Fatos Lubonja

Libri i dështuar i arkitekturës shqiptare

"Në emër të skandalozes forcë revolucionare të së kaluarës" Pier Paolo Pasolini

Nga Fatos Lubonja Opinione

 

Arkitektura e një vendi shpesh krahasohet me një libër, kapitujt e të cilit përshkruajnë epoka të ndryshme historike nëpërmjet stileve, materialeve, teknologjive të ndryshme me të cilët kanë ndërtuar njerëzit në shekuj. Por, tjetër gjë është të imagjinojmë një libër ideal, që do të presupozonte kapitujt e ruajtur siç janë „shkruar“ në kohën e tyre, dhe tjetër gjë të  flasim për librin që kemi në dorë. Sepse libri arkitektonik që kemi trashëguar, ndryshe nga një libër që ruhet në bibliotekë, ka qenë dhe është një libër i hapur ndaj agjentëve atmosferikë dhe atyre, shumë herë më të tmerrshëm, njerëzorë. Veprimi korroziv i natyrës, moskontinuiteti i historisë me rënien e disa qytetërimeve e ngritjen e të tjerëve, luftërat shkatërrimtare që i kanë shoqëruar shpesh këto e që jo rrallë, pastaj, janë shoqëruar me ngritjen e monumenteve të fitimtarëve mbi rrënojat e të mundurve, fetë apo ideologjitë e ndryshme të pushteteve që kanë kërkuar të ngrenë objektet e tyre të kultit, deliret dhe garat për madhështi të pushtetarëve, revolucionet, të tilla si ai industrial, me lëvizjet e shumta demografike që e kanë shoqëruar, etj., etj., kanë sjellë kudo në botë, jo thjesht kapituj të shtuar të librit, por edhe shumë kapituj të rishkruar e përçudnuar, që e bëjnë shumë të ndryshëm librin në krahasim me atë që do të mund të kishim pasur.

***

Duke i qëndruar metaforës, do të thoja se „shfletimi“ i librit të arkitekturës së vendeve të ndryshme ndonjëherë na vë përballë përçudnimesh ekstreme. Ka vende në të cilët duket sikur autori ka mbetur në kapitullin e parë sepse e ka fshirë dhe rifshirë atë për të shkruar gjithmonë një fillim të ri, pa arritur kështu të bëjë një libër.

Këtë përshtypje të le libri i sotëm i arkitekturës që gjejmë në truallin shqiptar, ku ndryshimi midis librit që do të mund të kishim pasur me librin që është shkruar e po shkruhet është i madh. Dhe ky ndryshim merr përmasa paradoksale kur ke parasysh se vetëm njëqind vjet më parë kishim një libër me kapitujt e shkruar gjatë shekujve, që ruanin faqet e veta thuajse në formën e vet origjinale.

***

E gjendur në një vend ku në shekuj kanë kaluar apo janë kryqëzuar qytetërime të rëndësishme si ato greko-romake, bizantine, veneciane, osmane; ku kanë bashkëjetuar popuj me fe të ndryshme: ortodoksë dhe katolikë, myslimanë sunitë e bektashinj dhe shumë komunitete me karakteristika etno-linguistike të veçanta, Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, ka pasur diversitete të mëdha kulturore, të shprehura dukshëm edhe në trashëgiminë e larmishme arkitektonike. Kanë spikatur objektet e kultit si kishat e manastiret bizantine në Jug dhe ato katolike në Veri, xhamitë sunite e teqet bektashiane, pa harruar edhe sinagogat e ebrejve sefarditë, që kanë qenë të mirëpritur në perandorinë Osmane gjatë kohës kur persekutoheshin në Evropë. Diversiteti arkitektonik ka qenë i madh edhe në ndërtimet e banesave rreth këtyre objekteve kulti. Ato ndryshonin si stilistikisht ashtu edhe përsa u përket materialeve me të cilat janë ndërtuar, si nga koha në kohë dhe nga krahina në krahinë. Duke u nisur nga Shqipëria bregdetare për të hyrë në atë të brendshmen, e për të arritur deri në zonat e thella malore do të takoje ndërtimet veneciane gjatë bregut të Adriatikut, kështjellat bizantino-osmane, qytete ku bashkohej tradita osmane-myslimane me atë të krishterë, ku pazaret dhe xhamijat bashkëjetonin me kisha e manastire, fshatrat me shtëpi prej guri mbuluar me rrasa të Jugut, shtëpitë me qerpiç në Shqipërinë e Mesme, kullat monumentale të veriut etj.

Lindja e nacionalizmit dhe perëndimorizimi

Nga e gjithë kjo pasuri dhe diversitet i librit të shkruar në shekujt paraardhës ka mbetur shumë pak. Janë veçanërisht dy shekujt e fundit ata që kanë shkatërruar shumëçka nga faqet e librit të vjetër. Sigurisht, Shqipëria nuk është e vetme në këtë aspekt. Nëse do ta krahasojmë me vendet e tjera ballkanike, që dolën edhe ata nga Perandoria Osmane, do të gjejmë shumë të përbashkëta por do të gjejmë edhe specificitete shqiptare.

Një e përbashkët e rëndësishme është se gjendja e librit arkitektonik të trevave ballkanike deri në shekullin XIX ka qenë goxha e ruajtur dhe, se ashtu sikurse pak më herët edhe në Greqi, edhe në Bullgari, në Serbi e më gjerë, në ish-Jugosllavi, binomi shkatërrim-ndërtim ka filluar të punojë rëndshëm me lindjen e nacionalizmave dhe ndërtimin e shteteve-kombe.

