Bekim Haxhiu

‘Kamishi’ jep dorëheqje, bashkë me të edhe Hoxha

Bekim Haxhiu dhe Murat Hoxha, zyrtarë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Periskopi.com Sporti

Koha Ditore në burime brenda FFK-së merr vesh se kjo do të zyrtarizohet në konferencën që do të mbahet prej orës 17:00.

Haxhiu, që është edhe deputet i Kosovës, ka ushtruar postin e nënkryetarit.

 

 

 

KOSOVA / DARDANET/ Foto: NYT

Himni zyrtar i Dardanëve – “Unë të dua sa Kosovën” (Video)

Tifo-grupi i përfaqësueses së Kosovës, “Dardanët”, kanë lansuar edhe himnin e tyre zyrtar në përkrahje të futbollistëve kosovarë.

Periskopi.com Sporti

Kënga, e titulluar “Dardanians – Unë të dua sa Kosovën”, është një ripërpunim i këngës së vjetër të grupit “Minatori” me po të njëjtin emër, por që i është ndryshuar teksti në disa pjesë për t’ju përshtatur rrethanave.

Për më tepër, dëgjojeni në videon më poshtë:

 

Spanja zbarkon në Tiranë (Video)

Kanë zbarkuar mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit dy kombëtaret e futbollit, Spanja dhe Shqipëria.

Periskopi.com Sporti

Iberikët mbërritën në Shqipëri rreth 60 minuta me vonesë për shkak të motit të keq, ndërsa lojtarët dhe stafi teknik nuk kanë pranuar që të japin asnjë prononcim për mediat.

I vetmi që ka përshëndetur në aeroport ka qenë sulmuesi i Chelsea, Diego Costa.

Ndërsa për t’u veçuar ka qenë edhe një episod me gazetarët spanjollë, të cilët ngatërruan daljen në aeroport, teksa fillimisht u futën te salla VIP dhe më pas përfunduan te kabinat e policisë.

Por me ndihmën e punonjësve të aeroportit kanë gjetur daljen e saktë dhe më pas kanë udhëtuar me ekipin e tyre kombëtar drejt Shkodrës, të shoqëruar nga forcat RENEA.

Në Shkodër ekipi spanjoll do të akomodohet te ‘Grand Hotel Europa’. E ndërsa sonte do të qetësohen nga rruga, nesër spanjollët do të zhvillojnë seancën e parë stërvitore për të qenë gati për të dielën.

Edhe kombëtarja shqiptare ka mbërritur po sonte në Rinas nga Lihtenshteini dhe udhëtoi direkt drejt Shkodrës.

Dy ekipet do të ndeshen ditën e diel në orën 20:45 në Shkodër për eliminatoret e Rusi 2018.

Aktualisht Shqipëria kryeson grupin, ndërsa Spanja dhe Italia ndodhen në vendin e dytë.

Thaçi-Veseli-Mustafa

Tre krerët e lartë të shtetit, shkelin sërish ligjin, dalin njëherësh jashtë shtetit

Në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër sonte nuk mund të jenë të gjithë fizikisht, por së paku do të jenë me zemër dhe pranë televizionit për të parë ndeshjen Kosovë-Kroaci.

Periskopi.com Lajme

Por ata që nuk e kanë lëshuar një rast të tillë t’iu ikë nga duart janë krerët e shtetit.

Lajmi.net merr vesh se sonte në stadiumin e Shkodrës për të parë këtë ndeshje janë Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, i cili këtë edhe e ka deklaruar më herët, raporton lajmi.net

Por atje sonte janë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. E përveç tij, drejt qytetit kryesor të veriut të Shqipërisë ka udhëtuar edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Në anën tjetër, dalja e tre zyrtarëve të lartë të shtetit është kundër Ligjit të Protokollit të Shtetit, pasi praktikisht vendi mbetet pa asnjërin prej zyrtarëve të lartë.

