK-së, Arbana Xharra.

Ai thotë se sulmuesit duhet të sillen para drejtësisë dhe se, sipas tij, me këtë sulm janë cenuar edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po ndërtohet shteti ynë.

Por, Thaçi që është president, nuk reagoi edhe kur u sulmua Dardan Molliqaj, që është anëtarë i një partie tjetër. AI u sulmua dy muaj më parë, e së fundmi mori sërihs kërcënime.

Reagimi i Thaqit:

Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë.

Si shoqëri nuk bën të lejojmë që dhuna të bëhet mjet i shprehjes së pakënaqësisë sonë.

Me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë.

Organet e rendit duhet ta zbardhin në tërësi rastin dhe t’i sjellin sulmuesit para drejtësisë. HTH

Bujar Nishani nesër në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Ish – presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani nesër do të jetë në Kosovë.

Në vizitën e tij shtetërore do të pritet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pritja ceremoniale do të bëhet në orën 10:00, që nënkupton se takimi paraprak që Thaçi ka me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme duhet të përfundoj deri në atë kohë.

Takimi me subjektet politike është paraparë të fillojë në orën 08:45./ Periskopi

 

Ramiz Kelmendi godet Hashim Thaçin: Nga shantazhi prej Speciales po bënë lëshime territoriale (Video)

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri në ikje, Ramiz Kelmendi, në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit ka thënë se përfundimi i sotëm i koalicionit qeverisës është ditur që në momentin kur për president u votua një nga nënshkruesit e marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK, Hashim Thaçi. Pikërisht fal këtij koalicioni, sipas Kelmendit, në krye të PDK-së erdhi Kadri Veseli.

“Po mos të ishte bashkësia ndërkombëtare, Veseli nuk do të kishte qenë sot kryetar i PDK-së. Sepse, koalicioni me PDK-në nuk do të ishte bërë në asnjë formë”, ka thënë ai.

Kelmendi tha se edhe kalimi i demarkacionit me Malin e Zi nuk do ta shpëtonte këtë qeveri. Madje, ai tërhoqi një diagonale mes Gjykatës Speciale e çështjes së demarkacionit, duke thënë se Thaçi – sa ka qenë kryeministër – ka mundur të jetë i shantazhuar nga kjo gjykatë dhe ka bërë lëshime.

“Ky demarkacion është nënshkruar, është përgatitur për nënshkrim, është negociuar dhe i është vendosur si kusht Qeverisë së Republikës së Kosovës sa ka qenë Thaçi kryeministër. Gjithmonë tendenca ka qenë te një konspiracion politik për demaskimin e Thaçi dhe vendosjen e tij në listën e tradhtarëve. Dhe, shumica e deputetëve nuk kanë dyshuar se Thaçi – nga shantazhimi për Gjykatë Speciale – ka bërë lëshime territoriale”, tha ai.

Arsyeja që LDK nuk procedoi me çështjen e përcaktimit të kufirit me Malin e Zi, sipas zëvendëskryeministrit, ishte mungesa e votave – rreth 15 sosh që mungonin nga Grupi Parlamentar i PDK-së.

Për zgjedhjet në Kosovë nesër merret vesh që në mëngjes

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas shpërndarjes së legjislaturës së pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të mbajë nesër takim konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Takimi do të mbahet në ora 08:45 në kabinetin e presidentit të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, sot Kuvendi i Kosovës votoi mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ndërsa shpërndarjen e Kuvendit, presidenti Thaçi e ka bërë përmes dekretit, i cili ka hyrë menjëherë në fuqi.

Për rrëzimin e Qeverisë votuan 78 deputetë, 34 ishin kundër, ndërsa tre prej tyre abstenuan.

Nesër vendoset për datën e zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u ka dërguar ftesat partive politike për takim gjatë ditës së nesërme.

“Po ftesat janë gati dhe ato u janë nisur partive politike. Takimi do të mbahet nesër në mëngjes nga i cili do të dal edhe data e zgjedhjeve”, ka thënë një burim i Indeksonline.

