Pensionistët / ARKIV

Kosovarëve u hapet rruga për marrjen e pensionit nga Serbia

Tri vendime të Gjykatës së Strasburgut për pensionistë nga Kosova shihen si precedentë për të gjithë pensionistët e tjerë kosovarë që të realizojnë të drejtën e tyre e cila u është mohuar nga Serbia.

Periskopi.com Lajme

Pensionistëve të Kosovës u është trasuar rruga për marrjen e pensionit, e drejtë nga e cila janë privuar nga Serbia qe më shumë se 17 vjet.

Janë tri vendime të Gjykatës së Strasburgut për pensionistë nga Kosova, të cilat u mundësojnë të gjithë pensionistëve të tjerë të Kosovës të kërkojnë pensionin nga Serbia.

Fakti se vendimet e Gjykatës së Strasburgut janë parimore e bën të panevojshme nisjen e procedurës gjyqësore për secilin pensionist veç e veç.

Përkundër që këto vendime të Gjykatës së Strasburgut janë të vitit 2012, shumë pak pensionistë i kanë hyrë rrugëve ligjore për të kërkuar pensionin nga Serbia.

Ndërkohë që juristët janë unanimë për obligimin që ka Serbia për t’i paguar pensionet, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës shpresojnë që këtë çështje ta dialogojnë me Serbinë.

Avokati i popullit dhe juristët e shohin të panevojshme diskutimin në mes të dy qeverive, pasi vendimi i Gjykatës së Stasburgut e ka thënë fjalën e vet në të mirë të pensionistëve.

Pensionistët janë privuar nga pensioni i merituar pasi Serbia në vitin 1999 ishte larguar nga Kosova së bashku me mjetet e kursyera të pensionistëve.

Deri më tani qytetarët kosovarë të moshës së pensionit kanë marrë vetëm një asistencë sociale nga institucionet e Kosovës, e cila nuk ua ka mbuluar shpenzimet mujore. Ndërkohë, pensionistët serbë të Kosovës i pranonin pensionet nga Serbia, të cilat vinin përmes rrugëve të kundërligjshme.

Shaban Kelmendi nga Mitrovica është njëri nga ata mijëra pensionistë shqiptarë që kanë paguar me rregull kontributet pensionale para luftës.

Ka punuar në arsim nga viti 1951 për t’u pensionuar më 20 prill të vitit 1993. Për 6 vite e ka pranuar rregullisht pensionin e tij. Në muajin tetor të vitit 1999 atij i ishte ndërprerë pensioni nga Fondi Pensional.

“Pensioni më është ndërprerë në tetor 1999, kurse pagesa më është bërë në vitin 2000, në muajin shkurt. Prej atëherë më s’kam marrë pension fare”, tha Kelmendi.

Para se të niste lufta në Kosovë, Kelmendi ishte shpërngulur për të jetuar në qytetin e Novi Pazarit. Kjo ia kishte mundësuar atij që të kërkonte sqarime për ndaljen e pensionit në Fondin Republikan të Pensioneve në Serbi.

Fondi Republikan i Pensioneve nuk i kishte kthyer përgjigje, ndërsa Gjykata në Beograd nuk e kishte trajtuar ankesën e tij duke e drejtuar në Gjykatën e Novi Pazarit.

“Jam drejtuar në Gjykatën e Novi Pazarit, por ata njëherë më kanë refuzuar”, tha Kelmendi.

Pastaj, ai i është drejtuar Gjykatës Supreme në Beograd, por sërish lënda e tij nuk ishte shqyrtuar, duke e deleguar te vendbanimi i tij. Ankesa e dorëzuar në Gjykatën e Novi Pazarit kishte marrë përgjigje pozitive, duke vendosur në favor të tij.

Kelmendi thotë se edhe pse me aktgjykim të formës së prerë në favor të tij, atij vazhdonte të mos i paguhej pensioni.

Pasi që gjendja e tij nuk ndryshoi, më 11 qershor të vitit 2009, Shaban Kelmendi i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut.