Kjo është e sanksionuar në Ligjin Nr. 03/L-132 për protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, saktësisht, kreu IV që flet për ceremonialin zyrtar të autoriteteve të larta të shtetit.

Kjo do të thotë se në rast të ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në Kosovë, askush nuk do të jetë në gjendje të japë ndonjë urdhër, pasi kështu parashikohet me ligj.

Në këtë Ligj, në nenin 19, pika 4, saktësisht shkruan se “ Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”.

Arsyeja pse Protokolli i Shtetit që funksionin në kuadër të Ministrisë së Punëve të jashtme e që merret me të gjitha përgatitjet e vizitave brenda e jashtë vendit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë edhe ministrit të Punëve të Jashtme është që vendi të mos mbetet me vakuum institucional.

E kjo nuk është hera e parë që Presidenti, kryeministri e Kryetari i Kuvendit, shkelin këtë ligj.

Kështu kanë vepruar edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, javë më parë.

Në atë meshë ishin të pranishëm që të tre, duke e lënë vendin në mëshirën e askujt.

kartoni i gjelber

Ipet kartoni i parë i gjelbër në futboll

Ndryshimet në rregullat e futbollit po vazhdojnë. Tashmë ka nisur që lojtarët të ndëshkohen edhe me karton të gjelbër.

Periskopi.com Sporti

Kjo ka ndodhur në Serie B.

Futbollisti i Vicenzas, Cristian Galano është ‘ndëshkuar’ nga gjyqtari me karton të gjelbër për shkak të sjelljes së tij të mirë në fushë.

Kartoni i gjelbër futet në vazhdën e ndryshimeve në futboll që po i aplikon FIFA. /Periskopi.com

prishtina

Gazetari thotë se KF Prishtina nuk ekziston prej vitit 2004

Periskopi.com Sporti

KF Prishtina e kishte nisur projektin e saj të ri me emrimin e kryetrajnerit Kushtrim Munishi. Ky i fundit kishte qenë lojtar i shquar dhe trajner i grupmoshave të reja në skuadrën prishtinase. Por megjithë punën e mirë dhe rezultatet e shkëlqyera, ai u shkarkua.

Prishtina ishte në vendin e parë, prandaj çështja nuk ishte aspak te rezultatet. Gazetari i njohur sportiv, Driton Latifi, në një postim në Facebook, e ka akuzuar kryesinë e Prishinës për amatorizëm dhe për mashtrim. Ai e ka lavdëruar punën dhe karakterin e ish-trajnerit të Prishtinës duke e quajtur lehtësim faktin që ky i fundit u largua nga Prishtina.

Latifi, thotë se prej 2004-ës, Prishtina e vjetër nuk ekziston. “Ti po largohesh jo nga klubi yt, po nga nje grumbull i mashtruesve qe mendojne se mund ti mashtrojne te gjithe dhe gjithmone, gje qe nuk ka shans te ndodh… sepse klubi yt nuk ekziston nga viti 2004.” – shkruan gazetari prishtinas.

Largimi i Munishit në një moment të tillë, la shije të hidhur te futbolldashësit kosovarë. Duket se ende asgjë nuk po ndryshon sa i përket profesionalizimit të tij. Kur klubi më i madh në vend, sillet kaq amaterçe atëherë çfarë mund të pritet prej klubeve të tjera?

Periskopi

gun__1358326652_wenger_joins1996a

20 vjetori i Arsene Wenger në Arsenal: Periskopi ofron fakte të cilat dëshmojnë se ai është ndër trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave

Periskopi.com Sporti

Nesër, më 22 shtator, Arsene Wenger i mbush 20 vite në Arsenal. Në atë periudhë, Arsenali lëngonte rëndë nga dështimet dhe pamundësitë për t’u bërë skuadër elitare. Deri më 22 shtator, madje nuk kishte pasur as trajner. Rice e kishte udhëhequr ekipin përkohësisht pas largimit të Bruce Rioch, i cili ishte larguar pas një viti duke e parë situatën e Arsenalit të pashpresë shkaku i mungesës së financave dhe transferimeve.

