Sami Lushtaku

Ekskluzive: Deklaratat që çuan në burg grupin ‘Drenica 1’

Në 57 faqe aktgjykim, Gjykata e Apelit ka arsyetuar mënyrën se si ka arritur të provojë se Sami Lushtaku nuk ka kryer vrasje siç pretendonte Dëshmitari D, e po ashtu të vërtetoj përgjegjësinë e tij komanduese, duke e dënuar me 7 vjet burgim.

Periskopi.com Lajme

KALLXO.com ka siguruar një kopje të vendimit të Gjykatës ku përshkruhet në detaje mënyra se si Gjykata e vlerësoi çështjen “Drenica 1”.

Siç shkruhet në aktgjykim, në shkallën e parë Lushtaku ishte dënuar për vrasjen e një personi, i cili nuk ishte identifikuar. Mbrojtja e Lushtakut kishte kundërshtuar këtë dënim duke pretenduar se nuk mund të dënohet dikush nëse nuk dihet viktima.

Apeli ka konstatuar se një person mund të dënohet nëse nuk është gjetur viktima dhe nuk është identifikuar mirëpo dëshmia e Dëshmitarit D nuk e ka bindur Apelin që ta bëjë fajtor Sami Lushtakun për vrasjen.

“Kur e lexojmë me vëmendje del se deklarata e tij është e mjegulluar dhe e paqartë”, shkruhet në vendimin e Apelit.

Ndër çështjet disktuabile të deklaratës së këtij dëshmitari Gjykata ka konstatuar se ai nuk kishte arritur ta përshkruante saktë viktimën të cilin e kishte përshkruar si person me gjatësi nga 1,6m deri në 1,8m, gjë që sipas Gjykatës është dallim i madh.

Gjykata ka vërejtur mospërputhje në deklaratat e këtij dëshmitari rreth vendit të krimit e po ashtu pjesëmarrjes së tij aktive në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Por, trupi gjykues i Gjykatës së Apelit e kishte vlerësuar si të besueshme dëshminë e Dëshmitarit A, i cili nga mbrojtja është përshkruar si person me të meta mendore.

“Edhe pse Dëshmitari A ishte marrë në pyetje radhazi dhe hollësisht në Gjykatë asnjë simptomë e sëmundjes mentale nuk është vërejtur”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Dëshmia e këtij dëshmitari dhe të tjerëve është përdorur për të sqaruar rolin e grupit dhe fajësinë e tyre për veprat për të cilat ata u dënuan.

Në muajin maj të vitit 2015 Gjykata Themelore e Mitrovicës kur vendosi për lëndën penale të grupit “Drenica 1” kishte dënuar Sylejman Selimin me 6 vjet burgim dhe Sami Lushtakun me 12 vjet.

Kjo gjykatë nga akuza atë kohë i kishte liruar 5 persona të tjerë të akuzuar: Sabit Gecin, Jahir Demakun, Ismet Haxhën, Sahit Jasharin dhe Avni Zabelin.

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ishte gjetur fajtor se gjatë vitit 1998 me dashje kishte kryer dhunë, trajtim mizor dhe torturë kundër Dëshmitarit A, një civil shqiptar i paraburgosur në qendrën e paraburgimit në fshatin Likoc të Skenderajt.

Gjykata Themelore në Mitrovicë Sami Lushtakun e gjeti fajtor për vrasjen e një personi të paidentifikuar në mes të fshatrave Dubovc e Galicë të Vushtrrisë.

Ndërsa te grupi “Drenica 2”, Gjykata i kishte gjetur fajtorë 10 të akuzuarit.

Sylejman Selimi u dënua me 8 vjet burgim.

Nga gjykata u dënuan edhe nëntë personat e tjerë të “Grupit Drenica 2” që akuzoheshin bashkë me Sylejman Selimin. Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg, ndërsa me 3 vjet burg u dënua kryetari i Drenasit Nexhat Demaku. Dënimin prej 3 vjetësh Gjykata ua shqiptoi edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit, një kopje të të cilit e ka siguruar KALLXO.com, ndryshime në dënime kanë pësuar vetëm 3 nga 12 burra të Drenicës që u dënuan në shkallën e parë.

Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjeneral Sylejman Selimit, dënimi i është përcaktuar në 5 vjet e 3 muaj burgim, ashtu që duke pasur parasysh edhe rastin “Drenica 2” i është bashkuar dënimi dhe i është shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Edhe për kryetarin aktual të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka pasur ndryshim të dënimit. Ai është liruar nga vepra penale për vrasje. Atij i është shqiptuar dënim për krime lufte kundër popullatës civile që ndërlidhet me përgjegjësinë komanduese me burgim prej 7 vjetësh.

Edhe Jahir Demakut i është bashkuar dënimi në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2” dhe i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej 7 vjetësh.

Pjesa tjetër e aktgjykimit është konfirmuar siç ka qenë aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë.