delegacioni-i-kosoves-ne-bruksel-foto-zkm-e1480527799448

Heshtja e të gjithëve për vonesën e ‘hapjes’ së gjykatës në veri

As pala kosovare as Bashkimi Evropian nuk flasin për mosfillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Drejtësisë.

Periskopi.com Lajme

10 janari 2017 ishte paralajmëruar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri si datë për finalizimin e Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel.

Ndërkohë që ka kaluar më shumë se një javë nga kjo datë, për moszbatimin e Marrëveshjes nuk pranojnë të deklarohen as nënshkruesit e saj nga pala kosovare, as Bashkimi Evropian si ndërmjetësues.

Pas dy ditë bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, në fund të nëntorit të vitit 2016 ishte arritur marrëveshja për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi.

Referuar komunikatës së Zyrës së Kryeministrit pas dakordimit për zbatueshmëri, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kishte thënë se finalizimi i zbatimit të kësaj marrëveshje ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse e njëjta mundëson shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit në fushën e drejtësisë.

“Kjo Marrëveshje është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e saj sepse institucionet shtetërore të drejtësisë me 10 janar 2017 do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës”, citohej ministrja Tahiri.

Madje kryenegociatorja meritat për këtë ia kishte lënë dialogut të Brukselit.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, që po ndodh pas shumë vitesh dhe këtë e mundësoi dialogu i Brukselit, përkatësisht Marrëveshja e Brukselit për Drejtësi”.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje ministres Edita Tahiri rreth moszbatimit të Marrëveshjes, por ajo nuk ka pranuar të deklarohet rreth çështjes. Arsyetimi i këshilltarëve të saj është “për shkak të tensioneve të krijuara”.

“Përderisa janë këto tensione, ministrja nuk do të prononcohet rreth temave te dialogut. Në këtë situatë të provokimeve dhe tensioneve te krijuara nga Serbia, nuk është koha për të biseduar për dialogun. Kur të krijohen rrethana më të mira do t’ju përgjigjet”, ka thënë këshilltarja e saj, Ramize Sejdiu.

Me këtë Marrëveshje, e cila parasheh shuarjen e strukturave paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale, Serbia ishte obliguar që deri më 9 dhjetor 2016 të njoftojë BE-në me shkrim për shfuqizimin e kontratave të punës dhe ndaljen e pagesave për gjyqtarë e prokurorë serbë, të cilët parashihen të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Serbia obligohet që ta njoftojë me shkrim BE-në, më së voni deri më 9 dhjetor 2016, se ka realizuar këto obligime zbatuese. Integrimi i tyre në sistemin e Kosovës do të bëhet me 10 janar 2017”, thuhej po ashtu në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

KALLXO.com ka pritur qe dy ditë një përgjigje nga Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, rreth funksionalizimit të gjykatave në veri, por ajo nuk është përgjigjur ende.

E Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha për KALLXO.com se kjo marrëveshje për shkak të ndërrimit të rrethanave nuk fillon.

“Marrëveshja për Drejtësi për shkak të rrethanave të reja nuk fillon. Për detaje tjera drejtojuni ministres për Dialog, Edita Tahiri”, ka thënë ai.

Sipas Marrëveshjes për Drejtësi do të vendoset një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës.

Ligji për Gjykatat i Republikës së Kosovës Nr. 03/L-199, neni 2.7, përcakton se Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë themelohet për territorin e Komunës së Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë. Sipas këtij Ligji në Kosovë ekzistojnë gjithsej shtatë gjykata themelore.

Delegacioni i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje edhe Nehat Idrizin, Tonka Berishajn, u.d. kryetare e Gjykatës së Apelit, këshilltaren dhe koordinatoren e çështjes, Arjeta Rexhaj, Albert Avdiu, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe koordinator i grupit të punës për drejtësi dhe përfaqësuesi nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, Haxhi Bajraktari.

prokurori i shtetit

Prokuroria deklarohet për arrestimin e djalit të gjykatëses në Deçan (Video)

Prokuroria e Shtetit gjatë ditës së djeshme ka kuptuar për informacionet e publikuara në platformën KALLXO.com, se familjarë të përgjegjëses së Gjykatës në Deçan janë përfshirë në një kërkesë për ryshfet, me qëllim të përshpejtimit të një lënde në gjykatë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Periskopi.com Lajme

“Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve dhe kontakteve të marra me dëshmitarët e mundshëm të këtij rasti, është bërë e mundur që gjatë ditës së sotme, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës të arrestohet shtetasi F.T.

Gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore të prokurorisë dhe Policisë, e me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fillimisht është shoqëruar e më pas edhe është ndaluar edhe gjyqtarja mbikëqyrëse e Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, S. T. dhe Prokuroria në pajtim me dispozitat ligjore të KPP-së do të kërkojë nga gjykata kompetente zbatimin e masave adekuate ndaj të dyve për sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurë penale.

Prokuroria e Shtetit inkurajon qytetarët që në vazhdimësi të denoncojnë raste të korrupsionit e po ashtu shpreh gatishmërinë dhe vullnetin, që ashtu sikurse ka ndodhur disa herë deri më tani, që të bashkëpunojë me media dhe organizata të cilat kanë informacione për aktivitete kriminale në shoqërinë tonë duke siguruar zbatimin e barabartë të ligjit penal për të gjithë”, thuhet në njoftim.

Fatmir Limaj

Limajt i lexohet aktakuza për rastin Hoxha e Binishi, ai e quan të shpifur

Është mbajtur shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku Fatmir Limaj është paraqitur në cilësinë e të akuzuarit për krime lufte.

Periskopi.com Lajme

Prokurorja Drita Hajdari, ka lexuar aktakuzën kundër Limajt me anë të së cilës akuzohet se ka kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

Limaj akuzohet për krime lufte që lidhen me vrasjen e dy civilëve të ndodhur më 2 tetor të vitit 1998 në Komunën e Malishevës. Në aktakuzë mes tjerash thuhet se Limaj gjatë luftës në Kosovë si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si komandant ushtarak i Brigadës 121 ka shkelur rëndë nenin 3 që është i përbashkët për 4 konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949 në atë mënyrë që nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave për ta parandaluar apo ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishit nga fshati Banjë.

Sipas aktakuzës të lexuar nga prokurorja Hajdari, Limaj nuk u angazhua as për zbardhjen e këtyre dy vrasjeve.