Dhe e dini ku shkoi? E la punën e trajnerit në Arsenal dhe shkoi si ndihmëstrajner në Queens Park Rangers. Ja në cilat nivele ishte Arsenali.

Për t’iu ilustruar edhe më mirë se çfarë klubi ishte Arsenali pa Wengerin po iu tregojmë rezultatet e saj në vitet 90.
1995/96 – Vendi i pestë (5)
1994/95 – Vendi i dymbëdhjetë (12)
1993/94 – Vendi i katërt (4)
1992/93 – Vendi i dhjetë (10)

As vitet e mëposhtme nuk janë më mirë. Edhe kur u bë kampion, Arsenali dështoi të ndërtonte konsistencë. Shihni pra se në cilat nivele ishte Arsenali para ardhjes së Wenger.

Arsenali ishte ndjeshëm më poshtë nivelit të Newcastle United, Manchester United dhe Liverpool. Mungonin rezultatet por edhe financat.

Dhe dita kur u bë Wenger trajner, 22 shtatori, tregon se ai erdhi në një kohë kur ishte i mbyllur afati kalimtar. E mori një skuadër që shihej nga të gjithë si e dështuar.

Dhe e dini se ku përfundoi? Në vendin e tretë. Kjo, besoni apo jo, ishte një mrekulli për atë klub në atë periudhë.

Në sezonin vijues Arsenalit iu largua një legjendë si Paul Merson, i cili e konsideronte Middlesbrough-në si ekip më me perspektivë se Arsenalin. 4,5 milionë i fitoi Arsenali për këtë largim. Megjithatë, Wenger me pak para, bëri blerje të mira si Petit, Boa Morte, Overmars dhe Grimandi.

Dhe me këta lojtarë bëri historinë. Arriti të fitonte titullin e kampionit duke e mposhtur përbindshin e asaj kohe Manchester United dhe ekipet më të mëdha të asaj periudhe si Liverpool dhe Newcastle.

Se suksesi nuk ishte rastësor ai e dëshmoi në vitet e tjera duke e forcuar gradualisht ekipin dhe duke ia ndërruar nivelin. Vit pas viti, Arsenali nisi t’i shkrinte epërsitë e Manchester Unitedit ndaj saj dhe arriti ta kalonte, jo vetëm ekipin e Leedsit, Evertonit e Newcastle-it, por edhe atë të Liverpoolit.

Shihni konsistencën e ekipit të Wenger:
1996/97 – Vendi i tretë (3)
1997/98 – Kampion (1)
1998/99 – Vendi i dytë (2)
1999/00 – Vendi i dytë (2)
2000/01 – Vendi i dytë (2)
2001/02 – Kampion (1)
2002/03 – Vendi i dytë (2)
2003/04 – Kampion
2004/05 – Vendi i dytë (2)

Arsenali nuk i shpenzoi as 10 milionë funte të plota në tre vitet e para të Wengerit në klub. Më 1999 klubi e shiti në Real Madrid, Nicolas Anelkan dhe i përfitoi 23,5 milionë funte. Kjo i lejoi klubit të blinte Thierry Henryn, për vetëm 11 milionë dhe t’i shpenzonte edhe afër 10 të tjera në lojtarë si Sylvinho (4), Suker (3,5) e Luzny (1,8).

Falë punës së Wenger, Arsenal nuk ishte më i njëjti ekip. Rezultatet i pamë, por klubi u ngrit mjaft shumë edhe për nga ana financiare – dimensioni kryesor i klubit prej viteve 90-të e tekëndej.