Deri në Luftën e Dytë Botërore, që shënon edhe ardhjen e komunizmit në shumicën e vendeve të Ballkanit, dallojmë tre tipare kryesore të përbashkëta të ideologjisë nacionaliste që kanë ndikuar, të ndërlidhur me njëri-tjetrin, edhe për transformimin e pejsazhit urban e arkitektonik:

Së pari do të veçojmë mohimin e identitetit osman, i cili në ideologjinë nacionaliste u konsiderua rezultat i një pushtimi që solli prapambetje dhe largim nga identiteti i të parëve. Si provë e kësaj mjaft të kesh parasysh se Beogradi e ka thuajse të zhdukur arkitekturën osmane (nga 300 xhami që ka pasur ka mbetur vetëm një). Studiuesi holandez i arkitekturës osmane Machiel Kiel thotë, në bashkëbisedimin e tij me Holta Vrionin botuar në këtë numër, se në Bullgari është zhdukur 98% e arkitekturës osmane kurse në Shqipëri 97% (të dhëna këto që i përkasin shekullit të kaluar e që me shumë gjasa janë thelluar). Po ashtu në Greqi ka ndodhur i njëjti fenomen.

Një tipar tjetër që ka shoqëruar binomin shkatërrim-ndërtim të nacionalizmit ballkanas dhe ngritjen e shteteve-komb ka qenë zhdukja, nëpërmjet standartizimit, asimilimit dhe diskriminimit e partikolariteteve të shumta etnike-kulturore që ekzistonin në këto treva, të cilat ruanin jo pak edhe veçoritë e tyre ndërtimore.

Si anë tjetër e medaljes së binomit vjen tipari ndërtues: ai i krijimit të një identiteti të ri. Ky, përveç kthimit në një lavdi të së kaluarës, ka synuar perëndimorizimin, tipare të të cilit janë modernizimi, industrializimi dhe revolucionit teknologjik, urbanizimi. Shumë qytete të Ballkanit filluan të ndërtojnë duke imituar arkitekturën perëndimore të shekujve XIX-XX, jo vetëm duke shtuar kapituj të rinj, por edhe duke fshirë dita-ditës historinë e tyre disa shekullore. Për të ilustruar këtë fenomen, në rastin shqiptar, është emblematik transformimi i Kullës së Sahatit në qendër të Tiranës, pranë Xhamisë së Et’hem Beut, që është ndër xhamitë themeluese të qytetit të Tiranës. Ajo është ndërtuar në stil oriental në gjysmën e parë të shekullin XIX, por mbreti Zog, në emër të perëndimorizimit, ia ndryshoi harqet origjinale me stil oriental që kishte në majë duke e kthyer në një kullë të tipit venecian, duke imituar kullën e San Markos.

Binomi shkatërrim-ndërtim dhe komunizmi

Komunizmi që erdhi pas Luftës së Dytë në shumicën e vendeve ballkanike, si një formë e dhunshme e modernizimit apo si „pseudomodernizim“, – siç e kanë quajtur një pjesë studiuesish, – apo kapitalizëm shtetëror, me kultin e mohimit të së shkuarës në emër të ngritjes së një bote të re; me lëvizjet e mëdha demografike nga fshati në qytet, me ekzaltimin që i bënte industrializimit dhe materialeve të tilla si hekuri dhe betoni, ka ndikuar shumë për të shkruar kapituj të rinj, por edhe për të fshirë faqe të tëra të kapitujve të librit të vjetër.

Për disa vende ballkanike mund të thuhet se komunizmi ka shkruar në librin e tyre të arkitekturës më shumë duke shtuar sesa duke prishur e rishkruar mbi kapitujt paraardhëse, siç mund të sjellim p.sh. rastin e Sarajevës, ku ruhet mirë qendra historike osmane dhe ndërtimet e mëvonshme austro-hungareze. Edhe Beogradi, edhe Sofja komuniste dallohen për ruajtjen më të mirë të ndërtimeve të periudhës nacionaliste pas osmane. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Bukureshtin e Çausheskut, i cili është i njohur për prishjen e një pjese të Bukureshtit të vjetër në emër të ndërtimit të arkitekturës së tij delirante paranojake.

Përsa i përket Shqipërisë, mund të thuhet se diktatura e Enver Hoxhës ka të përbashkëtat me elementë modernizues industrializues të komunizmit në vende të tjera, por ka edhe karakteristika e veta specifike.

Disa specifika shqiptare

Shqipëria, deri në ardhjen e komunizmit, ka qenë e vonuar në procesin e shkatërrimit të identitetit të vjetër dhe ndërtimi të një identiteti të ri. Kjo për disa arsye ndër të cilat do të veçonim: faktin se Shqipëria e fitoi pavarësinë më vonë, vetëm në vitin 1912, faktin se vendi kishte varfëri më të madhe, – ishte kryesisht me popullsi që jetonte në fshat, dhe procesi i industrializimit dhe modernizimit nuk kishte filluar ende – si dhe faktin se duke qene me fe të ndryshme, madje me maxhorancë myslimane, shqiptarët nuk e ndërtuan identitetin e ri mbi një përkatësi fetare. Edhe kjo ndikoi që shqiptarët, gjatë periudhës së mbretit Zog, të mos i hynin shkatërrimit të trashëgimisë osmane, veçanërisht xhamijave, në shkallën që kjo ka ndodhur në Serbi, Greqi dhe Bullgari, ku feja ortodokse dhe kombësia u panë si dy anë të së njëjtës medalje.

Kështu, deri afër Luftës së Dytë Botërore, libri që kishte trashëguar Shqipëria ishte dëmtuar më shumë nga agjentët atmosferikë se sa nga ata njerëzorë. Në pjesën më të madhe të vendit, si në fshatrat edhe në qytetet kryesore ruheshin partikolaritetet kulturore fetare të trashëguara në shekujt paraardhës, ku më ndaras dhe ku më në bashkëjetesë.

Në periudhën rreth viteve 30, mbreti Zog e përqendroi prirjen modernizuese në qytetin  Tiranës, që u bë edhe kryeqyteti i vendit, duke thirrur arkitektë italianë të kohës së fashizmit të projektojnë kryeqytetin.