Janë dy data të mundshme kur pritet që qytetarët tu drejtohen kutive të votimi, data 11 dhe ajo 18 qershor, por që për këtë do të vendoset nesër gjatë takimit Thaçi- subjektet politike.

Thaçit mezi si pritet, shpërbën Kuvendin (Dokument)

Periskopi.com Lajme

Pas votimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë Mustafa, presidenti Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që ta shpërndaje Kuvendin e Kosovës.

Ai shpërndarjen e Kuvendit e ka bërë përmes dekretit dhe i cili ka hyrë menjëherë në fuqi..

 

Drecun godet Hashim Thaçin: Po i ofron Serbisë shkëmbim territoresh

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke u përpjekur që nën tavolinë t’i propozojë Beogradit shkëmbim territoresh.

Sipas tij, Thaçi po do shkëmbim të territoreve me Serbinë, duke ia dhënë Serbisë veriun e Kosovës, saktësisht Mitrovicën Veriore, dhe duke marrë një pjesë të Serbisë Jugore, saktësisht Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë në një intervistë të tij në Radio Beograd, se është e sigurt që do të ketë ndërrim të kufijve në Ballkan.

“Hashim Thaçi po përpiqet që ‘nën tavolinë’ të flas rreth asaj se si mundemi që të shkëmbejmë territoret”, pohoi Drecun./ Klan Kosova

Thaçi thotë se NUK e ka përmendur “Shqipërinë e Madhe”

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka thënë se në asnjë deklaratë nuk e ka përmendur krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’.

Thaçi vuri në dukje se mungesa e lidershipit dhe vizionit të Bashkimit Evropian hap rrugën për ideologji tjera dhe ndikon në rajon, si nacionalizimi, ekstremizmi dhe radikalizmi politik, transmeton lajmi.net.

“Kjo frymë është e përbërë nga Serbia dhe e mban atë për të shërbyer ndaj interesave të saj për legjitimitetin e Serbisë së Madhe, e cila tani vepron nën hundët e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se Serbia nuk ka reaguar ndaj tij mirëpo ka përsëritur tregimet e vjetra të cilat me dekada kanë manipuluar dhe frikësuar njerëzit.

“Serbia duhet të ndahet nga e kaluara dhe të kthehet në një të ardhme të re. Kjo do të thotë që të heqë dorë nga politika e cila rajonin e sheh si armik”.

Presidenti ka thënë se Kosova dëshiron të forcojë paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin. “Kjo është arsyeja pse ne duhet të angazhohemi që sa më shpejt të anëtarësohemi në BE”.

Sipas Thaçit deklaratat e tij për mungesën e lidershipit të BE-së nuk do të thonë konflikt i hapur me Bashkimin Evropian mirëpo kjo është një thirrje për bashkëpunim të sinqertë dhe strategjik me Kosovën si dhe me vendet e tjera.

Sa i takon situatës politike në Kosovë, Thaçi ka thënë se në qoftë se koalicioni qeverisës e konsideron të nevojshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme ai si president do të respektojë këtë vendim, por shtoi se tani për tani nuk ka një vendim të tillë.

Thaçi e pranon: Mediat nuk lejuan cenimin e lirisë së shprehjes përmes Kodit Penal

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot e ka hapur zyrtarisht konferencën ndërkombëtare “Prishtina Media Days”, e cila është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe me Southeast European Media Organization (SEEMO), si dhe është mbështetur nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Duke ua uruar 3 Majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për të gjithë gazetarët që me guxim dhe profesionalizëm vazhdojnë të kryejnë punën e tyre fisnike, të informimit të drejtë të opinionit publik.

“Liria e shtypit, e cila në kuptimin më të gjerë përfshin lirinë e shprehjes së mendimit dhe të drejtën për t’u informuar është një nga liritë themelore të njeriut dhe ndër më të dëshiruarat. Përpjekjet për të realizuar këtë liri janë përpjekje që nderojnë historinë e kulturës njerëzore”, u shpreh presidenti Thaçi, transmeton Periskopi

Ai tha se gazetaria në Kosovë ka qëndruar e palëkundur përkundër presioneve dhe joshjeve, duke u rritur dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë.

