20161121125508948646-640x424

131 studentë me verifikim të diplomave të Mitrovicës veriore

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka marrë pjesë ngjarjen lansuese të projektit të ri “Mbështetje të edukimit në gjuhën Serbe në Kosovë: Procesi i verifikimit të diplomave të UMV, hulumtimi i situatës aktuale, zhvillimi i udhërrëfyesit të MASHT dhe trajnimi direkt i UMV dhe stafit mësimor të tij”, me ç’rast ka bërë ndarjen simbolike të 131 diplomave të verifikuara (certifikuara) nga MAShT për studentët e Universitetit të Mitrovicës Veriore, me të cilat studentët e komunitetit serb do të jenë konkurrentë të barabartë në tregun e punës në Kosovë dhe jashtë saj.

Periskopi.com Lajme

Procesi i verifikimit është kryer nga një komision i përzgjedhur kohë më parë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa është financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancuar nga Ambasada e Norvegjisë në Prishtinë.

Ministri Bajrami, me këtë rast, tha se kjo ngjarje tregon përkushtimin tonë për të punuar në promovimin e qasjes afirmative dhe gjithpërfshirjes së të gjitha komuniteteve në tregun e punës dhe sistemin arsimor.

“Qeveria e Kosovës ka qenë shumë e përkushtuar dhe ka themeluar një Komision të nivelit të lartë, i cili ka filluar me procesin e certifikimit të diplomave. Ministria e Arsimit ka ofruar mbështetjen e nevojshme dhe partnerët tanë, përfshirë edhe ECMI-në janë angazhuar për të stimuluar të rinjtë që të aplikojnë për certifikim”, tha Bajrami, ndërsa theksoi se nga 170 aplikacione, 131 diploma tashmë janë certifikuar.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Thomas Gnocchi, tha se qasja e barabartë në sistemin e edukimit është prioritet në agjendën evropiane dhe në strategjitë e Qeverisë së Kosovës, ndërsa theksoi se Zyra e Bashkimit Evropian mbështet procesin e përfshirjes së studentëve serbë në institucionet e Kosovës.

Ambasadori i Norvegjisë, H.E. Per Stand Sjaastad, tha se ekziston një përkushtim i madh i Qeverisë së Kosovës për të ofruar arsim kualitativ për të gjitha komunitetet dhe për të ofruar rekrutim në bazë të meritave dhe kompetencave të kandidatëve.

diplome

Asnjë diplomë nga Kosova nuk është nostrifikuar në Luginë

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë reciprocitet të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Periskopi.com Lajme

Marrëveshja për Diploma sipas përfaqësuesve të Luginës nuk po zbatohet, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ndonëse, nga Qeveria e Kosovës konfirmojnë se procesi i aplikimit të njohjes së diplomave tashmë ka filluar, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë ka bërë të ditur se asnjë diplomë nga Kosova nuk është nostrifikuar.

Madje, sipas të dhënave të këtij këshilli të diplomuarit në Kosovë që punojnë në sektorin e arsimit, nuk paguhen me pagën që duhet të marrë një mësimdhënës, sipas thirrjes që posedojnë, por paguhen shumë më pak.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu ka thënë për “Zërin” se nuk po zbatohet Marrëveshja për Diplomat.

“Nuk është nostrifkuar ende ndonjë diplomë nga Kosova. Ndërsa diplomat e marra në Republikën e Shqipërisë në momentin që dorëzon kërkesën për nostfirikim brenda 60 por edhe deri në 90 ditë të japin një përgjigje. Kurse nga Republika e Kosovës, të gjithë të diplomuarit, që janë me qindra, duke përfshirë mjekë, inxhinierë, profesorë të fushave të ndryshme…nuk hyjnë në proces të njohjes”, ka thënë Musliu duke u shprehur skeptik nëse ndonjëherë do të zbatohet Marrëveshja për Diploma me Serbinë.

Musliu ka kërkuar kushtëzim të Serbisë.

Sipas tij, kuadrot e diplomuara në Luginë me diploma të Kosovës nuk i kanë të nostrifikuara.

Dialogu – Të dy shtetet obligohen t’i pranojnë diplomat, me certifikim nga BE-ja

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur takimi tre palësh për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 10 janar 2016 e cila parasheh fillimin e njohjes së diplomave.

Periskopi.com Lajme

Në këtë takim delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, kryenegociatore, raportoi përgatitjet për zbatimin e kësaj marrëveshje si dhe mirëpriti faktin që BE ricaktoi organizatën SPARK për administrimin e procesit të aplikimit për certifikim të diplomave.

Po ashtu u vlerësua përcaktimi i mekanizmit të BE-së për certifikimin e diplomave të cilat pastaj të dyja shtetet obligohen t’i pranojnë në bazë të marrëveshjes. Në takim po ashtu edhe pala serbe dha një raport për përgatitjet rreth zbatimit të marrëveshjes.

BE e vlerësoi progresin e arritur, si dhe theksoi se në të ardhmen do të mbahet edhe një takim për të finalizuar të gjitha aktivitetet e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes.

Delegacioni i Republikës së Kosovës udhëhiqej nga ministrja Edita Tahiri dhe kishte në përbërje: Arjeta Rexhaj, koordinatore për çështjen, Qemajl Marmullakaj, koordinator profesional dhe drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në ZKM, Bekim Samadraxha, udhëheqës i divizionit në Arsim të lartë në MASHT, Gazmir Raci, këshilltarë politik dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.