trepca-89

Superliga e Kosvës në futboll fillon “gjumin dimëror të arushës”

Pranimi në UEFA dhe FIFA nuk ka ndryshuar kalendarin e garave, e as që është pritur ta ndryshojë.

Periskopi.com Sporti

Pushimi dimëror i skuadrave ka nisur dhe ai do të zgjasë plot tre muaj, por skuadrat e Vala Superligës në futboll besojnë se ai do të jetë aktiv – me stërvitje të vazhdueshme dhe ndeshje miqësore të herëpashershme, tash që Kosova ka edhe disa fusha me bar sintetik, shkruan sot Koha Ditore.

Me ndeshjet e xhiros së 17-të të Superligës që përfundojnë sot dhe me disa të Kupës që do të luhen nga skuadrat e rangjeve të ulëta në fundjavë, zyrtarisht mbyllet sezoni vjeshtor. Sezoni pranveror pritet të nisë në fund të shkurtit ose në fillim të marsit, varësisht kur vendos Federata e Futbollit e Kosovës.

asd

Tërhiqet shorti i Kupës së Kosovës

Sot është tërhequr shorti për rrethin e katërt të Kupës së Kosovës.

Periskopi.com Sporti

Këto janë ndeshjet e rrethit të katërt që zhvillohen me 3 dhe 4 Dhjetor:

Flamurtari – Vllaznia (P)

Kek-u – Dukagjini (K)

Vellaznimi – Arberia (D)

Bashkimi (K) – 2 Korriku. /Periskopi/

MARIO

FIFA vendos për Kosovën dhe Kroacinë

Brohoritjet ''vritni serbët'' nuk kanë janë harruar fare nga shtëpia më e madhe e futbollit ndërkombëtar, FIFA.

Periskopi.com Sporti

Por, FIFA ka vendosur që ta dënojë vetëm Federatën e Futbollit të Kroacisë dhe aspak atë të Kosovës edhe pse këto brohoritje u bënë nga të dyja grupet e tifozëve.

Konkretisht, Federata e Futbollit të Kroacisë është dënuar me 50 mijë franga zvicerane, dënim ky që vlerësohet si i ulët nga mediat serbe, shkruan lajmi.net.

Kujtojmë që ndeshja e radhës së Kosovës do të jetë mv 12 nëntor kundër Turqisë si mysafir. /Periskopi.com

vokrri

Skandaloze se çka po ndodh në futbollin kosovar

Politika ka lëshuar rrënjë në sport. Gazeta “Zëri” përmes një hulumtimi ka arritur t’i faktojë lidhjet e politikës me sportin përmes emrave të politikanëve, familjarëve apo të “dërguarve” të saj në pozita udhëheqëse të sportit.

Periskopi.com Sporti

Ndërhyrja dhe ndikimi politik nis tek klubet, përcillet në federata dhe mbërrin deri në Komitetin Olimpik të Kosovës, që është edhe institucioni më i lartë sportiv në vend. Madje, shpeshherë në pah dalin inatet politike, që po e sakatojnë sportin dhe sportistët tanë

Sporti i Kosovës asnjëherë nuk ka qenë në binarë. Të nisemi nga paslufta, sepse para saj ishin rrethana të tjera. Atëherë luftohej për ekzistencë. Mirëpo, problemi i madh është se lëmshi i jashtëzakonshëm vazhdon edhe 17 vjet pas luftës, i cili ka qenë i pashëm gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, por është kapërdirë disi, kryesisht në heshtje, pa zhurmë, me shpresën se ndërkombëtarizimi do të fillojë t’i qesë gjërat në binarë. Por kot! Avazi i vjetër po vazhdon edhe tani kur sporti kosovar është ndërkombëtarizuar.

Në sportin e Kosovës shumëçka nuk është në vendin e vet. Ky nuk është ekzagjerim, por një realitet. Vetëm ata që kanë fajet apo “mizën pas veshit” nuk e pranojnë. Por, faktet janë fakte, të cilat flasin dhe triumfojnë përpara njerëzve sado të fortë që mund të jenë, shumë prej të cilëve pa merita kanë zënë pozita në sport.

