Flet këshilltari shqiptar i Erdoganit: Krah të fortë do ta keni përherë Turqinë

Ekskluzivisht për Telegrafin, flet këshilltari i Erdoganit – shqiptari Sabri Demiri: Në rrugëtimin tuaj, krah të fortë do ta keni përherë Turqinë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tash e sa vite në kabinetin e tij e ka rezervuar një vend për një shqiptar, të cilit ia ka besuar informatat për zhvillimet në Ballkan. Është ky shqiptari Sabri Demiri, i lindur në ish-kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, në Shkup, që kishte rrugëtuar në Turqi për të nxënë dije, pa e ditur se do të bëhet pjesë e ekipit të një prej liderëve më të fuqishëm në botë. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, teologu 45-vjeçar ka treguar për ngjitjet e tij në Turqi, për konsideratat e Erdoganit ndaj shqiptarëve, për politikat e Turqisë në raport më Shqipërinë dhe Kosovën. Demiri ka sqaruar edhe raportin e Turqisë me çamët dhe interesimin e politikës turke për shqiptarët që jetojnë në Serbi, në Maqedoni dhe në Malin e Zi. Ndërkaq, nuk e ka lënë pa përmendur edhe rrezikun që, sipas tij, e sjellin organizatat e lidhura më imamin Fethullah Gulen, e që janë prezente edhe në trojet shqiptare.

Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në vendlindje. Në vitin 1992 ishte regjistruar në Universitetin e Sarajevës, në drejtimin e Teologjisë, por nisja e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë kishte bërë që ai të largohej nga aty, për të vazhduar rrugën për në Damask të Sirisë ku përfundon studimet në Institutin e Gjuhës Arabe.

Në vitin 1994 zhvendoset në Turqi. Një vit pas përvetësimit të gjuhës turke, nis studimet themelore dhe ato të magjistraturës në Fakultetin e Teologjisë në Universitetin Marmara.

Momentalisht jeton në Ankara me familjen e tij të ngushtë, që përbëhet nga katër anëtarë: ai, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij. Prindërit dhe farefisi i ka në Maqedoni.

Në vitin 2009, më ftesë të Erdoganit – aso kohe kryeministër i Turqisë – u emërua këshilltar i tij, punë të cilën e ka vazhduar deri në vitin 2014. Në kohën kur ish-kryeministri Erdogan merr pozitën e kreut të shtetit, emërohet këshilltar për Ballkanin – detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.

Demiri ka thënë për Telegrafin se ndjehet komod qëkur u bë pjesë e kabinetit të një lideri që për të po i ndryshon epokat.

“Sepse, Erdogani e nderon dhe e çmon shumë kombin tim, E ka një sinqeritet dhe dashamirësi ndaj shqiptarëve; një qasje vëllazërore ndaj nesh”, thotë ai.

I vetëdijshëm për peshën e punës së tij në ndërtimin e marrëdhënieve mes vendimmarrësve në Turqi dhe atyre në trojet tona, angazhohet që presidenti turk gjithnjë të ketë informata të sakta për zhvillimet politike, sociale dhe kulturore në vendet ku jetojnë shqiptarët. Për të sot askush nuk mund ta mohojë se populli të cilit ai i takon është faktor determinues për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

“Raportet e shtetit turk me dy shtetet shqiptare, me Kosovën dhe Shqipërinë, po intensifikohen dita-ditës. Ndërsa, është botërisht e ditur se kemi raporte të një parneriteti strategjik. Dua te them se presidenti Erdogan e sheh raportin me shqiptarët si marrëdhënie pa kushte”, ka shtuar ai.

Demiri tregon se Ballkani mbetet çdo herë në vëmendjen e Turqisë, për çka punohet në raporte të mira edhe me Bosnjën dhe Hercegovinën, me Kroacinë, Maqedoninë, e madje Serbinë.

“Një Ballkan i qetë, pa trazira, është fjalia kryesore e Presidencës turke”, ka theksuar ai, duke mos e mohuar se ndihet krenar si shqiptar në Kabinetin e Erdoganit. “Në asnjë moment nuk ndihem i dytë ose i anashkaluar. Kolegët dhe vet presidenti me trajtojnë me shumë respekt. Për ata jam një vëlla, e më pas një bashkëpunëtor. Dallimet etnike shihen si pasuri në vendin tim të punës. Ndaj, nuk e kam asnjë pengesë që t’i shpreh sentimentet kombëtare. Respektin dhe dashurinë për shqiptarët presidenti Erdogan e ka treguar disa herë nëpër fjalimet e tij. Në çdo rast iu drejtohet shqiptarëve si ‘vëllezërit e mi’. Nuk besoj se ndonjë lider tjetër ka krijuar këtë afërsi më popullin tonë”.

Demiri ka sqaruar për Telegrafin se nën urdhrin e Erdoganit është formuar “Kryesia e Popujve Akraba” apo e popujve që konsiderohen të afërt. Në krye të këtyre popujve janë shqiptarët.

