Tërmkolli flet për prapaskenat e ditës kur u shpall pavarësia: Sejdiu duhej ta lexonte deklaratën

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe veprimtarja e kamotshme, Melihate Tërmkolli, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova se deklaratën e Pavarësisë me 17 shkurt 2008 do të duhej ta lexonte presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, por kjo u bë e pamundur nga manifestimi i fuqisë politike të Hashim Thaçit.

Periskopi.com Lajme

Prandaj sipas Tërmkollit, deklaratën e lexoi Thaçi e jo Sejdiu.

“Deklaratën e Pavarësisë do të duhej ta lexonte Presidenti, Fatmir Sejdiu. Por, nuk ndodhi, për shkak të manifestimit të fuqisë politike nga atëherë kryeministri, Hashim Thaçi”.

Ajo ka treguar edhe përse nuk ishte ngritur në këmbë për himnin e Kosovës dhe flamurin e shtetit në ditën kur u aprovuan në Parlament, njofton Klan Kosova.

“17 shkurti në vitin 2008 është një moment jashtëzakonisht i veçantë, për të gjithë shqiptarët kudo ku kanë qenë, aq më tepër për deputetët që kanë qenë brenda asaj salle ku u bë shpallja e Pavarësisë së Kosovës”.

“Unë nuk jam ngritur në këmbë për flamurin dhe himnin dhe kam votuar kundër, por e them se unë sot e respektoj, sepse e dua dhe e respektoj shtetin tim – prandaj edhe e respektoj edhe himnin edhe flamurin. Por, besoj se flamuri i Dardanisë do të jetë një ditë flamuri i shtetit të Kosovës”.

Tërmkolli tha se do të donte që flamuri i shtetit të Kosovës të ishte propozimi i ish-presidentit, Ibrahim Rugova – Flamuri i Dardanisë.

“Por, propozimi për flamurin e Dardanisë dhe për himnin “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë” nuk u vu asnjëherë në rend dite në Parlamentin e Kosovës”.

“Madje, disa ‘komandanta’ e dogjën flamurin e Dardanisë dhe nuk reagoi asnjë institucion. Aty ishte shqiponja dhe elementet esenciale të historisë sonë kombëtare e politike si Kosovë dhe si shqiptarë”.

Tërmkolli pohoi edhe se 17 shkurt 2008 është padyshim “kontribut i shumë brezave”.

“Edhe unë në ato mundësitë e mia kam provuar të jap një kontribut, mbase modest, në këtë drejtim. Por, do të mbetet data më e rëndësishme në historinë e shqiptarëve”.

Sejdiu rrëfen se si gjatë kohës së bombardimeve e propozuan për kryeministër

Ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, ka folur për themelimin e subjektit që dikur udhëhoqi, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Ai thotë se në krye të subjektit të parë për shqiptarët e Kosovës, erdhi Ibrahim Rugova dhe kjo u bë edhe përmes një shtytje që i është dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mund ta supozoj se mbase mund të ketë qenë edhe një shtytje e drejtpërdrejt edhe në atë drejtim. S’them se ata kanë dashtë të marrin një rol të direktivës se kush duhet të jetë, por në njëfarë mënyre ishte një preferencë në kuptimin e këshillës miqësore për personat që do të ishin më adaptë në kuptimin pozitiv për të akceptuar një vijë politike e cila do të ishte e pranueshëm edhe në planin e parë edhe me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Sejdiu.

Ai tregon edhe një moment të veçantë, kur thotë se gjatë periudhës së bombardimeve ishte propozuar kryeministër për një Qeveri gjithëpërfshirëse.

“Ideja e parë ka qenë që unë të jem kryeministër i vendit. Në 1998-ën ka qenë propozim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, akceptimi edhe i presidentit Rugova, edhe krahut tjetër (UÇK -ja) – në atë kohë ishte edhe LB-ja, Partia Parlamentare dhe të tjera”, tha ai.

Duke folur për kohën e tashme dhe rënien e LDK-së që prej humbjes së zgjedhjeve të para, Sejdiu thotë se druan që kjo rënie do të vazhdojë edhe më tutje për subjektin më të vjetër në vend.

Fatmir Sejdiu flet se kush e vrau Xhemajl Mustafën

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka rikujtuar shkrimtarin e publicistin e njohur të Kosovës, Xhamajl Mustafa, në 16 vjetorin e vrasjes së tij.

Periskopi.com Lajme

Përmes një shkrimi në Facebook, ai thotë se Mustafën e vranë ata që nuk e deshën lirinë e Kosovës.

Ja postimi i tij i plotë:

Për Njeriun Besnik të Kosovës – për Xhemajl Mustafën

Sot kujtojmë me dhimbje, por edhe me krenari, një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës historike, të lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës – shkrimtarin e publicistin, njeriun e Kosovës Xhemail Mustafa.

Guxim të palëkundur, urti e pafundme, vizionar dhe largpamës është përkufizimi më i denjë për formatin intelektualit, njeriut të Kosovës, Xhemajl Mustafa.

I tillë ishte, i tillë mbeti përjetësisht Xhemajli.

Mbeti emër i veçantë, sikurse që ishte i veçantë. Emër i dalluar i bërthamës së parë të atyre që shpalosen idenë e parë të formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe për të mbetur besnik i palëkundur i Presidentit Rugova në gjithë kohët e jetës së tij, për të mbetur besnik i palëkundur i urtisë dhe lëvizjes paqësore.

Kam pasur fatin ta njoh herët, sikur edhe Enver Malokun, sepse ishim nxënës gjimnazi.

Njohja jonë ishte e hershme, dhe mori kuptim edhe më tutje, në rrugët në të cilat vazhduam bashkëpunimin e përhershëm, në kauzën e qartë, për lirinë e Kosovës.

Në nismën për formimin e një fronti politik të organizuar, Xhemajli kishte rolin e vet, rol që nga perspektiva e ditëve të sotme duket i pazëvendësueshëm.

Është pikërisht dita e shtunë e 23 dhjetorit, kur bashkërisht me Xhemajlin morëm pjesë në Kuvendin themelues të LDK-së.

Rrugëtimi ynë vazhdoi në angazhimin e përhershëm për liri, pavarësi dhe demokraci.

Xhemajli e donte lirinë. Xhemajli e donte dhe besonte në Kosovën e lirë.

 

Besnik dhe luftëtarë i pashembullt i lirisë.

Xhemajlin e vranë ata që se deshën lirinë, ata që se deshën guximin, ata që se deshën besnikërinë, ata që se deshën Kosovën, ata që se deshën Kosovën e lirë.

Nëntori i vitit 2000 u tregua i pamëshirshëm për njeriun e Kosovës, për Xhemajl Mustafën.

I pamëshirshëm Kosovën tonë e gjen edhe ky 23 nëntor i viti 2016. Kaluan shumë vite pa përgjigje. Ende nuk kanë marrë dënimin ata që i morrën jetën në pikën e ditës. Ata që deshën mbylljen e gojës së tij, ata deshën të thyejnë lapsin e tij, ata që deshën mos përfundimin e rrëfimit të filluar.- ata që se deshën lirinë e Kosovës, ata që se deshën guximin, ata që se deshën besnikërinë, ata që se deshën Xhemajlin, ata që dhanë urdhër dhe vranë Xhemajlin./ Periskopi