Burg

Hoxha pranon se nuk u respektuan procedurat për transferimin e të burgosurve serbë

Në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë po vazhdon greva e urisë si shenjë proteste për transferimin e katër të burgosurve serbë që janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc.

Periskopi.com Lajme

Zëvendësministri i Drejtësisë, Nusret Hoxha, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se nuk janë respektuar procedurat për transferimin e katër të burgosurve nga një burg në një burg tjetër dhe në mesin e atyre që janë në grevë urie është edhe udhëheqësi i Iniciativës qytetare, Oliver Ivanoviq.

“E gjitha ka filluar të shtunën, kur katër të burgosurit u transferuan në burgun e Sigurisë së Lartë në afërsi të Podujevës. Së pari, kjo është bërë pa paralajmërim, nuk ka pasur as edhe një letër të vetme, nuk ka ekzistuar vula dhe nuk ka asnjë kërkesë”, tha Hoxha, transmeton KP.

Ai tha se sipas ligjit, kërkesa me shkrim për transferim të burgosurve duhet t’i dërgohet drejtorit në këtë rast ushtruesit të detyrës së qendrës së paraburgimit në Mitrovicë.

“Atë e kanë thirrur vetëm dy minuta para se të shkojnë në derë duke i thënë: ‘Ne po vijmë për këta katër të burgosur’”, tha Hoxha.

Zëvendësministri tha se greva e urisë e të burgosurve po vazhdon ndërsa të transferuarit në burgun e Gërdocit, që gjithashtu janë në grevë urie, do t’i vizitojë sot ose nesër.

Kundër këtij transferimi ka dalë edhe avokati Nebojsha Vllajiq. Ai tha për “Tanjug” se burgu i Sigurisë së Lartë është burg dhe jo qendër paraburgimi.

Sipas tij, të transferuarit nga burgu i Mitrovicës nuk janë të dënuar por gjenden në paraburgim.

Burgu Gerdoc

Katër të burgosur serbë janë transferuar nga Mitrovica e Veriut në Gërdoc

Katër të burgosur serbë janë transferuar nga Qendra e Paraburgimit të Mitrovicës së Veriut në burgun e sigurisë së lartë, në Gërdoc të Podujevës.

Periskopi.com Lajme

Raportohet se në mesin e të transferuarve është Slobodan Gavriç, i dënuar me 13 vjet burgim për terrorizëm në Kosovë.

Këtë vendim të autoriteteve kosovare ka reaguar Qeveria e Serbisë, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq.

Ai ka vlerësuar se veprimet e tilla të qeverisë së Kosovës, i shkelin parimet themelore të të drejtave të njeriut.

“Ky veprim ka shkaktuar drejtpërdrejtë tek vendimi i të burgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë për të hyrë në grevë urie, nga frika se ata mund të transferohen në një burg në të cilin do të detyroheshin t’iu përgjigjeshin vetëm shqiptarëve,” thuhet në reagim.