“Në atë mënyrë që nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij, për të parandaluar apo për të ndaluar vrasjen e Ramiz Hoxhës, nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, të cilët me arsyetim se janë bashkëpunëtorë të okupatorit, me datën 2 tetor 1998 janë marrë në fshatin Bellanicë, komuna e Malishevës, i cili fshat ishte në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 121. Dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari, në atë mënyrë që 4 pjesëtarë të UÇK-së, të maskuar dhe të armatosur deri tani të paidentifikuar, rreth orës 13:00 kanë ardhur në fshatin Bellanicë me veturën Golf (krem), pa targa, kanë hyr në shitoren Meti, ku ishte tani i ndjeri Selman Binishi. E kanë goditur me grusht në kokë, e kanë nxjerr nga shitorja dhe e kanë futur në bagazhin e veturës. Pastaj, kanë shkuar para xhamisë së fshatit dhe kanë kërkuar nga fshatarët, të cilët dolën nga xhamia, pas faljes së namazit që t’ua dorëzojnë imamin e xhamisë, Imer Hoxha. E duke menduar që vërtet do të shkojnë tek shtëpia e tij, në veturë kanë hyrë edhe Hajriz Hoxha. Personat e maskuar janë larguar në drejtim të daljes së fshatit, pasi që ndërkohë të cilët i treguan se personat e maskuar, i kanë detyruar që të zbresin nga vetura. Ata i takuan të pandehurit Fatmir Limaj dhe Skënder Hoti, që të dy të veshur me uniforma të UÇK-së. Të cilët ishin ndalur me veturë buzë rrugës”, tha Hajdari.

I akuzuari Fatmir Limaj tha se nuk ndihet fajtor për këtë akuzë ndërsa sipas tij kjo aktakuzë është tërësisht e shpifur, e motivuar, e stimuluar për qëllime, të cilat gjatë gjykimit do të dëshmohen.

Kryetari i Nismës shpreson se do të zbardhet mirë motivi i krejt kësaj maskarade që është bërë në këtë prokurori.

“Natyrisht, që nuk ka ndonjë arsye. Kjo aktakuzë tërësisht është e shpifur, e motivuar, e stimuluar… Shpresoj që të zbardhet mirë motivi i krejt kësaj maskarade që është bërë”, tha Limaj.

Nga ana tjetër avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj, kontestoi përgjegjësinë komanduese të Limajt në kohën kur kanë ndodhur këto vrasje në Malishevë.

“Aktakuza kundër Limajt nuk është e mbështetur në prova. Z. Limaj akuzohet për përgjegjësi komanduese, mirëpo në aktakuzë nuk janë dhënë arsye lidhur me asnjërën prej atyre karakteristikave, që e karakterizojnë përgjegjësinë komanduese siç është: kontrolli efektiv mbi një territor të caktuar, kontrolli efektiv mbi varësit e vet. Fakti që z. Limaj, nuk e ka ditë atë. Nuk ka qenë në përgjegjësi në asnjë mënyrë që z. Limaj të ndërmarrë masa për zbulimin eventual të kryesit, sepse kjo ka qenë përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm. Ka qenë një komunikatë që Shtabi i Përgjithshëm, e ka marr përgjegjësinë për vrasjen e atyre personave. Tani komunikata a është e vërtetë apo jo, është çështje e Prokurorisë. Sidoqoftë, vet fakti se ajo komunikatë ka dal në media, tregon se në atë kohë ka qenë kompetencë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Juridike apo Gjykatës Ushtarake, që të ndërmarrin masa për hetimin, zbulimin dhe gjykimin e personave të dyshuar… Unë besoj që aktakuzë do të hedhet poshtë, z.Limaj do të lirohet nga aktakuza sepse nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për këto vrasje të pretenduara”, tha avokati Rrecaj.

Aktakuza ndaj Fatmir Limajt është ngritur në tetor të vitit që shkoi nga Prokuroria Speciale. Përndryshe aktakuza ndaj Limajt për krime lufte u ngrit nga Prokuroria Speciale në tetor të 2016.

ramushaa

Policia teksa e dërgojnë Ramush Haradinajn në Gjykatë (Foto)

Është publikuar fotografia e momentit kur Ramush Haradinaj i shoqëruar nga policia franceze, është paraqitur në Gjykatën e Apelit të qytetit të Colmar në Francë.

Periskopi.com Lajme

Gjykata franceze pritet të marrë një vendim për Haradinajn, pas arrestimit të tij në Aeroportin e Bazelit, bazuar në një fletëarrest të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Beogradit.

Haradinaj është ballafaquar me një situatë të tillë gjatë vitit 2014 në Slloveni por ishte liruar./ Lajmi.net

ramushaa-650x358

93031603_036862447-1

Shefen e Fondit Monetar, gjykata e shpallë fajtore për neglizhencë

Një gjykatë franceze, e ka shpallur Christine Lafarde, shefen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, fajtore për neglizhencë, mirëpo nuk e ka dënuar, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Periskopi.com Lajme

Si ministre e financave në vitin 2008, ajo kishte aprovuar një shpërblim prej 404 milionë eurosh, për biznesmenin Bernard Tapie, për shitjen e kontestuar të një kompanie.

Lagarde e cila gjithmonë e ka mohuar se ka bërë gabim, nuk ishte prezente gjatë gjykimit dhe është larguar nga Franca për në Uashington.

Bordi i FMN-së pritet që së shpejti të takohet për t’i diskutuar zhvillimet e fundit.

Të Premten Lagarde ka thënë në gjykatë, se ajo kishte vepruar gjithmonë në mirëbesim.

 

gjykata-850x566-780x439

Gjykatat kanë 388 lëndë të korrupsionit, përfshihen edhe personat e nivelit të lartë

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka organizuar tryezë diskutimi për “Mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit” ku ka prezantuar edhe raportin e monitorimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, i cili i referohet periudhës tre mujore korrik, gusht, shtator 2016.

Periskopi.com Lajme

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se në kuadër të javës kundër korrupsionit KDI sot do të flas për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”, ku do të prezantohet edhe raporti “Trendët e trajtimit të rasteve të korrupsionit”.

Zëvendësambasadorja e Ambasadës amerikane në Prishtinë, Colleen Hyland ka thënë se anketat tregojnë se qytetarët nuk besojnë në drejtësi.

“Ende ka të dhëna se akuzat për korrupsion nuk përfundojnë kurrë dhe rastet zgjasin shumë. Asnjë nga rastet e raportuara për korrupsion nuk mund të ketë sukses pa sistem të funksionalizuar të drejtësisë”, tha Hyland, transmeton arbresh.info.

Nehat Idrizi kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka thënë se ngritja e kapaciteteve gjyqësore është prioriteti kryesor i tyre.

“Prioriteti i parë është rritja e besimit në publik që është në shkallë shumë të ulët. Korrupsioni është një fenomen shumë i dëmshëm i cili është i pranishëm edhe tek ne. Edhe pse prioritet për institucionet e drejtësisë, korrupsioni nuk mund të luftohet lehtë”, tha ai.

Sipas tij Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë hartimin dhe planin e veprimit për lëndë kundër korrupsionit.

“Me anë të këtij plani KGJK ka marrë obligime që në bashkëpunim me gjykata të paraqiten dobësitë e tanishme me rastin e pranimit të lëndëve të korrupsionit, identifikimin dhe ndarjen e tyre, dhe afatet kohore për këto lëndë. Tani kemi një pasqyrë për këto lëndë dhe e dimë se kush është përgjegjës për secilën”, tha ai duke shtuar se kanë filluar të dihen objektivat kryesore për këto lëndë.

“Për secilën lëndë janë duke ardhur rezultatet për përfundimin e tyre pasi që kemi rritur kapacitetet e gjyqtarëve sidomos në Gjykatën Themelore  të Prishtinës pasi që është më e madhja, e poashtu kemi rritur edhe kapacitetet në departamentin e krimeve të rënda”, tha ai.

Idrizi përmendi edhe performancën e gjyqtarëve ku tha se në bazë të performancës zyrtare ata do të mund të largohen nëse e kanë të ulët këtë përformancë.

“Kemi 388 lëndë të natyrës korruptive ku disa janë procedura e disa janë kryer. Këtu janë të përfshirë edhe persona të nivelit të lartë dhe shpresoj të kryhen sa më shpejt e të mos bëhet parashkrimi i tyre”, theksoi ai, transmeton arbresh.info.

Reshat Millaku, Kryeprokuror i PSRK-së ka thënë se pasi që ishte përcaktuar nga kryeprokurori i shtetit si koordinator për të gjetur këto raste për shkak të Liberalizimit të vizave kishte shënjestruar 33 raste të korrupsionit ku sipas tij prej tyre janë ngritur 23 aktakuza për krime të autorizuara si dhe për keqpërdorim të detyrës.

“Prioritet ka qenë hetimi i personave të nivelit të lartë dhe këtu ka pasur kësi lloj persona duke filluar nga kryetarët e komunave, ministrat, zv.ministrat. Të gjithë flasin për korrupsion por kur pyeten për rastet nuk di askush. Po hedhet faji gjithmonë tek prokuroria duke thënë se është e kapur nga shteti por në çdo rast që e kemi evidentuar jemi duke e trajtuar. Kemi pak prokurorë e shumë raste andaj po punojmë aq sa kemi kapacitet”, tha ai./arbresh.info.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë prezantimin e raportit  tre mujor “Trendet e Trajtimit Të Rasteve Të Korrupsionit”.

“Karakteristikë është se kemi më shumë raste të aktakuzave sesa raste të lëndëve të mbyllura ku kemi 58% ngritje te aktakuzave. Për korrupsion të nivelit të lartë janë 11 raste me 64 persona të akuzuar. Ajo që bënë shqetësim dëmtimi i buxhetit nga veprat penale ku është dëmtuar me rreth 2 milion  euro”, tha ai.

Sami Lushtaku

Ekskluzive: Deklaratat që çuan në burg grupin ‘Drenica 1’

Në 57 faqe aktgjykim, Gjykata e Apelit ka arsyetuar mënyrën se si ka arritur të provojë se Sami Lushtaku nuk ka kryer vrasje siç pretendonte Dëshmitari D, e po ashtu të vërtetoj përgjegjësinë e tij komanduese, duke e dënuar me 7 vjet burgim.

Periskopi.com Lajme

KALLXO.com ka siguruar një kopje të vendimit të Gjykatës ku përshkruhet në detaje mënyra se si Gjykata e vlerësoi çështjen “Drenica 1”.

Siç shkruhet në aktgjykim, në shkallën e parë Lushtaku ishte dënuar për vrasjen e një personi, i cili nuk ishte identifikuar. Mbrojtja e Lushtakut kishte kundërshtuar këtë dënim duke pretenduar se nuk mund të dënohet dikush nëse nuk dihet viktima.

Apeli ka konstatuar se një person mund të dënohet nëse nuk është gjetur viktima dhe nuk është identifikuar mirëpo dëshmia e Dëshmitarit D nuk e ka bindur Apelin që ta bëjë fajtor Sami Lushtakun për vrasjen.

“Kur e lexojmë me vëmendje del se deklarata e tij është e mjegulluar dhe e paqartë”, shkruhet në vendimin e Apelit.

Ndër çështjet disktuabile të deklaratës së këtij dëshmitari Gjykata ka konstatuar se ai nuk kishte arritur ta përshkruante saktë viktimën të cilin e kishte përshkruar si person me gjatësi nga 1,6m deri në 1,8m, gjë që sipas Gjykatës është dallim i madh.

Gjykata ka vërejtur mospërputhje në deklaratat e këtij dëshmitari rreth vendit të krimit e po ashtu pjesëmarrjes së tij aktive në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Por, trupi gjykues i Gjykatës së Apelit e kishte vlerësuar si të besueshme dëshminë e Dëshmitarit A, i cili nga mbrojtja është përshkruar si person me të meta mendore.

“Edhe pse Dëshmitari A ishte marrë në pyetje radhazi dhe hollësisht në Gjykatë asnjë simptomë e sëmundjes mentale nuk është vërejtur”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Dëshmia e këtij dëshmitari dhe të tjerëve është përdorur për të sqaruar rolin e grupit dhe fajësinë e tyre për veprat për të cilat ata u dënuan.

Në muajin maj të vitit 2015 Gjykata Themelore e Mitrovicës kur vendosi për lëndën penale të grupit “Drenica 1” kishte dënuar Sylejman Selimin me 6 vjet burgim dhe Sami Lushtakun me 12 vjet.

Kjo gjykatë nga akuza atë kohë i kishte liruar 5 persona të tjerë të akuzuar: Sabit Gecin, Jahir Demakun, Ismet Haxhën, Sahit Jasharin dhe Avni Zabelin.

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ishte gjetur fajtor se gjatë vitit 1998 me dashje kishte kryer dhunë, trajtim mizor dhe torturë kundër Dëshmitarit A, një civil shqiptar i paraburgosur në qendrën e paraburgimit në fshatin Likoc të Skenderajt.

Gjykata Themelore në Mitrovicë Sami Lushtakun e gjeti fajtor për vrasjen e një personi të paidentifikuar në mes të fshatrave Dubovc e Galicë të Vushtrrisë.

Ndërsa te grupi “Drenica 2”, Gjykata i kishte gjetur fajtorë 10 të akuzuarit.

Sylejman Selimi u dënua me 8 vjet burgim.

Nga gjykata u dënuan edhe nëntë personat e tjerë të “Grupit Drenica 2” që akuzoheshin bashkë me Sylejman Selimin. Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg, ndërsa me 3 vjet burg u dënua kryetari i Drenasit Nexhat Demaku. Dënimin prej 3 vjetësh Gjykata ua shqiptoi edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit, një kopje të të cilit e ka siguruar KALLXO.com, ndryshime në dënime kanë pësuar vetëm 3 nga 12 burra të Drenicës që u dënuan në shkallën e parë.

Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjeneral Sylejman Selimit, dënimi i është përcaktuar në 5 vjet e 3 muaj burgim, ashtu që duke pasur parasysh edhe rastin “Drenica 2” i është bashkuar dënimi dhe i është shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Edhe për kryetarin aktual të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka pasur ndryshim të dënimit. Ai është liruar nga vepra penale për vrasje. Atij i është shqiptuar dënim për krime lufte kundër popullatës civile që ndërlidhet me përgjegjësinë komanduese me burgim prej 7 vjetësh.

Edhe Jahir Demakut i është bashkuar dënimi në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2” dhe i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej 7 vjetësh.

Pjesa tjetër e aktgjykimit është konfirmuar siç ka qenë aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

I akuzuari për shpërdorim detyre Astrit Haraqija nuk paraqitet në Gjykatë

I akuzuari për shpërdorim detyre Astrit Haraqija mungoi në gjykimin e ish-ministrave dhe producentëve filmikë.

Periskopi.com Lajme

Astrit Haraqija dhe as avokati i tij Teki Bokshi nuk u paraqitën sot në gjykatë, në gjykimin ku Haraqija bashkë me ish-ministrin tjetër të Kulturës Valton Beqiri, akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa producentët filmikë Armond Morina e Nehat Fejza ngarkohen për mashtrim në detyrë.

Për Haraqinë gjykata mori vendim që në seancën e radhës të sillet me detyrim në gjykatë.

Në seancën e sotme mungoi edhe producenti filmik Nehat Fejza që nëpërmjet avokatit të tij Osman Havolli e kishte njoftuar gjykatën se ndodhej jashtë vendit.

Për mungesë të Haraqisë e Fejzës seanca e sotme ndaj ish-ministrave dhe producentëve u shty, duke u caktuar më 13 dhjetor.

Aktakuza ndaj këtyre katër personave lidhet me mbështetjen që si ministra kulture Haraqija e Beqiri  u bënë filmave “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës” të producentëve filmikë Armond Morina e Nehat Fejza.

Ish-ministrat e Kulturës Astrit Haraqija e Valton Beqiri në dhjetor të vitit të kaluar u dënuan me nga 10 muaj burg me kusht, producenti filmik Armond Morina me 6 muaj burg efektiv, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza u shpall i pafajshëm.

Por Gjykata e Apelit në qershor të këtij viti vendosi që rastin e ish-ministrave dhe producentëve ta kthejë në rigjykim, pasi sipas saj themelorja në Prishtinë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare me të cilat shpalli vendimin e vitit të kaluar.

Në këtë gjykim dëshmuan mes tjerësh edhe ish-kryeministrat Agim Çeku e Bajram Kosumi që kryen këtë detyrë në kohën kur Ministria e Kulturës ndau mjete për filmat “Mysafir në Sofër” dhe “ndjekja e Larës”.

Fatmir Limaj

Paralajmëron Limaj: Në Gjykatë do tregoj emrat e atyre që mi montuan akuzat

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, po flet tash në emisionin “Personale” të TV Dukagjinit.

Periskopi.com Lajme

Në këtë intervistë ai ka thënë se shumë shpejt në gjykatë do të publikojë emrat e njerëzve me ndikim në politikë që montuan akuzat kundër tij.

Si asnjëherë më parë, Limaj në këtë intervistë ka përmendur me emër njerëzit që ai mendon se qëndrojnë prapa akuzave kundër tij, akuza që thotë se do të dëshmohen se janë të montuara.

Limaj ka treguar rrëfime ekskluzive edhe nga lufta dhe paslufta në Kosovë.

Mazllum Baraliu

Mazllum Baraliu shpallet i pafajshëm

Ish-zyrtarët e Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu e Adem Sallauka janë shpallur të pafajshëm, ndërsa Halim Haziraj është dënuar me kusht.

Periskopi.com Lajme

Ish-rektori i Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu dhe sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni Adem Sallauka janë liruar nga akuza për shpërdorim detyre.

Gjykata Themelore në Prizren dënoi me 1 vit burg me kusht, të akuzuarin e tretë të këtij procesi, zyrtarin për Buxhet e Financa të UPZ-së Halim Hazirajn.

“Të akuzuarit Mazllum Baraliu dhe Adem Sallauka lirohen nga akuza për shkak se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. I akuzuari Halim Haziraj shpallet fajtor për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Të njëjtit i shqiptohet dënimi me kusht në kohëzgjatje prej një viti i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen brenda dy vjetëve ndonjë vepër tjetër penale,” tha kryetari i trupit gjykues Skender Çoçaj.

Hazirajt gjykata ia ndaloi për dy vjet ushtrimin e funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

I akuzuari Halim Haziraj pas shpalljes së aktgjykimit paralajmëroi se do të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Dënimin e vlerësoj të padrejtë, unë jam në këtë procedurë zyrtari i vetëm që kam qenë i akuzuar, të  dy të bashkakuzuarit kanë qenë eprorë të mi dhe është absurde të pretendosh se është larguar nga puna një ish prorektor, një ish ushtrues i detyrës së rektorit, një ish profesor i asocuar pa dijen dhe pa lejen e tyre dhe me fajin tim. Natyrisht që do të bëj ankesë,” tha Haziraj.

Sipas aktakuzës, Baraliu, Sallauka e Haziraj prej muajit tetor 2011 deri në tetor 2013 duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe autorizimet e tyre nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare  duke i shkaktuar dëm profesorit të Universitetit Enver Sopjani, të cilit ia kishin shkëputur marrëdhënien e punës.

Përkundër se i dëmtuari kishte kontratë pune si profesor të lëshuar nga Universiteti i Prizrenit, prej datës 10.06.2011 deri me 09.06.2014, të akuzuarit pasi ia kishin ndërprerë kontratën nuk e kishin zbatuar vendimin e Ministrisë së Arsimit i cili është definitiv në procedurë administrative.

SHyqri Haxha

Shyqyri Haxha shpallet i pafajshëm

Ish kryeshefi i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, është liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Periskopi.com Uncategorized

Ai u shpall i pafajshëm sot nga trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në seancën e fundit, prokurorja Fikrije Fejzullahu kishte kërkuar dënimin e haxhës ndërsa avokati i tij dhe vetë Shyqyri Haxha kanë kërkuar pafajësinë.

Haxha akuzohej se brenda periudhës 2009- 2011 ka keqpërdorur pozitën ngase ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën e qirasë dhe ngarkesave tjera në vlerë prej 2.000 eurosh për çdo muaj, e cila shumë arrin në gjithsej 53.000 euro.

Prokuroria pretendonte se 28 mijë euro nga kjo shumë Haxha i kishte tërhequr në para të gatshme, ndërsa pjesën tjetër prej 25 mijë eurove me anë të xhirollogarisë bankare./ Kallxo

incest ne France

Gjykata lejon lidhjen seksuale të 16-vjeçares me xhaxhain

Një gjimnaziste kishte filluar një lidhje seksuale me xhaxhain e saj kur kishte vetëm 14 vjet.

Periskopi.com Lajme

Ata kishin ikur së bashku në jug të Francës, shkruan arbresh

Pasi policia ishte vënë në kërkim të saj, ata u kthyen në Gjermani, por vajza refuzonte të ndahej.

Prindërit e dërguan në psikiatri me shpresën se ajo do të ndërronte mendje.

Ajo kishte bërë kërkesë për të pasur një lidhje sipas zgjedhjes së saj.

Tashmë gjykata ka marrë vendim dhe është në favor të çiftit.

Sipas gjykatës së Brandenburgut: “Ndalimi i dashurisë ishte një kërcënim për mirëqenien e fëmijës”.

Al Petrol

13 pika të karburanteve në dry, AKP e “AL Petrol” përballen në gjykatë

Qe një kohë 13 pika të derivateve të naftës, asete shoqërore kanë mbetur të mbyllura në dry dhe nga mos operimi i tyre, AKP-ja po humb mijëra euro. Këto asete i ishin dhënë kompanisë “AL-Petrol” me qira, por pas një mosmarrëveshje me AKP-në kjo kompani kishte hequr dorë nga to.

Periskopi.com Lajme

Agjencia këmbëngul se “AL Petrol” i mbeti borxh për qiranë, ndërsa ish qiraxhiu e ka paditur agjencinë në gjykatë nën pretendimin se ia pagoi AKP-së qiranë për pikat të cilat i shfrytëzoi.

Në fillim të këtij viti, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte arritur të fut nën kontroll asetete e veta të derivateve që kanë qenë të uzurpuara. Më pas njëzet e gjashtë pompa të derivateve ishin lëshuar me qira. Trembëdhjetë sosh i ka të lëshuara me qira.

Ndërkaq, sipas AKP-së, mospagesa e qirasë nga ana e kompanisë së derivateve të naftës, “AL Petrol”, ka rezultuar me mbylljen e trembëdhjetë pikave të karburanteve në gjithë Kosovën, raporton lajmi.net.

“AL Petrol ka hequr dorë nga të gjitha pikat e shitjes së derivateve, përkatësisht 13 pika që kishte shfrytëzuar me qira. AL Petrol ka bërë njoftim me shkrim se arsyeja e tërheqjes është mos vazhdimi i kontratës së qirasë, ndërkaq AKP nuk e ka vazhduar këtë kontratë pa u paguar qiratë e prapambetura mujore. AL Petroli i ka borxh AKP-së dhe AKP-ja do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për inkasimin e borxhit. Këto pika të karburanteve janë nën administrimin e Agjencisë dhe së shpejti do të dalin në tender publik për qiradhënie”, ka bërë të ditur për lajmi.net zyra për marrëdhënie me publik dhe media e AKP, duke shtuar se, AKP-ja aktualisht i ka dhënë në shfrytëzim me kontrata të qirasë trembëdhjetë pika të karburanteve tek shfrytëzuesit, përmes procesit të rregullt konkurrues.

“Pikat e karburanteve shfrytëzohen nga qiramarrësit në vijim: 1.IPKOS – Kontratë e vazhduar, 2. D Petrol – Kontrata nuk është vazhduar ende, 3. Ina Trgovina – Kontrata në proces të nënshkrimit, 4. Ilirian Power – Kontrata e vazhduar, 5 NTP Besarti – Kontrata nuk është vazhduar”.

Në AKP, nuk kanë treguar se sa është borxhi total i ish qiraxhiut.

Nga ana tjetër, Zyra për marrëdhënie me publikun e “AL Petrol”, thotë se AKP-ja u ka atyre mijëra euro borxh dhe se për këtë e kanë paditur në Gjykatë.

“Kontrata e AL Petrol me AKP ka përfunduar më herët dhe “AL Petrol” nuk i ka borxh AKP-së, por AKP-ja i ka borxh kompanisë AL Petrol në vlerë prej  420.000 euro për qiranë që e kemi paguar për pikat të cilat nuk i kemi shfrytëzuar. Kompania AL Petrol e ka paditur AKP-në për këtë dhe lënda është në Gjykate”, kanë thënë zyrtarët e “AL Petrol”.

Shumica e këtyre pikave të karburanteve kanë qenë të uzurpuara për disa vite nga biznesmeni, Bedri Selmani (Kosova Petrol).

UÇK

Kreu i OVL-ve të UÇK-së thotë se EULEX-i ka gjykata sikur të Serbisë

Kryetari i ri i Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Ngucati, ka thënë se me dënimin e grupit “Drenica II” dhe Gjykata Speciale, janë duke u munduar që t’i krahasojë çlirimtarët me kriminelët e Serbisë.

Periskopi.com Lajme

Ai ka thënë se në rrafshin e gjykimeve të padrejta, EULEX-i dhe Serbia janë të njëjta, transmeton Koha.net.

“Në gjykim janë të njëjta EULEX-i dhe Serbia. Kanë montuar raste. Ne kemi kërkuar që të hiqet EULEX-i nga Kosova, ne kemi gjykata dhe të mbetet në dorë të tyre”, ka thënë Ngucati, teksa ka shtuar se nuk ka pasur krime lufte nga UÇK-ja, e ata që duhet dënuar shëtitën në Veri të Mitrovicës dhe Graçanicë.

Kurse debati i sotëm, për Ngucatin është sa për sy e faqe. Ndërsa mundësia e protestave është duke u shqyrtua.

Ngucati ka pranuar se deri në vitin 2010 kam qenë aktiv në PDK, por më nuk është, duke siguruar se nuk do të ketë ndikime politike tek ai.

Nuhi Uka

Ish – gjyqtari Nuhi Uka ka një sqarim, kërkon t’i botohet patjetër

Ish- gjyqtari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka ka dhënë një sqarim për mediat, të cilat sipas tij, kanë dhënë informata të pasakta në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit, e cila e ka shpallur të pafajshëm për akuzat me të cilët ngarkohej.

Periskopi.com Lajme

Nuhi Uka me këtë rast jep këtë sqarim:

Në disa mediume është thënë se unë paskam shkaktuar dëm në vlerë prej 60 milionë Euro, si pasojë e kryerjes së veprës penale.

Lidhur me këtë, dua të sqaroj se Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur ndaj meje aktakuzën PPS.nr.253/09 të datës 19.07.2012, e ndryshuar me datë 22.01.2014, duke më akuzuar për kryerjen e veprës penale nxitja e një personi tjetër të nxjerrë vendime të kundërligjshme gjyqësore, nga neni 346 lidhur me nenin 24 të KP-së, me dyshimin se ua kam caktuar gjyqtarëve lëndët jashtë rendit.

Për këtë rast, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, P.nr.272/13 të dt.09.09.2014, unë jam shpallur fajtor për kryerjen e veprës së ricilësuar si nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore në bashkëkryerje, nga neni 346 lidhur me nenin 23 të KP-së, dhe jam dënuar me dënim burgim me kusht prej 2 vitesh, dënim i cili nuk do të ekzekutohej në qoftë se në periudhën prej dy vitesh nuk do të kryeja vepër tjetër penale.

Në arsyetimin e Aktgjykimit të cekur, në mes tjerash, theksohet se situata e krijuar nga Aktgjykimet e nxjerra nga ish-Gjyqtarët e Gjykatës Komunale në Prishtinë, nuk është definitive dhe veprimet e menjëhershme ligjore duhet të ndërmerren nga pala e dëmtuar.

Ndërsa, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, të gjitha rastet që ishin objekt i aktakuzës, me vendimet e datës 14.08.2008, ankesat e paraqitura nga pala e paditur, kundër aktgjykimeve të Gjykatës Komunale në Prishtinë, i ka pranuar si të afatshme, dhe lëndët gjenden në vendosje në këtë Dhomë, gjë që tregon se ende nuk ka vendim përfundimtar në mënyrë që të konkludohet për dëmin e supozuar prej 60 milionë eurove.

Me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, në Prishtinë, PAKR.nr.158/15 të datës 05.04.2016, është ndryshuar Aktgjykimi i Gjykatës së shkallës së parë, i cekur më lartë, dhe unë jam shpallur i pafajshëm.

Në arsyetimin e aktgjykimit, mes tjerash, thuhet se Gjykata ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të provuar që unë kam dhënë kontribut apo kam ushtruar ndikim në nxjerrjen e vendimeve te kundërligjshme nga ana e ish-gjyqtarëve të Gjykatës Komunale në Prishtinë.

Sipas këtij aktgjykimi, edhe nëse ka pasur parregullsi lidhur me ndarjen e lëndëve në punë për gjyqtarët, çfarë nuk është vërtetuar, kjo nuk nënkupton automatikisht përgjegjësi penale timen për veprimet e gjyqtarëve tjerë, të cilët për më tepër, janë të pavarur në vendimmarrjen e tyre.

Gjykata po ashtu konkludoi se unë nuk jam fajtor për Nxitje të personit tjetër të nxjerrë vendime të kundërligjshme gjyqësore dhe as për nxjerrje të vendimit të kundërligjshëm.

Me Aktakuzën e Prokurorisë Themelore të EULEX-it, në Prizren, PP.nr.376/12 të dt.14.01.2013, unë jam akuzuar për kryerjen e veprës penale, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, nga neni 422 par.1 dhe 6, lidhur me nenin 31 të KP-së, veprës penale Mashtrim në bashkëkryerje nga neni 261 par 2, lidhur me par. 1 lidhur me nenin 23 të KP-së dhe të veprës penale Krim i organizuar nga neni 273 par.1 dhe 2 të KP-së. Edhe kjo, për të njëjtën çështje, sikurse edhe në rastin e cekur më lartë, për dhënien e një lënde në punë një gjyqtareje të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prizren me dt.21.10.2016, shpalli aktgjykimin sipas së cilit unë jam shpallur i pafajshëm për veprat penale të lartpërmendura.

Në këtë çështje penale fjala ishte për nxjerrjen e një aktgjykimi në Gjykatën Komunale të Prishtinës, lidhur me njohjen e së drejtës së shfrytëzimit (e jo të pronësisë) të oborrit të shtëpisë në sipërfaqe prej 69 m2, e jo për “dallavere me prona” siç thuhet në disa mediume.

Gjykata në rastin e zbatimit të procedurës dhe nxjerrjes së Aktgjykimeve vepron duke zbatuar dispozitat ligjore dhe mbi bazën e provave, e jo mbi bazën e opinioneve dhe shkrimeve që në rastin konkret ishin të pavërteta dhe keqinformuese, e për më tepër kishin për qëllim dëmtimin e reputacionit tim.

Andaj, duke u bazuar në faktet e paraqitura në këtë sqarim, luten mediat që ta botojnë të njëjtin në mënyrë që opinioni të mos gjendet në lajthitje.

Fatmir Limaj dhe Adem Grabovci

‘Shefi i shefave’ në nëntor dëshmon për ish-shefin e tij

Adem Grabovci do të jetë dëshmitar në gjykimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve.

Periskopi.com Lajme

Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së dhe njëri nga njerëzit më të përfolur në Kosovë pas publikimit të aferës së përgjimeve në Insjaderi, do të jetë dëshmitar i prokurorisë në rastin ku Fatmir Limaj po akuzohet për krim të organizuar.

Dëshminë e Grabovcit gjatë muajit nëntor e përmendi prokurori i rastit Limaj, Charles Hardaëay kur u pyet nga kryetarja e trupit gjykues, Maria Tuma për dëshmitarët që do të ftojë.

Grabovci ishte zëvendësministër në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit në kohën kur kjo ministri udhëhiqej nga Fatmir Limaj.

Çështja e Grabovcit ishte diskutuar edhe më parë në këtë proces kur prokurori Hardaëay kishte kërkuar përjashtimin e avokatit të Nexhat Krasniqit, Florent Latifaj, pasi që ky avokat në një proces tjetër mbron Adem Grabovcin.

Kërkesa e prokurorit Hardaëay ishte refuzuar.

Para njoftimit të prokurorit Hardaëay për dëshmitarët e radhës në këtë proces, dëshminë e tij e përfundoi Bekim Shkodra, djali i të ndjerit Mehmet Shkodra që kishte denoncuar rastin në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Dëshmitari Shkodra dje gjatë marrjes në pyetje nga prokurori kishte deklaruar se ishte takuar me Limajn në korridorin e Ministrisë së atëhershme të Transportit, ndërsa pikërisht lidhur me këtë deklarim u koncentrua edhe marrja në pyetje e avokatit Kharim Kan.

I pyetur se a kishte njohur dëshmitari për Limajn para se ta takonte dhe se a ishte takimi i planifikuar, dëshmitari u përgjigj se në Prishtinë kishte shkuar për një çështje tjetër.

“Unë në Prishtinë kam shkuar për një kontroll shëndetësor të një të afërmi tim dhe babai im më ka kërkuar që pasi që jam në atë rrugë ta marr dosjen e tenderit”, tha Shkodra.

Shkodra, mohoi që takimi të ishte i planifikuar, apo që ndonjëherë para atij rasti ishte takuar me Limajn në katër sy.

Shkodra gjithashtu para trupit gjykues  mohoi të ketë komunikuar ndonjëherë me Limajn në telefon me SMS apo në çfarëdo mënyre qoftë.

I pyetur nga avokati Kan lidhur me një SMS ku thuhej “Do të shkoj të ministri për të parë se çfarë ka për të thënë”, a ka mundësi që referimi ndaj ministrit të ishte për Ministrinë e Shëndetësisë, Ministri kjo në të cilën dëshmitari kishte kërkuar disa herë asistencë për shërimin e të afërmit të tij, dëshmitari u përgjigj se ashtu duhet të jetë.

“Nuk po më kujtohet ky SMS, po me siguri ka qenë për çështjen e të afërmit tim dhe assesi për Limajn,” tha dëshmitari.

Në këtë gjykim bashkë me  Limajn akuzohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com raportoi dje për mbylljen e pjesshme të seancës ku dëshmoi Bekim Shkodra,  për shkak se dëshmitari nuk ndihej mirë para kamerave.

kardiologjia / ARKIV

Klinika plot pacientë, mjekët në gjykatë për rastin ‘Stenta’

Gazetari ka qëndruar në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK në kohën kur shumica e kardiologëve të kësaj klinike po gjykoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Periskopi.com Lajme

Derisa mjekët po gjykoheshin, pacientët po endeshin korridoreve të spitalit.

Një teknik bashkë me kolegun e tij futen në një dhomë pacientësh në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në atë kohë, shumica dërrmuese e mjekëve të Klinikës gjendeshin në gjykim, në procesin gjyqësor të njohur si rasti “Stentat”, ku po akuzohen 64 persona prej të cilëve shumica janë kardiologë.

Kur ekipi i gazetës “Zëri” ka pyetur teknikun e ri në moshë nëse mund të gjendej ndonjë kardiolog në repart, ai në buzagaz ka kthyer dorën kah gjoksi i tij.

“Sot unë jam çka të dush këtu…”, ka thënë ai në të qeshur, duke drejtuar ekipin e gazetës në drejtim të një dhome ku gjendej doktoresha Aurora Bakalli.

 

ATK - Sakip Imeri

Dënohet ATK-ja dhe drejtori i saj Sakip Imeri

Përveç se nuk po mund të arrijë parashikimet për mbledhje të taksave, Administrata Tatimore e Kosovës do të përballet edhe më një vendim të rëndë nga gjykata

Periskopi.com Lajme

 

Kjo administratë dhe drejtori i saj, Sakip Imeri, janë dënuar me 6 mijë euro nga Gjykata Themelore në Prizren, për shkak të mosrespektimit të vendimit të saj për kthim në vendin e punës së menaxherit të suspenduar të zyrës regjionale në Prizren, transmeton Koha.net.

Kjo gjykatë i ka dhënë afat vetëm 7 ditë në respektim të vendimit, ndryshe do të rrisë gjobën.

Arrestim / ARKIV

Emri Bushi mohon të ketë luftuar për ISIS-in (Video)

I akuzuari Emri Bushi mohoi të ketë qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist. Si dëshmi ai ka ofruar dy video-incizime, të cilat sipas tij dëshmojnë se ka luftuar përkrah Ushtrisë së Lirë Siriane. Edhe i akuzuari tjetër Fitim Dema mohoi të ketë luftuar për ndonjë organizatë terroriste.