Ekipi i viteve 2002-2005 ishte i jashtëzakonshëm. Loja e bukur e Arsenalit, për të cilën ky klub është i njohur, ishte edhe e efektshme. Arsenali përfitoi famë të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Nga një klub lokal i veriut të Londrës u bë një ekip i madh ndërkombëtar.

Sezoni 2003/04 ishte mbresëlënës. Arsenal e fitoi titullin pa asnjë humbje të vetme. Ky rekord nuk është thyer akoma nga asnjë ekip në ligat elitare europjane.

Arsenal ia doli mbanë të kalonte Manchester Unitedin. Në vitet 2004 dhe 2005 megjithëse shpenzonte shumë më pak se ekipi i Ferguson, ia doli të ishte para tyre në tabelë. Kjo bëri që United ta ndjente veten të rrezikuar dhe të shitej. Kjo i revoltoi ashpër tifozët lokalë të asaj skuadre.

Ndërkohë që Arsenal mbeti e pashitur dhe e fuqishme. Një kombinim ky, i panjohur për klubet e suksesshme europjane.

Por Arsenali nuk e fitoi më titullin. Dymbëdhjetë vjet kanë kaluar nga viti 2004 dhe Arsenal nuk është kurorëzuar më me titull. Ndërkohë që Wenger është kritikuar nga shumë tifozë të Arsenalit dhe trajnerë kundërshtar për këtë gjë.

Çfarë ngjau për këto dymbëdhjetë vjet?

Arsenali e ndërtoi një stadium të mrekullueshëm, ultramodern, që i zë 60 mijë njerëz. Ky stadium i kushtoi klubit 390 milion funte. Dhe kjo gjë, shpesh heshtet nga kritikët e Wenger. Ndërtimi i stadiumit është një punë shumë e madhe. Kërkon goxha shumë sakrificë. Shihni problemet që i patën Tottenham, Liverpool, Valencia e Roma me fillimin e ndërtimit të stadiumeve të tyre. Madje edhe një ekip si Chelsea, me pronar miliarderin Abramovich, nuk mundi të rrezikonte për ndërtimin e një stadiumi të ri.
Gjiganti italjan, Juventus, e ka ndërtuar një stadium që ka kushtuar vetëm 120 milion. Pra më shumë se tri herë më lirë se ai i Arsenalit.(periskopi.com)

Por për këto dymbëdhjetë sezone, Arsenali pati rezultate të jashtëzakonshme. Dhe një ngritje të vazhdueshme. Në asnjë sezon nuk përfundoi jashtë top-katërshit. Wenger ia doli mbanë që edhe në kushte mjaft të zorshme, të kompononte ekipe mjaft të mira. Nga hiçi, i nxorri shumë lojtar si Fabregas, Clichy, Sagna, Koscielny, tash Bellerin dhe i bëri superyje. Arsenali vazhdoi të luante bukur pavarësisht mungesës së parave, për t’u krahasuar me Unitedin dhe Chelsean në fillim, e pastaj edhe me Cityn.
Në vitin 2006, klubi i Wenger shkoi në finale të Ligës së Kampionëve por humbi nga Barcelona falë gabimit të gjyqtarit Terje Hauge, i cili më vonë e kishte pranuar gabimin. Lehmann ishte bërë lojtari i parë që ishte përjashtuar nga loja në historinë e Ligës së Kampionëve dhe atë vetëm pas pesëmbëdhjetë minutash – duke e lënë Arsenalin të hendikepuar gjatë pjesës më të madhe të lojës.

Arsenali i viteve të fundit është liruar nga kufizimet financiare dhe po e forcon veten në tregun e transferimeve.

Shumë tifozë të Arsenalit, pa mbamendje dhe ndoshta edhe pa mendje, në fund të sezonit të fundit e kritikuan Wengerin për mungesë suksesesh. Por kush i përcakton pritshmëritë e një klubi, tifozët apo bordi? Padyshim që ky i fundit. Arsenali përgjatë dhjetë viteve të fundit, nuk ka qenë një ekip konkurent i Manchester Unitedit, Chelseat ose Liverpoolit.