“Ju përgëzoj për pavarësinë dhe integritetin profesional që keni ruajtur. E përgëzoj edhe transmetuesin publik për pavarësinë redaktuese që ka ruajtur, përkundër përpjekjeve të politikës për ta cenuar dhe për ta ndikuar”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi dënoi çdo kërcënim kundër gazetarëve dhe i përgëzoi edhe organet e rendit dhe ligjit që kanë vepruar menjëherë kundër kërcënuesve.

“Përpjekjet për të penguar gazetarët në punën e tyre, kërcënimet kundër tyre, janë të papranueshme në shoqërinë kosovare dhe do të luftohen me forcën e ligjit. I përgëzoj organet e rendit dhe ligjit që kanë vepruar menjëherë kundër atyre që guxojnë të kërcënojnë gazetarët. Kam kërkuar edhe që drejtësia të zbulojë fatin e gazetarëve të zhdukur apo atyre të vrarë në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës”, shtoi ai.

Presidenti theksoi se është i mirëseardhur lajmi se këtë vit progresi në Kosovë njihet edhe nga “Reporterët pa Kufij”, që renditi vendin tonë për tetë vende më lartë se një vjet më parë në shkallën e lirisë së shtypit.

“Përkushtimi ynë, i tërë shoqërisë, është që të mbrohet dhe të forcohet edhe më tutje liria e të shprehurit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai përgëzoi mediat dhe shoqërinë civile edhe për debatin publik për ndryshimet fillestare të propozuara në kodin penal, që cenonin lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.

“Kjo edhe një herë dëshmoi fuqinë e mediave dhe të debatit të lirë”, theksoi presidenti Thaçi.

Në përputhje me kompetencat e tij, presidenti Thaçi tha se është përkushtuar që nga dita e parë që të mbrojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Ai tha se zhvillimi i teknologjisë informative ka krijuar mundësi që nuk i kemi pasur kurrë më parë për t’u shprehur dhe për të komunikuar.

“Sot është më lehtë se asnjëherë më parë që të shprehemi dhe të ndajmë mendimet tona. Por, kjo e ka bërë edhe më të lehtë se kurrë më parë që të abuzohet me lirinë e të shprehurit. Kjo është sfidë jo vetëm për shoqërinë kosovare, por për tërë botën. E tërë bota po përballet me fenomenin e lajmeve të rrejshme, por edhe me përpjekjet e regjimeve jodemokratike që nëpërmjet luftës hibride të abuzojnë me lirinë e shprehjes dhe të cenojnë rendin e vlerave dhe parimeve që ndërtojnë shoqëritë liberal-demokratike”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi theksoi se sfidë sot nuk është vetëm ruajtja e lirisë së shprehjes nga përpjekjet për të kufizuar atë, por edhe mbrojtja e saj nga përpjekjet për të abuzuar me të./ Periskopi

Greg Delawie

Delawie: SHBA-ja, kundër bisedave të pakujdesshme për bashkim

Periskopi.com Lajme

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i ka cilësuar deklaratat për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, si të “pakujdesshme”.

“Qeveria amerikane e mbështet sovranitetin edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë. Ne jemi kundër bisedave të pakujdesshme për bashkim dhe të reagimeve të tepruara ndaj deklaratave të tilla, të cilat minojnë qëndrueshmërinë në rajon”, tha Delawie në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Reagimi u bë pas një interviste të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për portalin Politico, në të cilën tha se rruga e hapur drejt integrimeve evropiane dhe perspektiva e qartë janë mënyra e vetme që Ballkani të jetë i qetë “por nëse kjo shpresë, perspektivë, mungon atëherë unionet e vogla mund të ndodhin”.

Pas kësaj Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, “atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”.

Kryeminstri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje, siç i ka cilësuar, përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, që të mos dalin në opinion me deklarata për nevojën që të gjithë shqiptarët e rajonit të krijojnë shtetin e përbashkët, nëse ndalet procesi i integrimeve evropiane, ka transemtuar Beta.