Kur flitet për gjendjen e rëndë të sportit tonë, mendja mund t’u shkojë te infrastruktura katastrofale, te fushat e futbollit me lloç apo te palestrat në të cilat ende pikon ujë e që u ngjajnë frigoriferëve. Ose te kriza financiare me të cilën kaherë përballen sportistët tanë. Apo ndoshta edhe te rezultatet e dobëta që përfaqësuese, klube e sportistë kosovarë po i regjistrojnë në arenën ndërkombëtare. Keni të drejtë, sepse të gjitha këto ekzistojnë dhe normalisht që edhe ju shqetësojnë. Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten pse po ndodhin këto?! Çka duhet të pritet prej një objekti që ndërtohet mbi një themel të hollë?! Sigurisht, rrënimi i tij!

Pra, sporti i Kosovës ka probleme serioze në themel. Problemet janë të lidhura në mënyrë zinxhirore nga ata që kanë zënë pa meritë pozita kyçe nëpër klube, federata e deri në Komitet Olimpik të Kosovës (KOK), apo edhe më lart. Nga njerëzit që i takojnë politikës apo që janë të afërm të politikanëve të njohur, apo të atillë që kurrë më herët nuk janë marrë me sport. Shumë të tillë ua kanë zënë vendin atyre që do të duhej të uleshin në ato karrige e që sot bredhin rrugëve të Kosovës apo diasporës. Ndërsa gazeta “Zëri”, pas hulumtimeve të bëra, në mënyrë kronologjike ua pasqyron pozitën e vështirë të sportit të Kosovës, i cili pavarësisht situatës arrin nganjëherë të na kënaqë, ndonëse në një ambient normal do të na kënaqte shumë më shpesh.

Problemi rrjedh prej klubeve “politiko-sportive”

Se sporti kosovar ka nevojë për një reformim të thellë nuk ka dyshim. Por, si të bëhet reformimi kur klubet sportive funksionojnë për faqe të zezë. Herë shuhen e herë ngjallen. Herë luftojnë për tituj të kampionit e herë luftojnë kundër shuarjes.

Kryesisht funksionojnë si OJQ. Ndërsa, ndikimi dhe ndërhyrja e politikës në to është i madh. Klubet kosovare, me shumë pak përjashtime, janë shumë të varura nga komunat përkatëse, prej të cilave marrin edhe mjete. Është e ditur se kryesitë e shumë klubeve ndërrohen thuajse pas çdo palë zgjedhjesh lokale që mbahen në Kosovë.

Partitë politike që marrin pushtetin komunal dërgojnë njerëz të tyre – që mund të jenë edhe ish-sportistë, por tani si pensionistë janë lidhur me politikë –  nëpër kryesi të klubeve, të cilët pastaj shkojnë delegatë edhe nëpër kuvende të federatave, e pastaj federatat dërgojnë delegatë nga i njëjti profil në KOK, i cili njëherësh është edhe institucioni më i lartë sportiv.

“Unë kam luajtur për këtë ekip dhe krejt jetën ia kam kushtuar. Kurse, pas pensionimit nga sporti aktiv, vazhdimisht kam qenë, jam edhe tani, në kryesi të klubit edhe kur ajo ndryshon. Shikoni, si klub kemi nevojë për t’u ndihmuar nga komuna, sepse ju e dini gjendjen e vështirë financiare. Njëjtë është puna edhe me klubet tjera të Kosovës. Normalisht, kur komuna na ndihmon me mjete, ato i sjell dhe i mbikëqyr dikush nga komuna, pra ata që i japin paratë”, thotë në kushte anonimiteti për “Zërin” zyrtari i lartë i një klubi kosovar, i cili ka qenë sportist i dalluar në kohën kur ishte sportist aktiv.

Por jo vetëm kaq. Në sportin e Kosovës qe 17 vjet pasluftës është folur shumë për kurdisje të rezultateve të ndeshjeve. Dhe, ka pasur raste kur në çarqe sportive është folur me të madhe se në aso aferash ka pasur gisht edhe politika, në nivel komunal, duke intervenuar komuna në komunën tjetër, të udhëhequra nga partia e njëjtë politike, për t’i ndihmuar njëra skuadër skuadrës tjetër. Madje, janë parë politikanët nga të dyja komunat duke drekuar bashkë para lojës, dhe bashkë në lojë, të cilën e ka fituar ekipi, ashtu siç përflitej para ndeshjes. Por, krejt ato kanë mbetur vetëm si raste të “dyshimta”, të pa hetuara dhe të pa dënuara, e tani edhe të harruara.

Se problemi rrjedh këtu, pra te klubet, e konfirmon edhe situata aktuale. Federatat sportive të Kosovës dhe KOK-u kanë hyrë në procesin zgjedhor për ciklin e ri olimpik katërvjeçar. Ndërsa, normalisht të parët që do të duhej të mbanin zgjedhje janë klubet, prej të cilave nuk po kërkohet diçka e tillë nga askush.

“Federatat e kanë me statut që para zgjedhjeve t’i marrin delegatët e rinj nga klubet, me çka nënkuptohet se klubet duhet të mbajnë zgjedhje të parat para çdo cikli olimpik. Disa klube të mëdha edhe mbajnë zgjedhje, por ka klube që udhëhiqen prej një apo dy individësh. Çfarë zgjedhjesh mund të mbajnë ata?!”, thotë Erolld Belegu kryetar i Federatës Basketbollit dhe aktivist i sportit kosovar.

Sikur klubet t’u paraprinin zgjedhjeve të federatave dhe KOK-ut, atëherë shpresat për fillim të ndryshimit dhe normalitetit do të rriteshin. Këtë e pranon edhe vetë kryetari i KOK-ut, Besim Hasani. “Klubet çojnë delegatë nëpër federata, kurse federatat delegojnë në KOK”, thotë Hasani për “Zërin”.

Me këtë nënkuptohet se as ky proces zgjedhor nuk pritet të sjellë risi. Federatat dhe KOK-u do të mbajnë zgjedhje vetëm sa për ta kryer obligimin, por nuk pritet të sjellin risi, kështu që sporti kosovar së paku edhe katër vjet do të vazhdojë të udhëhiqet njëjtë, nga njerëzit e njëjtë.

Vëllezër të politikanëve – kryetarë federatash!

Edhe pse organizatat ndërkombëtare të sportit kategorikisht luftojnë tentimet e ndërhyrjeve politike, në federatat sportive të Kosovës ka plot njerëz të politikës, familjarë të politikanëve apo të afërm të politikës është shumë e vërtetë. Për këtë, para pak kohësh, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) u qortua nga UEFA. Pas kësaj, dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Murat Hoxha, dhanë dorëheqje nga FFK-ja.

Por, në shtëpinë e futbollit funksione vazhdon të kryejë anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Vjollca Krasniqin, një ish-deputete dhe anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës apo Agron Mustafa, kryeshef ekzekutiv në PTK-së, e i cili nga partitë politike të opozitës konsiderohet njeri shumë i afërt e i besueshëm i kryetarit të PDK-së dhe njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Mustafa këtë post e ka marrë pasi “Vala” është bërë sponsore e madhe e përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Kurse, ish-futbollisti i famshëm, Muharrem Sahiti, është ndihmëstrajner në reprezentacionin kosovar të futbollit, por njëkohësisht punon në Qeveri si këshilltar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Por jo vetëm kaq. Vëllai i deputetit të “Vetëvendosjes” Rexhep Selimit është kryetar i Federatës së Boksit të Kosovës. Ai është Ramadan Selimi, i cili nuk ka të kaluar sportive.

Vëllai i një deputeti tjetër është kryetar i Federatës së Mundjes së Kosovës. Ai është Naim Muja, vëllai i Shaip Mujës. Në dallim prej Ramadan Selimit, Naim Muja ka qenë një mundës. Kurse, kryetar i Federatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve të Kosovës është Arben Lila, bashkëshort i kryetares së Komunës së Gjakovës, politikanes së njohur, Mimoza Kusari-Lilës. Mirëpo, Arben Lila njihet si një sportist mjaft aktiv.

Sigurisht, edhe njerëz të politikës apo të afërt me politikën mund të gjenden edhe në bordet apo komitetet ekzekutive të federatave.

Përbërja “sportive-politike” e KOK-ut

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) qe 20 vjet udhëhiqet nga Besim Hasani, i cili po bëhet gati ta fitojë edhe një tjetër mandat në krye të këtij institucioni, në zgjedhjet që do të mbahen shumë shpejt. Hasani ka qenë një ish-karateist, por është treguar më “i fortë” në krye të KOK-ut, ku i ka mundur lehtë kundërkandidatët nëpër zgjedhjet e kaluara.

Fitorja e tij në zgjedhjet e sivjetshme konsiderohet punë e kryer edhe tani. Aktualisht ai udhëheq me nënkryetarin Shasivar Haxhijaj, që është kryetar i Degës së PDK-së në Istog, dikur këshilltar i ish-ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit, Memli Krasniqi, ndërsa tani emri i tij figuron si këshilltar politik në Ministrinë për Forcën e Sigurisë. Nënkryetar tjetër është Fatmir Makolli, i cili vjen nga karateja dhe kick-boksi.

Nënkryetar figuron edhe emri Arben Lilës, bashkëshortit të kryetares së Gjakovës dhe politikanes së njohur, Mimoza Kusari – Lilës, e i cili është edhe kryetar i Federatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve të Kosovës. Nënkryetar është edhe Fikret Shatri, që vjen nga basketbolli. Kurse, sekretar është ish boksieri Mehmet Bogujevci.

Ndërsa, anëtarë të Bordit janë: Eugen Saraçini, Ramadan Selimi, Shqipe Zogiani, Vjollca Krasniqi, Fadil Vokrri, Nezir Rama, Ismail Kosumi e Gazmend Maxhuni. Derisa Vokrri, Zogiani, Rama, Kosumi e Maxhuni janë ish sportistë, Vjollca Krasniqi është ish deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e LDK-së, kurse Ramadan Selimi është vëllai i deputetit Rexhep Selimi dhe kryetar i Federatës së Boksit. Ndërsa, Eugen Saraçini vjen nga “RTV 21” dhe mban postin edhe të kryetarit në Federatën e Hendbollit.

“Karta Olimpike nuk e ndalon përfshirjen e politikanëve në Komitet Olimpik. Pra, nëse ata i zgjedh Asambleja, është në rregull, por nuk është në rregull nëse i dërgon politika, pra me ndërhyrje. Këta që ju i përmendni i ka zgjedhur Asambleja dhe gjithçka është në rregull. Madje, jam shumë i kënaqur me angazhimin dhe kontributin e tyre të deritanishëm. Dua të theksoj se janë dy presidentë shtetesh që i mbajnë edhe postet e kryetarëve të komiteteve olimpike të shteteve të tyre”, thekson Hasani.

Por, si u bë që ata të vinin deri në votim në Asamblenë e KOK-ut, është e vështirë të thuhet!

Nënshtrimi i sportit – prezent në fushata parazgjedhore të partive politike

Sporti përveç që nuk arrin t’i luftojë ndërhyrjet e ndikimet politike, shpeshherë edhe i nënshtrohet keq politikës. Në kohë të fushatash parazgjedhore partitë politike dhe liderët e tyre organizojnë tubime elektorale me komunitetin sportiv, në të cilat marrin pjesë në mënyrë të organizuar sportistë, klube e deri te prijësit e organizatave sportive të vendit.

Madje, para pak javësh futbollistët e Kosovës u detyruan ta presin goxha gjatë për t’i takuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, ani pse stërvitjen e kishin kryer dhe realisht do të duhej që menjëherë të niseshin nga Drenasi në hotel në Prishtinë. Vizita e Veselit ishte konsideruar me prapavi politike, pasi kishte tejkaluar kompetencat, duke u premtuar premi në rast kualifikimi në Botëror, vendime të cila i takojnë t’i merr Qeveria.

Ndërkohë, këto ditë kanë dalë pamje skandaloze nga futbolli, ku një ekip i të rinjëve të futbollit në uniformat e tyre mbanë mbishkrimin “AKR” (të partisë politike, Aleanca Kosova e Re). Diçka e tillë është e ndaluar rreptësishtë me rregulloret e UEFA-s e FIFA-s.

Inatet politike sakatojnë sportin

Nga përzierja e politikës me sport më së shumti pëson infrastruktura, e cila ka mbetur në gjendje të mjerueshme, e me të cilën çdo ditë ballafaqohen të rinjtë e të rejat tona, sportistët dhe sportistet.

Derisa Qeverinë e udhëheq një klasë politike, disa komuna udhëhiqen nga klasat tjera të politikës e në anën tjetër prezenca e politikanëve nga partitë e ndryshme nëpër klube apo federata bëjnë që në pah të dalin inatet politike.

Si rrjedhojë e kësaj, institucionet politike nuk investojnë në infrastrukturë për t’ia atribuuar dështimin palës tjetër politike, ose pengojnë njëra-tjetrën. Madje, ka pasur raste edhe kur publikisht pala ka fajësuar palën tjetër. Për më tepër, vetë ministri aktual i Sportit nga LDK-ja, Kujtim Shala, para pak ditësh tha se dy vjet më parë, kur Ministria e Sportit udhëhiqej nga paraardhësi i tij i PDK-së, Memli Krasniqi, ishte investuar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë para atij të Prishtinës për shkaqe politike.

