AGK ARKIV

AGK e shqetësuar me gjetjet e Raportit të Progresit në fushën e medieve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e tyre me gjetjet e Raportit të Progresit në fushën e medieve në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Liria e shprehjes dhe liria e medieve, sipas AGK-së, janë të drejta të garantuara në vendin tonë. “Por fatkeqësisht ne si shoqëri jemi duke u ballafaquar me shkelje të kësaj të drejte të garantuar edhe me Kushtetutë. Ndonëse gjatë gjithë vitit kemi kërkuar respektim të lirisë së shprehjes, situata nuk ka ndryshuar për të mirë. Sërish Raporti i Progresit, veçon ngecjet e Kosovës në këtë fushë”, thuhet nga AGK.

Ata janë të shqetësuar jo vetëm për lirinë e shprehjes, por edhe për ambientin në të cilin punojnë gazetarët.

“Ne jemi të shqetësuar me të gjeturat e raportit të progresit sa i përket lirisë së shprehjes dhe ambientit në të cilin punojnë gazetarët në vendin tonë”, vazhdon më tej AGK.

Raporti veçon sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve për të cilat Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngritur zërin kundërshtues në vazhdimësi.

“Te gjeturat e Raportit të Progresit janë vetëm disa prej shqetësimeve tona që i kemi si komunitet. Por me e rëndësishmja është mungesa e trajtimit dinjitoz të gazetarëve nga mediat. Ashtu siç theksohet edhe në Raportin e Progresit, një numër i caktuar i kolegëve gazetarë vazhdojnë të punojnë pa kontrata dhe shpesh herë janë pre e censurës në vendet e tyre të punës. Duke parë nevojën e përmirësimit të situatës kërkojmë angazhim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës”, përfundon AGK.

Ilustrim

Të mos tolerohet krimi ndaj gazetarëve, dënim për autorët!

Në dekadën e fundit mbi 800 gazetarë nëpër botë janë vrarë si pasojë e ushtrimit të profesionit të tyre. Ata janë vrarë pikërisht për shkak të raportimit, pra shpërndarjes së informacioneve tek publiku; mesatarisht një vrasje në javë.

Periskopi.com Lajme

Në një nga dhjetë rastet e vrasjes, autori nuk është dënuar asnjëherë.

Pandëshkueshmëria ka pasur ndikim direkt duke rritur numrin e vrasjes së kolegëve gazetarë nëpër botë.

Autorët nuk janë dënuar sepse sistemet juridike janë karakterizuar me dobësi të shumta, e shpesh herë kur kanë qenë në pikëpyetje këto raste ka pasur edhe neglizhencë.

Në reagimin e UNESCO-s, sot kur shënohet “Dita Ndërkombëtare për Ndaljen e Pandëshkueshmërisë së Krimeve Kundër Gazetarëve”, thuhet se ky institucion është i shqetësuar se mosndëshkimi po shkakton dëme në shoqëri duke mbuluar abuzime të rënda të të drejtave të njeriut.

Andaj u bëhet thirrje qeverive, shoqërisë civile, mediave dhe të gjitha grupeve të tjera që ta mbështesin sundimin e ligjit duke u bashkuar në një përpjekje globale që do të mund ta ndryshonte këtë situatë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kishte miratuar rezolutën e Sesionit të 68-të në vitin 2013, e cila përcakton 2 nëntorin si “Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve”.

Data ishte zgjedhur në kujtim të vrasjes së dy gazetarëve francez në Mali më 2 nëntor, 2013.

Hashim Thaçi

Gazetarët i reagojnë Thaçit: Mos fto konferencë, lexo me vete

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e konsideron të papranueshëm veprimin e presidentit Hashim Thaçi i cili gjatë konferencës së sotme nuk pranoi pyetjet e gazetarëve.

Periskopi.com Lajme

Përmes një reagimi ata ia rikujtojnë presidentit Thaçi, se ai e ka për obligim që t’i përgjigjet interesimit të gazetarëve.

“Veprimi i sotëm i presidencës paraqet mosrespektim të gazetarëve dhe injorim të punës sonë. Njëherësh kërkojmë nga presidenca që t’iu kërkojë falje të gjithë gazetarëve për ngjarjen e sotme. Presidenti duhet ta ketë parasysh që në daljet e tij të ardhshme përpara gazetarëve të pranoj pyetje dhe të përgjigjet në to, pasi që presidenca si institucion duhet të jetë pikë reference e transparencës”, thuhet në reagim, raporton Periskopi

Përmes këtij reagimi, ata iu bëjnë thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve që të jenë më të hapur për mediet. Statuset e “Facebook-ut” nuk janë mjet i mirë i komunikimit, andaj të gjithë personat që mbajnë pozita të larta udhëheqëse në Kosovë duhet ta mendojnë seriozisht përmirësimin e komunikimit me gazetarët./ Periskopi