“Kemi të bëjmë me një raport special. Presidenti dhe shteti turk e kanë bërë të qartë agjendën e tyre në raport me shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe në përgjithësi Ballkan. Nuk është fakt i panjohur angazhimi personal i tij në lobimin për njohjen e Kosovës si subjekt ndërkombëtar. E them me përgjegjësi të plotë: nuk ekziston forum rajonal ose botëror ku ai nuk bën thirrje që të njihet shtetësia e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas Demirit, Kosova nuk mbështetet vetëm politikisht, por edhe në forma tjera ekonomike.

“Angazhimi nuk mungon edhe në mbështetjen në rrugën e integrimeve euroatlantike. E përsëris: nuk ka institucion dhe organizatë ndërkombëtare ku Turqia nuk ka kërkuar që pjesë e saj të jetë Kosova”, ka shtuar ai.

Demiri shprehet se raportet në mes Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë – si me kryeministrin Edi Rama e më parë edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha – janë jashtëzakonisht të mira. Madje, ndjehet mirë që Rama e ka shpallur Turqinë si partner strategjik dhe se këto raporte po reflektojnë pozitivisht kudo tek shqiptarët në rajon.

“Pos investimeve e ndihmave, dua t’ua kujtoj po ashtu një fakt: janë mijëra studentë shqiptarë që me bursa shtetërore i kanë përfunduar e po i ndjekin studimet në Turqi. Brenda një periudhe pesëvjeçare, shteti turk – përmes organizatave shtetërore – ka realizuar 390 projekte në Shqipëri, 537 në Maqedoni dhe 576 në Kosovë. Kjo mbështetje ka qenë kryesisht në programe sociale, në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi etj.”, ka sqaruar ai.

Demiri ka folur edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se me shqiptarët në Maqedoni, në Serbi dhe në Malin e Zi janë në kontakte të vazhdueshme, dhe se mbështeten organizatat e tyre në funksion të përmirësimit të jetesës së banorëve të këtyre pjesëve. Ai madje e kujton një detaj interesant për lidhjen e Erdoganit me vendlindjen e tij, duke theksuar se “për Bajramin e Vogël, presidenti turk një pjesë të kurbanit e kishte dedikuar për Shkupin”.

“’Shkupin’, tekstualisht kështu. Është diçka simbolike, por domethënëse se si një presidenti me aq shumë obligime e përgjegjësi i kujton banorët e këtij qyteti. Mos të flasim për ditët kur qyteti im i lindjes u prek nga vërshimet e kur nga Turqia u dërguan qindra maune me ndihma”, thotë Demiri,, i cili përmend një takim të zyrtarëve nga Presheva me shefin e tij, të cilëve po ashtu u është premtuar mbështetja turke.

Këshilltari i Erdoganit thotë për Telegrafin se si rajon multietnik dhe multifetar, është me rëndësi që të promovohet bashkëjetesa dhe toleranca në Ballkan – pa u shkelur dhe pa u dhunuar të drejtat e asnjë etnie. Ndërkaq, shton se për Presidencën turke “brengosëse janë problemet ekonomike dhe sociale në trojet tona, për çka një pjesë e rinisë të ardhmen e sheh nëpër rrugët e Evropës”.

“Turqia dhe presidenti u kanë bërë ftesë bizneseve që të investojnë në këto troje, për t’i këndellur ato në aspektin ekonomik. Turqia është shembull i ngritjes së madhe ekonomike, ndaj kjo praktikë synohet të ndahet me vendet e Ballkanit”, ka shtuar ai.

Demiri me presidentin e tanishëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin turk

Demiri ka folur edhe për prezencën në rajon të organizatave të lidhura me imamin Fethullah Gulen. Ai i cilëson ato si “terroriste”.

“’Gylenxhinjtë” – shërbyes të imamit Fethullah Gulen – tentuan ta ‘klonojnë’ shtetin turk. Këta sabotues, me obstruksionet e tyre ishin bërë pengesë e zhvillimit. Sabotimet ishin në rrafshin ekonomik dhe të investimeve brenda Turqisë. Përmes infiltrimit në sistemin e edukimit, në Polici, në gjykata e në Ushtri, ata tentuan ta nëpërkëmbin shtetin. FETO – kjo organizatë okulte dhe terroriste – më 15 korrik të vitit të kaluar tentoi një grusht shtet, që fatmirësisht u shkoi huq. Pamjet nga sheshet e qyteteve ishin madhështore. Qytetarët e zakonshëm e mbronin shtetin e tyre, duke hyrë përmes tankeve dhe duke u bërë mburojë me gjokset e tyre. Pleq e të rinj – pas ftesës së Erdoganit – vërshuan rrugët duke e mbrojtur flamurin, dinjitetin e demokracinë e duke mos e pranuar nënshtrimin”, ka theksuar ai.

Demiri thotë se “është fatkeqësi që kjo organizatë është e përhapur edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Sabri Demiri: Uroj shqiptarët, kudo që janë, për 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

“Do të tradhtojnë, siç e tradhtuan popullin e tyre. Veprimet i kanë të orientuara në dëmtimin e raporteve shqiptaro-turke, përmes denigrimit të politikës turke”, ka shtuar ai. “Presidenti, në takimet me liderët shqiptarë ka bërë thirrje që të jenë të kujdesshëm nga eksponentë të kësaj organizate. Tashmë ka një kërkesë direkte prej Erdoganit, drejtuar vëllezërve shqiptarë në Kosovë, që të largohen nga kjo organizatë, sepse ky shteti i ri është ende duke u ndërtuar e mund të këtë pengesa në këtë drejtim”.

Demiri ka theksuar se komuniteti çam është një komunitet me rëndësi për Erdoganin dhe se janë 200 mijë prej tyre që jetojnë në këtë shtet. Sipas tij, ata janë të inkuadruar në të gjitha sferat e shtetit turk.

“Kemi raporte të shkëlqyera edhe me Partinë për Demokraci, Integrim dhe Unitet (PDIU) në Shqipëri, dhe drejtuesin e këtij subjekti, Shpëtim Idrizi. Besojmë se ky subjekt i mbron interesat e këtij komuniteti, në përpjekjet për ta zbardhur të vërtetën historike të tyre”, ka shtuar shkupjani i fortë i Turqisë, i cili nuk harron t’ua urojë të gjithë shqiptarëve 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Ju dëshiroj mirëqenie, rehati dhe një shtet stabil. Mos harroni se në rrugëtimin tuaj e keni mbështetjen e pashoqe të presidentit Erdogan. Ndërkaq, ju siguroj se unë – Sabri Demiri i gjakut tuaj – nuk do të kursehem asnjëherë që – nga pozicioni im – ta ndihmoj Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë. E lus Zotin për shëndetin dhe mirëqenien tuaj”, ka shtuar Demiri. /Telegrafi/

Në Turqi u goditën laikët që festonin, Erdogan e ka përçarë vendin

Elif Shafak, shkrimtarja më e shitur në Turqi, autore e librit më të fundit “Tre bijat e Evës” (në shqip janë përkthyer Bastardja e Stambollit, Nderi, 40 rregullat e dashurisë) është një grua me një finesë të madhe mendore, dhe di të përziejë politikën me kulturën, shoqërinë me ekonominë. Por këtë herë, toni i zërit të saj ka një krisë më shumë.

Periskopi.com Intervista

“Jam thellësisht e tronditur, e trishtuar. Nuk kam fjetur fare. Njerëz të pafajshëm që festonin ardhjen e Vitit të Ri, u sulmuan, masakruan në mënyrë të pamëshirshme në klubin e natës Reina. Një akt i tmerrshëm mizorie, kryer me gjakftohtësi. Viti 2016 ishte një vit i tmerrshëm për Turqinë”.

Reina i Stambollit si Bataclani i Parisit: ngjashmëria është e menjëhershme. Eshrë Elif Sharak që flet por, këtë herë, toni i zërit të saj ka një krisje më shumë.

Përse nuk kalon një javë pa një atentat terrorist në Turqi?

Nga një pikëpamje gjeopolitike, Turqia është bërë për Shtetin Islamik, fronti i ri. Lufta në Siri ndikon drejtpërdrejtë, sidomos që kur jemi përfshirë në konflikte rajonale. Ndajmë me Sirinë 500 milje vijë kufitare, një kufi tashmë i pasigurt. Për shumë kohë u është dhënë e drejtë kalimi, shumë grupeve sirianë. Më pas nisën të godasin qytetarët turq, t’i rekrutojnë. Në të kaluarën, atdheu im ishte porta, ura kulturore mes Lindjes së Mesme dhe Europës. Sot nuk është më. Jemi një shoqëri në depresion, e tronditur, e traumatizuar.

Presidenti Erdogan flet për “kaos që dikush po e krijon për të shkatërruar Turqinë”. Ju a nuk mendoni se polarizimi i skajshëm i pozicioneve, përjashtimi i forcave demokratike dhe ndryshimi i vazhdueshëm i aleancave të jashtme (me Rusinë, Izraelin, frontin shiit, Europën, SHBA) kanë bërë që Turqia të precipitojë në një vend të paqëndrueshëm, ku të mund të krijohet kaosi?

Në Turqi, elitat në pushtet flasin gjithmonë për “armiq të jashtëm” dhe për “lobe ndërkombëtarë”. Thonë se Turqia është kaq e madhe, saqë armiqtë e jashtëm janë xhelozë dhe duan të na shkatërrojnë. Ka paranojë, mosbesim kundrejt Perëndimit.

Edhe këtë herë?

Këtë herë duhet të pushojmë së pari “fajtorët perëndimorë” dhe të përqëndrohemi tek “demokracia jonë e brendshme”. Prej shumë kohësh vendi është i polarizuar. Qeveria e udhëhequr nga partia konservatore u zgjua me vonesë për të kuptuar se grupet islamike fondamentaliste, në anën tjetër të kufirit, do të mund të na godisnin një ditë. Nuk e kuptoi atëherë kur duhej këtë rrezik.

E megjithatë, deri pak kohë më parë, Turqia ishte një vend në zhvillim të plotë, edhe ekonomik. Për çfarë ka nevojë?

Kur isha fëmijë, në Ankara, dhe përgjatë gjithë rinisë sime në Stamboll, Turqia ishte një vend i ndryshëm. Festimi i Vitit të Ri ishte normale. Njerëzit bënin blerje, blinin arra dhe fruta, shihnin këngëtarë dhe aktorë të famshëm në televizion, në mesnatë përqafoheshim të lumtur. Kjo ndodhte. Tani nuk ndodh më.

Po çfarë ndodh?

Grupet islamike shpërndajnë fletëpalosje në rrugë, ku u bëjnë thirrje myslimanëve të mos festojnë Krishtlindjen. Dhe ministri për Punët Fetare shpall “ilegjitim” festimin e Vitit të Ri. Sa gabim! Nuk kanë të drejtë: njerëzit duhet të festojnë atë që duan. Por rritet presioni kulturor dhe politik mbi laikët, mbi stilin modern të jetesës.

Pak ditë më parë, u lirua pas katër muajsh burg shkrimtarja Asli Erdogan. Edhe linguistja Necmiye Alpay. Por u burgos gazetari investigativ Ahmet Sik. Për ata që përdorin fjalën e shkruar, të punojnë këtë është bërë gjithnjë e më e vështirë. Edhe ju shkrimtarët jeni larguar pothuaj të gjithë jashtë vendit…

Unë u kënaqa shumë kur Erdogan dhe Alpay u liruan nga burgu. Një kënaqësi e mbytur, sepse po atë ditë arrestuan Sikun. Dhe ai është një gazetar kurajoz, i hapur, një veteran që kërkon të vërtetën dhe tani duan ta heshtin. A e besoni nëse ju them se 143 gazetarë e kanë nisur 2017-ën prapa hekurave? Turqia është sot burgu më i madh i gazetarëve. Këtu fjalët nuk janë të lira. E di mirë çdo gazetar, shkrimtar apo intelektual. Dhe të flasësh e të shkruash bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ka një presion shumë të madh mbi intelektualët që kanë pozicione kritike. Në momentin që kritikon, mund të të etikojnë menjëherë si tradhtar. Rezultati është që shumë shkrimtarë, e mbi të gjitha gazetarë, janë të frikësuar.

Çfarë duhet bërë?

Duhet mbështetur një demokraci e plotë pluraliste. Partia Demokratike e popujve, filokurde, dhe gazetarët e intelektualët turko-kurdë të burgosur duhet të lirohen të gjithë, menjëherë. Qeveria duhet të përdorë policinë e saj për të kërkuar terroristët (edhe të ISIS edhe të PKK), në vend që të arrestojë gazetarë, shkrimtarë, karikaturistë.

Nuk do të jetë e lehtë.

Sot Turqia është më e dobët sepse demokracia ka bërë hapa prapa. Si vend jemi ndarë mes atyre që duan Erdoganin dhe atyre që e urrejnë. Nuk ka më një kulturë bashkëjetese. Ose vlerash të përbashkëta.

Me Reinan, mos vallë terroristët deshën të godasin një simbol të laicitetit?

Zgjodhën një objektiv simbolik. Sulmojnë një stil jetese laik, perëndimor, kozmopolit. Një vend ku myslimanët dhe të krishterët, burra dhe gra, takohen, festojnë, pijnë së bashku. Nuk ka qenë një koincidencë. Fanatikët këtë synojnë: urrejtjen, frikën, ndarjen.

Erdogani nuk kthehet dot pas

Kohë përpara se të pritej ndërrimi i viteve, ndaj shtresës shoqërore me orientim modern të Turqisë ishte paralajmëruar sulmi i tmerrshëm terrorist në klubin e natës „Reina". Gjatë javëve të fundit shpesh sharlatanë gjëmonin në mediat sociale kundër festës së Vitit të Ri me tituj si „Imam" ose „Hoxha".

Baha Güngör Opinione

Në këtë kontekst ata as nuk u rezervuan që t’i shpallnin si “të pafe” e kësisoj edhe si objektiv të sulmeve të dhunshme ata që preferojnë mënyrën perëndimore të jetesës. Madje zyra e religjionit si instanca më e lartë fetare e republikës laike ishte shprehur në predikimin e shpërndarë në xhami kundër festimeve me rastin e Vitit të Ri, që nuk është në përputhje me kulturën islame.

Terrori do të vazhdojë

Kështu pyetja nuk ishte më nëse, por vetëm se ku do të godisnin terroristët e armatosur radikalë islamistë natën e Vitit të Ri. Për këtë arsye policia në Stamboll kishte mobilizuar 17.500 forca, në mënyrë që të parandalohej një masakër. Por pikërisht në „Reina” ndodhej vetëm një polic, që u qëllua prej atentatorit, përpara se ai të qëllonte verbërisht ndaj njerëzve duke vrarë e plagosur. Teoritë e komplotit nuk mungojnë. Por fakt është, që Turqia ndodhet para krizës më të vështirë në politikën e brendshme, madje para kaosit më të madh që prej themelimti të saj në vitin 1923.

I verbëruar prej qëllimit të tij, për ta kthyer Turqinë në një republikë presidenciale dhe për ta shpallur veten një sundimtar të vetëm ndaj vendit dhe popullit, kalkulimet e gabuara të një pas njëshme të Erdoganit po çojnë në vetëshkatërrimin e tij. Kohët, kur Erdogani si reformator entuziazmonte BE-në e kësisoj edhe Gjermaninë, kanë marrë fund. Në vend që të drejtojë për në BE një Turqi funksionuese në politikë, ekonomi e kulturë dhe të orientuar nga vlerat bashkëkohore, ai e ka humbur në mënyrë të pakthyeshme kredibilitetin ndaj personit të tij. Në vend që të konsolidojë kursin e dikurshëm të pajtimit me kurdët, ai ka vendosur tani për konfrontimin direkt. Qëkurse faktikisht ai u bë shkas për anulimin e zgjedhjeve parlamentare më 7 qershor 2015 gjatë sulmeve terroriste në Turqi kanë gjetur vdekjen rreth 1.500 vetë e qindra të tjerë janë plagosur. Që nuk po duket të ketë një fund të vrasjeve,  këtë e tregon akti i fundit i dhunës në Bosfor. Nëse e vlerëson realisht situatën sivjet mund të priten edhe shumë sulme të tjera terroriste. Pasojat për ekonominë, për stabilitetin e monedhës kombëtare Lira dhe për turizmin janë qysh tani të ndjeshme.

Sfida Siria

Një kthesë për Erdoganin nuk është më e mundur. Ai tani duhet të zhvillojë luftë deri në fund krah Rusisë kundër milicëve terroristë të “IS”. Kundër një organizate, frymën paraprirëse të së cilës Erdogani dhe pasuesit e tij e trajtonin me kujdes dhe tani nuk po munden ta shmangin më. Ushtria turke lufton njëkohësisht edhe kundër kurdëve të Sirisë, për t’i penguar ata që të shtrihen në territoret fqinje përgjatë kufirit turk. Brenda vendit vazhdon lufta kundër lëvizjes së klasifikuar si terroriste (FETÖ) të bashkëluftëtarit të tij të dikurshëm Fethullah Gülen. Më shumë se 100.000 nëpunës shteti janë pushuar nga puna ose janë shkarkuar nga detyra, mbi 40.000 vetë janë arrestuar, sepse ata gjoja janë ose kanë qenë anëtarë të „FETÖ”. Por deri tani nuk ka dëshmi bindëse për këtë.

Nëse Erdogani do të rifitojë besimin brenda dhe jashtë vendit, ai duhet t’i thërrasë arsyes. Në këtë kontekst ai duhet p.sh. që pas sulmit terrorist natën e vitit të ri të mos mjaftohet vetëm me një deklaratë me shkrim, por të angazhohet edhe personalisht lidhur me hetimet për dorasin apo dorasit. Po ashtu ai duhet menjëherë jo vetëm të distancohet prej kërcënimit ndaj atyre, që preferojnë një stil tjetër jetese, por edhe duhet që drejtësinë e policinë, që janë nën kompetencat e tij, t’i verë në lëvizje në mënyrë që të ndalohet me efikasitet kërcënimi publik i njerëzve dhe institucioneve. Po ashtu ai nuk duhet që në çdo rast të akuzojë publikisht BE-në e në radhë të parë Gjermaninë, se po i mbështesin e sigurojnë strehë terroristëve dhe organizatave të tyre.

Sundimi i arbitraritetit

Në Gjermani shteti ligjor do të thotë, që drejtësia dhe organet e sigurisë janë të detyruara, t’u provojnë me fakte të qendrueshme personave të akuzuar fajin, përpara se t’i dënojnë. Ndërsa në Turqi ende vlen, që vetëm mendimi në kundërshtim me kreun e shtetit të shërbejë si bazë për arrestin dhe mbajtjen në arrest hetimor. Për të rifituar lirinë, individi duhet ta dëshmojë vet fajin e tij. Ndaj ndodhen në burg mbi 170 gazetarë, shkrimtarë e studiues, të cilëve u duhet që në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të përballojnë hetuesinë deri në pesë ditë përpara se t’u lejohet të kontaktojnë një avokat. Kështu Turqia nuk mund t’u bëjë ballë sfidave të shekullit të 21-të./DW

Kërkesat e Erdoganit që ja bëri Thaçit sa ishte në vizitë në Turqi

Siç edhe është pritur, çështja Gylen, ka qenë tema kryesore që ka mbizotëruar gjatë qëndrimit të Presidentit të Kosovës në Ankara. Përderisa Thaci është impresuionuar me salltanetet në Pallatin e Erdoganit, Presidenti turk e ka shfrytëzuar takimin për hesape tjera. Ai ka kërkuar mbylljen e shkollave të Gulenit, të cilin po e akuzon për tentim-pucin, gjatë verës. Ndërkohë ka thënë se d’o ti shkollojë kosovarët nëpërmjet fondacionit Maarif i cili tashmë është themeluar.

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pritur 6 muaj për të realizuar takimin me shefin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Takimi e ka kënaqur egon e Presidentit të Kosovës pasi Erdogan i ka siguruar një pritje me nderime të larta, por e gjithë kjo e ka pasur një çmim.

Erdogan, i ka kërkuar mysafirit nga Kosova që t’i mbyllë shkollat e Fetullah Gulenit në Kosovë – në të cilat janë shkolluar shumë prej fëmijëve të liderëve kosovarë përfshirë edhe djalin e Hashim Thaçit, Endritin.

Kt fakt është përmendur edhe nga vet Erdogan i cili është në dijeni se fëmijët e “funksionarëve të lartë” kosovarë janë shkolluar aty.

Kërkesën e tij Erdogan e ka elaboruar në mënyrë perfide duke elaboruar që Kosovës një ditë mund të ballafaqohet me rrezik nga të shkolluarit në këto shkolla.

Por, ai ka joshur edhe në një mënyrë tjetër Hashim Thaçin, i cili ka thënë se po e vëzhgojmë nga afër “çështjen Gylen”.

Ai ka thënë se Turqia ka dhënë 248 dëshmorë  gjatë puçit të 15 korrikut, të cilin sipas tij e shkaktoi mentaliteti i FETO.

“Ky mentalitet që është sot  në Turqi, nesër mund të shfaqet në Kosovë përmes atyre që rriten në ato shkolla. Ata do t’i pushtojnë shkollat, zyrat qeveritare, parlamentin. A shkollohen aty shtetasit e Turqisë? A shkollohen aty fëmijët e njerëzve të rëndësishëm në Kosovë? Ju po e bëni llogarinë tani. Llogarinë mos e bëni tani, llogarinë bëjeni për 10 vjet, 20 vjet pas. Këta i kanë bërë hapat e tyre 40 vjet më parë dhe tani filluan ti korrin rezultatet” ka thënë Erdogan.

Ai më pas ka bërë edhe një ofertë duke dhënë një alternativë tjetër për shkollim. Erdogan ka njoftuar se është bërë një fondacion që të mbështesë shkollimin e kosovarëve, pasi të mbyllen shkollat e Gylen.

“Tash ne jemi duke të e luftuar këtë dhe duke e bërë këtë jemi djegur. Nuk duam që edhe Kosova të digjet. Prandaj fondacioni Maarif, të cilin e kemi themeluar le të bashkëpunojë me arsimin kombëtar të Kosovës dhe të shkollojmë të rinjtë idealist të Kosovës. Ti shkollojmë si atdhedashës. Mos të jemi hezitues që nuk do të funksionojë, tradhtarë nuk do të dalin. Tradhtarë janë këta dhe ne paguam për këtë. Po e përsëris, nuk duam që edhe Kosova ta paguajë. Sepse Kosova nuk mundet ta përballojë këtë. Turqia kishte një fuqi për ta përballuar, por Kosova nuk mundet ta përballojë” ka theksuar ai.

Thaçi ndërkaq në përgjigjen e tij, pas takimit me Erdogan, është shfaqur më i rezervuar duke thënë se çështja Gylen po vëzhgohet dhe  se nuk do të prishen raportet me Turqinë e Erdoganit.

Thaçi madje e ka vlerësuar lartë vizitën duke thënë se ajo është kurorëzim i vizitave që ka zhvilluar në vitin 2016.

Në ueb faqen e Presidencës turke thuhet se “një gazetar nga Kosova ia ka përkujtuar Presidentit Thaçi se nga disa qarqe vizita në Turqi është vlerësuar si një vizitë që nuk do të duhej të ndodhte, duke e kërkuar një përgjigje në lidhje me këtë vlerësim”

“Për mua është një vizitë e rëndësishme dhe e fundit për këtë vit. Me këtë vizitë e kemi kurorëzuar vitin 2016”, tha Thaçi.

