Gjykata hedh poshtë padinë ndaj Zyrës së Kryeministrit

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar ankesën e paditësit Avdi Shala për Zyrën e Kryeministrit, duke e cilësuar si tërësisht të pabazuar.

Avdi Shala kishte paditur Zyrën e Kryeministrit të Kosovës në Gjykatën Themelore të Prishtinës me arsyetimin se nuk i është vazhduar mandati si anëtar i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), gjegjësisht inspektor i operimeve, ashtu si parashikojnë dispozitat ligjore në fuqi.

Paditësi kishte pretenduar se është dashur t’i vazhdohet mandati dhe jo të hapet konkursi për pozitën e tij, pasi që Ligji për Aviacionin Civil parasheh që anëtarët mund të riemërohen për një apo më shumë mandate shtesë, nëse pajtohen me shkrim që të shërbejnë gjatë tërë kohëzgjatjes së mandatit.

Më tej, Shala në kërkesëpadi i kishte propozuar gjykatës që ta anulojë vendimin për emërimin e anëtarëve të KHAIA-s duke e konsideruar si të kundërligjshëm. Po ashtu kishte kërkuar të detyrohet Zyra e Kryeministrit që paditësin ta riemërojë anëtar të KHAIA-s dhe atij t’ia kompensojë të ardhurat personale.

Ndërkaq, në aktgjykim shkruhet se emërimi i kandidatëve sipas vendimit kontestues ka rezultuar të jetë marrë në pajtim me kriteret e përcaktuara në konkurs dhe në dispozitat e ligjit për aviacionin civil.

“Mbi bazën e gjendjes faktike, nuk është vërtetuar se emërimi i anëtarëve të KHAIA-s, të ketë qenë në kundërshtim me dispozitat e ligjit material dhe as në kundërshtim me konkursin”, shkruhet në aktgjykim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Po ashtu, në aktgjykim thuhet se paditësit nuk i është mohuar e drejta në punë, pasi që Shala ka shërbyer në mandat pesëvjeçar.

“Duke marrë parasysh se natyra e punës në KHAIA nuk është e karakterit të përhershëm, por e kufizuar në mandat pesëvjeçar (me mundësi të riemërimit), gjykata nuk e pranoi si të bazuar pretendimin e paditësit se atij i është mohuar e drejta në punë dhe ushtrim të profesionit, për arsye se paditësit, i është dhënë mundësia për të qenë anëtar i KHAIA dhe ka shërbyer për mandatin e plotë pesëvjeçar”, shkruhet më tutje në aktgjykim.

 

30 ditë paraburgim për zyrtarin komunal në Pejë

Zyrtari i Drejtorisë për Komunitete e Kthim dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndërhyrje në sistem kompjuterik.

Periskopi.com Lajme

Gjatë ditës së djeshme, Policia ka arrestuar zyrtarin komunal të Drejtorisë për Komunitete dhe Kthim të Komunës së Pejës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndërhyrje në sistem kompjuterik.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar punonjës në Zyrën për Komunitete dhe Kthim në Pejë, pasi që i njëjti dyshohet se që nga viti 2010 e deri më tani në mënyrë të kundërligjshme ka ndërhyrë në programin e tatimit në pronë dhe ka shlyer shuma të ndryshme të tatimpaguesve, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm në buxhetin e Kuvendit Komunal Pejë”, thuhet në raportin e përditshëm të Policisë.

KALLXO.com merr vesh së zyrtari i arrestuar nga Policia është H.K.

Dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndërhyrje në sistem kompjuterik i konfirmoi edhe prokurori Ardian Hajdaraj.

I pandehuri sot ka dalë para Gjykatës Themelore të Pejës, e cila ia caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Rastin e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës, Selvane Bukleta.

“I është caktuar paraburgimi në afat prej 30 ditëve”, tha Bukleta.