Ndërkohë, më moti, kur Komuna e Prishtinës udhëhiqej nga LDK-ja e Isa Mustafa, ky i fundit akuzonte Qeverinë e PDK-së dhe të Hashim Thaçit për bllokadë të Ligjit të Kryeqytetit, në mungesë të të cilit Prishtina kishte humbur investime të mëdha në sport që dëshironte t’i jepte Komisioni Evropian në Kosovë. Inatet politike kanë dal në pah edhe pas marrjes së Prishtinës nga Shpend Ahmeti i “Vetëvendosjes”.

Financim me fjalime politike e jo me ligj

Erolld Belegu e sheh të nevojshëm një reformim të thellë në sportin kosovar, por është skeptik që kjo do të ndodhë shpejt. “Në klube ka njerëz të sportit, por atyre u nevojiten paratë për ta mbajtur klubin, kështu që detyrohen t’i pranojnë ndërhyrjet politike, në këtë rast të komunave, pasi primare për ta mbetet klubi”, thotë kryetari i FBK-së dhe aktivisti i njohur i sportit tonë.

Sipas Belegut, reformimi në sport mund të nisë vetëm atëherë kur financimi në sport rregullohet me ligj. “Nëse sporti ka luajtur rol më të mirë për Kosovën sesa diplomacia,

atëherë a bën që të na ndajnë buxhet më të madh bre, sepse e meritojmë nëse sporti po ia zbardh fytyrën shtetit. Por, financimi duhet të rregullohet me ligj e jo kështu siç bëhet aktualisht, me nënshkrim të memorandumeve dhe me fjalime politike, etj. Me ligj duhet të rregullohet financimi i sportit sepse kjo do ta parandalonte edhe ndikimin e politikës në sport”, nënvizoi Belegu.

KOK-u i njeh 36 federata, Ministria vetëm 29

Në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) figurojnë emrat e gjithsej 36 federatave sportive. Mirëpo, çuditërisht të licencuara nga Ministria e Sportit janë vetëm 29 prej tyre, kanë treguar burimet e “Zërit”, të cilat kanë lënë hapësirë për dyshime se si ka ardhur deri te kjo situatë.

Në Kosovë ka federata të atyre sporteve që nuk zhvillohen fare në vendin tonë, apo thënë ndryshe – krejtësisht të panjohura për kosovarët. “Ministria e Sportit nuk mund të licencojë federata që nuk kanë kampionate dhe kjo do të ishte absurde. Për ashtu çdo kush mund të themelojë federata të ndryshme dhe të kërkojë licencime në Ministrinë e Sportit, por a do të ishte në rregull, sigurisht që jo”, thotë një zyrtar qeveritar, pa dashur t’i përmendet emri.

KOK-u me emër tjetër në xhirollogari e numër fiskal!

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është institucioni më i madh sportiv në vend. Zyrtarisht e mban këtë emër, por gazeta “Zëri” ka mësuar se funksionon me xhirollogari bankare dhe me numër fiskal me emrin “Asociacioni Olimpik i Kosovës”, emër i cili i ishte vendosur në kohën e UNMIK-ut e i cili i është ndërruar para disa vitesh në një Kuvend. Këtë e ka pranuar edhe kryetari i KOK-ut, Besim Hasani.

Ai i ka thënë “Zërit” se ky fakt nuk paraqet ndonjë problem dhe se shpejt do të rregullohet. Por, në instanca më të larta, ku është interesuar “Zëri”, këtë nuk e shohin si lëshim të lehtë, siç e konsideron KOK-u.

Hasani, Hasani, Hasani…

Besim Hasani përveç që është kryetar i KOK-ut, ai është edhe kryetar i një federate sportive. Në një dokument zyrtar, të siguruar nga gazeta “Zëri”, Besim Hasani figuron edhe kryetar i Federatës së Kërlingut të Kosovës.

Kjo federatë figuron në KOK, por gazeta ka mësuar se e njëjta nuk është e licencuar nga Ministria e Sportit. Ndërsa emri i djalit të Besim Hasanit, Astrit Hasani, figuron si sekretar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës. Kurse kryetar i Federatës së Pentatllonit Modern të Kosovës figuron emri i një profesori arsimor, për të cilin “Zëri” ka mësuar se është një mik i afërt e i mirë i Hasanit – Jahë Sahiti.

Ka zyrtarë që s’i njohin gjuhët e huaja e kompjuterët

Burime të “Zërit” në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë kanë treguar se në zyrat e sporteve tashmë të ndërkombëtarizuara ka zyrtarë që nuk dinë t’i përdorin as kompjuterët e nuk dinë as gjuhë të huaja, si anglishten apo frëngjishten. /Zëri/