Periskopi.com Lajme

Emri Bushi, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, gjatë marrjes së tij në pyetje tha se qëllimi i tij i shkuarjes në Siri ishte ta ndihmonte popullatën civile siriane, dhe se atje luftoi vetëm në radhët e Ushtrisë së Lirë Siriane.

Ky ish -ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Hani i Elezit akuzohet se me qëllim që t’i bashkëngjitej grupit terrorist ISIS, më 29 maj 2013 nga Aeroporti i Prishtinës ka udhëtuar për në Stamboll e pastaj nga aty për në Gazientep e pastaj në KIlis, qytete këto në Turqi, e pastaj nga aty ka hyrë në territorin e Sirisë.

Sipas Prokurorisë, Emri Bushi, i njohur me nofkën “Ebu-Amar”, fillimisht ishte stërvitur me armë të ndryshme e pastaj kishte marrë pjesë edhe në frontet e luftës deri më 6 gusht 2013 kur ishte kthyer në Kosovë.

Bushi në seancën e sotme kur u mor në pyetje nga avokatja e tij, Labinota Qosaj-Ilazi dhe prokurori Ali Rexha, mohoi të ketë qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë organizate terroriste.

Mbrojtja gjatë shqyrtimit gjyqësor Gjykatës i dorëzoi edhe një CD me materiale, të cilat sipas Bushit përmbajnë dy video-materiale.

“Njëra është një video e një iftari në qytetin Haritan, në afërsi të qytetit të Alepos, ndërsa pjesa tjetër është një aksion në Rashidin, në rrethinën e Alepos, nga Ushtria e Lirë Siriane”, tha i akuzuari.

Emri Bushi përmes profilit të tij i ka dërguar monitoruesit të KALLXO.com edhe linqet e videove në të cilat ai pretendon se shihet duke luftuar krah Ushtrisë së Lirë Siriane:

 

dhe tjetrin duke ngrënë iftar:

Po ashtu, Bushi mohoi se në kohën kur shkoi në Siri të ketë qenë i njoftuar për ndonjë ndalesë për t’u bashkuar në luftërat e huaja, ndërsa tha se madje e dinte se nuk kishte asnjë ndalesë të tillë.

Emri Bushi ishte i prerë duke thënë se asnjëherë nuk ishte pjesë e ndonjë organizate terroriste.

Dëshminë e tij në seancën e sotme e dha edhe i akuzuari tjetër, Fitim Dema nga Kaçaniku.

Ai tregoi se në Siri kishte shkuar me 70 euro në xhep dhe biletë njëdrejtimëshe por tha se Ushtria e Lirë Siriane do t’ia paguante biletën e kthimit.

Dema tregoi se në Siri kishte shkuar për arsye humanitare, për të ndihmuar civilët dhe sidomos fëmijët sirian.

“Fillimisht kam shkuar atje për të ndihmuar popullin e Sirisë, por kur shkova më doli tjetër gjë”, tha ai.

I akuzuari tregoi se ndonëse shkoi për të ndihmuar, përfundoi duke bërë ushtrime dhe pastaj edhe me armë në duar.

“Unë nuk kam dashur që të qëndroj më tutje, sepse filluan përçarjet mes grupeve dhe unë atje kisha shkuar për të ndihmuar popullsinë civile”, tha Dema.

Demaj tregoi se në Siri ka qëndruar afër një kampi ku ishte edhe një depo dhe shpërndanin ndihma humanitare.

Edhe Dema ishte kategorik se asnjëherë nuk kishte qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist, ndërsa tha se familja e tij sa herë komunikonte me ta i kërkonte të kthehej. Pas këtyre kërkesave ai edhe ishte kthyer në Kosovë më 7 shkurt 2014.

Seanca e radhës do të mbahet më 24 tetor.

Hidajet Bytyqi

Xhaxhai që rrahu të miturën në Rahovec e pranoi fajësinë, Gjykata lëshoi vendimin

E mitura Sh.B. nga fshati Denjë i Rahovecit është përballur edhe një herë me xhaxhin e saj i cili ushtroi dhunë fizike ndaj saj, para katër dite, në afërsi të shkollës “12 maji” në fshatin Ratkoc.

Periskopi.com Lajme

E mitura në Gjykatë ishte nën shoqërimin e prindërve, mbrojtësit të viktimave për regjionin e Gjakovës dhe punëtorit të qendrës për punë sociale.

E pyetur në prezencë të prindërve vetë e mitura nuk ka dashur të flas për televizionin, raporton Klan Kosova.  Njëjtë edhe prindërit e saj.

Derisa po analizohej çështja nga gjykatësi, ai që deshi të fliste ishte xhaxhai i saj, Hidajet Bytyqi, ai i cili e rrahu mbesën.

Ai tha se gjithmonë e ka dashtë shumë mbesën e tij, madje më së shumti nga gjithë fëmijët e vëllait. Beson se meqë e donte shumë edhe u hidhërua shumë me të.

Ai pranoi fajësinë në Gjykatë.

“Jetoj në Gjermani, i di Ligjet. Nuk duhet dhunë. Ka ndodh ajo që ka ndodh në afekt. E ndjejë vetën fajtor se nuk kam mundur të kontrolloj vetën në atë moment. Por, jam i gëzuar që nuk e kam lënduar dhe që prapë flasim dhe një familje”, tha ai.

Por, ai thotë se realiteti nuk është siç shihet në video.

“Vajza është rrëzuar nga frika, edhe pse duket sikur e kemi alivanosur ne. As lëndime nuk ka pas”, thotë Hidajet Bytyqi.

Pas një orë e gjysmë u bë publik vendimi i Gjykatës.

Me kërkesë të të miturës Gjykata ka lëshuar urdhër për mbrojtje ndaj saj.

Hidajet Bytyqi për një vit nuk ka të drejt të ushtrojë asnjë lloj dhune, fyejë, nënçmime, kërcënime fizike.

Nuk ka të drejtë ta ndalojë që të shkojë në shkollë dhe nuk i lejohet të cenojë lëvizjen e saj të lirë.

Gjykatësi që e pati rastin tha se vajza nuk e dha të njëjtën deklaratë si në Polici si në Gjykatë.

Tash e tutje Policia do të përcjell nëse vendimi i Gjykatës po zbatohet. e nëse ndonjë nga ndalesa shkelet ndaj Bytyqit fillon procedura e ndjekjes penale./ Periskopi