Mbi tre milionë fëmijë sirianë të moshës deri 5-vjeçare jetojnë në luftë

Mbi tre milionë fëmijë sirianë të moshës nën pesë vjeç jetojnë në konflikte ose nuk mund të jetojnë në kushte normale, theksohet në raportin e Kombeve të Bashkuara.

Periskopi.com Lajme

Zyra e OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA) ka bërë një raport për nevojat humanitare në Siri për vitin 2017. Në raport thuhet se 2.9 milionë fëmijë sirianë të moshës deri në pesë vjeç jetojnë nën rrethana lufte, raporton AA

Raporti paralajmëron se lufta po shkatërron gjeneratat e reja në Siri dhe se shëndeti psikologjik i fëmijëve është në nivel shumë shqetësues. Në vendin ku shtatë milionë fëmijë jetojnë në varfëri, 1.75 milionë fëmijë nuk do të mund të vazhdojnë shkollimin, ndërsa 1.4 milionë ndoshta do të detyrohen të ndërpresin shkollimin meqë çdo e treta shkollë në vend është e shkatërruar.

Nga 13.5 milionë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë humanitare, 5.8 milionë janë fëmijë. Një milion persona në Siri janë nën bllokadë, ndërsa 3.9 milionë jetojnë në rajonet ku vështirë arrihet. Në raportin theksohet se 6.3 milionë sirianë janë të shpërngulur të brendshëm.

Po ashtu, theksohet se nga fillimi i luftës në Siri, 50 për qind e banorëve janë detyruar të braktisin vendqëndrimin.

Vetëm në Turqi qëndrojnë 2.8 milionë sirianë. “Çdo muaj për shkak të konfliktit përmes formave të ndryshme të psikozës kalojnë 30 mijë persona”, theksohet në raportin e OCHA. Nga viti 2011 kur filloi lufta, në Siri kanë humbur jetën 770 punonjës shëndetësie dhe 147 punonjës humanitarë.

“Njerëzit që ne i shpëtojmë sot, vriten të nesërmen”

Drejtori i Mbrojtjes Civile në Halep, Ammar Essalmo, në lidhje me situatën e qindra mijëra civilëve që ndodhen nën objektivin e sulmeve intensive të regjimit të Bashar al Asadit dhe mbështetësve të tij në Siri tha se “Civilët dhe të plagosurit largohen nga një lagje në tjetrën. Njerëzit që ne shpëtojmë ditën e sotme, të nesërmen ato vriten”.

Drejtori i Mbrojtjes Civile në Halep, Ammar Essalmo, në një audio regjistrim të dërguar nëpërmjet internetit gazetarit të AA-së i ka shpjeguar se në cilën situatë ndodhen civilët.

Duke theksuar se në Halep po përjetohet një fatkeqësi njerëzore të pa imagjinueshme, Essalmo ka theksuar: “Mijëra predha raketash dhe të topave kanë patur në objektiv ndërtesat, spitalet, qendrat e mbrojtjes civile, etj. Civilët dhe të plagosurit largohen nga një lagje në tjetrën. Njerëzit që ne shpëtojmë ditën e sotme, të nesërmen ato vriten. Në sulmet e fundit u shembën 2 qendra të mbrojtjes civile, u dëmtuan të gjitha mjetet e punës. Rusia dhe regjimi zhvillojnë mënyra të reja në vrasjen e njerëzve. Ato privojnë njerëzit nga shërbimet më themelore si ujë dhe energji elektrike. Ky nuk është vetëm faji i regjimit, Iranit dhe Rusisë. Ky është një faj i komunitetit ndërkombëtar. Këtu njerëzit jetojnë në mesin e zgjedhjes për zhvendosjen, urinë ose vdekjen.”

Frika nga hakmarrja lë katër fëmijë të Lushajve pa shkollë

Nga frika e hakmarrjes pas vrasjes së vëllezërve Rexhep e Bujar Ramaj, Hysen Lushaj nuk po i lë fëmijët e tij të shkojnë në shkollë. Vëllai dhe nipi i Hysenit po mbahen në paraburgim për vrasjen që ndodhi më 25 gusht të këtij viti.