“Ne i lusim, po e përsëris, i lusim që me deklarata të tilla të mos dalin në publik, sepse ato nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të mira në rajon dhe as krijimit të atmosferës së bashkëpunimit dhe punës së përbashkët në projekte të rëndësishme”, tha Vuçiq në konferencën për gazetarë në Qeverinë e Serbisë.

Ndërkohë, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Maja Kocijançiq, i tha Radios Evropa e Lirë se “Ballkani Perëndimor ka një perspekitvë të qartë dhe për këtë punohet së bashku me partnerët në rajon, mbi parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal”. (REL)

Limaj as nuk pranon të flet më për Hashim Thaçin, ka një arsye

Periskopi.com Lajme

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për bashkim të shqiptarëve në rast se BE vazhdon për të mos pranuar Kosovën, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj i ka quajtur shaka.

“S’merrem me deklaratat hajgare të Thaçit, sepse ai brenda dite 10 herë i ndërron deklaratat”, ka thënë  Limaj në Televizionin Rrokum.

Limaj ka thanë se BE nuk i merr seriozisht deklaratat e Thaçit, sepse nuk ka seriozitet në atë çka thotë.

“Ato deklarata janë mashtrim për qytetarët, si me rastin e ushtrisë”, ka thënë Limaj.

Sipas Limajt, deklaratat dhe marrëveshjet e Thaçit i kanë dërgu vetëm dëme Kosovës.

 

 

 

 

 

Thaçi sikur Edi Rama ‘kërcënon’ BE-në: Nëse na e mbyllni derën, shqiptarët do të jetojmë në një hapësirë të vetme

Periskopi.com Lajme

Nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Reagimi i tij, pason deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.

“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi.

“Këtë vonesë, këtë ngurtësi, e këtë jovizion për Ballkanin Perëndimor, për fat të keq janë duke e shfrytëzuar ideologji dhe vende joevropiane dhe të frymës dhe vizionit jo euroatlantik”, ka theksuar ai.

“Natyrisht që qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Bashkimin Evropian, me ngurtësinë e tyre, me bllokadën e tyre dhe padrejtësinë dhe ndëshkimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha kriteret e nevojshme dhe të domosdoshme dhe krejtësisht me të padrejtë e ka vënë edhe çështjen e demarkacionit”, ka thënë tutje presidenti i Kosovës.

“Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi.

Ditë më herët, në një intervistë për “Politico”, Edi Rama ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së BE-së.

Ai në plan të parë e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ai ka paralajmëruar edhe mënyra tjera.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i kishte cilësuar si populiste deklaratat e homologut të tij nga Tirana, Edi Rama.

Në një intervistë për “KTV”, ai është shprehur se Kosova nuk synon bashkim tjetër veç BE-së.

“Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime tjera, përveç Bashkimit Evropian. Edhe nëse s’na pranojnë për dere, do të hyjmë për dritareje”, ka theksuar ai. (REL)

Limaj tregon se kush e prishi projektin për ushtrinë

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se ideja për mocion tashmë ka marrë formë konkrete si një angazhim i opozitës në Kosovë.

Kreu i Nisma për Kosovën Fatmir Limaj, në intervistën në RTK ka thënë se në dhjetor dhe janar ka pasur komunikime dhe ishin bërë plane që sivjet të kryhej çështja e ushtrisë. “Por z. Thaçi nga frika që po bëhemi të gjithë bashkë dul vet dhe e prishi krejt projektin. Ai dul vet dhe e pamë përfundimin e inisiativës”, ka thënë ai.

Limaj tha se ushtria ishte përgatitur të kryhej gjatë këtij viti dhe do të përmbyllet gjatë këtij viti. Ai ka thënë se asnjë komunitet në Kosovë nuk ka të drejtë dhe nuk mundet ta bllokojë krijimin e ushtrisë.

Komuniteti serb, sipas tij, e ka të drjetën e vetos dhe pa pëlqimin e tyre nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese në lidhje me të drejtat e tyre të rezervuara.