Projektit perëndimorizues të nisur nga mbreti Zog iu bashkëngjit shumë shpejt projekti fashist, që synoi integrimin e Shqipërisë në perandorinë fashiste duke shkruar kësisoj kapituj të rëndësishëm edhe në librin e arkitekturës së vendit, veçanërisht në kryeqytetin Tiranë, aq sa Tirana mund të konsiderohet si qytet i projektuar nga italianët. Në projektin fashist, krahas karakterit perëndimorizues gjejmë edhe karakteristikat estetike ideologjike të arkitekturës fashiste që synonte t’i vite vulën epokës. Më emblematiku është kompleksi i arkitektit fiorentin, Gherardo Bosio, që përfshin Bulevardin e Madh me ndërtesën e Hotel Dajtit, atë të Kryeministrisë, kompleksin e ndërtesave rreth sheshit Nënë Tereza si dhe Sheshin Italia sëbashku me Stadiumin Qemal Stafa, të projektuar në mënyrë të tillë që nga avioni të ravijëzonin formën e sëpatës së liktorit.

Një karakteristikë tjetër e periudhës së ndikimit dhe pastaj pushtimit fashist ka qenë zhvillimi i arkeologjisë, që pasuroi trevat shqiptare me trashëgiminë greko-romake, më i rëndësishmi është rasti i Butrintit – dhe që vazhdoi edhe në periudhën komuniste.

Projekti modernizues fashist, ndonëse mbeti i papërfunduar, ka shkruar një kapitull të ri të rëndësishëm të librit duke u bërë, tek e fundit, pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare, që e dallon atë nga vendet e tjera ballkanike.

Projekti komunist nuk e preku arkitekturën fashiste, përkundrazi e integroi atë si pjesë e modernizimit të vendit. Ideologjikisht, ai vazhdoi traditën nacionaliste të denigrimit të periudhës paraindustriale rustike-osmane shqiptare dhe, në këtë aspekt, u tregua më radikal se vende të tjera komuniste përsa i përket shkatërrimit të kësaj të kaluare osmane në emër të ndërtimit të botës së re. Raste emblematike janë shkatërrimi, fill pas Luftës së Dytë, i xhamisë themeluese të qytetit të Tiranës, Xhamia e Sulejmanit, për të ngritur në vend të saj një monument të partizanit të panjohur, si dhe shkatërrimi në vitet 60 e pazarit të vjetër të Tiranës, për të ngritur atje Pallatin e Kulturës.

Megjithatë, specifika më e madhe e komunizmit shqiptar vjen në vitet 1966-67, kur nën ndikimin e revolucionit kulturor Kinez, komunistët e shpallën Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë dhe i dhanë nismën aksionit të rinisë për prishjen e shumë kishave dhe xhamive, ose shndërrimin e tyre në salla kinemaje apo pallate sporti, e deri edhe në magazina apo stalla. Ja si e përshkruan historiani i arkitekturës osmane Machiel Kiel këtë valë: “Prej gjurmëve të Revolucionit Kulturor të vitit 1967 kujtoj minaretë e gjata që shtriheshin në një prej rrugëve kryesore të Shkodrës, e që e bllokonin krejtësisht trafikun. Në vende të tjera pamë letra të vogla udhëzimesh, që u mësonin njerëzve si të shkulnin minaretë: lidhni një litar të fortë përreth ballkonit të minaresë, mblidhni 30-40 njerëz të fortë dhe filloni të tërhiqni.” Shkatërrimin e xhamive të Kavajës dhe Peqinit ai e krahason me sakrificat barbare asteke, në të cilat drejtuesit e riteve asteke shkulin nga trupi i gjallë i të sakrifikuarit zemrën që rreh. […] “një humbje e vetshkaktuar”, – thotë Kiel – “për të cilën mund të fajsohen vetëm shqiptarët, jo osmanët e ligë, të cilët, në fakt, kishat dhe manastiret më të shquara dhe më të mrekullueshme të arkitekturës mesjetare të krishterë ortodokse i lanë të paprekura.” Studiuesi ka të drejtë: mjaft të kesh parasysh kishat bizantine në Jugun e Shqipërisë, kishat në Elbasan, Berat, Korçë, Shkodër, por edhe manastirin e Deçanit apo patriarkanën e Pejës në Kosovë.

Kultura konsumiste – “forca revolucionare e së kaluarës”

Një nga intelektualët evropianë që ka shprehur në mënyrën ndoshta më elokuente ndjenjat e studiuesit holandez për këtë “varfërim të dhimbshëm për bashkësinë, të cilit vështirë t’i gjendet shërim” është Pier Paolo Pasolini. Ai ka denoncuar fort në vitet 60 – 70 valët shkatërruese të modernizmit qoftë në vendet ku ky ka ardhur në formën e kapitalizmit, qoftë ku ky ka ardhur në formën e regjimeve komuniste. Në dokumentarin „Forma e qytetit“ (1974), Pasolini e vendos kamerën filmike përpara qytetit mesjetar italian Orti, që ndodhet në Lacio të Italisë. Pasi na e tregon qytetin mbi kodër në formën e tij të përsosur stilistikore, ai e lëviz kamerën majtas ku shfaqet një ndërtesë e re: “diçka e huaj që s’ka lidhje me qytetin”, – thotë Pasolini. Pastaj e zhvendos djathtas dhe e vendos mbi disa ndërtesa moderne “ekstremisht mediokre, të varfra, pa fantazi, pa krijimtari”, që “i përkasin një bote tjetër, kanë karaktere stilistikore komplet të ndryshme”; “që mund të ishin ndërtuar gjetkë, jo aty”; “Sepse aty”, – thotë Pasolini – ato janë një “trup i huaj”, jashtë atij që mund të quhet tesuti perfekt i qytetit dhe, që për më tepër, prishin raportin e tij me natyrën përreth. Pasolinit i shkaktojnë “dhimbje, ofendim, zemërim” këto pamje; i kujtohet qytetit i jashtëzakonshëm Yazd, në Iranin e sotëm, ku – tregon ai – ka pasur një sistem ventilimi antik dy-tre mijë vjeçar, me kullat e erës, që shëmbëllenin si tempuj grekë apo egjiptianë dhe që Shahu i kishte shkatërruar – sikur të kishte bërë një bombardim – për të ndërtuar atje një qytet të ri, në emër të modernizimit.

