FSK ndihmon familjet skamnore në Mitrovicë (Foto)

Periskopi.com Lajme

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dje në Komunën e Mitrovicës shpërndanë mjete financiare si dhe pako higjienike dhe  ushqimore për disa familje në nevojë  të kësaj komune.

Të gjitha këto mjete të cilat dje u shpërndanë për 10 familje të Mitrovicës, pritet që  në ditët në vijim të shpërndahen  dhe për 5 familje  të tjera nga komunitetet e kësaj komune, u  mblodhën falë aksionit vullnetar“ Vrapo me FSK-në Mitrovica 2017”, i cili u organizua gjatë muajit prill  nga  ushtarët dhe oficerët e FSK-së.

Ky aktivitet u realizua falë bashkëpunimit të mirëfilltë të FSK-së me Komunën e Mitrovicës, ku njerëzit kompetent të komunës gjatë tërë kohës i kanë mbështetur pjesëtarët e FSK-së në përzgjedhjen e familjeve me në nevojë për t’i ndihmuar.

Gjatë shpërndarjes së këtyre fondeve, përveç oficerëve të FSK-së,  i  pranishëm ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale z. Qazim  Nimani së bashku me stafin e tij, i cili përgëzoi FSK-në për realizimin e  këtij aksioni dhe njëherësh   falënderoi pjesëtarët  e saj  për ndihmën e ofruar, të cilën e vlerësoi  si mjaft të nevojshme për qytetarët e kësaj  komune.

Familjet që përfituan nga ky aksion  ishin mjaft të lumtura,  për vet faktin se po ndihmoheshin, pikërisht, nga pjesëtarët e FSK-së të cilët gëzojnë respekt të veçantë jo vetëm në komunën  e tyre por tek të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kjo, nuk është hera e parë që pjesëtarët e FSK-së organizojnë një aktivitet të tillë dhe sigurisht se nuk do të jetë as hera e fundit, pasi që  oficerët e rinj të FSK-së premtuan që më  përkrahjen e vazhdueshme të eprorëve  të FSK-së dhe më vullnetin e  mirë të tyre, ata do të  vazhdojnë t’i  përkrahin qytetarët e vendit edhe në të ardhmen./ Periskopi

 

Kapiteni i FSK-së shpallet oficeri më i mirë ndërkombëtar në ShBA

Periskopi.com Lajme

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës( FSK-së), Mentor Ibrahimi, pjesëtar i Batalionit të Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, u shpall  oficeri më i mirë ndërkombëtar në kursin “ Kapiten Karriere” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kapiten Ibrahimi që nga shtatori i vitit 2016 e deri më 18 maj 2017 ka marrë pjesë në kursin “ Kapiten Karriere” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjenerata 17-1, dhe prej të gjithë oficerëve nga shtete të ndryshme u shpall më i miri.

Kapiten Mentor Ibrahimi gjatë shkollimit të tij në Kursin e Karrierës për Kapiten të Këmbësorisë në Qendrën e Ekselencës (Maneuver Center of Excellence) në Fort Benning të SHBA-ve, ka shfaqur performancë të jashtëzakonshme në fushat, si: Procesi i Vendimmarrjes Ushtarake, Terminologjia dhe Grafika Ushtarake dhe në Doktrinën Amerikane në përgjithësi.

Ndërkaq, pas përfundimit të kursit ,Kapiten Karriere”, kapiteni Mentor Ibrahimi shpallet studenti më i mirë ndërkombëtar, me ç ‘rast nga komandanti i kursit gjeneral major Eric Wesley , si shenjë mirënjohjeje për arritje të jashtëzakonshme, i dhurohet libri me përmbajtje ushtarake “Fjalë për luftëtarët”.

Momenti kur kryeministrja e Britanisë së Madhe ia dorëzon “Shpatën e Nderit” kadetit Xhevahir Hasanaj (Foto)

Periskopi.com Lajme

Ditë më parë pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Xhevahir Hasanaj, u shpall kadeti më i mirë i huaj në fushën ushtarake, akademike dhe praktike, nga forcat mbretërore angleze, sot faqja zyrtare në Facebook, e këtyre forcave ka prezantuar foton e Hasanajt me shefen e Qeverisë britanike, Theresa May.

Në përshkrimin që është bërë në këtë faqe, thuhet se çmimi Overseas i është dhënë kadetit Xhevahir Hasanaj, nga Republika e Kosovës, i cili ka arritur rezultatet më të mira në studimet ushtarake, akademike dhe praktike, dhe se ky çmim është dhuruar nga shteti i Katarit, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Xhevahir Hasanaj, ka marrë çmimin si kadeti me i mirë i huaj në fushën ushtarake, akademike dhe praktike.

Kadeti Hasanaj çmimin ia dorëzoi kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May.

Dy oficerët tanë të rinj, Xhevahir H. Hasanaj dhe Arlind I. Bajrami, kanë diplomuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani të Madhe, e cila është një prej akademive më prestigjioze në botë”.

Ndryshe, kjo është hera e dytë që kadetët e FSK-së marrin këtë çmim në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani të Madhe.

Herën e parë oficeri i FSK-së, 24-vjeçari Ismail Hoxha ishte shpallur kadeti më i mirë i Ballkanit, por edhe i Evropës.

Ai ka fituar “Shpatën e Nderit” për oficer-kadetin më të mirë ndërkombëtar duke u bërë i pari përfaqësues ushtarak nga Ballkani që merr një çmim të tillë në Akademinë Mbretërore Ushtarake “Sandhurst”.

Edhe këtë vit pa ushtri

Periskopi.com Lajme

Kosova nuk pritet ta formojë ushtrinë e saj brenda pak muajve. Pas tërheqjes së presidentit Thaçi nga iniciativa e tij që kjo të bëhet përmes ligjit, tani njohësit e çështjeve politike dhe juridike në vend thonë se themelimi i ushtrisë do të marrë kohë. Madje ata thonë se e domosdoshme do të jetë edhe një qeveri tjetër.

Ndërrimi i misionit të FSK-së në ushtri tani është i lidhur ngushtë me shpejtësinë e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

E sipas njohësve të proceseve politike dhe juridike në vend, as njëra e as tjetra nuk pritet të ndodhin brenda pak muajve, siç paralajmëroi presidenti Thaçi në fjalimin e tij në Koshare ditën e djeshme.

Bashkërendimi me NATO-n, SHBA-në dhe BE-në dhe aprovimi i tyre, sipas analistëve kosovarë, është i domosdoshëm. E për “aventurën” e presidentit Thaçi ka edhe të tillë që ia kërkojnë dorëheqjen si akt moral.

Në anën tjetër, opozita kosovare edhe njëherë ka thënë se Kosova ka humbur mjaft kohë në kompletimin e sektorit të sigurisë. Sipas tyre, është e papranueshme që të pritet në “përjetësi” amini i një force politike e cila lidershipin e ka në Beograd.

Kurse, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që mos t’i pranojë më aventurat e presidentit Thaçi.

Nisma për ushtrinë e Kosovës ka ngritur tensione në rajon

Periskopi.com Video

Deputeti i LDK-së thotë se duhet edhe 10 vite që Kosova të bëhet me ushtrinë e saj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi thotë se duhen edhe 10 vite që Kosova të bëhet me ushtrinë e saj.

Periskopi.com Lajme

Kjo pasi që transformimi i FSK-së sipas deputetit Ibishi, do të ndahet në tri faza dhe do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës jo më pak se 819 milionë euro.

“Qeveria e Kosovës ka ndarë 9% të buxhetit të saj për FSK-në në vitin e kaluar, pra 5 milionë euro, para këto që do t’i ndajë çdo vit deri pas 10 viteve kur pritet të bëhet formimi i ushtrisë, sepse procesi i transformimit të FSK-së në ushtri do të ndahet në tri faza, faza e parë që është tri vjet, e dyta po ashtu 3 vjet dhe faza e tretë dhe e fundit që është 4 vjet”, ka deklaruar Ibishi në emisionin “Fakt Plus” të Tribuna Channel.

Ibishi, po ashtu ka thënë se do të rritet edhe numri i pjesëtarëve aktiv dhe rezervë me krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“Me formimin e ushtrisë do të rritet edhe numëri i personelit nga 2500 sa i ka sot përafërsisht të rritet në 5 mijë me forca aktiva dhe nga 800 të rritet në 3 mijë në forcën rezervë”, tha ai.

Është Presidenti i Kosovës Hashim Thaç ai i cili ditë më parë ka iniciuar transformimin e FSK-së në ushtri. Por kjo nismë është kundërshtuar nga SHBA-ja dhe NATO, të cilët kërkuan që ky transformim të bëhet vetëm përmes ndryshimeve Kushtetuese, ku nevojiten dy të tretat e votave përfshirë këtu edhe votat e deputetëve nga radhët e Listës Serbe të cilët në këtë javë i janë kthyer institucioneve të Kosovës pas rreth 7 muajve bojkot. Por, pavarësisht kthimit të tyre në institucione, këta të fundit kanë paralajmëruar se nuk do të votojnë Ligjin për ndryshime Kushtetuese që do të mundësonte transformimin e FSK-së në Ushtri.

Ndryshe Presidenti Thaçi dje është tërhequr nga nisma e tij, kështu duke ndryshuar mënyrën e transformimit të FSK-së nga ajo përmes ndryshimeve të Ligjit në ndryshime Kushtetuese.

Qehaja tregon pse duhet të bëhet ushtria me ndryshim ligji

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që transformimi i Forcave të Armatosura të Kosovës në Ushtri të bëhet vetëm përmes ndryshimeve Kushtetuese, përderisa propozimi i presidentit të Kosovës ka qenë që të formohet ushtria përmes ndryshimit të ligjit.

Periskopi.com Lajme

Një gjë e tillë po bëhet pasi, presidenca është në dijeni se nëse shkohet me ndryshim të Kushtetueses nuk do ta ketë përkrahjen e Listës Serbe.

Kështu tha për Indeksonline, njohësi i çështjeve Ushtarake dhe të Sigurisë, Ramadan Qehaja i cili shton se duhet t’ua bëjmë të qartë faktorëve ndërkombëtar pse po kërkojmë formimin e ushtrisë përmes ligjit.

Sipas tij, transformimi i FSK-së në Ushtri përmes ligjit është alternativa B prandaj nuk duhet pritur asnjë moment.

“Jemi në një vonesë të madhe të formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe kujtoj që çdo pritje apo lënie anash e kësaj çështje do të ishte gabim shumë i madh. Lidhur me këtë unë mendoj që kemi pritur mjaft. Që tri vite është dashur të përfundojë kjo çështje. Unë kujtojë pasi që Lista Serbe nuk do i votojë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me FAK, një ligj për Forcat e Sigurisë së Kosovës është e mundur që do avancojë në kryerjen e alternativave ushtarake, kështu që kjo do të ishte alternativa B dhe duhet të shkohet me të. Kuptohet se kjo duhet t’iu shpjegohet në mënyrë të qartë gjithë faktorëve ndërkombëtarë pse ne kërkojmë në këtë mënyrë”, ka thënë Qehaja.

Sipas tij, në rast se ndërkombëtarët nuk arrijnë që ta bindin Serbinë për ndryshimin kushtetues, atëherë nuk duhet pritur që të bëhet formimi i ushtrisë me ligj.

Në anën tjetër, Qehaja thotë se është pritur tepër gjatë për këtë iniciativë, e cila edhe po të bëhet tash do të nevojiten 7 deri në 10 vite për t’u përmbyllur i gjithë ky proces.

“Unë kujtoj se Beogradi zyrtar nuk do lejojë Listën Serbe që ta votojë ndryshimin kushtetues që ka të bëjë me Forcat e Armatosura të Kosovës. Nëse është ashtu, pse të mos shkojmë me ligj dhe këtë çështja ta ngrisim në nivel më të lartë. Duhet një proces mjaft i gjatë deri në formimin e tërësishëm të FAK, do të thotë, sipas mendimit tim nevojiten 7 deri në 10 vite që të përmbyllet ky proces dhe nëse është ashtu, shtrohet pyetja pse kemi pritur deri më tani dhe pse duhet pritur edhe më tutje”, ka shtuar ai.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greig Delaëie dje ka thënë se është optimist se ushtria e Kosovës mund të bëhet sivjet, duke ritheksuar se kjo gjë duhet bërë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese e jo nëpërmjet ligjit.