Periskopi.com Lajme

Që nga vrasja e vëllezërve Ramaj, Rexhepit e Bujarit, në Shaptej të Deçanit, më 25 gusht të këtij viti, familja Lushaj është mbyllur në shtëpi.

Për shkak të kësaj ngjarjeje, shkollimin nuk e kanë nisur në shtator as katër fëmijët e familjes. Hysen Lushaj thotë se nga frika prej hakmarrjes nuk po i lë fëmijët të shkojnë në shkollë.

“Prej rastit tragjik me 25 gusht që ka ndodhë, domethënë kur ka fillu viti shkollor me 1 shtator e mas, fëmijët e mi nuk kanë viju mësimin shkollor nga frika e hakmarrjes”, thotë Lushaj.

Vëllai i Hysenit, Salihu dhe djali i këtij të fundit, Durimi, dyshohet se janë autorët e vrasjes së dyfishtë. Ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Hysen Lushaj tregon po ashtu se katër fëmijët e tij janë të mitur dhe se për shkak të situatës, njërin nuk ka mundur ta regjistrojë në klasën e dhjetë.

Premtimi nga organet komunale se fëmijët do të pajisen me diploma në fund të vitit shkollor, nuk e kënaq atë.

“Fëmijët e mi janë mbetë në mëshirën e Allahut, pa shkollë. Me kanë thanë që ua japin vitin, po unë nuk jam i kënaqur me këtë vit shkollor, kur fëmijët e mi janë jashtë bankave shkollore”, thotë ai.

Lushaj u bën thirrje organeve të drejtësisë që fëmijëve t’u mundësohet të shkojnë në shkollë dhe që për këtë t’u sigurohet siguri.

“Fëmijëve të mi me ju gjetë një zgjidhje me vazhdu procesin mësimor. Me ju ofru siguri fëmijëve të mi, me pasë fëmija e mi siguri me shku në shkollë edhe me vazhdu shkollën sikur krejt fëmija e tjerë”, thotë ai.

KALLXO.com ka shkuar në shtëpinë e familjes Ramaj. Anëtarë të kësaj familjeje nuk deshën të flasin para kamerës, por mohuan të kenë kërkuar që fëmijët e mitur të Lushajve të ndalen nga shkolla.

Sipas tyre, fëmijët janë të pafajshëm, ndërsa të rriturve të Lushajve besë nuk u kanë dhënë.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, tha për KALLXO.com se janë të njoftuar se katër fëmijë  të familjes Lushaj për shkak të frikës nuk po e vijojnë mësimin.

Ai thotë së këta nxënës në fund të vitit do i nënshtrohen provimeve klasore dhe do të vlerësohen.

“Këta fëmijë do të hyjnë në provime të klasës në fund të vitit, duke shpresuar që kjo gjendje nuk do vazhdojë tutje do të vijë deri te pajtimi ose deri te lirimi i këtyre fëmijëve që këta të shkojnë në shkollë. Kështu që këtë vit në një farë forme kam premtu, tuj u bazu edhe në Ligj, se këta fëmijë do t’u nënshtrohen provimeve në klasë edhe do të jenë bashkë me gjeneratën të cilën tash për tash janë duke shkuar në shkollë”, theksoi Maloku për KALLXO.com.

Ndërsa, prokurorja e rastit të vasjes së dyfishtë, Valbona Haxhosaj – Disha, përmes telefonit tha për KALLXO.com se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për sigurimin e fëmijëve të familjes Lushaj.

“Nuk kanë paraqitë kërkesë tek unë si prokurore që janë të rrezikuar, e as që të sigurohen të shkojnë  fëmijët në shkollë”, tha ajo.

Të njëjtën gjë e konfirmuan edhe zyrtarët për informim të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

Zëdhënësi Xhevat Ibraj tha përmes telefonit për KALLXO.com se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për masa të sigurisë për familjen Lushaj.

Vrasja e cila shkaktoi hasmërinë mes familjeve Lushaj e Ramaj ka ndodhur më 25 gusht.

Sa fëmijë kosovarë janë HIV Pozitiv? (Video)

Në QKUK nuk ka ende medikamente për trajtimin e fëmijëve të infektuar me HIV, përkundër se janë dy fëmijë të infektuar.

Periskopi.com Lajme

Sipas zëvendësministrit të Ministrisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku mundësitë janë që nga viti i ardhshëm të kenë edhe ato, transmeton Koha.net.

Sadiku në “Rubikon” të KTV-së ka thënë se janë duke u përgatitur për blerjen e barnave për shërimin e fëmijëve të infektuar më këtë virus.

“Nuk kemi barna për fëmijë, për mosha pediatrike. Sipas informatave, pasi personi ka ende dilema deri sa të fillon me terapi, dy fëmijë i kemi jashtë Kosovës që janë jashtë duke u trajtuar dhe të tjerë nuk kemi. Dy i kemi që janë me terapi dhe nuk trajtohen në Kosovë. Prej vitit ardhshëm jemi duke bërë përpjekje që t’i blejmë edhe këto”, ka thënë ai.

 

 

komf-780x439

OJQ-të kërkojnë që fëmijët të mos përdoren në fushatat zgjedhore

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF që përfaqëson 22 organizata joqeveritare në fushën e mbrojtjes së drejtave të fëmijëve dhe Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim që përfaqëson 38 organizata joqeveritare të fushës së monitorimit të zgjedhjeve, në emër të misionit për mbrojtjen, respektimin, mirëqenien dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve, apelojnë tek subjektet politike, të cilat janë në fushatë elektorale për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Drenasit, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët për aktivitetet e tyre zgjedhore.

Periskopi.com Lajme

Këto organizata po ashtu apelojnë te prindërit, të cilët përcjellin aktivitete zgjedhore të partive, që të mos i politizojnë fëmijët që janë ende në zhvillim e sipër.

“Nga vëzhgimi i fushatës zgjedhore në terren është vërejtur prania e fëmijëve në aktivitetet e hapjes së fushatës së subjekteve politike. Duke qenë së tani fillojnë punën shkollat pas pushimit, partitë politike duke mbajtur aktivitetet e tyre zgjedhore në objektet shkollore, përveç që mund të pengojnë procesin e rregullt mësimor, rrezikojnë të përdorin fëmijët edhe për të promovuar subjektet e tyre politike, siç ka ndodhur edhe në fushatat e zgjedhjeve të kaluara”, thuhet në komunikatë.

KOMF dhe DnV i bëjnë thirrje:

Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Drejtorive Komunale për Arsim dhe shkollave duke u bazuar në Ligjin për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës Nr. 03/L-068, të mos lejojnë assesi që procesi mësimor të pengohet gjatë fushatës zgjedhore dhe në pajtim me Udhëzimin administrativ për aktivitetet politike në objektet shkollore;

Fëmijët të mos përdorën në takime si promovues të fushatave;

Të mos shfrytëzohen ambientet shkollore gjatë kohës së mësimit për qëllime të fushatës elektorale të subjekteve politike;

Mediat elektronike dhe ato të shkruara që mbulojnë fushatën zgjedhore, të marrin një rol aktiv për publikimin e rasteve ku fëmijët shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë fushatës elektorale;

Prindërit të vetëdijesojnë fëmijët e tyre për të mos e ndërprerë procesin mësimor, për pjesëmarrje në fushatat elektorale të partive politike. /Telegrafi/

Momente paniku teksa demi sulmon makinën me fëmijë brenda (Video)

Një familje ka shpëtuar për mrekulli kur është sulmuar nga një dem. Duket se brenda makinës ka edhe fëmijë të frikësuar. Demi pothuajse përmbysi makinën…

Periskopi.com Lajme

Incidenti ka ndodhur në provincën Guadalaharës të Spanjës gjatë festivalit të demave.

Kafsha përdor të gjithë forcën e tij për ta ngritur makinën nga toka por më pas dorëzohet dhe fillon të ndjekë turmën e ngazëllyer.

73 mijë fëmijë të varfër në Zvicrën e pasur

Çdo të njëzeti fëmijë në Zvicër i mungojnë paratë për të jetuar. Dhe trefish më shumë janë të kërcënuar nga varfëria, konstaton një studim i qeverisë zvicerane. Kuota më e lartë e varfërisë së fëmijëve në BE është në Rumani. Jashtë BE-së varfëria e fëmijëve vazhdon të jetë e madhe në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni.

Periskopi.com Lajme

Në Zvicër jetojnë 73 mijë fëmijë në varfëri, 234 mijë janë të kërcënuar nga varfëria. Në amvisëritë pa njerëz të punësuar madje çdo i dyti fëmijë është i rrezikuar nga varfëria dhe çdo i pesti është i prekur nga skamja.

Faktor kyç për pengimin e varfërisë së fëmijëve është punësimi i të rriturve, të cilët jetojnë në amvistërinë përkatëse, thuhet në një studim të Entit Federal të Statistikave të Zvicrës (BFS), të publikuar të premten. Studimi, sipas mediave zvicerane, trajton varfërinë dhe mungesat materiale të fëmijëve në Zvicër duke u bazuar në të dhënat e vitit 2014. Rreth 30 për qind e fëmijëve të kërcënuar nga varfëria jetojnë në amvisëri pa persona të punësuar. Pjesa tjetër prej 70 për qind – pak më shumë se 51 mijë fëmijë në Zvicër – jetojnë në amvisëri ku përkundër punësimit të të rriturve të ardhurat nuk mund të kalojnë pragun e varfërisë.

Fëmijët që rriten me vetëm njërin prind janë më të rrezikuar nga varfëria. Gati çdo i dyti fëmijë në këto amvisëri duhet të jetojë në skamje. Kjo domethënë se fëmija nuk mund të merret me ndonjë aktivitet të lirë, i cili kushton, dhe në shtëpi nuk ka ambient të përshtatshëm për të mësuar. Shumë nga këta fëmijë shpesh jetojnë në banesa me lagështirë apo në vende me fqinj të papërshtatshëm, ku janë të përhapura zhurma, vandalizmi apo dhuna.

Shoqata humanitare Caritas shkruan në një deklaratë se në krahasimin ndërkombëtar Zvicra investon pak në familje. Caritas kërkon që qeveria zvicerane të angazhohet më shumë në garantimin e rrogave që sigurojnë ekzistencën dhe të marrë masa për përmirësimin e kushteve familjare dhe në ushtrimin e profesionit.

Megjithatë, në krahasim në vendet europiane Zvicra prapë qëndron mirë. Njëjtë mirë apo edhe më mirë fëmijët jetojnë vetëm në vendet skandinave dhe në Holandë. Në BE mesatarisht çdo i katërti fëmijë është i rrezikuar nga varfëria apo izolimi social, ka njoftuar javën e kaluar autoriteti europian i statistikave Eurostat. Kuota më e lartë e varfërisë së fëmijëve është në Rumani. Jashtë BE-së varfëria e fëmijëve vazhdon të jetë e madhe në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni. (-lli)/ DialogPlus

73 mijë fëmijë të varfër në Zvicrën e pasur

smart-kid

Fëmijët më të zgjuar, ata që kanë nënat në punë

Fëmijët e nënave që punojnë janë më “të zgjuar” se ata që i kanë mamatë në shtëpi. Kjo del nga një studim i bërë nga “London School of Economics and Political Science” në Universitetin e Oksfordit.

Periskopi.com Lajme

Ekspertët kanë analizuar katër aspekte të zhvillimit të fëmijës shumë të vogël në moshë: cilësia e të folurit, aftësia për t’u socializuar me të tjerët, aftësia për të kryer veprime të përditshme dhe shpejtësi në lëvizje.

Nga studimi, del se nëse nënat punojnë, fëmija është më i zoti në të katër këto kritere të zhvillimit. Ndër të tjera, nëse i vogli shkon në struktura edukuese, kopsht apo në çerdhe, do të jetë më i aftë në aktivitetet e jetës së përditshme, përveç se do të solicializohet me të tjerët. Nëse pastaj do të rritet nga gjyshërit, do të ketë aftësi më të mëdha në të folur.

Ekspertët, kanë evidentuar që aktivitetet që e bëjnë fëmijën më të lumtur, janë leximi dhe psonisja. Dalja për shëtitje, paradoksalisht nuk përmirëson aftësinë e lëvizjes së fëmijës, por ndoshta arsyeja është për shkak se prindërit kanë tendencë për ta nxjerrë fëmijën me karrocë, ndonëse dalja me ta nuk është për fëmijën një moment i praktikës fizike.

Nigeri

OKB: Rreth 75 mijë fëmijë në Nigeri rrezikojnë të vdesin nga uria

Në muajt në vijim në Nigeri rrezikojnë të vdesin nga uria rreth 75.000 fëmijë, është paralajmërimi i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Periskopi.com Lajme

Koordinatori humanitar i OKB-së për Nigeri, Peter Lundberg, thotë se kriza në këtë vend thellohet më një shpejtësi të madhe, raporton AA

Për situatën katastrofale, ai fajëson organizatën terroriste Boko Haram e cila me aktivitetet e saj ka shkatërruar shtetin afrikano-perëndimor.

Fekondim artificial

Sperma në Kosovë shitet për 200 euro

Në emër të mbulimit të shpenzimeve spitalet private paguajnë deri në 200 euro personat, të cilët dhurojnë spermë.

Periskopi.com Lajme

Kjo shumë së paku konfirmohet në njërin spital në Prishtinë, derisa burimet thonë se pagesat shkojnë edhe më lart. Konfirmohet se studentët janë ata që nuk hezitojnë ta ofrojnë spermën si “donacion”

Deri në 200 euro paguhen personat, të cilët janë të gatshëm të deponojnë spermën me qëllim që ajo të përdoret për frytnim të asistuar mjekësor.

Kjo shumë nuk është një pagesë për materialet që dhurojnë, por bëhet në emër të shpenzimeve të donatorit.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i spitalit “Lindja”, Dërgut Aliu, pasi është pyetur nga gazetari i “Zërit” lidhur me procedurat për fekondimin e asistuar mjekësor.

Gjithë kjo pasi është hartuar një raport nga ana e Komisionit për Frytnimin e Asistuar Mjekësor (KFAM), që ka të gjetura alarmante lidhur me kryerjen e procedurave IVF në spitalet e licencuara në Kosovë për këtë punë.

Aliu ka thënë se në klinikën e tij Komisioni vetëm se ka bërë vizitën, por nuk ka bërë asnjë informatë kthyese. “Ne nuk kemi parë atë raport”, ka thënë ai.

Por, ai nuk ka hezituar të konfirmojë se gjetja e donatorëve në Kosovë është një problem në vete.

“Tash momentalisht ligji kërkon që donatorët të jenë anonimë”, ka thënë Aliu, derisa më herët, sipas tij, dhurimin e spermës dhe qelizave kanë mundur ta bëjnë vetëm familjarët për të afërmit e tyre.

Sulmi më i përgjakshëm në Siri, 35 të vdekur në një shkollë

Rritet në 35 numri i të vdekurve si pasojë e bombardimit të djeshëm ndaj çarshisë dhe një shkolle në qytetin Maret en-Numan në Idlib në veriperëndim të Sirisë

Periskopi.com Lajme

Sipas informacioneve të siguruara nga zyrtarë të spitalit fushor, është rritur në 35 numri i personave që humbën jetën në sulmin e djeshëm ajror të regjimit sirian dhe aleatëve ndaj një shkolle dhe çarshisë në vendbanimin Has në veri të Idlibit.

Zyrtarët të cilët publikuan emrat e të vdekurve, thanë se 22 nga viktimat janë fëmijë, ndërsa gjashtë të tjerë mësimdhënës.

Ekipet e Mbrojtjes civile paraprakisht kishin njoftuar se avionët rusë kanë ndërmarrë 12 sulme në vendbanimin Has ndaj një shkolle dhe çarshisë.

Ndërkaq, sipas vlerësimeve të para ishte bërë e ditur se jetën e kanë humbur 18 persona ndërsa 21 të tjerë janë plagosur.

Fondi për Fëmijët i OKB-së (UNICEF) më vonë doli me deklaratë duke njoftuar se si pasojë e sulmit jetën e kanë humbur 22 fëmijë dhe gjashtë mësues dhe se ky ishte “sulmi më i përgjakshëm” ndaj një shkolle që nga fillimi i luftës në Siri e cila po zgjat më shumë se pesë vite.