Për të na futur më thellë në mendimin e tij, Pasolini e vë kameran edhe përpara qytetit Sabaudia, të ndërtuar nga fashistët. Ja çfarë thotë teksa kamera shëtit mbi pejsazhin e Sabaudias:

“Sa kemi qeshur ne intelektualët me arkitekturën e regjimit me qytetet si Sabaudia. Por tani shohim se kjo arkitekturë nuk ka asgjë ireale, qesharake. Me kalimin e viteve, ne zbulojmë se kjo arkitekturë ka një karakter midis metafizikes dhe realistes. Metafizike në sensin evropian të fjalës, që na kujton pikturën metafizike të De Chiricos; realiste sepse qyteti është në dimension njerëzor, se aty jetojnë qënie njerëzore të vërteta në integritetin dhe përunjësinë e tyre. Si ta shpjegojmë këtë magji të Sabaudias? […] Unë them se Sabaudia, edhe pse u ndërtua nga fashizmi sipas disa kritereve racionaliste-estetizante-akademike, nuk i ka rrënjët tek regjimi që e porositi, por […] tek ai realitet që fashizmi e dominoi me tirani, por që nuk arriti as ta gërvishtë, e kam fjalën për realitetin e Italisë provinciale, rustike, paleoindustriale. Është ai që ka prodhuar Sabaudian jo fashizmi.”

“Sot po ndodh e kundërta”, – vazhdon Pasolini – “regjimi është demokratik etj. etj., po pikërisht atë akulturim, atë homologim që fashizmi nuk arriti absolutisht ta kryejë, pushteti i sotëm i shoqërisë së konsumit po e arrin në mënyrë të përsosur […], duke shkatërruar realitetet e ndryshme partikolare italiane, duke i zhveshur realitetin mënyrave të ndryshme të të qenit njeri që Italia i ka prodhuar në mënyrë shumë të diferencuar. Fashizmi i vërtetë është pikërisht ky pushtet i qytetërimit të konsumit; është ai që po shkatërron Italinë dhe kjo po ndodh me aq shpejtësi saqë as nuk e kemi vënë re, […] ne sot po zgjohemi si nga një ëndërr e keqe në të cilën po shihnim Italinë të shkatërrohej, të zhdukej dhe duke hedhur vështrimin rreth e rrotull konstatojmë se nuk mund të bëjmë dot asgjë.”; “Se në vend të Italisë së bukur dhe njerëzore, edhe pse të varfër, sot kemi diçka të papërkufizueshme, që ta quash e shëmtuar është pak.”

Fjalët e Pasolinit përpara Sabaudias na çojnë në themelin më të thellë të refleksionit të tij mbi nevojën e mbrojtjes të kaluarës. Ai nuk e gjen arsyen thjesht tek cilësitë estetike të konteksteve të ndryshme, por në atë që e përsërit dhe ripërsërit gjatë refleksionit të tij: fjalët “realitet” dhe “zhdukje e realiteteve”. Ai na bën të mendojmë se mosshikimi i bukurive të së kaluarës e ka burimin tek fshirja e së kaluarës në mendjet e njerëve, tek paaftësia e tyre për t’u përballur me të, që do të thotë edhe për të nxjerrë mësime prej saj e për të zgjidhur problemet e së tashmes duke iu referuar asaj. Sepse rruga e vetme për të kuptuar të tashmen është kërkimi në të kaluarën, kërkime që janë “hija e pyetjeve që e tashmja projekton mbi të kaluarën” (Foucault). Dhe kur fshijmë të kaluarën mbetemi pa përgjigje. Nuk arrijmë dot të kuptojmë realitetin dhe shpesh ky moskuptim zëvendësohet me irealitetin. Pasojat e kësaj janë katastrofike sepse humbasim kontaktit me “botën reale”, me njeriun real dhe nevojat e tij, për të kaluar në triumfin e “irealitetit” që së jashtmi shfaqet me spekullimet ndërtuese të shoqërisë së konsumit.

Se deri në ç’nivel mund të shkojë zëvendësimi i realitetit me irealitetin, ia vlen të tregojmë historinë e Dohas, kryeqyteti të Katarit. Sheiku i Katarit mburret sot me mbi tridhjetë grataçielat që ka ndërtuar në Doha. Ai e ka zakon t’i marrë dhe shëtisë me makinë udhëheqësit e vendeve të ndryshme që vizitojnë Katarin për t’u treguar qytetin, veçanërisht grataçielat që ka ndërtuar. “Unë i kam shumë qejf grataçielat”, – u thotë Sheiku – “Kur udhëtoj nëpër botë, sapo shoh ndonjë grataçielë që më pëlqen, urdhëroj që të më sjellin arkitektët që e kanë projektuar dhe u kërkoj të më bëjnë një si ajo në Doha.” Dhe kështu në Doha janë ngritur rreth tridhjetë grataçiela që imitojnë grataçielat e ngritura nëpër botë. Por historia nuk mbaron këtu. Në njërën nga këto shëtitje, teksa sheiku tregonte grataçielat ra mbrëmja dhe befas politikani evropian që ishte me të vuri re se u ndezën menjëherë të gjitha dritat në të gjithë grataçielat. “Si ka mundësi”, – e pyeti sheikun – “jeni marr vesh me banorët që ata t’i ndezin grataçielat në të njëjtën orë?”; “Çfarë banorësh”, – ia ktheu sheiku – “aty nuk ka banorë, ato janë bosh. Dritat i ndezim ne.”; “Po ky është shpenzim i madh parash.”; “Aspak”, – iu përgjigj sheiku – “Këto para i kishim poshtë nën tokë në formën e naftës dhe i kemi nxjerrë mbi tokë.”

***

Refleksionet e Pasolinit dhe kjo histori e sheikut të Katarit i shkojnë shumë për shtat historisë së arkitekturës shqiptare të kohës së triumfit të shoqërisë së konsumit. Megjithë dëmet e mëdha të shkaktura nga komunizmi, në fillim të viteve 90, Shqipëria nuk kishte pësuar agresionin homologues të shoqërisë së konsumit dhe globalizimit, të përzjera me një ethe për t’u bërë të ngjashëm vizualisht me vendet perëndimore. Mund të thuhet se komunizmi shqiptar, edhe pse ishte shumë më shkatërrues i së kaluarës sesa komunizmat në vendet e tjera evropiane, shumë më homologues nëse do të përdornim termin pasolinian, nuk arriti kurrsesi të bëjë atë fshirje në librin e arkitekturës që ka bërë periudha 25 vjeçare e ashtuquajtur tranzicionit, që filloi në vitet 90 me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, në emër të ndërtimeve për banesa për njerëzit që gjatë regjimit kishin pasur ngushtësi banimi, dhe po kulmon me ngritjen e grataçielave të zbrazura.

Në vitet 90 asaj i shkonin ende për shtat thirrja që Pasolini i bënte në vitet 70 UNESCO-s për ruajtjen e qytetit Sana të Jemenit:

” I drejtohemi UNESCO-s ta ndihmojë Jemenin të fitojë ndërgjegjen e identitetit të vet dhe të vendit të çmuar që është.”

“I drejtohemi UNESCO-s që të kontribuojë të ndalojë një spekulim mjeran që po bëhet në këtë vend, e që askush nuk e denoncon.”

“I drejtohemi UNESCO-s që të ndërhyjë sa nuk është vonë që të bindë një klasë drejtuese, ende naive, se pasuria e vetme e Jemenit është bukuria e vet dhe se të ruash një bukuri të tillë do të thotë të kesh një burim ekonomik që nuk kushton asgjë … sepse Jemeni është në kohë të mos bëjë gabimet që kanë bërë vendet e tjera.”

“I drejtohemi UNESCO-s, në emër të vullnetit të vërtetë edhe pse të pashprehur ende, të popullit Jemenit, në emër të njerëzve të thjeshtë që varfëria i ka mbajtur të pastër,

në emër të hirit të shekujve të errët,

në emër të skandalozes forcë revolucionare të së kaluarës”

Kjo thirrje e Pasolinit sot duket si një thirrje e vonuar për Shqipërinë.

***

Qëllimi i këtij numri të Përpjekjes mbi arkitekturën në Shqipëri nuk është të rishkruajë librin ashtu siç mund të kishte qenë duke përshkruar periudhat e ndryshme historike edhe pse nuk mungojnë përshkrime të tilla. Qëllimi është të përpiqet të na tregojë e shpjegojë se çfarë ka ndodhur ka ndikuar që sot ne kemi një libër arkitektonik kaq të përçudnuar në raport me librin që do të mund të kishim pasur. Edhe pse artikujt janë renditur sipas epokave që shqyrtojnë, çdo artikull sjell histori, aspekte, detaje, që shërbejnë si çelësa leximi të librit ekzistues dhe që njëherësh hedhin sadokudo dritë mbi librin e humbur

Kjo është tema e dy numërshit 34-35 të revistës “Përpjekja”. Ky është editoriali i publicistit Fatos Lubonja.

Ismail Kadare

Kadare njeri i regjimit?

Lubonja mohon dokumentin e hetuesisë ku ka folur për Kadarenë. Cili e vërteta jonë vetëm dokumentet

Periskopi.com Kulturë

Ka shpërthyer një polemikë e fortë lidhur me librin “Kadare në dokumentat e Pallatit të Endrrave” të Dashnor Kaloçit, botuar nga Mapo lidhur me imazhin që ai do të japë për shkrimtarin më të madh të kohës së komunizmit, Ismail Kadare. Shkak për këtë është bërë 1 nga 101 dokumentat ku përmendet edhe emri i Fatos Lubonjës. Sipas këtij dokumenti hetuesie, pasi e kanë burgosur, pretendohet se Lubonja i paskësh thënë hetuesve se i ati i tij, Todi Lubonja, gjithashtu i burgosur nga Enver Hoxha, e vlersonte Kadarenë “sepse vetëm ai thoshte të vërtetën”.

E parë nga vështrimi i asaj kohe kjo dukej si një thikë me helm që i futej shkrimtarit. Të deponoje në hetuesi se një armik i Enverit e donte shkrimtarin, do të thoshte ti bëje atij dëmin më të madh.