Thaçi i ‘ha’ fjalët e veta, harron  Ligjin për Ushtrinë, do t’i nisë ndryshimet kushtetuese

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se ‘pajtohet me zyrtarët e lartë amerikanë për krijimin e Forcës së Armatosur të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese’.

Periskopi.com Lajme

 

Thaçi tha se transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura “duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës vendor dhe i partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-së dhe NATO-s”.

Ai tha se do ta nisë dhe udhëheqë një proces të diskutimeve me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës “për të shteruar të gjitha mundësitë e koordinimit me ta për krijimin e Ushtrisë së Kosovës”.

Në intervistë me Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi tha se asgjë “nuk mund ta bllokojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, meqë siç tha “është një e drejt e patjetërsueshme e qytetarëve të Kosovës dhe e institucioneve të një vendi të pavarur dhe sovran”.

Në intervistë presidenti Thaçi flet edhe për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe edhe në territorin e Kosovës.

Zoti President, zyrtarët amerikanë që kanë vizituar Kosovën kanë shprehur shqetësimin e Washingtonit zyrtar lidhur me procesin e transformimit të FSK-së me ligj. Ata kanë thënë se e përkrahin transformimin por vetëm me ndryshimet kushtetuese në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent. A është kjo temë tani ‘jashtë tavolinës’ kur flasim për transformimin me ligj?

Hashim Thaçi: Ideja për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është ide e sotme, është në kuadër të projektit për rishikimin e sektorit të sigurisë. Ndërsa, ne kemi pajtueshmëri të plotë si Kosovë me SHBA-në dhe NATO-n që nga fillimi i vitit 2014 për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Unë edhe dje jam takuar me zotin Hoyt Yee gjithashtu edhe me ambasadorin e SHBA-së zotin Delawie. Ajo që është me shumë rëndësi është se kemi qëllimin e njëjtë, objektiven e njëjtë që Kosova të ketë Forcat e veta të Armatosura, të jetë një proces gradual, gjithëpërfshirës, me praninë e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe serbët.

Ata janë të përfshirë edhe tani, por jemi që të marrin rol edhe më aktiv që të kemi Forca të Armatosura të Kosovës si Forcë multietnike, e standardeve të NATO-s. Dakordohemi plotësisht që ky proces të ndodh përmes ndryshimeve kushtetuese. Tani edhe koha që ka mbetur është një mundësi e re, në veçanti pas kthimit të Lista Sërpska në institucionet e Kosovës, që të diskutojmë me ta, t’i dëgjojmë sërish shqetësimet në mënyrën më serioze të mundshme, vullnetin e tyre dhe që të gjithë të jenë pjesë e këtij procesi, pra gjithëpërfshirës vendor dhe partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë në veçanti të SHBA-së dhe NATO-s.

A do të thotë kjo se ngadalë duhet të bëhen përpjekje për ndryshime kushtetuese për transforimimin…

Hashim Thaçi: Definitivisht, ne jemi gati të nisim këto ndryshime kushtetuese. Do të vazhdojmë në ditët dhe javët e ardhshme me komunitetin serb të flasim me Lista Sërpska dhe me të gjitha komunitetet e tjera, që të jetë një proces i koordinuar dhe mirë i organizuar. Unë nuk besoj se dikush mund të rezistojë, kësaj të drejte të institucioneve të Kosovës për themelimin e ushtrisë, deri në pafundësi apo të pretendojë të vë veto sepse askush nuk ka veto. Ne duam që të themelojmë ushtri të Kosovës për të qenë pjesë e integruar në NATO dhe jo ushtri të Kosovës për të qenë e izoluar. Prandaj do të punojmë gjithanshëm edhe në rrafshin koordinues vendor me të gjithë por edhe në rrafshin ndërkombëtar që të jetë një angazhim i pranueshëm nga të gjithë dhe i mirëpritur nga të gjithë.

Por a ka Lista Serbe ndonjë kusht që t’I japin mbështetje FSK-së?

Hashim Thaçi: Realisht deri më tani nuk kanë prezantuar ndonjë platformë se si ata do të mund të inkuadroheshin në këtë proces, apo ndonjë ide. Me përjashtim të refuzimit që e kishin të nxitur, inkurajuar dhe të urdhëruar nga Beogradi. Unë nuk dua të besoj se pas kthimit në institucione ata do të vazhdojnë të jenë refuzues në kuptimin absolut. Do ta kuptojnë se themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është i drejtuar kundër askujt përkundrazi është në shërbim të qytetarëve pa dallim etnie, do të jetë një forcë multietnike e kritereve dhe vlerave të NATO-s.

Në ditët e ardhshme planifikoj që të takohem edhe personalisht, të bisedoj me ta në mënyrën më të sinqertë dhe të përgjegjshme dhe në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të lëvizin përpara. Unë e theksoj se ne do të jemi shumë serioz në këtë proces. Ka filluar, do të përmbyllet suksesshëm, do ta themelojmë ushtrinë e Kosovës dhe do ta ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare. Me rëndësi është shumë që tani agjenda e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është më vetëm një agjendë lokale por është agjendë e nivelit më të lartë botëror që do të përfshijnë edhe SHBA-në edhe NATO-n. Ky ka qenë edhe synimi edhe qëllimi im. Është një proces i pakthyeshëm.

E keni një plan si t’i bindni serbët, meqë kanë qenë kategorik se nuk do ta votojnë, siç thonë, kurrë ushtrinë?

 Hashim Thaçi: Në politikë nuk ka kurrë, kurrë! Nuk mund të thuhet kurrë se një proces nuk mund të ndodh. Nuk ka forcë që do të mund ta bllokojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Është një e drejt e patjetërsueshme e qytetarëve të Kosovës dhe e institucioneve të një vendi të pavarur dhe sovran. Tani hapat duhet të koordinohen që të jetë një proces inkluziv, I dëgjimit edhe të opinioneve të ndryshme dhe në të njëjtën kohë unë dua të besoj fuqishëm se serbët e kanë kuptuar që ideja jonë nuk është e drejtuar kundër askujt përkundrazi është në interesin e të gjithëve që vendi ynë të faktorizohet dhe forcohet.

A duhet qeveria ta tërheqë ligjin?

Hashim Thaçi: Mendoj se koha që ka mbetur është e mjaftueshme që të ndodhin bisedimet e hapura me komunitetin serb, prej bartësve të institucioneve dhe e thash se do të udhëheqë vet me këtë proces të diskutimeve me ta. Do të jetë një proces plotësisht i koordinuar me qeverinë dhe Kuvendin, pasi vetë kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Mustafa kanë qenë ndër të parët që janë informuar me idenë time që nëse serbët shkojnë deri në pafundësi me propozimin për ndryshime kushtetuese atëherë Kosova ka të drejtën e vet edhe ligjore për themelimin e ushtrisë. Kështu që agjenda nuk do të ndalet.

Do të respektohen hapat e domosdoshëm. Do të shterim të gjitha mundësitë e koordinimit me serbët. Të bëjmë gjithçka që është e mundur për integrimin e tyre në proces dhe unë shpresoj dhe besoj se përvoja ime në këto vite që kam bashkëpunuar me ta më thotë se diçka e tillë është e mundshme dhe serbët do të jenë pjesë e procesit.

Vetëm edhe 9 ditë i kanë mbetur Qeverisë ta procedojë projektligjin për FSK-në në Kuvend

Kanë mbetur edhe nëntë ditë nga afati kohor prej 30 ditësh që Qeveria e Kosovës ta procedojë Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës në Kuvend.

Periskopi.com Lajme

 

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka proceduar këtë projektligj edhe pse ministritë përkatëse e kanë dhënë dritën e gjelbër për më tutje.

Zyra për media e Ministrisë së Integrimit Evropian ditë më parë ka sqaruar për Telegrafin se Projektligji për FSK-në nuk e cenon legjislacionin e BE-së.

Po ashtu, edhe zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ditë më parë ka thënë për Telegrafin se buxheti reflekton planin strategjik të FSK-së dhe nuk paraqet kurrfarë pengese për transformimin në ushtri.

Dritën e gjelbër e ka dhënë edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, i cili tashmë e ka dhënë mendimin pozitiv për Projektligjin për FSK-në.

Por, burime të Telegrafit bëjnë të ditur se nëse Qeveria nuk jep mendim ose nuk e procedon Projektligjin për FSK-në brenda afatit 30 ditësh prej kur i është dorëzuar, atëherë Kryesia e Kuvendit është ajo që vendos lidhur me ‘fatin’ e këtij Projektligji.

“Nëse nuk jep mendim pas 30 ditësh, atëherë do të vendos Kryesia e Kuvendit nëse procedohet për votim ose jo. Qeveria nuk mund ta ndaloj. Qeveria vetëm mundet me dhënë mendim pozitiv – negativ ose mos me dhënë mendim hiç”, bëjnë të ditur burimet për Telegrafin.

Po ashtu Telegrafi ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga Qeveria e Kosovës lidhur me procedimin e Projektligjit për FSK-në në Kuvend, por zëdhënësi Faton Abdullahu nuk ka kthyer përgjigje.

Ndryshe, Projektligj për FSK-në nga presidenti Hashim Thaçi është dërguar në Kuvend më datë 7 mars, ndërsa Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka proceduar për mendim në Qeveri më 8 mars.

Komandanti i FSK-së tregon se çfarë armatimi do të ketë Ushtria

Komandanti i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, ka thënë se për fillim FSK-ja do të ketë rreth tre helikoteprë që janë obligativ për të krijuar një flotë të aviacionit.

Periskopi.com Lajme

“Bazuar në standarde të NATO-s duhet të ketë helikopterë të mëdhenj, të mesëm ose të vegjël. 3 helikopterë janë obligativ për të krijuar një flotë të aviacionit”, ka thënë Rrahman Rama për RTK.

“Nuk është planifikuar që të kemi tanke, por do të kemi autoblinda. Armatimi do të jetë i njejtë si të gjitha shtetet që janë anëtare të NATO-s”, shtoi Rama.

Duke folur për infrastrukturën që e ka FSK-ja, komandanti Rrahman Rama ka thënë se hapësirat janë të mjaftueshme pasi ata janë përgaditur qysh herët, duke e ditur se një ditë do të ndodhë ky tranzicion.

Kurti flet për ushtrinë, thotë se duhet ruajtur partneriteti me miqtë ndërkombëtarë

Subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, është për krijimin e ushtrisë së Kosovës, thotë deputeti i saj, Albin Kurti.

Periskopi.com Lajme

Sipas tij, Kosova duhet të ruaj partneritetin e saj me NATO-n dhe miqtë ndërkombëtarë, por formimi i ushtrisë nuk mund të ketë alternativa.

“Natyrisht që kjo do të mund të bëhej me Kushtetutë, por për faktin që ndryshimet kushtetuese janë tejet të vështira aktualisht, ajo duhet të bëhet me ligj. Ne kemi nevojë për një projektligj, i cili Forcën e Sigurisë së Kosovës e bën ushtri”, thotë Kurti.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me publikun, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Natyrisht që ne kemi edhe dyshimet tona nëse iniciuesi i ligjit, pra Thaçi, e ka seriozisht dhe sinqerisht këtë nismë dhe nëse me këtë projektligj bëhet me të vërtetë ushtria. Por, ne do ta amandametojmëkëtë projektligj në mënyrë që ta kemi një ushtri të vërtetë”, ka theksuar Kurti.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në vitin 2009, në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.

Tri vite më parë, FSK përmbushi kapacitetet operacionale. Autoritetet në vend më pas nisën procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë duke kërkuar transforimin e kësaj forcë në një proces që do të çonte drejt krijimit të ushtrisë.

Por, ky shndërrim, duhej të bëhej me ndryshimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave. Por, kundërshtimi i deputetëve serbë të mbështetur nga Beogradi zyrtar ka penguar procesin e ndryshimeve kushtetuese.

Andaj si zgjidhje alternative, institucionet e Kosovës po provojnë që ky transforim të ndodhë përmes ligjit për FSK-në. (REL)

Edhe gazetarët dhe shoqëria civile të komunitetit serb kundër ushtrisë

Presidentit të vendit Hashim Thaçit, i cili ishte në një debat në Çagllavicë, nuk i munguan pyetjet nga gazetarë serbë dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile të këtij komuniteti.

Periskopi.com Lajme

Nenad Maksimoviq nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë tha se për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë para ushtrisë së Kosovës, ka gjëra tjera më prioritare siç është gjendja e të kthyerve, e cila sipas tij vazhdon të jetë e keqe.

“Unë si tatimpagues mendoj se ka gjëra shumë më prioritare në të cilat duhet të investojmë, marrë parasysh gjendjen shëndetësore, të arsimit dhe gjendjes së të kthyerve. Çështja e kthimit është çështja më e keqe në Kosovë, vitin e kaluar krahasuar me vitin 2000. Kemi pasur sulme të ndryshme tek personat e kthyer dhe kjo është një temë për të cilën mediat nuk merren në masë të mjaftueshme. Kjo politikë që flet se Kosova është duke ecur çdo ditë më shumë në secilin aspekt, dhe si secili komunitet është i integruar më mirë në kuptimin politik dhe shoqëror është e mirë për vetëbesim dhe është e bukur kur kemi para neve akterët ndërkombëtar, por nuk është bazuar në realitet. Ndarjet etnike janë jashtëzakonisht të larta edhe sot pas 17 viteve. Numri i incidenteve të motivuara etnikisht nuk është duke u zvogëluar por prej vitit në vit është 500 e më shumë në nivel nacional”, tha Maksimoviq.

Por presidenti i Kosovës duke iu përgjigjur këtyre deklaratave tha se gjendja nuk ashtu siç po paraqitet, pasi që sipas Thaçit  raportet ndëretnike në Kosovë, kurrë s’kanë qenë më të mira.

“Raportet ndëretnike, nuk kanë qenë kurrë më të mira, prej pasluftës deri sot. Ky është rezultat i angazhimit të të gjithë ne. Ka vite që s’kanë ndodh incidente ndëretnike. Këto janë incidente me motive kriminale jo ndëretnike. Duhet të bëhet dallimi mes incidentit kriminal dhe incidentit nder etnik”, tha ai.

Gazetarja nga KIM Radio e quajtur Zorica e pyeti presidentin e vendit, se a do të kërkojnë falje institucionet e Kosovës, për ngjarjet që kanë ndodhur në marsin e vitit 2004 ku janë shkatërruar disa objekte fetare dhe janë vrarë qytetarë serbë.

“Nesër do të jetë 13 vjetori i ngjarjes së marsit. Më intereson si e shihni ju këtë ngjarje. Më herët keni thënë se serbët të kërkojnë falje. A duhet të kërkojnë falje institucionet e Kosovës serbëve që nuk kanë gjetur personat përgjegjës për të gjitha vrasjet dhe vendosjen në flakë të gjithë atyre shtëpive dhe objekteve të shenjta”, ishte pyetja e kësaj gazetareje.

Sa i përket këtyre që kanë ndodhur presidenti Thaçi tha për të kanë qenë dhe janë të dënueshme. Por nuk la pa përmendur dhe luftën në Kosovë dhe gjenocidin që ka kryer Serbia.

“Gjithë bota e di kush e ka provokuar luftën në Kosovë dhe në vendet e ish Jugosllavisë ka qenë shteti i Serbisë. Por në veçanti në Kosovë, gjithë spastrimi etnik vrasjet deri në gjenocid, janë kryer nga shteti i Serbisë…gjatë tërë luftës në Kosove, janë rrënuar diku rreth 300 xhami, monumente fetare të besimit islam, disa teqe dhe 7 ose 8 kisha katolike. Tëra këto rrënime që kanë pasur vlera të përmasave historike, pasuri e gjithë njerëzve të Kosovës këto rrënime këto shëmti janë urdhëruar dhe kanë ndodhur nga ushtria policia e shtetit të Serbisë. As edhe një monument i komunitetit i komunitetit serb gjatë periudhës së luftës nuk është cenuar në Kosove 1998 -99. Ky është fakt i pakontestueshëm…Gjërat që kanë ndodhur nga individë të ndryshëm menjëherë mbas luftës, kanë qenë të shëmtuara. Po ndalem te dëmtimi i monumentet historike serbe, vrasje e ndonjë plake për përvetësimin e pronës së tyre ato kanë qenë, janë dhe do të jenë jetësisht të dënueshme nga ana ime”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka debatuar sot në Çagllavicë me gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të komunitetit serb./KosovaPress/

SHBA: Krijimi i Forcës së Armatosur me Kushtetutë

Zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Michelle Schohn, i tha Radios Evropa e Lirë në një përgjigje me shkrim, se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës që çon drejt ndryshimeve Kushtetuese".

Periskopi.com Lajme

Schohn tha se “e vetmja mënyrë për të arritur këtë është përmes përpjekjeve të qarta për t’iu qasur komuniteteve me qëllim të sigurimit të mbështetjes së tyre”.

“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara që të punojnë me Kosovën në këtë rrugë”, thuhet në një përgjigje me shkrim të zëdhënëses së ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Deklarimet e ambasadës së SHBA-së erdhën në kohën kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka këmbëngulur në procedimin e projektligjit të hartuar nga zyra e tij për shndërrimin e FSK-së në një ushtri të Kosovës.

Më shumë se një javë më parë Thaci dërgoi në Kuvendin e Kosovës projekt ligjin, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të NATO-s dhe të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, që e kanë cilësuar “hap të njëanshëm”.

Por, presidenti Thaçi, që ka ‘kërcënuar pak ditë më parë me dorëheqje në rast të mosvotimit të ushtrisë së Kosovës në Kuvend’, ka ripërsëritur garancitë për partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Nisma e presidentit Thaçi ndërkaq shënon reagimin e parë të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara, një vend ky që ka ndihmuar Kosovën në proceset më të rëndësishme të saj përfshirë dhe shpalljen e pavarësisë së vendit.

Analistët në Kosovë thonë se vendimet e mundshme për ta çuar përpara Ligjin për ushtrinë mund të acarojnë më tepër raportet e Kosovës me faktorët ndërkombëtare dhe të vënë në rrezik ato.

Ilir Ibrahimi, analist politik, i tha Radios Evropa e Lirë se hapat që çojnë drejt përplasjes me ndërkombëtarët nuk janë as të mençur dhe as serioz.

“Po shihet se jemi duke shkuar në atë drejtim. Kjo nuk është në interesin e Kosovës sepse Kosova e ka arritur atë që e ka deri tani duke iu falënderuar këtij partneriteti. Tani nuk e di se çfarë ushtrie mund të bëjmë nëse nuk ka përkrahjen e SHBA-së dhe NATO-s. Sa e fortë do të jetë ajo ushtri që do të mund ta bëjë një shtet i vogël si Kosova, kur kemi një acarim të marrëdhënieve të mburojës së sigurisë së Kosovës që e kemi pasur deri tani. Prandaj nuk më duket hap serioz e as i mençur”, tha Ibrahimi.

Për politologun, Ramush Tahiri, marrëdhëniet ndërmjet faktorit ndërkombëtar që kanë ndihmuar Kosovën dhe institucioneve të Kosovës po acarohen sepse, thotë ai, faktori ndërkombëtar, ambasadat po edhe NATO-ja, po insistojnë që Kosova ta ketë ushtrinë me ndryshimet kushtetuese.

“Duket se palët kanë hyrë në këtë çështje dhe nuk mund të dalin në mënyrë të dinjitetshme. Unë supozoj se do të shkohet deri në fund dhe nuk do të tërhiqet ligji, aq më parë që e kemi kërcënimin e presidentit për dorëheqje. Mirëpo aplikimi i ligjit do të shtyhet. Unë mendoj se kjo do të jetë zgjidhja e kompromisit dhe ndërkohë do të gjendet modaliteti se si do të inkorporohet në kushtetutë dhe si të ketë miratim parlamentar”, tha Tahiri.

Sipas tij, edhe nëse Kuvendi e miraton Ligjin për ushtri, ai do të marrë kohë deri sa të zbatohet dhe Kosova ta ketë ushtrinë e saj.

“Nuk do të prishen marrëdhëniet menjëherë me faktorin ndërkombëtar, sepse [ligji] nuk do të prodhojë ndonjë efekt praktik. Unë mendoj se megjithëse duket se nuk është nisur krejt mirë, Kosova ka nevojë për ushtri, Kosova ka nevojë për partneritet ndërkombëtar edhe është kusht për të pasur ushtri. Dhe gjithashtu partneriteti ndërkombëtar është domethënës edhe sa i përket vet stabilitetit dhe sovranitetit të Kosovës”, tha Tahiri.

Por, për analistin Ilir Ibrahimi, Ligji për shndërrimin e FSK-së në ushtri nuk do të votohet në Kuvendin e Kosovës pasi, sipas tij, gjithë kjo zhurmë po bëhet për qëllime të caktuara të partive politike.

“Unë nuk besoj se kjo çështje nuk do të shkojë me tutje, sepse në fund të fundit do të shihet se nuk do të mund të shkojë pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. Shpresoj që në këtë vend tonin ka ende mendje të cilat mendojnë pak më shumë sesa interesat partiake dhe do të ulen për të pasur një koordinim me partnerët tanë strategjik. Nëse ne e kemi arritur pavarësinë në partneritet me SHBA-të, që është shumë më e madhe se ushtria, atëherë ta prishim këtë partneritet për të formuar ushtrinë me duket një gjë shumë e gabuar”, tha Ibrahimi.

Megjithëkëtë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një nismëtar i ndryshimit të Ligjit për shndërrimin e FSK-së në ushtri, ka vazhduar përpjekjet e tij për të bindur edhe pjesëtarët e pakicave në Kosovë që ta votojnë ligjin.

Në vitin 2014, përplasjet rreth çështjes së ushtrisë së Kosovës çuan vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Forca e sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.

Tre vjet më parë ajo përmbushi kapacitetet operacionale dhe autoritetet në vend nisën procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë duke kërkuar më shumë kompetenca për FSK-në që do të çonte drejt krijimit të ushtrisë.

Kjo megjithatë duhej të bëhej me ndryshimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave. Por, kundërshtimi i deputetëve serbë të mbështetur nga Beogradi zyrtar ka penguar procesin e ndryshimeve kushtetuese. (REL)

Presidenti Thaçi nesër debaton me serbët për Ushtrinë e Kosovës

Presidenti Hashim Thaçi, nesër do të debatojë me përfaqësuesit e mediave serbe dhe me shoqërinë civile të komunitetit serb për Ushtrinë e Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Një debat të tillë, dje Thaçi e kishte bërë edhe me pjesëtarë të disa organizatave të shoqërisë civile në Prishtinë.

Debatin me serbët, Thaçi do ta zhvillojë nesër, duke nisur nga ora 11:00, në Media Center në Çagllavicë.

Kelmendi tregon përse nuk po e dërgojnë projektligjin e FSK-së në Kuvend (Video)

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi i ftuar në emisionin Kontakt të Tribuna Channel ka thënë qeveria nuk po e dërgon projektligjin e FSK-së në Kuvend për arsyen se nuk dëshirojnë t’i tregojnë ndërkombëtarëve që bëjmë hapa të shkurtra.

Periskopi.com Lajme

Sipas tij, çdo hap pa bashkësinë ndërkombëtare është i dëmshëm për Kosovën.

Zyrtari i LDK-së ka thënë se qëndrimet e ndërkombëtarëve janë të pakapërcyshme dhe se do të veprojnë në trajtë vertikale me miqtë ndërkombëtarë.

 

Procedohet në Qeveri projektligji për Ushtrinë e Kosovës

Ministria e FSK-së ka njoftuar se ka proceduar në Qeveri projektligjin për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Periskopi.com Lajme

 

“MFSK shpreh pajtimin e plotë dhe mbështet miratimin e Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës; që do të rezultonte me krijimin e bazës ligjore me qëllim të përmirësimit dhe ndërtimit të një sistemi të mbrojtjes dhe sigurisë me kapacitetet e nevojshme shtetërore, në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe interesave shtetërore, si dhe përmbushjen e synimeve për integrime euro-atlantike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së FSK-së.

Transformimi i FSK-së në ushtri, proces i pakthyeshëm

Periskopi.com Uncategorized

Procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës ka hyrë në një proces të pakthyeshëm. Kështu u tha anë tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temë “Si të procedojmë me formimin e ushtrisë”.

Deputeti i AAK-së dhe kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së Daut Haradinaj tha se ata si ligjvënës janë duke e pritur projektligjin e sponsorizuar nga presidenti për ta dërguar në Kuvend bashkë me opinionet e tyre brenda afatit prej 30 ditëve. Sipas tij, në rast se kjo nuk ndodh, atëherë do ta marrin procesin në dorë ata si ligjvënës.

Ai madje shtoi se Forcat e Armatosura të Kosovës, sipas bindjes së tij mund të krijohen edhe me ligj të thjeshtë.

“Sot jemi në një situatë pothuajse të palakmueshme për shkak se askush i ekzekutivit nuk po e merr guximin me deklaruar atë qëndrim, edhe ministri edhe kryeministri edhe dikasteret  përkatëse. Por çkado që ata bëjnë, i kanë 30 ditë afat. Brenda këtyre 30 ditëve nëse ata vonohen do ta nisim iniciativën përmes deputetëve, anëtarëve të Komisionit sepse këtë ma lejon edhe rregullorja e Kuvendit edhe Kushtetua, por e mira e së mirës do të ishte që ai ligj të sponsorizohej prej ekzekutivit, të vjen në komision parlamentar, komisioni ti jep mbështetje dhe ta dërgojmë në lexim të parë”, tha Haradinaj.

Deputeti Haradinaj shtoi se transformimi i FSK-së në ushtri, nuk do të thotë se po krijon një mekanizëm, i cili do të rrezikojë qytetarët e Kosovës apo ndonjë elementi jashtë Kosovës, por po krijon një mekanizëm për mbrojtjen e kufijve, pronës dhe garantimin e paqes dhe sigurisë.

Ndërsa deputetja Vjosa Osmani, tha se që nga viti 2013 kur është bërë rishikimi i Sektorit të Sigurisë kanë mundur të bëjnë ndryshimet në ligjin për FSK-në, madje edhe misionin e saj. Por tha se krijimi i ushtrisë duhet të bëhet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ani pse nëse ligji shkon në Kuvend, atë s’do të mund ta ndalë asgjë që ta votoj.

“Tashmë që procesi ka filluar dhe e konsideroj proces të pakthyeshëm, është kjo koha që ka mbetur institucionet e Kosovës edhe Qeveria edhe deputetët të angazhohen për diskutime publike. E kam thënë ky është një proces thelbësor për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës dhe jo rastësisht gjatë negociatave për statusin e Kosovës kundërshtia e Serbisë në gjithë pakon e Ahtisarit ka qenë FSK-ja…. Në këta muajt që kanë mbetur secili prej nesh të kontribuoj që të binden partnerët tanë strategjik që plani A është i shterur, që nuk ka asnjë mundësi, së paku për këtë mandat, me këta deputetë të Listës Serbe që me këtë nuk ndryshon Kushtetuta, në planin B të jetë i përbashkët të marrim përsipër ta bëjmë të njëjtin proces sikur kur është hartuar Kushtetuta….Nuk e di cili është qëndrimi i LDK-së, po flas si deputete nuk ka asnjë rrethanë që mund të me ndalojë të votoj kundër një ligji të tillë”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se Kroacia dhe Shqipëria i kanë shkruar letër sekretarit të NATO-s në përkrahje të formimit të ushtrisë së Kosovës.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati tha se FSK është ngritur që nga fillimi në bashkëpunim të ngushtë dhe mbikëqyrje të NATO-s dhe partnerëve strategjik dhe çdo kapacitet që është ndërtuar deri në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale është zhvilluar me standardet më të larta që i kanë shtetet e NATO-s.

Ai ka dhënë edhe arsye pse Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj.

“Pse Kosova duhet t’i ketë forcat ushtarake të saj. Në rend të parë Kosova si shtet i pavarur duhet ta ketë ushtrinë e vet për t’i mbrojtur kufijtë, qytetarët dhe pronën, por edhe për të marrë pjesë në operacionet në familjen më të madhe politiko-ushtarake NATO-s nëpër botë. Elementi i dytë është që Forca Ushtarake e Kosovës nuk do të jetë vetëm benifit për Kosovën por do të jetë edhe për NATO-n. Me ngritjen e këtyre kapaciteteve ushtarake dal nga dal me një plan të bashkëpunimit dhe veprimit mund të ndryshojmë këtë raport dhe dal nga dal Forca Ushtarake e Kosovës mund ta merr kompetencën nga shtet e NATO-s dhe të bart tek Forca Ushtarake”, theksoi Kastrati.

Ish kreu i FSK-së, shtoi se për fazat e zhvillimit të kësaj Force nuk duhet të brengoset askush për arsye se brenda natës nuk do të ndryshoj asgjë, pasi plani që është paraparë të zhvillohet kjo forcë deri në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale është 10 vjeçar dhe me miratimin e ligjit, brenda natës nuk do të ndryshoj asgjë.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, theksoi se Kosova është e gatshme për transformimin e FSK-së në FAK dhe se ekziston konsensusi politik për ta bërë këtë. Selimi shtoi se nuk është zbatuar Kushtetuta rreth FSK-së sepse askush si ka ndaluar që ajo të jetë operacionale në tërë vendin, të ketë pajisje me të mëdha e të tjera. Derisa, e quajti mos koordinim me partnerët strategjik, reagimin e NATO dhe SHBA-së.

“Duket se reagimi i partnerëve tanë strategjik, i sekretarit të NATO-s, i ambasadës amerikane, reagimi i tyre kundrejt këtij ligji, nuk nënkupton se ata nuk e mbështesin rritjen, ngritjen dhe pasjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës. Për shkak se të njëjtit me bashkëpunim të përhershëm me FSK-në, me faktorët tonë të brendshëm kanë ngritur këto kapacitete që ka FSK-ja, dhe ne nuk duhet asnjëherë të dyshonim se këta nuk e duan ushtrinë dhe nuk e duan Kosovën e mbrojtur. Kjo ka pasuar pasi një parakusht nuk është pasuar, ka munguar koordinimi dhe mendoj që pikërisht politizimi dhe përvetësimi ka ardhur pastaj reagimi”, tha Selimi.

Të pakthyeshëm transformimin e FSK-së e ka quajtur drejtori i zyrës për komunikim në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala.

“Me arritjen e kapaciteteve operacionale ka lindur shumë natyrshëm nevoja për transformimin e FSK-së, dhe kjo nevojë ka qenë e institucionalizuar në formë të dokumentit me rishikimin strategjik të sigurisë së Kosovës….Tash kohëve të fundit e kemi edhe projektligjin të propozuar nga presidenti që është një ngjarje e re. Sigurisht dorëzimi i këtij projektligji nga presidenti ne jemi të bindur se do ta përshpejtoj dinamikën e transformimit të FSK-së dhe mendojmë që ka hyrë në një proces të pakthyeshëm dhe sigurisht tash do të bazohet në procedura ligjore dhe afatet dhe rregulloren e punës së Parlamentit”, u shpreh Shala.

Projektligji i sponsorizuar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me të cilin mundësohet transformimi i FSK-së në ushtri, tani është në Qeveri për t’i dhënë opinionet e veta, e më pastaj për ta dërguar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim. I njëjti projektligj është shqyrtuar nga grupet punuese në Ministrinë e FSK-së e që ministri Haki Demolli ka thënë për KosovaPress se nesër do të dërgohet në Qeveri.

Këshilli i NATO-s me vendim unanim për ushtrinë

Një zyrtar i lartë i NATO-s i ka deklaruar gazetës “Zëri” se propozimet e fundit për ushtrinë janë të padobishme dhe, sipas tyre, i mbetet Këshillit të Aleancës Veriatlantike që të marrë një vendim unanim politik rreth mënyrës së bashkëpunimit të mëtutjeshëm me FSK-në

Periskopi.com Lajme

 

Ndërrimi i misionit të FSK-së pa ndryshimet e nevojshme kushtetuese nuk do t’i kontribuojë paqes dhe situatës së sigurisë në rajon, e cila ka shënuar progres viteve të fundit përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kështu ka thënë një zyrtar i lartë i NATO-s për gazetën “Zëri”, duke folur rreth propozimit të presidentit Thaçi që FSK-ja të shndërrohet në ushtri pa ndërruar Kushtetutën.

Sipas po këtij zyrtari, NATO-ja është e interesuar që ta vazhdojë bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj FSK-së, mirëpo nëse propozimi i presidentit Thaçi do të vazhdojë përpara, atëherë ata do ta rishikojnë nivelin e përkushtimit të tyre.

E në Kosovë ish-ushtarakët, tani deputetë në Kuvendin e Kosovës, vlerësojnë se për të mirën e Republikës çdo hap në drejtim të transformimit të FSK-së të jetë në bashkëveprim me partnerët strategjikë.

Ndërkohë, presidenti Thaçi, si nismëtar i këtij procesi, nuk ka lëshuar pe nga iniciativa e tij. Ai dje ka falënderuar të gjitha komunitetet e tjera joserbe për përkrahjen rreth Ligjit për FSK-në.

“Deputetët dhe përfaqësuesit të komunitetit turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian dhe malazez, të gjithë mbështetin Ligjin për FSK-në. Faleminderit!”, ka shkruar presidenti Thaçi në “Twitter”.

Topalli tregon se cilat janë të metat e Projektligjit për FSK-në (Video)

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli thotë se jo zyrtarisht ka lexuar Projektligjin për FSK-në. Topalli në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, përmend disa të meta të cilat i ka ky Projektligj.

Periskopi.com Lajme

“Ne jemi në proces të analizës së Projektligjit. Ne angazhohemi edhe për këtë Ligj që është shumë i mangët dhe nuk e transformon FSK-në në ushtri. Ne kur ta kemi zyrtarisht Ligjin do të analizojmë në tërësi dhe do të dalim me një version përfundimtar”, tha Topalli në “Kontakt” në Tribuna Channel.

Sipas Topallit, Kosova duhet të ketë ushtrinë sepse sipas tij, vendi nuk ka mbrojtje të mirëfilltë.

Mbi 3 mijë ushtarë në FSK, mësohet sa serb janë pjesëtarë

Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht në gjirin e saj ka mbi tre mijë pjesëtarë, duke përfshirë edhe ato rezervë. Mirëpo, keq nuk qëndron edhe me numrin e pjesëtarëve nga komunitetet e tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Remzie Zeqiraj, oficere për marrëdhënie me publikun në MFSK, ka thënë për “Indeksonline” se FSK-ja ka gjithsejtë 2500 pjesëtarë aktiv dhe 800 rezervë si dhe aktualisht shërbejnë 190 pjesëtarë nga radhët e komuniteteve pakicë, apo 7.86%”.

Sipas statistikave del të jetë se turqit dhe serbët janë ‘kampion’ sa i përket pjesëmarrjes së tyre në FSK.  “Ashkali (30 apo 1.24%), boshnjakë (43 apo 1.78%), kroatë (3 apo 012%), egjiptian (14 apo 0.58%), goran (2 apo 0.08%), Romë (2 apo 0.08%), serb (45 apo 1.86%), turq (49 apo 2.03%), maqedon (1 apo 0.04%), gjerman (1 apo 0.04%)”, thuhet në përgjigjen e MFSK-së.

Lidhur me përfshirjen e pjesëtarëve të komuniteteve tjera, analistët thonë se zgjerimi në këtë institucioni është  i nevojshëm për vendin. Sipas tyre, ky është një argument i qëndrueshëm se FSK-ja është e gatshme dhe mund të jetë së shpejti ushtri e Kosovës duke mbledhur brenda vetës qytetarë nga të gjitha komunitetet.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani ka thënë se pjesëmarrja e minoriteteve dhe rritja e numrit të tyre sipas shumë-llojshmërisë etnike është veprim që tregon se qytetarët e Kosovës dhe të komunitetit serb e të tjerë i besojnë këtij institucioni.

“FSK-ja është institucion shumë etnik që pasqyron shumë llojshmërinë etnike ashtu sikurse përcaktohet me parimet kushtetuese për sektorin e sigurisë. Normalisht, sikurse institucionet tjera, edhe FSK-ja është për shërbim ndaj qytetarëve të të gjitha komuniteteve”, është shprehur Ramadani.

Nga ana tjetër, eksperti tjetër i sigurisë, Avni Islami thotë se ndërtimi i Kosovës multietnike është dhe mbetet  përkushtim i institucioneve të vendit pasi, sipas tij, kjo është dëshmuar edhe në praktik çështja e pjesëmarrjes së minoriteteve në të gjitha fushat.

“Këtu duhet të theksohet edhe përqindja e pakicave jo shqiptare në Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kohët e fundit është temë aktuale. Pjesëmarrja rreth 8 % e pakicave në FSK-ë  është e kënaqshme duke e marr parasysh edhe numrin e banorëve pakicë të cilët jetojnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Islamit, ky kriter i cili po përmendet këto ditë jo që i plotëson Kosova që të transformohet në Ushtri , por madje edhe i tejkalon edhe rregullat të cilat janë përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. /Indeksonline