Duke marrë parasysh vendin ku është dhe vendin ku ishte Arsenal, Wenger mund të konsiderohet si një prej trajnerëve më të mirë në botë të të gjitha kohërave. Trofetë nuk janë gjithçka: fundja, trajneri më i suksesshëm në botë, pas tre-katër vitesh mund të jetë Luis Enrique, por duhet shtruar pyetja: a është ai më i miri? Jo, në asnjë formë.

Ligë të Kampionëve ka fituar edhe Roberto Di Matteo por ai sot e drejton një ekip të pashpresë nga Liga e Dytë.

Nuk mund të gjejmë asnjë trajner që e kishte këtë impakt në një skuadër si Wenger. Ai e bëri Arsenalin një ekip me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Dhe ai ofroi jo vetëm numra por edhe lojë. Kjo është veçantia e tij.

Periskopi.com

Chelsea-fans-main

ANALIZË: SI E SHKATËRRUAN FUTBOLLIN TIFOZËT SIPËRFAQËSOR?

Periskopi.com Sporti

Futbolli anglez ishte krejtësisht i ndryshëm kur ishte larg nga vëmendja dhe popullariteti ndërkombëtar. Skuadrat elitare si Liverpool, Manchester United ose Arsenal nuk ishin asnjëherë gjithaq elitare. Shpesh rrëshqitnin në pozitat e fundit dhe luftonin për mbijetesë. Apo mbesnin prapa ekipeve si Everton, Leeds, Sheffield e t j.

United-i i Fergusonit në gjashtë vitet e para, kishte pasur pozita inferiore ani pse kishte bërë investimet më të mëdha në ligë. Liverpooli i të shtatëdhjetave dhe gjashtëdhjetave poashtu rrëshqiste vazhdimisht. Për Arsenalin, as të mos flasim. Madje edhe në të nëntëdhjetat, pa ardhjen e Wenger, kjo skuadër kishte rezultate të tmerrshme.

Paramendojeni sesi reflektohej kjo në popullaritetin ndërkombëtar. Te një fans ndërkombëtar. Japonezi nga Tokjo, për shembull, bëhej me Arsenalin në të tetëdhjetat por klubi e zhgënjente vazhdimisht. Kështu ndodhte me secilin ekip.

Federata e Anglisë kishte nevojë emergjente për popullaritet ndërkombëtar. Aty ishin paratë. Prandaj, e shtroi nevojën për konsistencë në rezultate te klubet e mëdha prej të shtatëdhjetave e tutje. I fabrikoi ekipet e mëdha duke i favorizuar.

Që të ndiqej futbolli anglez duhej që klubet lokale të mundeshin. Por kjo strategji ishte kundër futbollit tradicional anglez. Komercializimi i hovshëm që ndodhi, i la shumë skuadra të mëdha angleze jashtë. U qendërzuan ekipe si United, Liverpool dhe me ardhjen e Wenger, Arsenal – por u dëmtuan ekipe tjera tradicionale si Leeds United, Sheffield Wednesday, Everton, West Bromwich Albion e të tjera.

Tifozët nuk ishin të interesuar të ndiqnin skuadrën e tyre që fundosej në tabelë. Prandaj, masës iu dhanë vazhdimisht vetëm tre-katër klube të cilat qëndronin në krye të paprekura.

Futbolli u ndryshua me rrënjë nga kërkesa e kësaj mase tifozësh ndërkombëtar për ekipe që kishin rezultate. Nuk ndiqej më futbolli, loja, aksionet, golat, nuk lëshonte kurrfarë ndjenje procesi i krijimit të suksesit, e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte REZULTATI.

