Afternoon_in_Prishtina

Sondazh çfarë presin kosovarët nga integrimi evropian

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka finalizuar sondazhin mbi perceptimin e opinionit publik në Kosovë, rreth procesit të integrimit Evropian, liberalizimit të vizave dhe çështje tjera të ndërlidhura të aktualitetit politik në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Ky sondazh ka gjetur se koncepti i integrimit Evropian është i njohur për shumicën e të anketuarve, përkatësisht për 84.6% prej tyre. Sondazhi ka gjetur se ka një dallim në të kuptuarit e konceptit të integrimit Evropian. 33.5% e të anketuarve e kuptojnë integrimin Evropian si: një bashkim, organizatë që përfaqëson demokracitë më të zhvilluara perëndimore; 29.6% e tyre e kuptojnë integrimin Evropian si: një proces ekonomik që shmang konfliktet midis vendeve që janë anëtare të Unionit dhe promovon paqe si dhe marrëdhënie të mira mes vendeve fqinje; dhe 25.9% e tyre e kuptojnë integrimin Evropian si: një integrim i shoqërisë kosovare në një bashkim që përbëhet nga vlera krejtësisht të ndryshme nga vlerat tona tradicionale.

Për më tepër, ky sondazh gjen se shumica e të anketuarve perceptojnë se Kosova do të përfitojë nga procesi i integrimit Evropian. Ata shprehin përfitimet e mëposhtme: zhvillim ekonomik; lëvizje të lirë; tregti më të lehtë; punësim në BE; shkëmbim në arsim, zhvillim të të rinjve dhe zhvillim kulturor. Më pak se gjysma e mostrës, përkatësisht, 47.1% e të gjithë të anketuarve perceptojnë se Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit Evropian. 27% e të anketuarve kanë deklaruar se Kosova nuk mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit Evropian. Dhe 20.1% e të anketuarve nuk e dijnë nëse Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit Evropian. Nëse i zbërthejmë mbi baza gjinore të dhënat paraprake, mund të thuhet se ky studim identifikon se rreth 45% e të anketuarve meshkuj dhe rreth 35% e të anketuarve femra perceptojnë se Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit Evropian. Përveç kësaj, numri i moderuar i të anketuarve nga 6 rajonet e Kosovës janë shprehur që integrimi Evropian mund të shihet si një metodë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe vendit fqinj Serbisë. Në të kundërtën, në rajonin e Mitrovicës, numri i madh i të anketuarve shqiptar etnik percepton se procesi i integrimit Evropian nuk do të çojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në të gjitha rajonet e Kosovës, të anketuarit janë shprehur se procesi i integrimit Evropian është duke u zhvilluar me një ritëm të ngadaltë. Gjithashtu, anëtarësimi i Kosovës në BE është perceptuar si një mjet për të zgjidhur çështjet ekonomike të Kosovës (67.5%), dhe më pak për sfidat e saj politike (45.6%).

Një numër mesatar i të anketuarve janë të vetëdijshëm që Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Megjithatë, vetëm rreth 30% e të anketuarve të cilët janë të vetëdijshëm për nënshkrimin e MSA-së, kanë shprehur që Kosova mund të këtë përfitime nga MSA.

Gjithashtu, më shumë se 60% e të anketuarve perceptojnë saktë procesin e liberalizimit të vizave; dhe 78.9% e perceptojnë të saktë kohëzgjatjen e qëndrimit në vendet e zonës Schengen nëpërmjet procesit të liberalizimit të vizave.

Sondazhi është kryer gjatë muajit shtator 2016, në 7 rajonet kryesore të Kosovës,  me gjithsejt 1000 të anketuar. 53% të të anketuarve ishin meshkuj kurse 47% ishin femra.  Qëllimi i tij ishte: të identifikojë perceptimin e opinionit publik mbi procesin e integrimit Evropian, për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA); dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Rekomandimet

v  Qeveria e Kosovës duhet të informojë qytetarët në lidhje me integrimin Evropian, nëpërmjet komunikimeve tjera aktive që do të thotë: konferenca, debate aktive, fushata të vetëdijësimit, dhe nuk duhet të lejojë që lajmet, si një mjet pasiv i komunikimit, të jetë mjeti i vetëm i informacionit;

v  Qeveria e Kosovës duhet të marr në konsideratë perceptimin e qytetarëve etnik shqiptar të Mitrovicës, perceptimet e të cilëve ndryshojnë nga perceptimet e qytetarëve të rajoneve të tjera. Ky studim ka reflektuar perceptimet, dyshimet dhe pasiguritë që komuniteti shqiptar në rajonin e Mitrovicës i përjeton. Për këtë arsye, institucionet e Kosovës duhet të kenë një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe të hapur me qytetarët përkatës, për të kapërcyer gjendjen e tanishme të tyre;

v  Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan veprimi me kombinim të masave afat-shkurtëra dhe afat-gjate. Masa afat-shkurtëra janë: informimi publik dhe fushatat ndërgjegjësuese; dhe masat afat-gjata mund të jenë:  përmirësimi i kushteve të jetesës tek grupet e cenueshme të popullsisë dhe të njerëzve të papunë në mënyrë që ata plotësisht të kuptojnë procesin e liberalizimit të vizave;

v  Qeveria e Kosovës që nga fillimi i fushatës informuese të synuar (në veçanti në lidhje me përfitimet e MSA-së dhe çështjen e liberalizimit të vizave), duhet të përfshijë organizatat rinore dhe OJQ, si dhe partitë e pakicave dhe udhëheqësit e tyre; dhe

v  Në mënyrë të ngjashme, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje shtesë për të punuar më ngushtë me të dy etnitë në rajonin e Mitrovicës, që t’i bindin ata se integrimi Evropian është një mjet që do të stimulojë integrimin e qytetit të tyre.

Përfundime

Në përgjithësi, ky sondazh ka gjetur se opinioni publik në Kosovë është i vetëdijshëm për konceptin e integrimit Evropian. Megjithatë, ka dallime në të kuptuarit dhe interpretimin e këtij koncepti. Gjithashtu, sondazhi ka gjetur se të anketuarit perceptojnë se procesi i integrimit Evropian i Kosovës është i lidhur pozitivisht me zhvillimin ekonomik. Poashtu, anëtarësimi i Kosovës në BE është perceptuar të jetë më i lidhur me zhvillimin ekonomik sesa me tejkalimin e sfidave aktuale politike të Kosovës. Së fundmi, për qytetarët e Kosovës duhet të bëhet më shumë punë dhe është i nevojshëm sqarimi i mëtutjeshëm i konceptit të procesit të integrimit Evropian në përgjithësi, si dhe idesë të Bashkimit Evropian, në veçanti.