Pikërisht për këtë fakt ka rreaguar edhe Fatos Lubonja, i cili pasi tregon se pse u arrestua, letërsinë anti regjim dhe dokumentat që iu gjetën nga hetuesia thotë: “sipas Kaloçit në dokument shkruhet se unë u paskam thënë hetuesve se im atë çmonte vetëm Kadarenë, pasi vetëm ai thoshte të vërtetën, kurse të tjerët kishin frikë. E vërteta është që im atë në atë kohë çmonte Kadarenë, si më të talentuarin e shkrimtarëve dhe se e kishte mik, por kurrsesi nuk mund të thoshte se ky shkruante të vërtetën. As unë s’mund ta sajoja këtë. Kjo është një fyerje për inteligjencën, edhe të hetuesve madje, pasi çdokush me dy pare mend ishte i vetëdijshëm se askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën në atë kohë. Se përndryshe, ç’kuptim kishte që unë shkruaja letërsi sirtarësh po qe se të vërtetën mund ta shkruaje si Kadareja? Prandaj, nëse dokumenti thotë vërtet kështu, atëherë fjala ime është zbardhur në mënyrë të deformuar. Dhe gjëra të tilla duhen pasur parasysh kur kërkojmë të kuptojmë të vërtetën e asaj kohe nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit. Jo më kot në Gjermani, krahas arkivit të STAZ-it, sot ka edhe një arkiv tjetër ku njerëzit që figurojnë në dosjet e STAZ-it janë ftuar të dëshmojnë të vërtetën e tyre. Prandaj dhe Adam Michniku ka thënë se “ne (disidentët polakë F.L.) nuk mund të gjykohemi nga dokumentet që kanë bërë persekutorët tanë për ne”.

Pra sipas Lubonjës dokumentat e librit janë të nxjerra jashtë kontekstit, Qëllimi i tyre është të ndërtojnë portretin e Ismail Kadaresë si një njeri që qe në kundërshti me regjimin e Hoxhës, gjë që nuk qe e vërtetë. Ata shkëpusin dokumente dhe fakte që vetëm përforcojnë këtë tezë. “E bukura në këtë histori është që Kaloçi dhe ata që promovojnë librin e tij, nuk nisen të kërkojë të vërtetën e këtyre dramave. As të evidentojë faktin (sado modest, por për t’u njohur) se në atë kohë paska pasur edhe të rinj që bënin letërsi sirtarësh kundër regjimit, që eksperimentonin forma të tjera nga socrealizmi; që nuk i ngrinin himne Partisë dhe shokut Enver, po shkruanin për varfërinë, mjerimin dhe udhëheqjen “idiote”; as se si regjimi i vriste në një mënyrë apo në një tjetër këta të rinj. Ata i (keq)përdorin drama si kjo për t’u shërbyer gënjeshtrave të një shkrimtari të socrealizmit si Kadareja, i cili, edhe pse në vend të dënimeve dhe ridënimeve me burgje ka njohur vetëm promovime e privilegje e çmime, duke arritur deri të bëhet deputet dhe zv.kryetar i Frontit Demokratik, pretendon se na qenka persekutuar nga Enver Hoxha dhe Sigurimi”.

Por këtyre pretendimeve të Lubonjës i është përgjigjur botuesi i Librit Henri Cili.  “Shkurt, me këtë libër kemi dashur t’i japim fund një ideje të krijuar gjatë këtyre 25 viteve sikur Ismail Kadare ishte aty, përbri Enver Hoxhës dhe firmoste bashkë me të dëbimet, internimet dhe pushkatimet. Sigurisht kjo ishte një metaforë e tepruar, por kështu u krijua përshtypja e shumë mjediseve intelektuale. Ne kemi dashur ta tregojmë këtë vërtetë dhe besojmë se ky libër dokument, me 101 dokumente, e jep këtë përgjigje. Nuk e di ku i gjen Fatos Lubonja akuzat për një strategji stimulim manipulimi tonën, kur 101 dokumentet janë botuar të plota, përfshi edhe dëshminë e tij në hetuesi në dënimin e pare”, ka thënë ai.

Por duke lexuar argumentat e Cilit është vështirë të mos i japësh të drejtë Lubonjës. Ky i fundit nuk thotë se ata letra hetuesie nuk ekzistojnë. Ai pretendon gjë tjetër. Ai ngre pyetjen nëse është e majftueshme që vetëm përmes letrave të manipuluara që ka krijuar diktatura, të zbulohet e vërteta. Dhe sipas argumentëve të Lubonjës një pyetje mbetet pa përgjigje: Kur në dokumenta e trejtonte si armik, përse regjimi e ngrinte lart e më larta Kadarenë? Kësaj pikpyetjeje ky libër e ka vështirë ti japë përgjigje. (Lapsi.al)

Fatos Lubonja

Lubonja: Nacionalizmi i Ramës strehë për hajdutët e tij

Sipas Fatos Lubonjës, kryeministri aktual Edi Rama po i ngjan gjithnjë e më shumë Berishës që foli në Mynih për një komb shqiptar të ndarë në 5 shtete.

Periskopi.com Lajme

“Kështu janë këta kur e humbasin mendjen dhe jetojnë shumë të izoluar, vetëm me delirin që ua ushqen popullsia shqiptare, injorante, e humbasin realitetin” ka thënë ai nga studio e “Opinion” në News24. Duke analizuar thëniet e kryeministrit që një shqiptar ka mbrojtur Akropolin dhe atë se “Himara është e jona” sipas Lubonjës është të bësh akoma historiografinë e Enver Hoxhës dhe kjo “është turp për një kryeministër, për një intelektual”.

Sipas Lubonjës, ‘ajo që bën kryeministri në këtë rast është përdorimi i nacionalizmit për qëllime pushteti dhe për të mbuluar ato gjëra që po bën në Jug që përveç të tjerave janë edhe grabitje e pronës së banorëve të Jugut’.

“Aty ka një grabitje, ka një dhunim. Nuk është hera e parë që Kryeminstri përdor gjuhën nacionaliste për të bërë shkatërrime. Siç ndodhi atëherë me kishën e Dhërmiut. Qëllimi është tjetër, që të çon në atë thënien e famshme “nacionalizmi është streha e fundit e horrave”.

Ai ka theksuar se e ‘gjithë kjo bëhet për të mbuluar vjedhjen e pronave në Himarë’. “Qëllimi është që gjithë ato që po bëhen atje me dhunë, kundër asaj popullsie, justifikohen me nacionalizëm. Për të thënë unë kam popullin me vete, siç bëri edhe Enver Hoxha. (lapsi.al)

Fatos Lubonja

Droga e Ramës si nafta e Putinit

Fatos Lubonja Opinione

Në fjalimin e tij përpara dibranëve, deputeti oligark i PS-së, Sadri Abazi, për t’i bindur dibranët të votojnë kandidatin e maxhorancës u tha se Edi Rama do të rrijë në pushtet edhe dhjetë vjet të tjera, prandaj ata kishin të gjithë interesat të votonin për të, sepse kështu do të gëzonin të mirat që vijnë nga qenia pranë pushtetit.

Fjalimi i tij qarkulloi nëpër rrjetet sociale me përqeshje, sepse deputeti fliste me një patos banal që e bënte qesharak. Por fitorja me diferencë 4000 vota e maxhorancës në Dibër shpresoj t’i ketë bërë pak më seriozë ata që e përqeshën pasanikun. Ai paralajmëroi instalimin e putinizmit në Shqipëri.

Ç’KUPTOJ ME PUTINIZËM

Me putinizëm kam parasysh një sistem që, edhe pse pluripartiak, nuk garanton rotacion pushteti sepse partia më e madhe, gjithë duke ruajtur fasadën e një vendi që shkon në votime, sundon e vetme nëpërmjet kontrollit të ekonomisë, të medieve, të shoqërisë civile, të drejtësisë. Putinizmi ka si background historik vende që kanë dalë nga diktaturat, ku sundon mendësia autoritariste, që kanë prirjen t’i ikin lirisë, dhe që kanë hyrë në sistemin kapitalist pa përvojë vetorganizimesh sociale politike si formë rezistence ndaj pushtetit.

Problemet që ngre putinizmi janë shumë. Instalimi i tij heq mundësinë për të korrigjuar me votë gabimet në rritje të maxhorancës sunduese, të cilat vijnë duke u rritur së bashku me autoritarizmin dhe arrogancën e liderit të saj. Duke pretenduar përfaqësimin e të gjithëve, putinizmi ndërton një kastë të paprekshmish që pengon atë që quhet mobilitet social, demokracinë lirinë dhe në raste ekstreme mund të çojë në diktatura fashiste.

PSE NA RREZIKON PUTINIZMI

Premisë e putinizmit është fakti se partitë tona jo vetëm janë të gjitha përfaqësuese interesash oligarkike, por gjatë viteve, duke u kriminalizuar, janë shndërruar në banda që luftojnë për kontroll territori dhe përfitimesh. Kjo situatë, duke degraduar, ka çuar më një anë në largimin e popullit nga politika (edhe nga vendi), sepse ndihet i papërfaqësuar dhe, nga ana tjetër, në një luftë brenda llojit për asgjësimin e njëra tjetrës dhe fitoren e asaj më të fortës. (Shih për këtë edhe shkrimin “Ndërtimi tek Parku si avancim i fashizmit ekonomik” Panorama, 19 janar 2016)).

Megjithatë mund të ngrihet me të drejtë pyetja: pse rrezikohet rotacioni kur deri tani e kemi pasur?

Ka pasur disa arsye të lidhura ngushtë njëra me tjetrën që kanë mundësuar rotacionin. Ato më kryesoret janë:

Së pari, dështimi në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme i lidhur ngushtë edhe me korrupsionin galopant – ka bërë që të vijë një pikë kur njerëzit i janë kthyer kundër maxhorancës sunduese.

Së dyti, deri në fitoren e Berishës në 2005 dhe ca më pak në fitoren e Ramës në 2013 ka pasur një masë të konsiderueshme njerëzish që kanë vazhduar të besojnë tek opozita, ta ndjekin e ta mbështesin me shpresë ndryshimi për mirë.

Së treti, ka pasur një numër më të madh njerëzish që kanë vazhduar ta quajnë PS-në parti të majtë (edhe pse bën politika ultra liberiste) dhe PD-në të djathtë; bazuar tek e kaluara historike komuniste apo antikomuniste (por edhe në sajë të instrumentalizimit nga ana e këtyre partive të kësaj të kaluare).

Së katërti, ka pasur më shumë oligarkë të lidhur me njërën apo tjetrën parti, një pjesë e të cilëve, edhe për arsyet historike që përmenda, edhe për shkak të disa lidhjeve të krijuara nga privilegjet e dhëna gjatë qenies në pushtet, u kanë mbetur besnikë opozitave.

Së pesti, ka pasur më shumë shoqëri civile e intelektualë të pavarur, çka i dedikohej edhe faktit se shumë shoqata e intelektualë sponsorizoheshin nga të huajt; plus faktit se standardet e jetës më herët kanë qenë më të ulëta, kështu që mbijetesa sigurohej me më pak.

Së gjashti, shqiptarët gjithsesi kanë zhvilluar një lloj imuniteti ndaj liderit të përjetshëm për shkak të kujtimit të figurës së Enver Hoxhës. Edhe kjo ka ndikuar që, kur kanë parë delirin në rritje të liderit të maxhorancës së radhës t’i japin goditje aspiratës së tij për lider të përjetshëm.

PSE SOT RREZIKON TË MOS NDODHË MË ROTACIONI?

Së pari, duhet thënë se me gjithë rotacionet prirja putiniste ka qenë gjithnjë prezente. Partitë me në krye liderin e radhës kanë tentuar të akumulojnë sa më shumë pushtet duke eliminuar kundërshtarët dhe jo ta shpërndajnë atë për t’ia dhënë ligji dhe institucioneve. Vendimet që kanë marrë kanë qenë përherë rezultat i arrogancës jo i dialogut me opozitën, shoqërinë civile apo oponentët konstruktivë.

Së dyti, sepse të gjithë këta faktorë që përmenda, për shkaqe të degradimit të përgjithshëm të vendit, por edhe për shkak të një strategjie mjeshtërore tharëse të pemës së diversitetit nga ana e Rama&Co janë në zbehje. Duke e lënë faktorin ekonomik në fund po e nis nga të tjerët.

RËNIA E BESIMIT TEK OPOZITA

Aq i vogël është ky besim, saqë në Dibër një pjesë preferuan më mirë të marrin 2000 lekë për votë sesa të investojnë te PD-ja. Sigurisht kjo vjen për shkak të përvojës së akumuluar tashmë se do të votonin për pasurimin e të njëjtëve oligarkë me të njëjtin stil pasurimi: grabitjen.

RËNIA E NDIKIMIT TË SË KALUARËS

Varfëria, injoranca dhe kulti e parasë, si e mira që siguron të gjithë të tjerat, ka avancuar së bashku me avancimin e zhdukjes së brezave të së kaluarës, duke e bërë elektoratin gjithnjë e më të pandjeshëm ndaj të kaluarës historike.

PAKËSIMI I OLIGARKËVE OPOZITARË

Në kushtet e vështirësive në rritje ekonomike dhe të politikave monopolizuese të ndjekur nga Rama&Co, të një ekonomie që gjithnjë e më shumë mbahet vetëm me para publike (kur nuk mbahet nga krimi) janë pakësuar biznesmenët që kanë mundësi të mbijetojnë nëpërmjet biznesit të tyre e t’i japin mbështetje opozitës. Për këtë zvogëlim ndikon edhe rritja e numrit të atyre që deri dje kanë ngrënë me të gjithë krahët dhe që gjithnjë e më shumë e shohin pa kuptimtë të paguajnë dy tre parti, sepse u mjafton korruptimi i njërës.

LIDERI I PËRJETSHËM

Largimi i njerëzve që janë të lodhur me këtë vend që s’po del nga tranzicioni, si dhe i gjithë atyre që nuk durojnë liderët autoritarë për shkak se ruajnë ende memorien, si dhe rritja e ndjenjës së nënshtrimit (kombinuar me faktorët e sipërpërmendur) e lehtë- son avancimin e sëmundjes së gjithëpushtetshmërisë tek Edi Rama. Shembulli më elokuent për këtë e dha vetë partia e tij që pranoi pa kundërshtim që lidershipi i tij të mos vihej në votim në Kongres, gjë kjo e pangjarë deri më sot.

EKONOMIA KRIMINALE

Putinizmi nuk mund të konsolidohet pa naftë. E pra duket se maxhoranca ka gjetur “naftën” që i mban në këmbë. Mbjelljen dhe trafikimin e drogës. E vërtetë, gjendja ekonomike është në ditët më të zeza që s’i ka njohur prej kohësh. Dhe kjo shkon në kundërshtim me argumentin tim kryesor. Pra, njerëzit duhet të ngrihen. Por Dibra vërtetoi të kundërtën. Çfarë ndikoi? Ndikoi fakti se varfërimi (i lidhur edhe me faktorët e tjerë) jo vetëm i revolton njerëzit, por edhe i shtyn të ikin, edhe i degradon duke i çuar në krim e korruptim. Të mbijetosh duke mbjellë kanabis nën mbrojtjen e policisë është edhe krim edhe korruptim njëherësh. Sot jemi në një situatë kur mbijetesa e njerëzve është gjithnjë e më shumë e lidhur me krimin dhe oligarkët e lidhur me pushtetin. Janë strukturat e tyre, dhe jo strukturat partiake që lidhin politikën me popullin. Në rreth vicioz, sa më shumë akumulimi i parave shkon në duar e kë- tyre njerëzve, aq më të skllavëruar e të depersonalizuar ndjehen njerëzit derisa arrijnë të jetojnë me krim apo ta sheshin votën për 2000 lekë.

Për të gjithë këta faktorë të ndërlidhur me njëri mendoj se jemi përpara rrezikut serioz të instalimit të putinizmit.

Duhet thënë se Shqipëria nuk është e izoluar në këtë fenomen. Ajo i shembëllen shumë vendeve të botës ishkomuniste, që janë një karikaturë e problemeve që ka sot kapitalizmi që i ka shndërruar politikanët gjithnjë e më shumë në menaxherë të interesave të oligarkisë. Veçse ajo është një imitim shumë më karikaturesk dhe kriminal sepse oligarkia jonë është shumë më kriminale, për të mos thënë se është krimi vetë.

CILA ËSHTË RRUGËDALJA

Rreziku i këtij putinizmi apo fashistizimi të vendit mund të luftohet vetëm duke mobilizuar mosbesuesit, indiferentët, të lodhurit dhe të varfrit që s’duan të jetojnë me krim apo ta shesin votën për 2000 lekë. Parulla që duhet ngritur është: të përfaqësohen të papërfaqësuarit.

A mundet Partia Demokratike ta bëjë këtë punë. Duket një mision gati i pamundur. Më së shumti duket se kjo parti pret të trashen zullumet e kësaj bande në pushtet, derisa njerëzit të shkojnë të kërkojnë ndihmë e shpëtim te banditët e saj. Por, siç argumentova më sipër dhe siç e vërtetoi Dibra, ky variant duket gjithnjë e më i vështirë. Kështu siç është PD-ja mund të shërbejë fare mirë si parti e përjetshme opozitare në sistemin putinist.

Në këto kushte situata është tejet e rëndë dhe prapë do të thosha se rruga më e shkurtër është ajo që duket më e gjata dhe më e pamundura: krijimi i një lëvizjeje që të përfaqësojë të papërfaqësuarit, me njerëz të rinj, me fytyra të reja, që ngjallin besim e shpresë. Kjo lëvizje duhet të jetë e gatshme të bashkëpunojë edhe me opozitën, por pasi ka parë se ajo ka reflektuar dhe ka bërë ndryshime serioze dhe bindëse për të hequr dorë nga mendësia e sjelljes thjesht si një bandë që lufton me banditët e vet për të ripushtuar territoret e humbura.

|Marrë nga Panorama.al