“Së pari duhet të shtjerren bisedat dhe nëse vijmë në një pikë ku serbët me direktiva të Beogradit nuk pranojnë dhe nuk kanë vullnet dhe tentojnë të bëhen bllokues atëherë është e drejta jonë me ecë dhe me ndryshu kushtetutën edhe pa pjesmarrjen e serbëve”, tha ai, duke shtuar se serbët nuk kanë instrumente bllokues për krijimin e ushtrisë.

“Projekti duhet të fillohet nga e para dhe Kosova jam i bindur se me qeverisjen e re do ta formojë për tre muaj ushtrinë”, tha ai.

Limaj tha se nuk ka asnjë dilemë që do të bëhet një freskim edhe pse ai thotë se as opozita nuk do të bëj mrekulli.

“Por, tani për tani ka vetëm një rrugë – zgjedhjet dhe fitorja e opozitës”, ka shtuar ai. Limaj ka thënë se Qeveria nuk ka asnjë rezultat.

Limaj tha se zgjedhjet e vitit 2010 janë fituar me premtimin e liberalizimit sikurse edhe zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2014 janë fituar me të njejtin premtim.

“Përgjegjësinë për mos liberalizimin e vizave janë këta njerëz. Prandaj duhet të shkojmë në zgjedhje. Sepse këta njerëz janë përgjegjës për gjitha këto”, tha ai.

Ai ka thënë se Kosova ka 90 deputetë dhe parlamenti është jo funksional.

I pyetur nga RTK se çfarë faji ka qeveria që parlamenti nuk është funksional ka thënë se Kryetari i Qeverisë është kryetar i një partie. Ajo që po them është se nuk ndodhë që një parlament me 90 vota dhe ministrat nuk janë kurrë në parlament.

“Është një sjellje poshtëruese dhe ofenduese ndaj parlamentit të Kosovës. Klima është mosbesuese mes vete dhe ta lë përshtypjen që në Kosovë janë 3 qeveri. Një që e drejton Kryeministri, një kryeparlamentari dhe një Lista Srpska”, ka thënë Limaj.

Limaj ka folur edhe për atë nëse ideja për mocionin e Qeverisë është frymëzuar nga PDK.

“Ideja është ekskluzivisht e jona dhe ka ardhur natyrshëm. Vetëm shikoni se çka po ndodh në Kosovë dhe e shihni nga ka buruar ideja”, ka thënë ai.

Sipas Limajt, zgjedhjet japin një mundësi për ta ndryshuar këtë qasje për të filluar një riatartim dhe marrje me problemet e mëdha.

“Kjo që po ndodhë sot nuk i jep vendit asnjë shancë sepse për tri vite po sillemi në kolaps”, thotë ai.

Duke folur për temat kryesore që janë hapur në mandatin e kësaj qeverie, Limaj ka thënë se edhe çështja e Asociacionit, Demarkacioni edhe Liberalizimi i vizave ishin hapur në mënyrë të gabuar.

“Ne vazhdon të na qeverisë një qeveri e cila ka shkelur 23 herë kushtetutën e Kosovës me një marrëveshje në Bruksel. Atëherë ka qenë dashtë të japë dorëheqje kjo qeveri”, ka thënë Limaj.

Por i pyetur se pse nuk kanë inicuar mocionin e mosbesimit në atë kohë, ai tha se kërkesa në atë kohë ka qenë objektivisht e pamundur me pasë sukses sepse opozita nuk ka pasur vota të mjaftueshme për ta proceduar në Kuvend. “Situata sot është pak më ndryshe”, ka thënë Limaj.

Ai thotë se ka pasur takime me kryetarin e VV-së Visar Ymerin dhe me drejtuesin e Alternativës, Ilir Deda si dhe me deputetë të partive minoritare jo serbe.

Takime në lidhje me mocionin për rrëzimin e qeverisë sipas Limajt, janë bërë edhe me deputetë individualisht.

“Edhe shefat e grupeve parlamentare të opozitës kanë pasur takime dhe janë në fazën e harmonizimit të tekstit që duhet të përcillet për mocion. Javët e ardhshme do të jenë jashtëzakonisht dinamike në konsolidimin dhe realizimin e kërkesës për mocion”, ka thënë kryetari i Nisma për Kosovën në intervistën në RTK.

“Ideja është përpunuar dhe tash dalngadalë gjitha grupet parlamentare opozitare janë duke punuar në përgatitjen formale të kërkesës e cila është kërkesë e grupeve opozitare për mocionin e opozitës së bashkuar”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se ideja për mocion ka gjetur mbështetje dhe tash është faza e dytë në formalizimin e kërkesës së përbashkët, e që sipas tij kjo kërkesë do të ecë drejt Parlamentit të Kosovës.

Po ashtu, Limaj tha se kjo është një praktikë parlamentare dhe për këtë mocion janë pjekur kushtet për shumë arsye, e mbi të gjitha për faktin se Kosova është në krizë të thellë politike.

“Kemi një Qeveri që nuk ka mundur të adresoj zgjidhjen e problemeve që e kanë sjellë vendin në krizë”, ka thënë kryetari i Nismës për Kosovën.

Njeriu më i afërt i Isa Mustafës godet Hashim Thaçin (Video)

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari I Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka përsëritur vendimin e kësaj partie se Ushtria duhet të formohet vetëm  përmes ndryshimeve Kushtetuese, dhe partneritetit me aleatët e vendit.

Në një intervistë për Tribuna Channel, Veliu e ka quajtur të ngutshëm vendimin e Presidentit Thaçi që ta shtyj përpara këtë proces pa ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Konjufca ka dy fjalë për Hashim Thaçin

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se projektligji për FSK-në nuk është dashur të tërhiqet. Ky subjekt politik opozitar konsideron se presidenti Thaçi qysh në fillim i ka hyrë kësaj ‘pune’ për lojëra të tij politike, por jo se e ka pas njëmend qëllimin për formimin e Ushtrisë.

Periskopi.com Lajme

Deputeti  i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë se deklarata ‘bombastike’ e Thaçit për kinse dorëheqje në rast se nuk shkon projektligji i FSK-së, është vetëm gënjeshtër e tij e radhës, raporton Kosova Post.

“Thaçi pati premtuar se nëse projektligji nuk shkon do të jep dorëheqje, por edhe nëse nuk jep dorëheqje, kjo nuk është hera e parë që Thaçi nuk e thotë të vërtetën. Nuk e ka thënë të vërtetën dhe ka “rrejt” se do të jep dorëheqje nëse nuk kalon projektligji për FSK-në”, ka thënë Konjufca.

Ai ka kujtuar  se iniciativën për formimin e ushtrisë e kanë vlerësuar të domosdoshme, por kanë pasur dyshime në qëllimet e presidentit Thaçi.

“Reagimi jonë në momentin që presidenti ka pas dal me iniciativën për ushtrinë kemi thënë se është iniciativë e mirë nëse presidenti nuk tërhiqet. E kemi ditur që ekziston rreziku që presidenti Thaçi mos ta ketë njëmend formimin e Ushtrisë, por vetëm për lojëra politike dhe kështu ka dal në fund faktikisht ai shqetësimi jonë që i patëm thënë presidentit se është iniciativë e mirë nëse nuk tërhiqet, por tani presidenti është tërhequr”, ka shtuar Konjufca.

Sipas tij projektligji nuk është dashur të tërhiqet, sepse siguria rajonale dhe siguria në Kosovë dhe në përgjithësi nuk do të rrezikohet nëse Kosova e krijon ushtrinë. Përkundrazi thotë Konjufca, ushtria e Kosovës  do të të ofronte siguri jo vetëm për shumicën.

“Përkundrazi ne do ta argumentonim se Ushtria e Kosovës nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të të gjithëve ku pakicat do të ndiheshin me të sigurt në një shtet i cili ka ushtri që mbron integritetin dhe sovranitetin e vendit ku ata jetojnë. Më e rëndësishme është krijimi i Ushtrisë se sa mënyra se si ajo do të bëhet. Bërja e ushtrisë nuk do të ishte vijë  e kuqe e cila do të na prishte marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar. Nuk duhet të mbesim peng i Listës serbe apo Beogradit për krijimin e Ushtrisë”, ka thënë mes tjerash Konjufca.

Gashi tallet me Hashim Thaçin

Analisti Astrit Gashi thotë se deklarata e presidentit Hashim Thaçi për të dhënë dorëheqje, nuk duhet trajtuar seriozisht.

Periskopi.com Lajme

Madje, Gashi shkon edhe më tej. Thotë se deklarata e e Thaçit vetëm mundet me u shënu në historikun e satirës.

“Deklarata e presidenti për dorëheqje nuk mundet me u trajtu si serioze, por vetëm në rrafshin e humorit. Pra ajo vetëm mundet me u shenu në historikun e satirës- dhe atë si më qesharakja. Refuzoj ta jepi mendim serioz për një gjë të tillë. Ju kisha orientu tek stafi i Pampress ose Kukunews, ata do të ishin më kreativ në këtë drejtim”, thotë Gashi për Periskopi.com

Kryeziu thotë se Qeveria nuk do ta procedojë Ligjin për ushtrinë në Kuvend

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu thotë se deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të dhënë dorëheqje nuk përbëjnë ndonjë risi.

Periskopi.com Lajme

Kryeziu thotë se Thaçi , më së keqi ka bërë, kur ka vepruar për rikthimin e çështjes së transformimit të FSK-së në ushtri pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë, raporton Periskopi

Madje, sipas tij, qeveria nuk do ta procedojë ligjin në Kuvend.

“Deklaratat e z. Thaçi dhe tërheqja e tij nga deklaratat nuk përbën ndonjë risi. Prandaj deklarata e tij është e parëndësishme përballë veprimeve jo-serioze për rikthimin e çështjes së transformimit të FSK-së në ushtri pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë , si veprim i njëanshëm i institucioneve të Kosovës”, thotë ai.

“Tani pas një pozicionimi dhe deklarimi të qartë të partnerëve ndërkombëtar e konkretisht pas deklaratës se z. Hoyt Brian Yeet për tërheqjen e ligjit nga ana e Institucioneve të Kosovës, besoj se qeveria nuk do ta procedojë ligjin në Kuvend. Ajo do të shfrytëzojë mbështetjen ndërkombëtare për të bashkërenduar veprimet në mënyrë që ky procesi i transformimit të jetë gjithëpërfshirës dhe të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese”, thotë Kryeziu. / Periskopi

Thaçi e cilëson si ndëretnik sulmin që në Istog s’dihet kush e kreu

Kreu i shtetit Hashim Thaçi, e ka dënuar sulmin ndaj lokacionit të përgatitur për kthimin e disa familjeve serbe në fshatin Dragolec të Istogut. Ka thënë se kjo e dëmton paqen, teksa ka shprehur bindjen se e ardhmja nuk mund të krijohet duke mbetur peng i të kaluarës.

Periskopi.com Lajme

Por ndonëse Policia e Kosovës zyrtarisht nuk e ka saktësuar nacionalitetin e keqbërësit, i pari i vendit nuk ka hezituar ta cilësoj si incident ndëretnik atë që ka ndodhur në këtë fshat të Istogut. Policia e Kosovës, madje thotë se dëmi i shkaktuar i takon pronarit të kompanisë që po kryen punët meqë ajo ende nuk ka dorëzuar çelësat te pronari i shtëpisë së re.

“Kthimi i familjeve të zhvendosura prej pronave të tyre është një proces i drejtë dhe çdo incident ndëretnik, sado i vogël të jetë, e dëmton paqen, stabilitetin dhe procesin e pajtimit në shoqërinë tonë shumetnike. Incidentet si ky i sotmi në fshatin Dragolec të Istogut, ku është sulmuar lokacioni i përgatitur për shtëpitë e të kthyerve, janë të dëmshme për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Thaçi ka thënë se është për mirëseardhje kthimi vullnetar dhe spontan i 13 familjeve në fshatin Lubozhdë dhe procesi duhet të përkrahet nga të gjithë, jo të pengohet.