Kështu u prodhuan ekipe stërdominuese si Real Madrid, Barça, Bayern e Juventus dhe ekipe dominuese si City, United, Chelsea e të tjera. Ekipet e vogla nuk kanë asnjë shansë të ngriten nëse nuk shiten te ndonjë miliarder si puna e Glazer, Abramovich apo Al Khelaifi.

Ajo që mësojmë këto ditë është se paratë e bëjnë një ekip të madh. Më saktë, transferimet. Por pse i kushtohet kaq shumë vëmendje vetëm rezultateve? Sepse kjo është ajo që kërkohet. Tifozët e sotëm janë aq sipërfaqësor sa madje ashiqare e kanë postuluar idiotësinë e tyre: tifozi nuk mendon por bërtet.

Prandaj, tifozët e sotëm nuk merakosen sesi vjen Real Madridi, Barça, City, Juventusi apo ndonjë tjetër drejt suksesit. Ata duan rezultate. Dhe janë aq hipokritë saqë edhe në raste kur favorizohen nga referët e mohojnë. Edhe kur nuk ka asnjë element të gabimit të gjyqtarit, guxojnë ta fajësojnë atë.

Por kjo po e shkatërron futbollin. Dhe futbolli është thjesht argëtim. Mundohet të ndërtojë ndjenjë. Por cila është ndjenja që e ndërton suksesi i Real Madridit sot? Ose i Barcelonës?

Kërkimi i verbër i rezultateve po e çon futbollin, këtë lojë të bukur, drejt humnerës. Madje situata është bërë aq shqetësuese sa tifozë të shumtë nuk i ndjekin fare ndeshjet e ekipit të zemrës: thjesht i shohin rezultatet.

|Periskopi.com

barca

A ka vdekur Liga e Kampionëve?

Periskopi.com Sporti

Barcelona dhe Celtic janë dy ekipe me traditë në garat europjane. Por katalunasit i mposhtën skocezët 7 me 0. Ky është deklasim aq i skajshëm sa edhe mund të ndjell epsh.

Epërsitë e ekipeve të mëdha ndaj ekipeve të vogla po thellohen vit pas viti. Për secilin është e qartë se ky format i garës është plotësisht i pakuptimtë. Pse duhet luajtur Barcelona kundër një ekipi njëqind herë më të dobët? Ose, pse duhet garuar në një garë bashkë me Rostov, Ludogorets, Basel, Legia, Club Brugge, CSKA, Koebenhavn? Pse duhet lejuar

Liga e Kampionëve nuk ka më asnjë kuptim. Të gjithë e dinë se Celtic nuk ka asnjë gjasë për të fituar garën. As Legia. As Rostov. Madje madje, as Leicester, Spurs, Porto, Arsenal, Gladbach, Besiktas apo Napoli.

Liga e Kampionëve është rezultat i një injorance shumë të madhe nga ana e UEFA-së së korruptuar që nuk ia doli të krijonte diçka më të hajrit.

Një fans i flaktë i Barcelonës nga Kosova, më zbuloi se nuk ndjente asgjë kur ekipi i tij i zemrës fitonte diçka. Përnjëmend, a ka kuptim fitorja kur e ndërton në atë mënyrë? A ka kuptim të  gëzohesh kur e ke përballë Celtic-un ose ndonjë skuadër të ngjashme? Jo, nuk ka. Madje edhe kur vjen puna te përballjet klasike, Madrid-Barça, nuk ka më ndjenjë. Është vyshkur.

Të gjithë ju që e ndjekni Ligën e Kampionëve, duhet t’i shtroni vetes një pyetje: cilët janë konkuruesit e këtij sezoni? Dhe do të vëreni se në garë, realisht, janë vetëm tri ekipe: Bayern, Real Madrid dhe Barcelona.

Ja pse kjo garë nuk ka kuptim. Vetëm në gara ku të gjitha skuadrat janë në të njëjtat nivele financiare mund të prodhohet luftë e vërtetë dhe për rrjedhojë, futboll i vërtetë e ligë e vërtetë. //periskopi