0-13-9

LDK: Drenasi, 17 vjet pati qeverisje të keqe nga PDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit, nga ku qeverisja 17 vjeçare u vlerësua si e keqe për shkak se ka instaluar korrupsionin në komunë.

Periskopi.com Lajme

 

Demokratët e Isa Mustafës në Drenas thanë se qeverisja e LDK-së i duhet Drenasit, ngase vetëm me ta do të ketë zhvillim ekonomik dhe mirëqeni për qytetarin.

Kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Bedri Nika, duke shpalosur programin e tij, tha se Drenasit dhe banorëve të këtij qyteti po i vjen koha për një qeverisje më të mirë dhe pa korrupsion.

“E kemi programin e qeverisjes shumë të qartë dhe të saktë, sepse nuk është bazuar në dëshirat tona por në nevojat tuaja. Gjatë këtyre ditëve ne biseduam me banorët e secilit cep të komunës tonë, duke i pyetur ata se cilat janë hallet dhe brengat e tyre, përgjigja e tyre ishte shumë e thjeshtë, ata duan alternativa të reja për zhvillim dhe përparim, që u munguan për 17 vjet për shkak të qeverisjes së keqe. Drenasit i duhet siguri, besim dhe shpresë, secili konak kishte rrëfimin në vete, rrëfim me argumente që i ka bërë qeverisja e deritanishme lokale, rrëfime për shpenzimet e luksit, për korrupsionin që e kanë instaluar në komunën e Drenasit, për frikën që e kanë mbjellë te të gjithë banorët, për dështimet në projektet e infrastrukturës, për ngecjet në premtimet e tyre“, tha Nika.

Sipas tij, me qeverisjen e LDK-së, Drenasin do ta bëjnë një qytet të zhvilluar dhe të sigurt.

“Pse Drenasit i duhet qeverisja e LDK-së?! Sepse ne do ta zhvillojmë ekonominë familjare, do të zhvillojmë bujqësinë dhe blegtorinë, arsimimin profesional, do të krijojmë kushte te të rinjtë, ata duhet të largohen nga rruga e keqe, do të krijojmë kushte të mira në shëndetësi, duke krijuar kushte edhe për pacientët dhe stafin mjekësor, por detyrimisht edhe profesionalizëm”, tha Nika.

Në çeljen e fushatës së LDK-së për kryetar të Drenasit, i pranishëm ishte edhe kryetari i partisë, njëherit kryeministër i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa. Ky i fundit i dha përkrahjen e plotë kandidatit për të parin e Drenasit, Bedri Nikës, për ët cilin tha se është zgjedhja më e mirë e mundshme për qytetarët e kësaj komune.

“Ne besojmë shumë në programin e kandidatit që sot e ka prezantuar para juve, në një program i cili siguron zhvillim më të shpejt, siguron kapërcim të problemeve që ju i keni, siguron një respekt të luftës që keni bërë, edhe të familjeve të dëshmorëve, edhe të veteranëve, dhe invalidëve dhe të gjithë juve, sepse keni dhënë shumë për Kosovën, prandaj ky program do të vlerësohet edhe në këto zgjedhje dhe do të merr votën e merituar. Ju ftoj të gjithë juve që të dilni dhe të merrni pjesë në votim, sepse votimi është një proces demokratik, është një proces i shprehjes së vullnetit të shumicës. Ne deri më tani, prej që kam qenë në këtë komunë, nuk kemi pas kaq shumë njerëz prezent në salla tona dhe kaq shumë përkrahës të LDK-së “, tha Mustafa.

I pari i LDK-së ka siguruar banorët e Drenasit se Qeveria e Kosovës do të investojë në zhvillimin e kësaj komune në pikëpamje ekonomike dhe infrastrukturore, sepse komuna e meriton një zhvillim më të shpejt.