mjedra - grate ne biznes

Sfidat nuk ndalin rrugëtimin e grave të Kosovës drejt biznesit të suksesshëm

Në traditën kosovare, gruaja gjithmonë është cilësuar si “shtylla e shtëpisë”. Ndërsa, sot ajo cilësohet si shtyllë e shtetit.

Artinë MUÇIQI Lajme

Në të kaluarën gratë më shumë kishin qenë ndihmëse të familjarëve të tyre, në punë të rënda, në fushë e në ara, ndërsa sot ato kanë heshtur të gjitha paragjykimet për sukseset që mund të korrë një grua në fushën e biznesit.

Pavarësisht progresit që është shënuar, gratë që merren me biznes në Kosovë ende përballen me shumë sfida. Importi i produkteve të ngjashme, luhatja e çmimeve dhe paragjykimet e qenurit grua janë disa nga sfidat me të cilat përballen gratë në fushën e të bërit biznes.

Me të gjitha këto u përballë 47 vjeçarja nga Podujeva, Afërdita Murati, kur para dy viteve nisi të merrej me kultivimin dhe përpunimin e kulturës së mjedrës.

aferdita-murati

Barrierat, paragjykimet dhe sfidat me të cilat u përballë, nuk e ndalen rrugëtimin e Muratit. Falë këmbëngulësisë së saj, ajo sot është shndërruar në njërën nga kultivueset më të shquara të kulturës së mjedrës në qytetin e Podujevës, zonë e cila shquhet si epiqendër e kultivimit dhe përpunimit të kësaj kulture.

Me kulturë të mjedrës e kishte filluar biznesin edhe Blerta Restelica, po ashtu nga Podujeva. Meqë kishte studiuar bujqësinë, Restelica kishte qenë e përgatitur profesionalisht për këtë biznes, ndërsa falë granteve që kishte fituar, nuk kishte pasur vështirësi sa i përket anës financiare.

blerat-restelica

Rrugëtimi në fushën e të bërit biznes nuk kishte qenë i lehtë për kultivueset nga Podujeva. Pavarësisht përkrahjes që kishin pasur, sfidat nuk munguan. Çmimet luhatëse të pikave grumbulluese të kulturës së mjedrës dhe ndjeshmëria e kësaj kulture dëmtonin bizneset e tyre. Ndërsa, shqetësuese e cilësojnë edhe praninë e produkteve të ngjashme të importuara në treg me çmime më të ulëta.

Drejtoresha e “N.P Kastroberry”, Afërdita Murati ka kërkuar nga institucionet dhe organizatat që të bëjnë më shumë për promovimin e produkteve vendore, në mënyrë që konsumatorët të vetëdijesohen për cilësinë dhe sigurinë e të konsumuarit produkte vendore.

Murati me biznesin e saj ka gjeneruar edhe vende të reja të punës. Biznesin e kishte nisur me vetëm 70 ari tokë të mbjellur me kulturë të mjedrës, ndërsa tani ka një hektar e 70 ari.

Ajo ka bërë të ditur për Periskopin se numri i punëtorëve për kultivimin dhe përpunimin e mjedrës do të arrijë deri në 15 gjatë sezonit të verës, ku do të angazhohen sa më shumë gra, në mënyrë që ato të pavarësohen dhe të sigurojnë vetë të ardhurat.

Dy fermeret nga Podujeva, Afërdita dhe Blerta, kanë një mesazh të qartë për gratë që duan të nisin biznes në Kosovë.

mjedra

Sipas tyre, nëse një grua ka vetëbesim, guxim dhe përkrahje nga të tjerët, atëherë do të arrijë t’i mposhtë të gjitha paragjykimet.

“Një grua asnjëherë nuk duhet të dorëzohet. Mjafton të merren shembull gratë kosovare, që me punën e tyre janë treguar “kampione” në fushën e të bërit biznes”, thonë ato.

Madje, Blerta Restelica thotë se sukseset e vazhdueshme të grave në fushën e biznesit kanë lënë pa tekst paragjykuesit.

“Unë jam myslimane dhe barti mbulesën islame. Kjo ka bërë që paragjykimet të fokusohen më shumë në mua si Blerta me mbulesë, sesa si një grua në biznes. Pavarësisht të gjithave, puna e pandalshme mposhti të gjithë këto paragjykime”, tregon Restelica.

Panairet që organizohen në Kosovë janë një mundësi e mirë për promovimin e produkteve të tyre.

“Përveç shitjes së produkteve, panairet janë një mundësi e mirë edhe për bashkëpunime me biznese të tjera”, thotë Afërdita Murati, e cila njëkohësisht është anëtare në Organizatën Joqeveritare “Gratë në Biznes” që u ndihmon grave të rrisin bizneset e tyre.

Por, institucionet qeveritare, donatorët dhe shoqëria civile duhet të kordinohen më shumë rreth politikave të fuqizimit ekonomik për gratë, thotë shefja e Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu, sipas së cilës, shoqëria kosovare ka një numër të konsiderueshëm të grave sipërmarrëse, të cilat janë treguar të zonjat në biznes.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin “Gratë dhe burrat në Kosovë (2014-2015)” rezulton se vetëm 13 për qind e bizneseve në Kosovë janë në pronësi të grave.

Agjencia e Statistikave

Sipas Deliut, këto shifra të ulëta të bizneseve që janë në pronësi të grave tregojnë se gratë nuk janë të përceptuara nga publiku, familjarët dhe komiteti i biznesit.

Madje, thotë Deliu, gruaja në Kosovë vazhdon të mbetet peng i traditës, duke hequr dorë nga trashëgimia.

Shefja e Grupit të Grave Deputete thotë se çdo ditë e më shumë po vërehet interesim i shtuar i grave për hapjen e bizneseve, andaj duhet të ketë më shumë programe dhe fonde të veçanta që do t’i ndihmonin gratë për fillimin e ndonjë biznesi.

blerta-deliu

“Gjithsesi duhet të krijohen politika afirmative dhe lehtësuese sidomos për ato gra që fillojnë një biznes. Kjo do të inkurajonte edhe gratë tjera që të fillonin biznesin e tyre”, deklaroi Deliu.

Mungesa e qasjes në financa dhe politikat fiskale të shtetit, sipas saj, janë vetëm disa nga pengesat me të cilat përballen gratë.

Ajo ka ngritur shqetësimin se shumica e bizneseve që udhëhiqen nga gratë në Kosovë janë biznese të vogla.

Por, këto shifra do të përmirësohen, duke u ofruar më shumë përkrahje grave për zhvillimin e bizneseve të tyre. Kështu thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Drejtori i Drejtoratit për Zhvillimin e Sektorit Privat në kuadër të KIESA-s, Nol Buzhala ka thënë për Periskopin se Panairi “Gratë në Biznes”, Skema ‘Voucher’ e Këshllimeve në bashkëpunim me KOSME dhe skema e granteve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në bashkëpunim me Zyrën e BE-së, kanë qenë disa nga projektet e kësaj agjencie që u kanë ofruar mbështetje grave në Kosovë, për vazhdimin e veprimtarisë së tyre në fushën e biznesit.

nol-buzhala

Buzhala ka bërë të ditur se në Panairin “Gratë në Biznes” që u mbajt prej 26 deri më 28 korrik në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, mbi 60 biznese me pronare gra shiten dhe promovuan produktet e tyre.

Derisa në kuadër të Skemës ‘Voucher’ të Këshillimeve që ofron këshillime të subvencionuara kishin përfituar gjithsej 204 ndërmarrje, ku nga to 59 ndërmarrje përfituese kanë qenë me pronare gra, që i bie se gratë ndërmarrëse kanë përfituar 28.92 %.

Ndërsa në projektin e tretë për skemën e granteve për ndërmarrjet mikro dhe të mesme, kishin përfituar gjashtë gra ndërmarrëse.

Drejtori i Drejtoratit për Zhvillimin e Sektorit Privat ka deklaruar se sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), nga periudha 1 korrik 2012 deri më 13 dhjetor 2016, biznese të regjistruara janë 43,68, nga to me pronare gra janë 7,988 biznese apo 18 për qind e tyre.

Por, shkalla e papunësisë tek gratë mbetet ende shqetësuese. Sipas statistikave të ASK-së, shkalla e papunësisë tek gratë është më e lartë se tek burrat.

Bazuar në raport, shkalla e papunësisë për gratë për vitin 2014 ishte 41.6% kundrejt 33.1% të burrave, përderisa në vitin 2015 për gratë ishte 36.6% kundrejt 31.8% të burrave./ Periskopi.com

 

Panairi Grate ne Biznes

Kosova dhe Hungaria nënshkruajnë Marrëveshjen për themelimin e një programi kornizë për bashkëpunim financiar

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka pritur sot në vizitë zyrtare Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Republikës së Hungarisë Péter Szijjártó.

Periskopi.com Lajme

Me këtë rast Ministri Avdullah Hoti dhe Ministrit Péter Szijjártó  kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë dhe për themelimin e një programi kornizë për bashkëpunim financiar.

Më këtë marrëveshje Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Hungarisë  u dakorduan  për zgjatjen reciprokisht të dobishme të marrëdhënieve ekonomike dhe promovimin e zhvillimit të bashkëpunimit.

Ministri i Financave Avdullah Hoti duke falënderuar Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó për vizitën në Prishtinë dhe për gatishmërinë e tij për nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, tha se jam shumë i nderuar që sot  së bashku me Kabinetin tim prita në takim Ministrin Péter Szijjártó dhe bashkëpunëtorët e tij.

“Kam nderin dhe kënaqësinë të ju njoftoj që sapo nënshkruam një Marrëveshje shumë të rëndësishme përmes së cilës po krijojmë themelet e para të bashkëpunimit financiar ndërmjet Shtetit tonë dhe Shtetit Hungarez”, shtoi ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se Marrëveshja në fjalë arrin vlerën 62 milion Euro dhe përmban një normë të interesit 0%; apo thënë më ndryshe nuk krijon fare shpenzime të interesit për Qeverinë e Kosovës.

“Periudha e kthimit të fondeve të cilat do të huazohen në të ardhmen përmes kredive individuale për të financuar projektet specifike do të jetë 17 vite kurse grejs periudha do të zgjatë 1 vit e gjysmë duke filluar nga dita e përfundimit të projektit. Fondet të cilat do të huazohen në të ardhmen do të përdoren në sektorët e ujërave dhe trajtimin e ujërave të zeza si dhe në projekte infrastrukturore. Duke mbetur i bindur se bashkëpunimi ynë ndërshtetëror do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen, shfrytëzoj rastin ta falënderoj Ministrin Sijarto dhe Shtetin Hungarez për mbështetjen që po i japin Kosovës”, tha ministri Avdullah Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se ministrin Szijjártó janë dakorduar për zgjerimin e bashkëpunimit  edhe në fusha tjera “U informova se është një linjë tjetër kreditore mbështetëse për sektorin privat që do ti mbështes bizneset hungareze dhe kosovare për të bashkëpunuar në mes vete, dhe unë do të angazhohem maksimalisht për të promovuar këtë mundësi në tregun kosovar. Ne gjatë takimit gjithashtu biseduam edhe për Marrëveshjen për Mbrojtjen e Investimeve, dhe unë do ti kërkoj koleges sime Ministres së Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami që të shqyrtoj fillimin e proceduarve për këtë Marrëveshje”, shtoi ministri Avdullah Hoti.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó duke falënderuar Ministrin Avdullah Hoti bëri të ditur se  Marrëveshja e  nënshkruar sot është e bazuar në Udhëzimin e Kryeministrit.

“Siç e dini Kryeministri i Juaj e ka vizituar Hungarinë  gjatë verës së  këtij viti dhe kanë arritur një Marrëveshje me Kryeministrinë tonë për  Marrëveshjen e nënshkruar për Kredi të  dedikuar për ndihmë,  e cila jepet nga Banka “EximBank” e Hungarisë për Kosovën. Gjithashtu edhe Hungaria i bashkëngjitet kësaj rëndësie që ky bashkëpunim bilateral për Kosovën, këtu shohim mundësi tjera të mëdha për kompanitë hungareze, në veçanti në fushat e trajtimit të ujërave, bujqësi dhe infrastrukturë etj. Kompanitë tona për Menaxhimin e ujit veç se kanë filluar negociatat për renovimin e rezervarit të ujit në Batllavë, për mbrojtjen nga vërshimet në jug të Kosovës, të cilat projekte mund të përfshihen, të inkuadrohen brenda kësaj Marrëveshje për Kreditë e dedikuara për ndihmë”, bëri të ditur ministri Péter Szijjártó

Ai gjithashtu bëri të ditur se është themeluar Komiteti i përbashkët Ekonomik, takimi i parë i këtij komiteti do të ndodh në Janar për të negociuar më tej për këto projekte zhvillimore.

“Përkrah kësaj Kredi marrëveshje EXIM Bank gjithashtu ka hapur një linjë tjetër kreditore për bashkëpunim (bussiness-to-business) për bizneset kosovare dhe atyre hungareze. Kjo Marrëveshje kredi është në vlerë prej 85 milionë eurove gjithashtu me kushte të favorshme, që mund të shfrytëzohet si nga bizneset kosovare dhe ato hungareze për të kryer apo zhvilluar transaksionet e eksportit”, shtoi ministri Péter Szijjártó .

Sipas tij, kjo pako për të cilën janë dakorduar, do ti jep një nxitje të madhe bashkëpunimit ekonomik të të dyja vendeve.

“Numrat tona janë inkurajues. Bashkëpunimi ynë bilateral është i rritur është për 20% gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, dhe jemi të zotuar ta përforcojmë më tutje këtë bashkë bashkëpunim. Gjithashtu me Ministrin e Financave kemi arritur marrëveshjen për fillimin e negociatave për Marrëveshjen për mbrojtjen e Investimeve të Përbashkëta, e cila do ta kompletojë bazën kontraktuale për bashkëpunimin ekonomik”, tha kryediplomati hungarez Szijjártó .

Hoxhaj takon ministrin e jashtëm hungarez, nis kapitull i ri i bashkëpunimit ekonomik

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim zyrtar ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Hungarisë, Peter Szijjarto me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërshtetëror ekonomik mes Kosovës dhe Hungarisë, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Ministri Hoxhaj ka falënderuar ministrin hungarez për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në procesin e integrimeve, ndërsa ka përshëndetur transformimin e kësaj marrëdhënieje në bashkëpunim më të ngushtë në fushën e zhvillimit ekonomik.

Hoxhaj ka thënë se tërheqja e investimeve të huaja është ndër objektivat më të rëndësishme të qeverisë dhe miratimi i ligjit për Investime Strategjike, i cili ka krijuar lehtësira për investitorët e huaj në Kosovë, e bën Kosovën një destinacion edhe më të favorshëm për investimet e huaja.

“Pas propozimit të Qeverisë së Kosovës, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Investime Strategjike. Çështja kryesore që ky ligj adreson është krijimi i lehtësirave për investitorët e huaj dhe tërheqja e investimeve të huaja në Kosovë. Këto lehtësira e bëjnë Kosovën një destinacion edhe më të favorshëm për investimet e huaja. Tashmë kemi një kalendar të aktiviteteve të përbashkëta ekonomike, sikurse themelimi i Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik dhe mbajtjen e Forumit Ekonomik mes dy vendeve tona vitin e ardhshëm”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Gjatë vizitës së ministrit hungarez, pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh ndërshtetërore në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe të arsimit.

Ministri hungarez gjatë ditës së nesërme do t’i takojë krerët më të lartë të shtetit./ Periskopi

Korrupsioni

Korrupsioni ia rrezikon Kosovës rreth 300 milionë dollarë

Kosova rrezikon të përjashtohet në fundvit nga programi investiv i Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), i cili ofron qasje në rreth 300 milionë dollarë.

Periskopi.com Lajme

Sebep për këtë është bërë vlerësimi për shkallë të lartë të korrupsionit, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo është vetëm goditja e fundit që ka marrë shteti, si pasojë e përhapjes në shkallë endemike të dukurisë së shpërdorimit të detyrës zyrtare për qëllime përfitimi.

Për të njëjtën arsye, Kosova ka mbetur enklavë në hartën e Evropës – mungesa e rezultateve për ta luftuar korrupsionin është një nga dy arsyet pse Bashkimi Evropian ende nuk i ka liberalizuar vizat me Kosovën.

Po ky ambient ia ka humbur perspektivën ekonomike shtetit, ngaqë ka trembur shumë investitorë dhe ka rritur konkurrencën jolojale.

Petrit Selimi është emëruar nga kryeministri Isa Mustafa si koordinator nacional i MCC-së.

Marko Gjuriq

Strategjia e Beogradit: Ndërlidhja ekonomike e komunave në Serbi me ato në Kosovë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha mbrëmë në Bllacë, një lokalitet jo larg kufirit me Kosovën, se qëllim strategjik i Qeverisë së Serbisë është që komunat nga Serbia qendrore të ndërlidhen sa më shumë me komunat në Kosovë, para së gjithash në kuptimin ekonomik.

Periskopi.com Lajme

 

“Që të mund të arrihet kjo, duhet së pari të anulohen dhe të eliminohen të gjitha pengesat dhe digat në tregti”, citojnë mediat e Beogradit Gjuriqin, transmeton Koha.net.

Ai tha se ishte ardhur në Bllacë me dëshirën që “komunat kufitare të Serbisë qendrore të ndërlidhen sa është e mundur më mirë me komunat e Kosovës e Metohisë në interes të ndërsjellë”.

Ai paralajmëroi se së shpejti do të ndodhë një vizitë e prodhuesve bujqësorë nga Bllaca në Kosovë.

BPV ilustrim

Rritje ekonomike në Kosovë në vitin që mbeti pas ishte 4.1%

Bruto Produkti Vendor (BPV) me çmime aktuale në vitin 2015 ishte 5 miliardë e 807 milionë euro.

Periskopi.com Lajme

Rritja reale në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014, ishte 4.1%. Ndërsa, BPV-ja për kokë banori për vitin 2015 ishte 3 277 Euro.

Rritje reale në vitin 2015 kishte në këto aktivitete ekonomike: Furnizim me ujë 18.02%; aktivitetete financiare dhe të sigurimit, 17.43%; ndërtimtari, 15.76%; aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, 14.59%; furnizim me energji elektrike dhe me gaz, 10.41%; shërbime të tjera, 10.36%; transport dhe magazinim, 7.22%; informim dhe komunikim, 6.57%;  industri përpunuese, 4.84%; shëndetësi dhe aktivitete të punës sociale, 4.01%; tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i automjeteve dhe motoçikletave, 3.71%; hotele dhe restorante, 2.45%; art, zbavitje dhe rekreacion, 1.73%; edukim, 1.51%; të tjera, 0.10%, raporton Periskopi

Ndërsa, rënie kishin këto aktivitete: bujqësi, gjueti, pylltari dhe peshkim, me (-4.1%); administrim publik dhe i mbrojtjes dhe sigurim i detyrueshëm social me (-13.7%).

Ndërkaq, rritja reale sipas komponentëve kryesorë të BPV-së, me qasjen e shpenzimeve për vitin 2015 ishte si vijon: Formimi i bruto kapitalit fiks, 12.1%; shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake, 3.8%; importi i mallrave dhe shërbimeve, 3.6%; eksporti neto i mallrave dhe shërbimeve, 2.5%.

Ndërsa, rënie kishin këto aktivitete: shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (-6.5%); dhe eksporti i mallrave (-2.6%)./ Periskopi