Ish- ministrit i parashkruhet lënda

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” sonte në RTK në orën 22:20 do ta transmetojë hulumtimin ekskluziv i cili dëshmon se veprat penale që i ngarkoheshin Astrit Haraqisë për rastin e Ministrisë së Kulturës janë parashkruar.

Periskopi.com Lajme

Ndjekja e mëtutjeshme penale ndaj tij siç del nga hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”,  tanimë ka marrë fund, pasi që veprat penale që i ngarkoheshin janë parashkruar përfundimisht më 30 janar të këtij viti.

Sipas të gjeturave nga hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, del se vepra penale që i ngarkohej Haraqisë është parashkruar gjatë rrugëtimit të lëndës nga Gjykata Themelore për në Gjykatën e Apelit.

Hulumtimi dëshmon se ky rrugëtim nga Themelorja për në Apel ka zgjatur plot 57 ditë përkundër faktit se dy gjykatat fizikisht i ndan vetëm një muri në mes.

Bashkë me Haraqinë të gjykuar në këtë çështje janë edhe ish-ministri Valton Beqiri, Nehat Fejza pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, dhe Armond Morina pronar i kompanisë “Morina Films”.

Hulumtimi nxjerr në pah paaftësinë e gjyqësorit që të nxjerrë një vendim meritor për ish ministrin e kulturës Astrit Haraqija, i cili në dhjetor të vitit të kaluar ishte gjetur për të dytën herë fajtorë dhe ishte dënuar me një vit burgim me kusht.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetohet në RTK çdo të premten në orën 22:20 ndërsa repriza të hënën në mesditë.

Seanca e Dhomës së Posaçme në arat e Malishevës

Një seancë për një kontest pronësor mes AKP-së dhe një familje u zhvillua në arat e Malishevës.

Periskopi.com Lajme

Në arat e Bubavecit të Malishevës u zhvillua një seancë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në këtë seancë që u zhvillua në ambient të hapur burrat e familjes Bashota nga ky fshat u mblodhën  për të dëshmuar se toka përreth është pronë e tyre dhe jo e AKP-së.

Dëshmitë se kjo tokë prej mbi 30 hektarësh është e tyre dhe se u ishte marrë në vitet e 60-ta nga ish-sistemi këta burra e dhanë para një trupi gjykues të përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendor.

Për shkak të kushteve të vështira të përkthimit në ambient të hapur, pyetjet kryesisht i bëri gjyqtari Behxhet Muçiqi.

Dëshminë e tij e dha edhe Kadri Bucaliu që kishte punuar në vitin 1961 në këto toka. Ai tregoi për kundërshtimin e familjes Bashota që t’u merrej toka.

Dëshmitari i tretë Tafil Gashi dëshmoi se në fshatin Bubavec ndër të parët janë vendosur familja Bashota.

Derisa seanca po shkonte drejt përfundimit njëri prej këtyre burrave që ishin mbledhur Beqir Bashota tha se nuk do lejojnë që tokat e tyre t’u privatizohen.

Përfaqësuesi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Përparim Gashi kërkoi nga dëshmitarët të tregojnë se me çfarë dokumentesh ata e dëshmojë se toka është ë tyre.

Ndryshe këta banorë kanë paditur AKP-në për për kthimin e tokës, pasi që ata pretendojnë se u është marrë nga ish sistemi dhe nuk është kompensuar asnjëherë. Po ashtu këta banorë pretendojnë se këto prona i punojnë që nga viti 1990.

Ministrja serbe e Drejtësisë kërcënon në lidhje me ekstradimin e Haradinajt

Ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburoviq tha sot se nuk do të ketë arsye që gjykata franceze në Colmar të refuzojë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit të kërkuar, para tre ditësh.

Periskopi.com Lajme

Kuburoviq ka theksuar se Serbia ka dërguar ekstrakte nga të gjitha dispozitat e Kodit penal që kanë qenë në fuqi deri në vitin1999.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ishte arrestuar më 04 janar në bazë të një urdhëarrestit të Serbisë të vitit 2004.

Ai po qëndron akoma në Francë në pritje të një vendimi të autoriteteve franceze që pritet të merret më 06 prill, raportojnë mediat serbe, përcjellë Klan Kosova.

‘Drejtësia për gratë e dhunuara po vonohet’

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se drejtësia për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë po vonohet.

Periskopi.com Lajme

 

Në një takim që Tahiri ka pasur me kryetarin e Këshillit të Europës, Nils Muiznieks, ka deklaruar po ashtu edhe çështja e të pagjeturve po ashtu po vonohet dhe se OKB-ja nuk i ka marrë me seriozitet peticionet e qytetarëve të Kosovës lidhur me luftën e fundit.

Ministrja Tahiri theksoi se ajo ka iniciuar peticionin për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe se pret që OKB të veproj duke zbatuar rezolutat e saj, të cilat nuk duhet të mbeten vetëm në fjalë e kampanja.

Kurse nga ana e tij komisioneri Muiznieks, ka shtuar se Këshilli i Europës është i gatshëm të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e fushave në aspektin ekonomik, arsimor, të drejtësisë tranzicionale duke thënë se Kosova ka shënuar progres në zhvillimin e vendit.

Spanjollja që ka punuar në Kosovë, tash do ta “shkund” drejtësinë e Shqipërisë

Pas pak javësh në Shqipëri do të mbërrijë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili ka një rol kyç në procesin e “Vettingut”.

Periskopi.com Lajme

“Vizion plus” ka mësuar se në krye të këtij operacioni do të jetë drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera.

“Po, unë do të kem kënaqësinë të drejtoj Operacionin ndërkombëtar të monitorimit, i cili do të asistojë procesin e Vettingut”, shprehet zyrtarja e lartë e unionit, gjatë një komunikimi me email për Vizion Plus.

Mësohet se anëtaret e ONM-së do te përzgjidhen nga Gjermania, Austria, Holanda e Italia dhe prej kohësh është konfirmuar se pjesë e operacionit është edhe Reinhard Priebe, i cili ka qenë në Shqipëri gjate mandatit të dytë të kryeministrit Fatos Nano si drejtor për Ballkanin Perëndimor në BE.

Puna e ndërkombëtareve fillon në momentin që janë mbyllur aplikimet për Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit, të Kolegjit të Apelimit dhe ka në fokus vlerësimin e të gjithë personave që synojnë të jenë pjesë e institucioneve që do të realizojnë Vettingun.

Por, kjo është vetëm faza e parë e punës se tyre pasi vëzhguesit ndërkombëtare do të jenë prezentë në çdo hap te skanimit te gjyqtareve e prokuroreve, dhe, sipas ligjit, ata kanë të drejtë të “hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit.”

Calavera, e lindur në Spanjë, nisi punën si drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në departamentin e Negociatave për Zgjerim më 1 qershor të vitit të shkuar.

Ka punuar në fushën e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve fqinjësore për gati dy dekada. Gjatë kësaj kohe ka shërbyer në grupin e punës së KE-së për rindërtimin e Kosovës, si dhe në departamentet e politikës së fqinjësisë, punëve të jashtme dhe në grupin e këshilltarëve të politikës së jashtme.

Sipas KE-së. Ruiz ka një “përvojë të gjerë në menaxhim” dhe është emëruar për herë të parë kreu i njësisë në 2006.

Ajo u bashkua me ekipin e Komisionit Evropian në vitin 1992 dhe ka punuar si fillim në fushën e tatimeve dhe doganave, pasi i dedikoi një dekadë pune sektorit privat në Spanjë.

Hoxha: I kemi ndërmarr të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për rastin e Astrit Deharit tha se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit.

Periskopi.com Lajme

Hoxha tha se përkundër faktit se ka pasur diskutime dhe deklarime nga më të ndryshmet në lidhje me këtë rast, është përpjekur maksimalisht të rezervohet nga deklarimet për të mos interferuar në hetimet e këtij rasti dhe që organeve kompetente t’u jepet hapësirë që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

“Jam thellësisht e shqetësuar për tendencën për të paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin. Janë bërë shumë deklarime të cilat vetëm sa kanë nxitur opinionin publik duke u nxituar me përfundime para marrjes së raportit zyrtar nga Prokuroria, si dhe edhe pas daljes së Prokurorisë me raportin zyrtar. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarimet që paragjykojnë punën e institucioneve dhe që shfaqin mosbesim ndaj kësaj pune. Ne gjatë gjithë kohës po kërkojmë sundim të ligjit, transparencë dhe llogaridhënie. Konsideroj, se të besojmë në institucionet tona është më e pakta që duhet të bëjmë në këto rrethana”, ka thënë ministrja Hoxha.

Hoxha tha se garanton se ministria që ajo drejton ka bërë çdo gjë që është në dorën e saj për të siguruar transparencë të plotë dhe për të ndihmuar në zbardhjen e rastit, por me kujdes që të mos dëmtohet procesi dhe të mos ndërhyhet në punën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura.

“Çdo ndërhyrje e imja apo e Ministrisë së Drejtësisë pas kalimit të rastit te Prokuroria është ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, pavarësia e të cilit është një ndër shtyllat e sundimit të ligjit”, ka thënë ajo.

Hoxha ka bërë thirrje që jo vetëm veprimet, por për aq sa është e mundur edhe deklarimet, veçmas të personave me përgjegjësi dhe që ushtrojnë funksione publike, të bëhen në pajtim me ligjet në fuqi dhe mos të tentojmë që të përfitojmë në çfarëdo forme nga tragjedi të tilla.

“Le të mbetet në përgjegjësinë politike, përgjegjësinë profesionale dhe ndërgjegjen njerëzore të të gjithë atyre që në çfarëdo forme kane tentuar dhe po tentojnë ta keqpërdorin dhe përfitojnë nga kjo tragjedi”, ka thënë Hoxha.

Më tej, Ministrja e Drejtësisë, ka treguar se si institucion përgjegjës për menaxhimin e institucioneve korrektuese, me të marrë lajmin për humbjen e jetës së të ndjerit Astrit Dehari, ka autorizuar fillimisht inspektimin nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë.

“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, inspektorati ka bërë inspektim gjithëpërfshirës për veprimet dhe sjelljen e stafit ndaj të ndjerit Dehari, që nga momenti i pranimit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më datë 01 shtator 2016 dhe është përgatitur raporti, të cilin e kam pranuar me datë 21 nëntor 2016 dhe i njëjti për hir të transparencës është bërë publik”, ka thënë ajo.

Sipas raportit të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Hoxha ka treguar se konstatohet se nuk është gjetur asnjë veprim i ndërmarrë nga ana e personave përgjegjës në kuadër të institucionit (Qendrës së Paraburgimit në Prizren), i cili në çfarëdo mënyre do të ishte nxitës apo shkaktarë i humbjes së jetës së të ndjerit Dehari.

Megjithatë, sipas ministres Hoxha, inspektorati kishte rekomanduar se për shkak të neglizhimit të procedurave të ndërmerren masa ndaj personave përgjegjës, përkatësisht ndaj oficerit në detyrë, mbikëqyrësit të krahut, si dhe personave përgjegjës të sigurisë në bazë të hierarkisë.

“Ne kemi ndërmarrë veprime konkrete, me ç’rast janë iniciuar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari korrektues, dy mbikëqyrësve dhe ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të cilëve po ashtu u është shqiptuar edhe masa e suspendimit si masë paraprake deri në përfundim të procesit disiplinor”, ka thënë Hoxha.

Gjithashtu, Hoxha ka treguar edhe për procesin e ekzaminimit të trupit të të ndjerit Dehari, ku ekspertët e mjekësisë ligjore në një proces transparent me prezencën edhe të mjekëve të tjerë të propozuar nga familja dhe vëzhguesve nga EULEX kanë konstatuar se i ndjeri Dehari është vetëvrarë.

“Edhe Prokuroria e Shtetit ka dalë me njoftimin zyrtar se pas hetimeve preliminare rezulton se i ndjeri është vetëvrarë”, ka thënë ajo.

Hoxha, po ashtu ka përmendur edhe EULEX-in që kishte përcjellë dhe monitoruar të gjithë procesin në rastin Dehari dhe që e kishte vlerësuar të gjithë procesin profesional dhe në pajtim me standardet përkatëse. /Telegrafi

 

Dhurata Hoxha kërkon më shumë bashkëpunim mes vendeve për efikasitet në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha sot ka marrë pjesë në Forumin Ministror për Drejtësi të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Brdo të Sllovenisë.

Periskopi.com Lajme

Gjatë këtij Forumi u diskutua për zhvillimet e fundit në shtimin e bashkëpunimit ndërkombëtarë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, kryesisht për efikasitetin e gjyqësorit dhe mundësit për zvogëlimin e numrit të rasteve dhe kohëzgjatjen e tyre, bashkëpunimin gjyqësor në çështjet civile dhe penale, si dhe zhvillimi i besimit të ndërsjellë ndërmjet “Eurojust” dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor.​

Ministrja Hoxha gjatë fjalimit të saj përmendi sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova në fushën e gjyqësorit, numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura si dhe zgjatjen e procedurave gjyqësore. Po ashtu Ministrja Hoxha shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me vendet fqinje dhe vendet e BE-së dhe për të mësuar nga praktikat me të mira. Përderisa Kosova synon integrimin euroatlantik, duam të marrim praktikat më të mira para se të lëvizim së bashku në familjen evropiane, shtoi Ministrja Hoxha.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë reformat e nevojshme në mënyrë që të përgatisim rrugën tonë drejt bashkëpunimit, koordinimit dhe integrimit. Gjithashtu, ne jemi të gatshëm politikisht dhe me kapacitete profesionale për të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të mirën e qytetarëve të Kosovës, Drejtësisë së Kosovës dhe qytetarëve të rajonit dhe më gjerë. Qeveria e Kosovës është duke punuar vazhdimisht për të rritur besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si një nga sfida më të mëdha në Kosovë dhe rajon është prioritet për Ministrinë e Drejtësisë” tha Ministrja Hoxha.

Diskutimet do të vazhdojnë tutje rreth bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe do të bëhet prezantimi i raportit të përkohshëm të planit të veprimit 2015 – 2017 dhe çështje të tjera me rendësi si, trafikimi i armëve nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian si dhe veprimet e përbashkëta që parashihet të merren gjatë këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Ministrja Hoxha po qëndron në Slloveni me ftesë të Ministrisë së Drejtësisë të Sllovenisë në bashkëpunim me Presidencën Sllovene./ Periskopi

photo-2-1 photo-1-1 photo

Kuçi thotë se qëllimi i Qeverisë është ruajtja e pavarësisë së plotë të sistemit gjyqësor

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, mori pjesë në konferencën për diskutim të Projektligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, në të cilën ishin të pranishëm Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi.

Periskopi.com Lajme

Para të pranishmëve, zëvendëskryeministri Kuçi tha se ligji në fjalë nuk paraqet vetëm një ligj që ndryshon procedurat disiplinore për gjyqtar dhe prokuror, por një ligj bazik që ndikon në sistemin gjyqësor në tërësi, në kontekst të ndryshimeve esenciale të balancit të pushteteve si një ndër elementet kryesore të shtet-ndërtimit.

“Me ndihmën e miqve të shumtë kemi arritur të krijojmë shumë institucione dhe tani duhet që t’i mbajmë,  funksionalizojmë dhe të rrisim kualitetin e punës, ta materializojmë ekzistencën e shtetit dhe për këtë, ne duhet ta duam shtetin, duhet të krijojmë një ndjenjë identiteti, duhet të krijojmë atë që Platoni e quan Filozofinë e shtetit dhe ekzistencës”, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi,

Më tutje, zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se sot po diskutojmë për një ligj shumë unik dhe të ndjeshëm për sa i përket përmbajtjes së normave jo vetëm për efektin që ligji i tillë mund të këtë tek individët në kuadër të sistemit të drejtësisë, por në funksionimin e drejtësisë në tërësi.

“Kur po flasim për ndryshimet ligjore të parashtruara dhe të propozuara në ligjin për Përgjegjësi Disiplinore, ne nuk po flasim vetëm për një ligj, apo për një normë, ne po flasim për një sistem të tërë normash që kanë pasoja të ndërlidhura njëra me tjetrën, e si të tilla, ndërlidhen me shkollën juridike dhe sistemin juridik gjyqësor për të cilin dëshiron të përcaktohet Kosova”, tha zëvendëskryeministri Kuçi, duke shtuar se  me ligjin në fjalë do të sigurohen masa më të mëdha të sigurisë që shkeljet procedurale të minimalizohen, dhe në rastet kur ato ndodhin, të tillat të ndëshkohen, duke fuqizuar institucionet për marrjen e masave disiplinore.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se është esenciale që para se të finalizohet projektligji, të gjithë akterët e involvuar në proces të jenë të pajtimit se ligji në fjalë i shërben rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies së gjyqësorit dhe njëkohësisht vazhdon të ruaj pavarësinë e tij.

“Qeveria e Kosovës e ka për qëllim ruajtjen e pavarësisë së plotë të sistemit gjyqësor, por poashtu edhe fuqizimin e llogaridhënies përballë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ta kemi një set normash juridike që rregullojnë këtë ligj dhe në tërësi e rregullojnë edhe sistemin juridik në vendin tonë dhe do të jenë të harmonishëm njëra me tjetrën”, tha zëvendëskryeministri Kuçi./ Periskopi

Ministria e Drejtësisë forcon luftën kundër konfliktit të interesit

Ministrja Dhurata Hoxha, sot në mbledhjen e Qeverisë ka paraqitur për aprovim Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Periskopi.com Lajme

Hartimi dhe finalizimi i këtij Projektligji është rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Drejtësisë në funksion të avancimit të infrastrukturës ligjore në përgjithësi e me theks të veçantë legjislacionit të fushës së luftimit dhe të parandalimit të korrupsionit.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji, Ministrja Hoxha tha se përmes angazhimeve tona duke përfshirë edhe aprovimin e këtij projektligji, konsideroj se institucioneve kompetente po iu ofrojmë legjislacion adekuat, në mënyrë që puna e tyre të jetë sa më efikase dhe efektive në drejtim të parandalimit dhe luftimit të dukurive negative, veçmas korrupsionit. Në këtë aspekt konflikti i interesit dhe shmangja nga ky i fundit është një mundësi e mirë përmes të cilës do të ndikohet në drejtim të parandalimit të kësaj dukurie.

Po ashtu, Ministrja Hoxha shpalosi edhe përmbajtjen e këtij projektligji, duke theksuar pikat kryesore ku parashihet një numër i konsiderueshëm i ndalesave për zyrtarët publik. “Përcaktimi i papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit publik, i cili parasheh që zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridik privat, fitimprurës. Me marrjen e detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, zyrtari ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit të tij të interesit; çdo udhëheqës dhe institucion udhëheqës duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhe zgjidhur rastet e konfliktit të interesit”, shtoi Ministrja Hoxha.

Përmes këtij Projektligji është bërë përpjekje t’i kushtohet vëmendje e veçantë aspektit preventiv përkatësisht parandalimit të konfliktit të interesit. Projektligji është në harmoni të plotë me dispozitat e legjislacionit të BE-së, po ashtu është hartuar në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit, si ekspertë të Këshillit të Evropës dhe Zyra e BE-së në Kosovë./ Periksopi

Dhurata Hoxha thotë se fuqizimi i sundimit të ligjit – nuk ka alternativë

Ministrja Dhurata Hoxha mori pjesë në takimin e Bordit të projektit të UNDP-së “Mbështetje për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, me ç’rast theksoi rëndësinë e mbështetjes që vije nga partnerët e Ministrisë së drejtësisë për reformën ligjore dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Periskopi.com Lajme

“Ministria e Drejtësisë është duke përmirësuar llogaridhënien e prokurorëve dhe gjyqtarëve duke reformuar, në aspektin ligjor, procedurat disiplinore kundër tyre; Jemi duke kompletuar mes tjerash reformën e të drejtave pronësore e cila do të ngërthen në vete legjislacionin mbi pronën publike dhe do të sqarojë administrimin e të drejtave pronësore ekzistuese ne vend”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha.

Mbështetja nga UNDP dhe Ambasada e Norvegjisë në këtë rast, theksoi ministrja Hoxha, duke përfshirë këtu edhe partnerët tjerë, është shumë e nevojshme sepse, me këto reforma synohet krijimi i një baze të shëndoshë për funksionim më efikas dhe efektiv të sektorit të sundimit të ligjit.

Falë mbështetjes së këtij projekti, dhe disa projekteve tjera nga partnerë tjerë ndërkombëtarë,  Ministria e Drejtësisë, ka kompletuar këtë vit pakon e reformës ligjore e cila adreson mangësitë funksionale në profesionet e lira siç janë ndërmjetësimi dhe provimi i jurisprudencës.

Ministrja Hoxha vlerësoi lartë përkushtimin e ekipit të projektit, përfaqësuesit relevant dhe përfitues të projektit, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Ndërmjetësimi dhe Gjykata e Apelit duke falënderuar Ambasadën e Norvegjisë për kontributin pa mbështetjen se cilës nuk do te mund të realizoheshin këto rezultate dhe prioritete./ Periskopi

Haxhiu: Me këtë ndarje buxhetore nuk mund të forcohet sistemi i drejtësisë

Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e mbajtur sot, diskutoi për buxhetin e ndarë për institucionet e drejtësisë.

Periskopi.com Lajme

Të ftuar në këtë takim ishin edhe përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë dhe ato të pavarura, si Këshilli Prokurorial, Agjensioni për Ndihmë Juridike Falas, Instituti Gjyqësor, KQZ dhe Ministria e Drejtësisë.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, shprehi shqetësimet e saj në lidhje me ndarjen buxhetore për institucionet e drejtësisë, duke thënë se nuk mund të forcohet sistemi i drejtësisë me këtë ndarje buxhetore.

Ajo tha se një Qeveri e cila e ka në plan forcimin e sistemit të drejtësisë, e reflekton atë në ndarjen buxhetore për këtë sistem ndërsa tek ne po ndodh e kundërta pra institucionet e drejtësisë nuk mund të pavarësohen dhe forcohen me këtë ndarje buxhetore.

Mbështetje institucioneve të drejtësisë iu dhanë edhe përfaqësuesit e tjerë në Komisionin për Legjislacion. Anëtarët e Komisionit u pajtuan që të formojnë një grup punues i cili do t’i shqyrtojë kërkesat e këtyre institucioneve për t’i adresuar në Komisionin. / Periskopi

Drejtësia e vonuar për Enver Hadrin

Gjykata Penale e Brukselit, më 23 nëntor ka dënuar në mungesë tre shtetas të Serbisë, për vrasjen e Enver Hadrit, veprimtar për të drejtat e njeriut dhe të drejtat politike të shqiptarëve të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Enver Hadri ishte vrarë me 22 shkurt të vitit 1990 në lagjen Sen Zhil në Bruksel. Siç thuhet, nga një automjet në lëvizje ishte shtënë me armë zjarri mbi Hadrin, i cili ishte goditur për vdekje në kokë.