“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim përkatësie etnike, ka të drejtë të kthehet dhe të jetojë në pronën e tij. I ftoj institucionet e vendit që të bëjnë më shumë për lehtësimin e kthimit të të zhvendosurve, si dhe për sigurinë dhe integrimin e tyre në shoqëri. Nuk mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë nëse mbesim peng të së kaluarës”, ka shtuar më tej Thaçi.

Më parë, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se ka ndodhur një rast i vënies së zjarrit në fshatin Dragolec të Istogut.

“Njoftoheni se sot më date 03.04.2017, rreth orës 08:10, Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është njoftuar për një rast të Zjarrëvënjes Në Fsh. Dragolevc K.K.Istog. Sipas ankuesit Kosovar/Shqiptar N.I.1967, pronar i kompanisë së ndërtimit të shtëpive, në fshatin e përmendur kishte vërejtur se persona të panjohur në kohë të pacaktuar gjatë natës kishin vënë zjarrin derës se hyrjes të një shtëpie të pa përfunduar si dhe të disa copave të materialit ndërtimor stiropor”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia njofton se shtëpia ishte në ndërtim e sipër për pjesëtarin e komunitetit serb por e njëjta ishte e papërfunduar dhe ende nuk i ishte dhëne ne pronësi-shfrytëzim pronarit.

“Dëmi i shkaktuar sipas vlerësimit të punë kryesit ishin të vogla. Nuk kishte të lënduar, Njësitet relevante të Policisë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura hetimore, është njoftuar prokurori i Shtetit, dëmi material i është shkaktuar kompanisë së ndërtimit e cila punët i kryen përmes IOM-it. Vlerësim i Prokurorit të shtetit është se viktimë e këtij rasti deri në momentin e dorëzimit të shtëpisë tek pronari i kësaj shtëpie dhe shtëpive të tjera në ndërtim i takon kompanisë së ndërtimit dhe përgjegjësitë i bartë kompania e ndërtimit të këtyre shtëpive, dëmi në këtë rast iu ka shkaktuar kompanisë”, thuhet më tej aty.

Portali Koha.net ka kontaktuar me zyrtarët për informim të Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, pas deklaratës së Thaçit në Facebook. Xhevat Ibraj ka thënë se për këtë rast nuk ka kurrfarë risie dhe se të gjitha detajet e njohura deri tani janë në komunikatën e lëshuar për media.

Thaçi në asnjë rast nuk do dorëhiqet, thotë analisti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka premtuar se do dorëhiqet nëse deputetët nuk e votojnë projektligjin për transformimin e FSK-së. Anaisti Imer Mushkilaj thotë se kurrë nuk do të ndodh dorëheqja e Thaçit. Jep shumë arsye për këtë që e thotë.

Periskopi.com Lajme

Thaçi ka premtuar, por ai nuk ka thënë se do të dorëheiqet nëse Qeveria nuk e dërgon në Kuvend. Por, Mushkolaj në asnjë rast nuk beson se Thaçi jep dorëheqje, raporton periskopi

Sipas tij, mund të ndodh që Qeveria ta dërgojë projektligjin në Kuvend, por të mos hidhet në votim. Ose, mund të ndodh që fare të mos e dërgojë në Kuvend, me arsyetimin se kështu i është rekomanduar nga SHBA.

“Por, kurrsesi nuk mund të ndodh që Thaçi të jep dorëheqje. Ai nuk e njeh institucionin e dorëheqjes, përndryshe duke pasur parasysh premtimet që i ka dhënë për një dekadë dhe mospërmbushjen e tyre, ai nuk do të ishte fare në pozitën ku është. Thaçi, thjesht, me premtimin e tij për dorëheqje ka bërë një lojë, në të cilën tash do të përfshihet kryeministri Mustafa, për ta shpëtuar nga situata:, thotë Mushkolaj për Periskopi.com

Thaçi ra në kurthin që ngriti për të tjerët

Periskopi.com Video