“Ne jetojmë në demokraci, ne respektojmë pikëpamjet e ndryshme. Por marrëdhëniet strategjike të shtetit, asnjë njeri nuk mundet ti përcaktojë i vetëm. Këto janë vlerësime nën ndikimin e të tjerëve, dhe janë qasje  jo qëllimmira” ka shtuar ai.

Më pas Thaçi ka thënë se Turqia është vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Kosovës, “ndërsa Presidenti Erdogan e ka uruar me telefon para se të shpallet pavarësia”.

Edhe pse në konferencën për media me Erdogan, Thaçi është shfaqur i kujdesshëm që të mos premtojë mbylljen e shkollave të Gulen – ekstradimin e të cilit Turqia është duke e kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës- Thaçi është shfaqur i drejtëpredrejtë me Kryeministrin e Turqisë Binali Yildirim.

“Çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë” ka theksuar ai.

Presidenti Thaçi fton investitorët turq që t’i rrisin investimet në Kosovë

Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, presidenti Thaçi është nderuar edhe me titullin “Doctor Honoris Causa” në universitetin “TOBB”, si dhe ka vizituar Odën Tregtare të Ankarasë, ku ka folur për potencialin ekonomik të Kosovës dhe ka ftuar investitorët potencialë që të investojnë në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Në takimin e organizuar nga Oda Tregtare e Ankarasë, që ka mbi 150 mijë anëtarë, presidenti Thaçi ka thënë se investitorët nga Turqia kanë bërë disa prej investimeve më të rëndësishme në Kosovë.

“Këta kanë hapur rrugën edhe për investitorë dhe investime tjera”, është shprehur presidenti Thaçi.

Pasi ka treguar me shifra për nivelin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Turqisë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është “shtet i ri me potencial të madh” dhe ka shpalosur mundësitë për investime në bujqësi, energji, xehetari dhe sektorët e tjerë.

Në Universitetin për Ekonomi dhe Teknologji “TOBB”, presidenti Thaçi ka pranuar titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin për kontribut në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, për të arritura në zhvillim ekonomik dhe social, për paqe në Ballkan, dialog mes komuniteteve dhe zhvillim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë.

Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka arritur shumë prej se është shpallur shtet i pavarur.

“Ende nuk janë bërë as 9 vite që nga shpallja e pavarësisë dhe Kosova ka nënshkruar MSA-në me BE-në, që është mirënjohje e sukseseve të Kosovës në reformat në ekonomi, në instalimin e ligjit e rendit dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, është shprehur presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova sot është shembull i dialogut, pajtimit dhe bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë.

u-006 u-001 u-002 u-003 o-01 o-02 o-03

Turqit shesin masivisht dhe djegin dollarin pas thirrjeve të Presidentit Erdogan (Video)

Turqia është duke u përballuar më një dobësim të monedhës vendase pas paqëndrueshmërive politike si edhe futjes në luftë në frontin e Sirisë.

Periskopi.com Lajme

Ditët e fundit një euro u këmbye me 3.9 lira, kurse 1 dollar me mesatarisht 3.6 lira.

Ky ndryshim i fortë në kursin e këmbimit filloi të shkaktonte probleme të theksuara në ekonomine turke duke shtrenjtuar ndjeshëm importet, përcjell Albeu.com.

Përballë kësaj situate, Presidenti Erogan bëri një thirrje publike ndaj të gjithë atyre që kishin dollar në shtëpitë e tyre që t’i këmbenin me lira me qëllim forcimin e kësaj të fundit.

Fill pas kësaj thirrjeje, turqit mësynë nëpër pikat e këmbimit të valutës duke blerë lira, ç’ka ka ndikuar në kursin e këmbimit duke e zbritur atë në 1 dollar/ 3.4 lira.

Madje, pati edhe prej atyre që filluan të djegin monedhën amerikane me mendimin se ishin bankat e huaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po e shkaktonin këtë situatë në Turqi.

 

 

Erdogan: Turqia më nuk ka durim të vrapojë pas Evropës

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan sot deklaroi se kur Bashkimi Evropian do t’i përmbushë premtimet për liberalizimin e vizave dhe ndihmë humanitare dhe kur do të hapë kapitull të ri në negociatat për anëtarësim, Turqia madje atëherë do të tregojë vullnet të mirë nga ana e saj.

Periskopi.com Lajme

Erdogani, i cili foli para një grupi liderësh lokalë në pallatin presidencial në Ankara, theksoi se Turqia më nuk ka durim dhe energji të vrapojë pas Evropës.

Ai gjithashtu deklaroi se Ankaraja dëshiron të zhvillojë marrëdhënie politike dhe ekonomike me Rusinë, Iranin, Kinën dhe vendet nga Azia Qendrore në nivel më të lartë.

Ai shtoi se megjithatë marrëdhëniet e mira me Lindjen, nuk janë alternativë në marrëdhëniet me Perëndimin dhe e kundërta.