Gjykata e Strasburgut, e njohur si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, është një institucion juridik ndërkombëtar, i cili garanton respektimin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Qytetarët nga Kosova nuk kanë të drejtë që të ankohen në këtë gjykatë pasi Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës. Mirëpo, për Kelmendin kjo nuk paraqiste problem. Ai e kishte fituar rastin në Strasburg dhe tash merr një pension prej 450 euro. Pensioni i tij është më shumë se dyfishi i pensionit kontributdhënës që marrin bashkëmoshatarët e tij në Kosovë. Ai e konsideron veten me fat.

Rrugën juridike për sigurimin e pensionit e kishte ndjekur edhe Mahmut dhe Lutvije Grudiqi nga Serbia.

Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, thotë se me rastin e gjykimit të çiftit Grudiq nga Mitrovica u është njohur e drejta edhe të gjithë paditësve potencialë për marrjen e mjeteve nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Sarah Crozier, zëdhënëse në UNMIK, thotë se pas vendimit të gjykatës në rastin Grudiq ka pasur rritje të kërkesave nga qytetarët e Kosovës për certifikimin e dokumenteve të tyre për të aplikuar në Fondin Republikan në Serbi për pensionet e tyre.

BIRN e ka pyetur Qeverinë e Serbisë për numrin e pensioneve të paguara në Kosovë si dhe për arsyet pse qytetareve joserbë nuk po u paguhen pensionet. Po ashtu janë pyetur edhe për pengesat në realizim të kësaj të drejte edhe përkundër faktit se këta pensionistë i kanë paguar kontributet e tyre në fondet e sigurimeve pensionale dhe invalidore të Serbisë së paraluftës. Qeveria e Serbisë nuk ka kthyer përgjigje.

Bahri Xhaferi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se nuk dihet sa është shuma e fondit. Sipas tij nuk ekziston një vlerë e caktuar e fondit që është marrë nga Serbia.

Por, Avokati i Popullit Hilmi Jashari thotë se e di se sa është shuma e parave që janë në këtë fond.

“Është mbi 1 miliard euro. Faktikisht kalkulohet të jetë diku 1.8 miliard euro në bazën e numrit të regjistruar të pensionistëve dhe është raport që është kërku dhe Serbia e ka dërgu nja raport të tillë”, tha Jashari.

Por, në Ministrinë e Dialogut thonë se këto zyra duhet të mbyllen.

“Këto zyra janë struktura paralele që kemi kërkuar që të shuhen në gjithë Kosovën. Është kusht që nuk mund të jetësohet Asociacioni i Komunave Serbe pa u shuar të gjitha strukturat paralele në Kosovë. Ne kemi pasur shuarjen e shumë strukturave paralele por ka të tilla që kanë mbetur. Po e ripërsëris çështja e fondit është çështje që duhet të trajtohet në cilësinë e dialogut”, thotë Dren Zeka, këshilltar i ministres së Dialogut.

Zyra e Edita Tahirit, ministres për Dialog, ka kërkuar në vitin 2011 që në tryezën e negociatave në Bruksel mes Kosovës e Serbisë të ngritet edhe kjo temë. Një gjë e tillë ishte refuzuar nga ndërmjetësi Robert Kooper.

Qeveria e Kosovës e kishte përfshirë këtë temë në listën e temave të mundshme të dialogut edhe në vitin 2014. Ata ende janë në pritje të një përgjigje pozitive.

“Posa të marrim një konfirmim nga ana e BE-së që kjo çështje do të shtrohet në dialog, do të përgatitemi me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale po ashtu do të konsultojmë ekspertë të brendshëm dhe ndërkombëtarë dhe do të hartojmë dokumente në bazë të cilit do të kërkojmë kthimin e tij. Edhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut do t’i shërbejë pozicionit tonë dialogues”, tha Dren Zeka, këshilltar i ministres Edita Tahiri.

Doktori i shkencave juridike, profesori Mazllum Baraliu mendon se këto janë probleme serioze për shkak se qytetarëve kontributdhënës u është mohuar pagesa që nga viti 1999.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU