Të mbahesh me miellin e Serbisë: Kosova mbjell 20 mijë hektarë grurë më pak

Periskopi.com Lajme

Kosova që nga paslufta nuk ka arritur që të plotësojë nevojat e popullatës me grurë. Rrjedhimisht në vazhdimësi është importuar grurë dhe miell nga Serbia. Cilësia e këtij produkti është kontestuar vazhdimisht, ndërsa është raportuar se me mijëra tonelata grurë që janë importuar nga Serbia kanë qenë të dedikuar për kafshë.

Duke e marrë parasysh këtë situatë, në vend që të ketë rritje të sipërfaqeve të mbjella me grurë, këtë vit është mbjellë rreth 20 mijë hektarë grurë më pak.

Kjo shifër u bë e ditur në tryezën e përbashkët të Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).

Në këtë tryezë u tha se është koha kur duhet të fillohet me një kampanjë dhe të promovohen shembuj të cilët do të ndikonin në vetëdijesimin e qytetarëve për konsumimin e prodhimit vendas, ngase sipas tij gjatë vitit 2016 Kosova importoi para të gatshme afro 6 miliardë euro.

Nga analiza e Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës rezulton se bujqit, prodhues të grurit në Kosovë janë gjithmonë të ekspozuar konkurrencës së padrejtë të produkteve të grurit të cilët importohen në Kosovë.

Ndërkaq, fermerët po kërkojnë që të vendosen banderolat në miell sepse përmes tyre thonë se janë në gjendje ta dinë se sa importohet dhe sa prodhohet dhe në të njëjtën kohë kontrollohet cilësia.

Duke marrë parasysh se prodhimtaria e drithërave në përgjithësi është çështje mëse strategjike për Kosovën, sepse ofron sigurinë ushqimore për të gjithë qytetarët e Kosovës, në këtë tryezë është konkluduar se duhet kushtuar vëmendje të veçantë dhe duhet t’i ofrohet përkrahje e duhur në mënyrë që të mund të zhvillohet tutje.

Ja pse u mboll më pak grurë këtë vit

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës ka thënë për tesheshi.com se në këtë zvogëlim të sipërfaqeve të mbjella me grurë ka ndikuar konkurrenca jo-lojale e importimit të grurit nga Serbia, që për çdo vit mullinjtë kosovarë po furnizohen nga rezervat shtetërore të Serbisë mu në prag të fushatave të korrje-shirjeve tona.

“Ky grurë që po na vjen nga rezervat e Serbisë e humb vlerën ushqyese dhe ata fillimisht plasohet në treg të Serbisë për ushqim të kafshëve dhe kushton shumë lirë, në këtë mënyrë pronarët e mullinjve po e rrisin konkurrencën e prodhimit vendor ashtu që e kanë kushtëzuar grumbullimin e tepricave të fermerëve tanë me çmim shumë të ultë diku rreth 10-12 centë për 1 kilogramë, me ketë çmim prodhuesit e grurit nuk kanë mundur të mbulojnë më shumë se 60% koston e prodhimit”, thotë Tahiri.

Sindikalisti Tahiri thekson se subvencionet që po i jep Ministria e Bujqësisë nuk po kanë efektet e duhura, pasi që nuk po jepen në kohën e duhur dhe rrjedhimisht ato nuk po përdorën për të rritur rendimentin e grurit.

“Subvencionet që po i jep Ministria e Bujqësisë janë simbolike në krahasim me rajonin; edhe ato pak para që po jepen po keqpërdoren duke i dhënë një muaj pas korrjes se grurit dhe ketë mënyrë ato po shkojnë huq, sepse nuk po shfrytëzohen për investim të rritjes se rendimentit të grurit, ashtu që bujqit po mbesin me rendimente të ulëta, duke mos arritur të mbulojnë koston e prodhimit. Edhe plehrat, farërat dhe pesticidet që po importohen kanë vlera shumë të ulëta por me çmime të larta. Janë këto disa probleme kryesore që i kanë detyruar shumë fermerë të heqin dorë nga kultivimi i grurit”, theksoi Tahiri.

Kosova, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, çdo vit prodhon rreth 285 mijë ton grurë. Kjo përbën plotësimin e rreth 70 për qind të nevojave të Kosovës për grurë. Duke marrë parasysh faktin se prodhuesit e grurit në Kosovë nuk janë në pozitë të mirë në raport me prodhuesit e grurit në rajon, ndodh që ata nuk mund ta shesin grurin e tyre për shkak të konkurrencës jo të drejtë që vije nga importi i grurit dhe miellit.

Për tri vite u investuan 17 milionë euro për grurë

Sipas një hulumtimi të qendrës për gazetari hulumtuese Preportr, investimet që janë bërë në grurë nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Në periudhën 2013-2015 janë investuar në formë të subvencioneve 17 milionë euro grurë, por sipas hulumtimit në fjalë, kjo nuk ka ndikuar që të ketë rritje të prodhimit, as rritje të eksportit, ndërkaq importi ka shënuar rritje.

Sa i përket eksportit në vitin 2013 nuk ka pasur fare eksport të grurit. Në vitet vijuese, 2014 dhe 2015 ai ishte shumë i vogël përkundër rritjes në vitin 2015.  Më 2015 eksporti është rritur në 203 mijë kilogramë me vlerë prej  57 mijë e 855 euro.

Te importi gjendja qëndron ndryshe, në vitin 2013 u importuan 53.5 milionë  kg në vlerë prej  11.8 milionë euro. Më 2014, pati një rënie  për 13.8% . Më 2015 importi është rritur në  61.6 milionë kg, në vlerë prej 12.7 milionë euro.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015 sasia e grurit të importuar është rritur për 15%, ndërsa gjatë kësaj kohe shpenzimet për import të grurit janë rritur për 7.6%

Dallimi në mes importit dhe eksportit të këtij produkti për tri vite është mjaft i lartë. U eksportuan 252 mijë kg grurë në vlerë 67 mijë euro. Ndërsa importi ishte 161.3 milionë kg grurë në vlerë prej 34.8 milionë  euro.

Sipas të dhënave të ASK-së, nuk ka rritje as të prodhimit të grurit pavarësisht investimeve prej 17 milionë eurove në këtë periudhë kohore. Në vitin 2013 janë prodhuar 391,727 ton grurë, ndërsa në vitin 2014 ka pasur një rënie të vogël të prodhimit pasi  janë prodhuar 331, 296 ton grurë.

Përveç grurit, në Kosovë për t’i mbuluar nevojat e qytetarëve u importua një sasi e madhe e miellit i cili nga viti në vit vetëm se shënoi rritje. Më 2013 u importuan 45 milionë  kg  në vlerë prej 11.6 milionë euro. Më 2014 importi i këtij produkti u rrit për 8.8 milionë  kg. Në vitin 2015 importi u rrit edhe për 1.6 milionë  kg të tjerë.

Eksporti i miellit si edhe në produktet e tjera është mjaft i ulët. Mielli në vitin 2013 u eksportua në sasi prej 1.7 milionë  kg, në vlerë prej 474 mijë euro. Më 2014, eksporti ishte 966 mijë kg miell, në vlerë prej 247 mijë  euro. Në vitin 2015, eksporti ishte rreth 1 milion kg, në vlerë prej afër 270 mijë  euro.

Reklamë
Reklamë

Në Skenderaj më së shumti mbillet gruri dhe jonxha, në Podujevë misri

Rezultatet e Regjistrimit të Bujqësisë (RB) 2014 kanë treguar se pjesëmarrja e tokës së punueshme-arave, në gjithsej sipërfaqen e shfrytëzuar të tokës bujqësore është 43.6% (180 381 ha). Sipërfaqja mesatare e tokës së punueshme - arave për ekonomi bujqësore është 1.6 ha.

Periskopi.com Lajme

Drithërat zënë pjesën më të madhe të tokës së punueshme – arave, ku gjithsej janë 97 026 ekonomi bujqësore, me sipërfaqe të përgjithshme të kultivuar me drithëra 131 949. 39 ha. Madhësia mesatare e sipërfaqes me drithëra për ekonomi bujqësore është rreth 1.36 ha. Mbi 81.8% e ekonomive bujqësore, ose 79 396 sosh, kanë nën 2 ha sipërfaqe për ekonomi bujqësore të kultivuara me drithëra.

Kultura, që zë pjesën më të madhe të tokës së punueshme-arave është gruri (50.3%), i pasuar nga misri (19.4%).

Prodhuesit më të mëdhenj të grurit në nivel global në vitin 2013, sipas statistikave të FAOSTAT-it (2013) ishin: Kina, 115 milionë/t; India, 80 milionë/t; ShBA, 60 milionë/t; Rusia, 41 milionë/t; dhe Kanada, 23 milionë/t. Ndërsa, nga vendet e BE-së, sipas Eurostat-it (2013), prodhuesit më të mëdhenj ishin: Franca, me rreth 37 milionë/t; Gjermania, me rreth 25 milionë/t; dhe Bullgaria, me 5.4 milionë/t. Kurse, nga vendet e ish-Jugosllavisë, prinë Serbia me 563 403 ha, e pasuar nga Kroacia me 204 506 ha, të mbjellur me grurë.

Sipas Regjistrimit të Bujqësisë në Republikën e Kosovës, (RB) 2014, sipërfaqet e kultivuara me grurë, ishin 90 727.78 ha, ndërsa numri i ekonomive bujqësore, që kanë kultivuar grurë ishte 74 532 ekonomi bujqësore, ose rreth 1.22 ha për ekonomi bujqësore.

Komuna me pjesëmarrjen më të lartë në kultivimin e grurit për nga sipërfaqja e kultivuar me grurë është Skenderaj, me sipërfaqe 6 936.96 ha, ndërsa komuna e Podujevës ka numrin më të madh të ekonomive bujqësore, që merren me kultivimin e grurit.

Prodhuesit më të mëdhenj të misrit, sipas FAOSTAT (2013) janë: ShBA me mbi 350 milionë/t;

Kina me mbi 217 milionë/t; Brazili me rreth 80 milionë/t; dhe Argjentina me mbi 32 milionë/t. Ndërsa, në vendet e BE-së (Eurostat, 2013) prodhuesit më të mëdhenj janë: Franca me mbi 15 milionë/t; Spanja dhe Rumania me mbi 11 milionë/t; dhe Hungaria me rreth 7 milionë/t.

Sipërfaqet me misër, në nivel vendi sipas RB 2014 ishin 35 038.22 ha, ndërsa numri i ekonomive bujqësore, që merren me kultivimin e misrit është 64 979. Mesatarja e sipërfaqes së kultivuar me misër për ekonomi bujqësore është 0.54 ha. Vetëm 15% e sipërfaqes së kultivuar me misër i përket klasës me mbi 5 ha, kurse 66% e sipërfaqes së kultivuar me misër i përket klasës nën 2 ha.

Sa i përket komunave, Podujeva ka numrin më të madh të ekonomive bujqësore, që merren me kultivimin e misrit, me gjithsej 5 237, ndërsa komuna e Lipjanit ka sipërfaqen më të madhe të kultivuar me misër, 2 222.40 ha.

Sa u përket bishtajoreve kokërr, kultura më e kultivuar është fasulja. Sipërfaqet e përgjithshme me fasule kokërr janë 3 958.55 ha, ndërsa numri i ekonomive bujqësore, që kultivojnë fasule kokërr është 34 925.

Sipas komunave, Podujeva ka sipërfaqen (375.26 ha) më të madhe me fasule kokërr, krahasuar me komunat e tjera, në nivel vendi. Gjithashtu, kjo komunë ka edhe numrin më të madh të ekonomive bujqësore (3 951), që kultivojnë fasulen kokërr.

Sa u përket frytrrënjorëve, patatja është kultura kryesore frytrrënjoreve, që kultivohet në Kosovë. Sipas RB 2014, sipërfaqet e përgjithshme në nivel vendi me këtë kulturë janë 3 694.53 ha, të kultivuar nga 18 732 ekonomi bujqësore. Komuna, që ka sipërfaqen më të madhe të kultivuar me patate është komuna e Vushtrrisë, me sipërfaqe 1 327.84 ha.

Sa u përket bimëve foragjere, jonxha, tërfili, përzierja e barit, misri i gjelbër dhe kungulli foragjer janë kulturat më të kultivuara, si për nga sipërfaqja, ashtu edhe për nga numri i ekonomive bujqësore, që i kultivojnë këto kultura. Sipas Regjistrimit të Bujqësisë 2014, në Kosovë jonxha kultivohet në sipërfaqe prej rreth 15 010.77 ha, nga gjithsej 23 687 ekonomi bujqësore.

Komuna që dallohet për nga numri më i madh i ekonomive bujqësore dhe sipërfaqes me kultivim të jonxhës është Skenderaj me 2 419 ekonomi bujqësore dhe sipërfaqe 1 734.75 ha.

Sipas RB-së 2014, 34 827 ekonomi bujqësore merren me kultivimin e perimeve, në një sipërfaqe të përgjithshme prej 6 689.15 ha. Me perime është e mbjellë 3.7% e tokës së punueshme – arave (6 689 ha). Në mesin e perimeve, më shumë se 38% e tokës së mbjellë është me speca, kurse janë 30 533 ekonomi familjare, që e kultivojnë këtë kulturë në sipërfaqe të përgjithshme prej 2 553.01 ha.

Sipas komunave, dominimin si për nga numri i ekonomive bujqësore, që kanë kultivuar speca    (2 779 sosh), ashtu edhe për nga sipërfaqja kultivuese me këtë kulturë, 1 160.48 ha e ka komuna e Rahovecit./ Periskopi

 

 

 

 

 

Reklamë
Reklamë