Erdogan përmend dënimin me vdekje, thotë se shpejt do vendosin

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan të shtunën deklaroi se çështja e dënimit me vdekje është në agjendën e Qeverisë së Turqisë.

Periskopi.com Lajme

“Çështja e dënimit me vdekje është në agjendën e Qeverisë së Turqisë. Pas vendimit të parlamentit rreth kësaj, siç kam deklaruar edhe më parë, unë si president do të konfirmoj këtë vendim. Perëndimi nuk mund të marrë vendim në lidhje me të. Ne jemi ata që marrim një vendim për këtë çështje”, tha Erdogan.

Erdogan komenton fitoren e Trump

Presidenti turk Rexhep Tayiip Erdogan, sot deklaroi se shpreson që fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së do të sjellë në ndërmarrjen e hapave pozitivë për Lindjen e Afërt dhe të drejtat dhe liritë themelore në botë, njoftoi BTA.

Periskopi.com Lajme

“Shpresoj se kjo zgjedhje e popullit amerikan do të sjellë hapa pozitivë, të cilët do të jenë në dobi të botës lidhur me liritë themelore dhe të drejtat, demokracinë dhe zhvillimin e rajonit tonë”, theksoi Erdogan.

Jagxhillar flet në Prishtinë si Ministër i Erdoganit- bën fushatë kundër Gulenit

Ministri Mahir Jagxhillar ka folur sot kundër Lëvizjes Gulen, e cila është duke u përndjekur nga Presidenti i Turqisë Recep Tayiip Erdogan, me arsyetimin se është pikërisht Gulen ai që qëndron prapa puçit të muajit korrik.

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës nuk është prononcuar për këto zhvillime në Turqi, por këtë po e bën Ministri Mahir Yahgcilar, i cili udhëheq me dikasterin e Administratës Publike.

Jagxhillar ka folur sikur të ishte Ministër i Erdoganit.

“Turqia në ankthin e natës së 15 korrikut ka treguar edhe një herë forcën e saj si shtet demokratik së bashku me Presidentin Regjep Tajip Erdogan , popullin dhe deputetët përkundër tentimit për predispozim. E gjithë bota duhet ta njeh dhe të dijë për tentim puçin e organizuar nga organizata FETO, duhet të tregojmë se ata janë të rrezikshëm” ka thënë ai.

Këto komente ai i ka bërë në një ekspozitë me foto të grusht shtetit të dështuar në Turqi ku ka marrë pjesë edhe Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë.

Në Turqi gjendja e jashtëzakonshme vazhdohet për edhe tre muaj

Qeveria turke sot ka marrë vendim për tre muaj shtesë që ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme, të vendosur pas tentativës për grusht shtet në vend.

Periskopi.com Lajme

Një përfaqësues i Qeverisë kumtoi se vazhdimi prej tre muajve fillon të vijojë nga 19 tetori.

“Gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdohet për 90 ditë, duke filluar nga 19 tetori”, deklaroi në konferencën për shtyp zëvendëskryeministri Numan Kurtulmush.

Kthjellet pak Erdogan, liron 758 ushtarë nga 989 të arrestuar

Periskopi.com Lajme

Prokuroria e Stambollit ka bërë një kërkesë për lirimin e 758 ushtarëve të arrestuar në kuadër të hetimit për tentativën e grushtit të shtetit nga organizata terroriste FETÖ, raporton Anadolu Agency (AA).

Prokuroria e Stambollit ka rimarrë në pyetje 989 ushtarë dhe studentë ushtarakë në kuadër të hetimeve për tentativën e grushtit të shtetit nga ana e FETÖ-s.

Pas rimarrjes në pyetje komisioni hetimor ka vendosur të tërheqë padinë për 758 ushtarë nga të arrestuarit. Ndërkohë kërkesa e hetuesve është marrë parasysh nga gjykata e cila e ka konsideruar atë si një veprim të matur duke pasur parasysh gjendjen aktuale në vend.

Nga ana tjetër masa e arrestit për 231 ushtarë të tjerë ende vazhdon.

 

Erdogani ia tregon vendin edhe Amerikës

Periskopi.com Lajme

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka kritikuar ashpër SHBA-në. Ai ka akuzuar shtetin amerikan se po e strehon njeriun që organizoi grusht shtetin.

Ankara u ka kërkuar shteteve të bashkuara që ta ekstradojnë Fethullah Gulenin ndërsa Gulen i ka mohuar të gjitha akuzat, për të cilat edhe SHBA ka kërkuar dëshmi nga Turqia.

“Nuk u takon juve ta merrni atë vendim. kush jeni ju? Dijeni ku e keni vendin. në vend se ta falënderoni këtë komb për parandalimin e puçit në emër të demokracisë, ju e bëni të kundërtën duke ia mbajtur anën puçistëve” tha Erdogan./Periskopi.com/