Lajmin për vendimin e Gjykatës Penale të Brukselit e ka konfirmuar vajza e të ndjerit, Teuta Hadri përmes një komunikate për medie, në të cilën thuhet se Bozhidar Spasiq, ish- shef i Shërbimit të Sigurimit të shtetit jugosllav, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, janë dënuar për vrasje me paramendim të Enver Hadrit.

Teutra Hadri e ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Penale të Brukselit si “fitore e madhe e drejtësisë mbi krimin politik”.

“Shpresojmë se edhe vrasjet e ngjashme politike të kryera kundër shqiptarëve apo kujtdo qoftë tjetër do të zbardhen deri në imtësi dhe organizatorët dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar”, thuhet në letrën Teuta Hadrit, të cilën ua ka dërguar medieve.

Hydajet Hyseni, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Shoqatës së të Burgosurve politik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Enver Hadri i takonte plejadës së patriotëve shqiptarë të Kosovës, që siç i vlerëson ai, ishin shndërruar në shtylla të qëndresës, ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare dhe të konsolidimit të saj.

Vrasja e tij nga strukturat e Sigurimit të shtetit të ish Jugosllavisë, ishte sikurse edhe vrasja e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zekës në Gjermani.

 

“Enver Hadri, po ashtu, është një nga shembujt më eklatant që flet vetvetiu, se pse ishte në Bruksel. Ishte, pikërisht, në përpjekjet për ta evropianizuar dhe për ta ndërkombëtarizuar çështjen e pazgjidhur shqiptare. Ky akt i funksionimit të drejtësisë në Belgjikë, uroj që të jetë shembull, model edhe për ndriçimin e rasteve të tjera, si dhe për të kërkuar atë që nuk është kërkuar në masë të duhur, përgjegjësinë shtetërore të Serbisë”, ka thënë Hyseni.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Serbisë, Nela Kuburoviq, ka deklaruar se Belgjika deri më tash nuk ka dërguar kërkesë për ekstradimin e tre shtetasve të Serbisë.

Megjithatë, siç ka theksuar ajo, nuk ekziston një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Belgjikës për ekstradimin e ndërsjellë të shtetasve, kështu që Belgjika mund të kërkojë vetëm zbatimin e vendimit të plotfuqishëm të gjyqit.

“Kjo do të thotë që në rast se vendimi i gjyqit belg bëhet i plotfuqishëm, ky shtet mund të kërkojë që Vukotiq, Drashkoviq dhe Spasiq ta kryejnë dënimin në Serbi”, theksoi Kuburoviq.

Bozhodar Spasiq, të cilit Gjykata Penale e Brukselit ia ka shqiptuar dënimin, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka thënë se nuk ka asnjë informatë zyrtare lidhur me rastin, që sipas tij i ka shkaktuar shqetësim.

“Unë planifikoj madje që ta padis shtetin e Belgjikës dhe familjen Hadri për shkak të shqetësimeve të ndryshme, për veprën penale të akuzës së rrejshme dhe kështu me radhë. Qysh kur ekzistojnë informatat se po zhvillohet një proces në Bruksel, unë nuk kam asnjë gjurmë të shkruar që dikush t’ më ketë informuar. Nuk kam asnjë thirrje me letër, madje nuk e di as për çka jam akuzuar në mënyrë që të mund të jap ndonjë përgjigje për ndonjë akuzë. Pra, nuk kemi marrë asnjë thirrje me shkrim e as me gojë”, tha Spasiq.

Ai ka shtuar se në vitin 1990, si shef i ekipit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, ka pasur njohuri për vrasjen e Hadrit.

Zoran Mijatoviq, ish pjesëtar i Sigurimit të shtetit në ish-Jugosllavi, i cili kishte përcjellë migracionin shqiptar të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shërbimi ku ka punuar Spasiq i ka takuar nivelit federal. Ai thekson që nuk ka informata lidhur me aktivitetin e këtij niveli.

“Unë, në një kohë, në Qendrën e Beogradit, e kam udhëhequr sektorin për migracion. Por, në kohën time, kur unë kam qenë shef, mund të them se asnjë migrant nuk ka pësuar nga dora jonë. Se çfarë ka bërë shërbimi federal, këtë e dinë ata të cilët po i gjykojnë njerëzit të cilët kanë punuar në atë shërbim”, tha Mijatoviq.

Spasiq ka theksuar se nuk e ka ndërmend t’i dorëzohet organeve belge, për shkak se nuk e ka kërkuar këtë askush dhe madje nuk ka as fletë-arrest ndërkombëtar për të. (REL)

 

Drejtësia kosovare në pritje të ndihmës ndërkombëtare për rastin e Deharit

Ministria e Drejtësisë ende nuk ka marrë përgjigje nga Ambasada e Britanisë lidhur me kërkesën për të ftuar policinë metropolitane Scotland Yard që të hetojë vdekjen në burg të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Periskopi.com Lajme

Kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë i është dërguar Ambasadës më 14 nëntor, vetëm 4 ditë para se të publikoheshin rezultatet preliminare të Raportit të autopsisë së Deharit, në të cilën thuhet se ai vdiq nga “asfiksia mekanike e vetëshkaktuar”, shkruan sot Koha Ditore.

Ministrja Dhurata Hoxha nuk e kishte bërë fare publike këtë kërkesë, edhe pse publikisht kishte garantuar se po bën çdo gjë që është në dorën e saj për të siguruar transparencë të plotë dhe për të ndihmuar në zbardhjen e rastit. Megjithëkëtë, përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë për gazetën se nuk është njoftuar nga askush se janë lejuar hetimet ndërkombëtare për rastin e siç e quan ai të “vrasjes” së Deharit.

Në Ministrinë e Drejtësisë e kanë pranuar se kanë dërguar kërkesën për hetim ndërkombëtar në Ambasadën e Britanisë, dhe se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga ana e saj.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në rrethana të paqarta, ku po mbahej në paraburgim prej 67 ditësh, si i dyshuar për terrorizëm. Ai së bashku me 5 aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes, dyshohen se më 4 gusht kanë sulmuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me “Zolë”

KMDLNj: Shteti ka përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, u ka bërë thirrje palëve t’i ulin tensionet në mënyrë që t’u lejohet organeve të hetuesisë ta zbardhin të vërtetën e vdekjes së Astrit Deharit.

Periskopi.com Lajme

Ai ka thënë se në qoftë se nuk ndriçohet rasti nga kjo ekspertizë, atëherë duhet të bëhet një ekspertizë tjetër.

Shala ka thënë për “Epoka e re” se shteti ka përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit meqë, sipas tij, është bërë një lëshim i madh kur Astriti është lënë i vetëm në dhomë, përderisa të tjerët kanë dalë në shëtitje.

Sipas Shalës, është dashur të mos lejohet një gjë e tillë apo të ketë një mbikëqyrje në mënyrë që të evitohet çdo situatë e cila mund ta rrezikojë jetën e tij.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se pas vdekjes së Deharit, zyrtarët e burgut, rojtarët në atë pavijon, mbikëqyrësi dhe drejtori i burgut, është dashur të japin dorëheqje.

Ferati thotë se politika duhet qëndrojë larg rastit Dehari, dhe mos të bëhet garë për dhembshuri

Sadri Ferati nga LDK-ja thotë se edhe ata bashkëndjejnë dhe kanë keqardhje për vdekjen e Astrit Deharit, por sipas tij, nuk është koha për një seancë për të.

Periskopi.com Lajme

Sipas tij, ky rast është shumë i ndjeshëm dhe duhet pritet fjala e fundit e drejtësisë, e jo të politizohet si temë.

Ferati në Klan Kosova ka thënë se nuk i ndihmohet rastit e as të tjerëve nëse partitë politike të merren me të, e të debatohet kush ka më shumë dhimbje.

“Edhe pas obduksionit, familja mund të kërkoj edhe më tepër, gjithçka shtesë, por duhet presim rezultatet. Po shohim parulla vrasës e të ngjashme, nuk duhet paragjykojmë paraprakisht, jam për drejtësi në secilin rast, por në kërkim të drejtësisë siç po bëhet përmes seancës, aktualisht jo, kur të ipen rezultat e debatojmë dhe të gjithë jemi për drejtësi”, thotë Ferati.

“Partitë politike duhet të qëndrojnë anash. Institucionet të vijnë në përfundim. Paragjykim, nëse vjen nga emocioni dhe dhimbja, por nëse po ndodh që të ndodh një mjegull e të krijohen parakushte se nuk u besohet institucioneve, atëherë po përgatitet një qëndrim jo korrekt. Nuk duhet paragjykime qysh tash për institucionet se nuk besohet në drejtësi, thotë ai.

Reagon BIK-u: Do kontrollohet literatura e imamëve qo do ligjërojnë në burgje

Ministria e Drejtësisë nuk ndërhyn në punët tona, imamët dhe literatura janë caktuar për ligjërata në burgje.

Periskopi.com Lajme

Bashkësia Islame e Kosovës, reagon ndaj lajmit se Bashkësia Islame e Kosovës do ta nënshkruajë një Memorandum me Ministrinë e Drejtësisë, për caktimin e imamëve dhe për përzgjedhjen e ligjëratave të tyre nëpër Kosovë, me qëllim të parandalimit të ekstremizmit dhe radikalizmit.

“E vërteta është krejtësisht ndryshe, sepse këtu bëhet fjalë për caktimin e imamëve nga BIK-u, për të ligjëruar nëpër burgje dhe nëpër Shtëpitë korrektuese në 10 qendra të Kosovës, dhe atë me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Drejtorisë së Burgjeve. Me këtë rast do të bëhet edhe verifikimi i literaturës fetare, e cila momentalisht gjendet nëpër burgje. Pra, nuk bëhet fjalë për kurrfarë ndërhyrje në punët e brendshme të BIK-ut nga ana e askujt, sepse kjo punë është çështje jona e brendshme, e cila është e rregulluar me Kushtetutën e BIK-ut dhe Rregulloret e punës në fuqi”, thuhet në reagim e nënshkruar nga kryeimami i BIK-ut, Sabri Bajgora.

Besa Luzha ndjehet e turpëruar nga prishtinasit

Analistja dhe koordinatorja e programit në fondacionin gjerman 'Friedrich Ebert Stiftung', Besa Luzha thotë se është turpëruar sot nga prishtinasit.

Periskopi.com Lajme

Kjo, ngase sipas saj, nuk morën mundin të ndanin 20 minuta për të kërkuar drejtësi.

“Edhe dyqanet, kafenetë, restoranet sot është dashtë në mënyrë simbolike ta ndërprejnë punën për të dëshmu solidaritet me familjarët dhe qytetarët e Kosovës. Edhe veturat do të duhej të ndaleshin 5 minuta, edhe njerëzit tjerë pa dallim partije e profesioni do të duhej të ndjenin sot dhimbje për një të ri që vdiq për Kosovën në kohë paqeje, jo nga regjimi i huaj por nga pakujdesia ose papërgjegjësia ose për qëllime politike të institucioneve tona.

Kjo nuk duhet të kalojë pa ndëshkime e pa pasoja”, thotë Luzha./ Periskopi

Kosova dhe Sllovenia nënshkruajnë tri marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, ka nënshkruar tri marrëveshje me Ministrin e Drejtësisë së Republikës së Sllovenisë, Goran Klemençiç, në lëmin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Periskopi.com Uncategorized

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, ka nënshkruar me ministrin slloven, Goran Klemençiç tri marrëveshje. Marrëveshjet e nënshkruara janë: Marrëveshja për Ndihmë juridike të ndërsjellë në çështjet penale, Marrëveshja për ekstradim dhe Marrëveshja për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve, raporton Periskopi

Nënshkrimi i tri marrëveshjeve me Slloveninë, në lëmin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, është vazhdim i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të ministrive dhe dy shteteve tona, theksoi ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe shtoi se kështu, plotësohet edhe legjislacioni dedikuar fuqizimit të zbatimit të ligjit.

Me Marrëveshjen bilaterale për Ndihmë juridike të ndërsjellë në çështjet penale do të rritet efikasiteti në bashkëpunim juridik mes dy vendeve, duke thjeshtuar procedurat e ekzekutimit të kërkesave për ndihmë juridike mes Republikës së Kosovës dhe Sllovenisë. Marrëveshja për Ekstradim harmonizon dhe shpejton procedurat e ekstradimit të personave mes Kosovës dhe Sllovenisë. Ndërsa me Marrëveshjen për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve, zbatohen vendimet e gjykatave të të dyja vendeve./ Periskopi

 

7 8  5  1 (3)

Amerika paralajmëron Kuvendin e Kosovës: Respektoni institucionet e drejtësisë

Ambasada amerikane në Prishtinë po përcjell punimet e Kuvendit të Kosovës kushtuar dënimeve të disa pjesëtarëve të UÇK-së nge EULEX-i e të konfirmuara edhe nga Gjykata e Apelit të gjykuar për krime lufte.

Periskopi.com Lajme

“Ne jemi duke e përcjell këtë çështje. Sundimi i ligjit është top prioritet i Ambasadës sonë në Kosovë. Respektimi i vendimeve të institucioneve të drejtësisë dhe principi që të gjithë të jenë të barabartë para drejtësisë, janë esenciale në çdo demokraci”, ka thënë për KTV Michelle Schohn, zëdhënëse e Ambasadës amerikane.