dhurata

Hoxha: Zero tolerancë ndaj dhunës seksuale dhe dhunës mbi baza gjinore

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, sot, ka marrë pjesë në konferencën me temën “Hetimi i dhunës seksuale dhe të bazuar në gjini – Sfidat dhe mundësitë për bashkërendim forenzik” të organizuar nga misioni i EULEX-it në Kosovë.

Gjatë kësaj konference, Ministrja Hoxha, ka falënderuar EULEX-in dhe institucionet vendore për angazhimin e tyre në lidhje me përdorimin sa më  efektiv të teknikave forenzike gjatë rasteve të krimeve të dhunës seksuale të cilat paraqesin shkelje të rëndë të drejtave të njeriut.

”Është tejet shqetësuese kur dëgjon numrin e rasteve të dhunës seksuale dhe pikërisht për këtë ekziston një vullnet i madh  për ta luftuar këtë dukuri negative. Duke marrë parasysh ndërlikueshmërinë e dhunës seksuale dhe dhunës mbi baza gjinore, duhet të krijohet një qasje më e  mirë, përmes bashkëpunimit ndërmjet akterëve relevant sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i luftojmë këto shkelje të të drejtave të njeriut. Jemi të përkushtuar për zero tolerancë ndaj dhunës seksuale dhe dhunës mbi baza gjinore”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha theksoi se me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, nga Qeveria është emëruar “Komisioni për kompensimin e Viktimave të Krimit”, si dhe  janë përgatitur edhe draftet e udhëzimeve administrative.

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me institucionet tjera mbetet e përkushtuar në krijimin dhe forcimin e mekanizmave ligjorë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, me theks të veçantë mbrojtjes nga çdo lloj dhune ndaj gruas.

Astrit Dehari

EULEX-i përkrah Ministrinë e Drejtësisë për masat në shërbimin korrektues

EULEX-i ka shprehur përkrahjen për Ministrinë e Drejtësisë për transparencën dhe llogaridhënien në shërbimin korrektues.

Periskopi.com Lajme

Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë suspendoi drejtorin e burgut të Prizrenit, ku ishte mbajtur i ndjeri Astrit Dehari.

Përveç drejtorit u suspenduan edhe tre zyrtarë tjerë të shërbimit korrektues për neglizhencat procedurale.

EULEX-i me një postim në Twitter ka përkrahur ministren Dhurata Hoxha për transparencën dhe llogaridhënien në shërbimin korrektues.

Imer Mushkolaj

Edhe Mushkolaj kërkon dorëheqjen e Skender Hysenit dhe Dhurata Hoxhës

Analisti Imer Mushkolaj, sikur edhe shumë të tjerë, ka regauar pas suspendimeve të drejtorit të burgut të Prizrenit dhe tre zyrtarëve të tjerë.

Periskopi.com Lajme

Ai thotë se kjo nuk mjafton.

Kërkon dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hysenit dhe ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxhës.

“Suspendimet në Prizren nuk mjaftojnë. Dhurata? Skënder?”, ka thënë ai./ Periskopi

burgu Prizren diten kur vdiq Dehari

Aktivizohet Dhurata Hoxha, pritet ta shkarkojë menaxhmentin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren

 Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha pritet të shkarkojë stafin menaxherial të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Periskopi.com Lajme

Burime të Klan Kosovës brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë thënë se kjo gjë pritet të ndodhë së shpejti dhe duke u bazuar tek të gjeturat e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët kanë hartuar një raport pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Klan Kosova poashtu merr vesh se si rezultat i të gjeturave të Komisionit Hetimor edhe Inspektoriatit do të merret vendim për pezullim të u.d të drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, një mbikqyrësi të lartë edhe dy oficerëve.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor në rrethana akoma të paqarta deria raporti i autopsisë që u bë publik të premten konstatoi se Dehari është vetëvrarë.

pali

Lekaj – ministres së Drejtësisë: Dikush është dashur të jap dorëheqje për rastin e Deharit

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, në lidhje me diskutimin e ftesës së raportimit e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha dhe Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në lidhje me sqarimin e vdekjes së Astrit Dehari, ka thënë së paku deri më tani është dashur që dikush nga zingjiri komandues i Ministrisë së Drejtësisë të japë dorëheqje morale shkruan "zeri.info".

Periskopi.com Uncategorized

“Ky proces nuk është menaxhuar në mënyrë profesionale si nga policia dhe prokuroria. Ajo që më çudit është që askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Është dashur që moralisht të largohet apo të suspendohet dhe me këtë duhet të dihet se shteti po ndërmerr diçka në lidhje më këtë rast. Duke mos dashur që të politizoj më këtë rast, por, është dashur që dikush të japë dorëheqje. Ky rast ka krijuar dilema të shumta dhe kjo është për të ardhur keq. Unë mendoj që duhet ta përkrahim idenë për raportim të kryeprokurorit Sylë Hoxha dhe Ministres së Drejtësisë”, ka thënë Lekaj.

Astrit Dehari

Ministrja e Drejtësisë ende në pritje të përgjigjes nga britanikët për rastin e Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka deklaruar  se ende nuk kanë marrë përgjigje nga britanikët lidhur me kërkesën e Kosovës që policia “Scotland Yard” të bëjnë një hetim të ndarë lidhur me vdekjen e anëtarit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Periskopi.com Lajme

 

“Ende nuk kemi pranuar përgjigje”, ka thënë Hoxha, për Express, të dielën.

Kjo zyrtare e Qeverisë së Kosovës ka thënë se në ditët në vijim do të diskutojmë me Ambasadorin britanik, Ruairí O’Connell, derisa, ajo pret përgjigje pozitive për kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë dhe Kryeprokurorit për hetimin e “Rastit Dehari” edhe nga një palë e tretë.

“Besoj që edhe në kërkesën tonë do të gjejmë mirëkuptim”, ka shtuar ajo.

Por, cila është baza ligjore nëse angazhohen hetues nga Britania për të hetuar vdekjen e Deharit?

Ministrja e Drejtësisë jep përgjigje.

“Ndërsa sa i përket bazës ligjore: Ligji nr. 04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, neni  98, lejon themelimin e njësive të përbashkëta të hetimit. Ftesa e dërguar te pala britanike është bërë bashkërisht nga Ministria e Drejtësisë dhe e Prokurorit të Shtetit, i cili, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, ka kompetencë për bashkëpunim ndërkombëtar sipas nenit 9 të Ligjit 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit”, ka deklaruar Ministrja Hoxha.

Dhurata Hoxha kishte bërë kërkesë britanikëve që të përfshihen në hetim të pavarur me rastin e Astrit Deharit me qëllim sigurimin e besimit dhe kredibilitetin e vdekjes së Astrit Deharit.

Astrit Dehari kishte ndërruar jetë gjatë transportimit prej paraburgimit për në Spitalin e Prizrenit ku ishte duke u mbajtur si i dyshuar për sulm terrorist ndaj Parlamentit. Rezultatet e autopsisë të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë kanë konstatuar se Dehari kishte vdekur nga lëndimet e vetshkaktuara. Kryeprokurori i Prizrenit ka konstatuar se anëtari i Vetëvendosjes bëri vetëvrasje, por, ende nuk janë sqaruar motivet. Askush s’është arrestuar apo akuzuar se ka shtyrë Deharin në vetëvrasje.

Lëvizja Vetëvendosje ka kontestuar gjetjet e Mjekësisë Ligjore dhe kanë dhënë versionin e tyre. Kanë thënë se Astrit Dehari është vrarë duke drejtuar gishtin kah Shteti. As Vetëvendosje s’ka përmendur emra konkret se kush qëndron pas vdekjes së Deharit. Përmes vdekjes së Deharit, Partia e Visar Ymerit ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë dhe dorëheqjen e udhëheqësve shtetëror.

______________________________________________________________

Baza ligjore mbi të cilën janë ftuar britanikët për të hetuar vdekjen e Astrit Deharit

Ky është Neni 98 i Ligjit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Çështje Penale:

Njësitë e përbashkëta të hetimit

  1. Autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës me marrëveshje të ndërsjellë me një apo më shumë shtete mund të formojnë njësi të përbashkëta të hetimit për një qëllim të caktuar dhe për një periudhë kohe të kufizuar me qëllim të kryerjes së hetimeve në një apo më shumë shtete që kanë formuar njësinë. Periudha kohore mund të zgjatet me marrëveshje mes palëve.
  2. Njësia e përbashkët e hetimit mund të formohet posaçërisht nëse:

2.1. hetimi në një shtet për një vepër penale përfshin hetime të vështira dhe kërkuese të cilat kanë lidhje me shtetet e tjera;

2.2. disa shtete janë duke zhvilluar hetime për vepra penale dhe rrethanat kërkojnë veprim të koordinuar dhe të bashkuar të shteteve të përfshira.

  1. Njësitë e përbashkëta të hetimeve mund të formohen me kërkesë të cilido nga shtetet e përfshira.
  2. Antarët e njësisë së përbashkët të hetimit, që janë të deleguar nga shteti i tyre mund të lejohen të kryejnë hetime në territorin e Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e anëtarit të njësisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me marrëveshjen mes Republikës së Kosovës dhe shtetit delegues.
  3. Antarët e njësisë së përbashkët të hetimit duhet të lejohen të jenë prezent gjatë ndërmarrjes së çdo veprimi hetimor në Republikën e Kosovës. Megjithatë udhëheqësi i njësisë mund të vendos ndryshe për arsye të veçanta dhe në përputhje me ligjin vendor.
  4. Anëtarët vendor të njësisë së përbashkët të hetimit, në përputhje me ligjin vendor dhe brenda kompetencave të tyre, mund t’i ofrojnë njësisë informatat e siguruara në Republikën e Kosovës, për qëllime të hetimeve penale që kryehen nga njësia.
  5. Kur njësia e përbashkët e hetimit ka nevojë për veprime hetimore që duhet të ndërmerren në Republikën e Kosovës, anëtarët vendor të deleguar në atë njësi mund të kërkojnë nga organet gjyqësore vendore marrjen e atyre veprimeve. Ato veprime duhet të trajtohen në Republikën e Kosovës nën kushtet e njëjta që do të zbatoheshin nëse ato veprime do të kërkoheshin gjatë hetimeve vendore.
  6. Informatat e siguruara ligjërisht nga antarët vendor të njësisë së përbashkët të hetimit, të cilat nuk do të ishin të arritshme ndryshe për autoritetet vendore, mund të përdoren për qëllimet e mëposhtme:

8.1. për qëllim për të cilin njësia është formuar;

8.2. për zbulimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale tjera, pas marrjes paraprakisht të

pëlqimit nga shteti ku janë siguruar ato informata;

8.3. për parandalimin e kërcënimit serioz dhe të menjëhershëm të sigurisë publike;

8.4. për qëllime të tjera, siç mund të pajtohen shtetet që kanë formuar njësinë.

  1. Persona tjerë nga përfaqësuesit e organeve kompetente të shteteve që formojnë njësinë e përbashkët të hetimit, mund të lejohen të marrin pjesë në veprimet e njësisë. Të drejtat e dhëna antarëve të njësisë sipas këtij Neni, nuk do të jepen këtyre personave, përveç nëse shtetet pajtohen ndryshe shprehimisht.

Ky është Neni 9  Ligjit 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit:

Bashkëpunimi ndërkombëtar

  1. Kryeprokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, do të përcaktojë protokole dhe procedura për të ngritur bashkëpunimin me autoritetet e shteteve të tjera sa i përket ndjekjeve penale, përmes shkëmbimit të informacionit dhe mënyrave të tjera në përputhje me ligjin e zbatueshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare lidhur mes Kosovës dhe vendeve të tjera.
  2. Kryeprokurori i Shtetit bashkëpunon me autoritetet dhe subjektet ndërkombëtare të vendosura në Republikën e Kosovës.
Policia britanike

Ministrja Hoxha kërkoi të hetohet rasti Dehari nga policia britanike (Dokument)

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha disa dite pas vdekjes se Astrit Deharit i ka shkruar letër ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O'Connell nga i cili ka kërkuar përfshirjen në hetimet shtesë për të mos lënë asnjë hapësirë për dyshime potenciale.

Periskopi.com Lajme

Në letrën që “Zëri” e ka siguruar nga burimet e saj, ministrja Hoxha, ftojnë policinë metropolitane (Scotland Yard) që në mënyrë të ndarë të kryej një hetim në lidhje me këtë rast.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë:

E kuptoj se qeveria juaj dhe e jona ndajmë shqetësimin e njëjtë se është tejet e rëndësishme që hetimet rreth vdekjes së z.Astrit Dehari në paraburgim të kryhen dhe kompletohen në mënyrë profesionale dhe të paanshme.

Në këtë kontekst, po ashtu i referohem vizitës së fundit të Sekretarit të Shtetit, Johnson në Kosovë dhe fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ku ai ka adresuar këtë shqetësim. Siç e dini, autoritetet e Kosovës janë në proces të kryerjes së një hetimi të hollësishëm në këtë rast dhe unë konfirmoj se të gjitha autoritetet e Kosovës, që janë të përfshira në këtë proces, janë të zotuara që të kryejnë një hetim profesional, të paanshëm dhe të gjerë. Mirëpo, siç e dini, në pjesë të caktuara të opinionit publik, janë shfaqur dyshime në lidhje me integritetin dhe paanshmërinë e procesit të hetimit. Kjo mund të shkaktoj një dëm të madh në promovimin e rendit dhe ligjit dhe respektimin për institucionet e Kosovës.

Me qëllim të adresimit të këtyre shqetësimeve dhe për të siguruar besimin dhe kredibilitetin e publikut për këtë hetim, Ministria e Drejtësisë, së bashku me Kryeprokurorin e shtetit, ftojnë dhe mirëpresin policinë metropolitane (Scotland Yard) që në mënyrë të ndarë të kryej një hetim në lidhje me këtë çështje. Edhe pse të gjeturat e hetimit të tanishëm pritet të bëhen të ditura gjatë ditëve në vijim, çfarëdo hetimi që do të kryhej nga Skotland Jard, nuk duhet të pengohet apo kufizohet nga këto të gjetura.

Edhe përkundër mundësisë së kufizuar të fondeve, ne jemi në gjendje të bëjmë aranzhime për t’i mundësuar policisë metropolitane që ta kryej këtë hetim. Po ashtu, autoritetet e Kosovës janë të gatshme që të sigurojnë çfarëdo ndihme që ka nevojë policia metropolitane për të realizuar dhe kompletuar këtë hetim. Nuk kam dyshim se autoritetet e Kosovës po kryejnë hetimin në mënyrë shumë profesionale dhe të pavarur. Sidoqoftë, përfshirja e policisë metropolitane do të siguronte një besim publik në këtë proces dhe ne jemi të gatshëm të pranojmë të gjeturat e këtij hetimi, duke pasur besim në profesionalizmin dhe paanshmërinë e policisë metropolitane. Mbështetja dhe bashkëpunimi juaj në këtë çështje është i mirëpritur dhe i vlerësuar.

Dafina Demaku

Dhimbja e Xhemile Deharit dhe turizmi i Dhurata Hoxhës

Kur ministrja Hoxha të kthehet nga turizmi në Amerikë, ia rekomandoj patjetër ta shohë rrëfimin e Xhemile Deharit. Jo si ministre, por si nënë.

Dafina Demaku Opinione

Nuk kanë kaluar as pesëmbëdhjetë ditë kur rasti i Astrit Deharit po shkon ‘drejt normalizimit’. Pra, nuk na ngutet për asgjë. Po na ftohen gjakrat. Ama, e kam menduar edhe vet, ashtu siç thanë prindërit e Astritit, nuk bëhet fjalë për rastin e ‘një Astriti’, por për natyrën e rastit. Pra, çka e pret dikë prej nesh që nesër mund të burgoset, të merret nga një protestë ose nën një dyshim çfarëdo qoftë? Çka e pret në burgjet e Kosovës? Vrasja, vetëvrasja?

Udhëheqëse e Ministrisë së Drejtësisë, ka qëlluar të jetë një grua që quhet Dhurata Hoxha. Me gjasë, s’ka mundur ta dëgjojë rrëfimin e dhimbshëm të një nëne, të Xhemile Deharit, në një emision. Dhimbja e saj sa të thyen, po aq të bën të fortë. Ajo flet për drejtësinë universale. Nuk flet për djalin e saj si individ. Ajo kërkon drejtësinë që e kërkojmë të gjithë. Kërkon të dihet se çka na pret nesër të gjithë neve që mund të përfundojmë në një burg? Vrasja, vetëvrasja?

Xhemile Dehari kishte me vete një fletore ku jepte një kronologji ngjarjesh që në dhimbjen e saj tingëllojnë edhe si fakte. Fliste për humbjen e djalit të parë (Arbënorit), për humbjen e djalit të dytë (Astritit). Përshkruante pushimet, net kritike të përballur me skena horrori, për të cilat familja Dehari s’paska pas marrë kurrë asnjë përgjigje nga drejtësia.

Pika më kulmore e dhimbjes së Xhemile Deharit, dukej kur përshkruante gjendjen në shtëpinë e saj, derisa mediumet po shfaqnin xhirimet nga burgu i Prizrenit, sikur të ishin një material nga ‘Big Brother’ për ta ‘kënaqur’ publikun.

Derisa po ndodhin gjithë këto zhvillime në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha është për vizitë në ShBA. Në kumtesën e fundit që e ka postuar në Facebook, zonja Hoxha, paska renditur disa takime me përfaqësues të lartë amerikanë të drejtësisë. Në një fjali, paska pas folur edhe për veten në superlativ, si një ministre e suksesshme në ‘fuqizimin e legjislacionit për sundimin e ligjit’. Hoyt Brian Yee, veç tjerash, njofton zonja Hoxha, ‘vlerësoi lart punën e bërë nga Institucionet e Drejtësisë në Kosovë dhe përkushtimin tim…” (lexojeni dhjetë herë: ‘përkushtimin tim”).

Tash, me këtë, s’dua të them se ministrja e Drejtësisë do të duhej ta anulonte vizitën e saj në ShBA. Por, të injorosh gjithë këto shqetësime që të adresohen Ty apo institucionin që udhëheq, atëherë vizita jote, kudo qoftë ajo, ngjan në turizëm.

Nuk mund t’u ikim do emocioneve në rastin e familjes së Astrit Deharit, edhe kur kërkojmë drejtësi. Me siguri, Xhemile Dehari ka pas emocione kur ka menduar të sakrifikojë nga Zvicra për lirinë e Kosovës. Me siguri, ato emocione kanë qenë të lidhura me lirinë tonë.

Kur ministrja Hoxha të kthehet nga turizmi në Amerikë, ia rekomandoj patjetër ta shohë rrëfimin e Xhemile Deharit. Jo si ministre, por si nënë.

Jam e bindur që secila grua në botë, për një rast të tillë, pavarësisht nga cili orientim politik do të vinte, do të fliste fillimisht si nënë edhe nga një post ministror. Pse duhet të flasësh në veten e parë kur je në Amerikë e nuk duhet të kesh pak ndjeshmëri në veten e parë përballë një rasti kur je në Kosovë?

 

Dhurata Hoxha ne Amerike

Hoxha në Amerikë, merr përkrahje të fuqishme për luftimin e ekstremizmit

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, gjatë vizitës zyrtare në Uashington DC, ku qëndroi me ftesë të Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takim me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në lëmin e drejtësisë.

Periskopi.com Lajme

Hoxha takoi Brett McGurk – përfaqësuesin special të Presidentit amerikan të Koalicionit global për luftën kundër terrorizmit dhe me këtë rast u diskutua për trendët globale të terrorizmit dhe rajonin e Ballkanit.

Përfaqësuesi special i Presidentit amerikan, McGurk, ka vlerësuar se Republika e Kosovës, ka dhënë kontribut të çmuar kur i është bashkuar Koalicionit global kundër terrorizmit duke çmuar miratimin e ligjit dhe masave tjera kundër terrorizmit. Ai po ashtu theksoi se është lajm i mirë se ka ulje të numrit të pjesëmarrësve të shtetasve të Kosovës që marrin pjesë në konfliktet që zhvillohen në shtetet tjera.

Ministrja theksoi rëndësinë e trajtimit dhe masat ndaj personave që marrin pjesë në luftëra në shtetet e huaja si dhe masat e deradikalizimit dhe risocializimit ndaj personave të tillë.

Ministrja Hoxha, mori përkrahje të plotë nga i deleguari i Presidentit Obama për përkushtimin e saj, duke vënë në pah se kjo përkrahje do të vazhdojë për Ministrinë e Drejtësisë edhe në të ardhmen në fuqizimin e shtetit ligjor dhe sistemin e drejtësisë./Periskopi

Dhurata Hoxha

Kosova dhe Sllovenia nënshkruajnë tri marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, ka nënshkruar tri marrëveshje me Ministrin e Drejtësisë së Republikës së Sllovenisë, Goran Klemençiç, në lëmin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Periskopi.com Uncategorized

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, ka nënshkruar me ministrin slloven, Goran Klemençiç tri marrëveshje. Marrëveshjet e nënshkruara janë: Marrëveshja për Ndihmë juridike të ndërsjellë në çështjet penale, Marrëveshja për ekstradim dhe Marrëveshja për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve, raporton Periskopi

Nënshkrimi i tri marrëveshjeve me Slloveninë, në lëmin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, është vazhdim i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të ministrive dhe dy shteteve tona, theksoi ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe shtoi se kështu, plotësohet edhe legjislacioni dedikuar fuqizimit të zbatimit të ligjit.

Me Marrëveshjen bilaterale për Ndihmë juridike të ndërsjellë në çështjet penale do të rritet efikasiteti në bashkëpunim juridik mes dy vendeve, duke thjeshtuar procedurat e ekzekutimit të kërkesave për ndihmë juridike mes Republikës së Kosovës dhe Sllovenisë. Marrëveshja për Ekstradim harmonizon dhe shpejton procedurat e ekstradimit të personave mes Kosovës dhe Sllovenisë. Ndërsa me Marrëveshjen për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve, zbatohen vendimet e gjykatave të të dyja vendeve./ Periskopi

 

7 8  5  1 (3)

Dhurata Hoxha dhe Greg Delawie

Delawie i del krah Dhurata Hoxhës, edhe pse ajo gaboi

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka mbështetur vendimin e ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha për suspendimin e zyrtarëve korrektues të cilët po hetohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Periskopi.com Lajme

“E mirëpres suspendimin e zyrtarëve korrektues që janë duke u hetuar për keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Publiku nuk duhet ta humbas besimin në drejtësi”, ka shkruar Delawie në llogarinë e tij në Twitter.

Por, Hoxha që suspendoi të hetuar, gaboi duke thënë se ndaj tyre ka aktakuzë. Reagimet e institucioneve ishin të menjëhershme, e veçanërisht nga avokatët e të suspenduarve, që vlerësojnë se janë trazuar familjarët e klientëve të tyre.

 

Reagon avokati Berisha: S’ka aktakuzë kundër zyrtarëve të burgjeve

Dhurata Hoxha

Reagon ministrja e Drejtësisë, kërkon të dalin para drejtësisë ata që e rrahën të miturën

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka reaguar për dhunën që iu shkaktua të miturës në Rahovec, nga familjarët e saj.

Periskopi.com Lajme

Hoxha thotë se është e tronditur nga ajo që ka pa, raporton Periskopi

“Dhuna ndaj femrës në veçanti, nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar. Si nënë e një vajze të vogël, jam thellë e tronditur. Rasti në Rahovec shpresojmë të mos përsëritet dhe organet e drejtësisë presim ta thonë fjalën e vet!”, thotë Hoxha raporton Periskopi

Dhurata Hoxha

Rreth 35 milionë euro vlera e pasurisë që është sekuestruar në Kosovë

Ministrja Dhurata Hoxha dhe krerët e lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësisë vizituan Depon qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.

Periskopi.com Uncategorized

 

Shitja e pasurisë në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë, theksoi ministrja Hoxha, raporton Periskopi

Sot, Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Dhurata Sadiku-Hoxha, së bashku me prokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, përfaqësues nga ambasada e SHBA-së, EULEX-i dhe zyra e BE-së në Republikën e Kosovës, vizituan Depon Qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar në fshatin Llukar. Kjo vizitë është bërë me qëllim të njohjes me çështjen e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara.

Hoxha përkrah angazhimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Policinë e Republikës së Kosovës, Prokurorinë dhe Gjykatat, në fushën e Sekuestrimit dhe të Konfiskimit, duke theksuar se është e nevojshme që të bëhet shitja e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar që të mos shkaktohen humbje shtesë edhe nga zhvlerësimi i asaj pasurie.

“Shitja e pasurive në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë”, theksoi ministrja Hoxha duke vënë në pah se shitja e pasurive, ndikon në zvogëlimin e shpenzimeve për administrim që drejtpërdrejt nënkupton kursimin e arkës së shtetit.

“Vetëm sekuestrimi i pasurisë nga Gjykata nuk është i mjaftueshëm, por në këtë proces, duhet që konform dispozitave ligjore në fuqi, të nxirren vendime të cilat e lejojnë  shitjen në  fazën e sekuestrimit. Nuk do të lejojmë shpenzimin e buxhetit të shtetit për pronën e konfiskuar”, theksoi ministrja Hoxha.

Vlera e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, të pranuar sipas vendimeve gjyqësore është 34,441,645.40, euro./ Periskopi

Nehat Thaqi

Nota verbale e Ministrisë së Drejtësisë pas arrestimit të Nehat Thaqit

Në këtë notë verbale, Ministria e Drejtësisë kundërshton çdo formë të juridiksionit të Serbisë, duke përfshirë bazën e parimit të juridiksionit universal, ku akuzohen shtetas të Republikës së Kosovës për vepra të kryera në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se i ka dërguar ministrisë homologe në Serbi një notë verbale pas arrestimit të drejtorit rajonal të policisë për Mitrovicë, Nehat Thaqi, në bazë të fletarresteve të lëshuara nga një gjykatë serbe.

 

 

nota2

Dhurata Hoxha

Ministrja e Drejtësisë e pranon se akuza për Nehat Thaqin daton që nga viti 2010

Ministria e Drejtësisë kundërshton çdo formë të juridiksionit të Serbisë, duke përfshirë bazën e parimit të juridiksionit universal, ku akuzohen shtetas të Republikës së Kosovës për vepra të kryera në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Në një komunikatë, që përfshihen edhe deklaratat e saj në Kuvendin e Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme për arrestimin e Nehat Thaqit, ajo thotë se ministria që ajo drejton ka ndërmarrë të gjitha veprimet në kompetencën e vet, kundër arrestimit të nënkolonel Nehat Thaqi, të ndaluar padrejtësisht nga organet serbe më 29 Shtator 2016 në territorin e Serbisë, raporton Periskopi

Nënkolonel Thaqi është ndaluar mbi bazën e akuzës se ka kryer veprën penale të terrorizmit në Korrik të vitit 1999 si dhe në dhjetor 1999 dhe janar 2000 në Lipjan. Akuza daton nga viti 2010 por nuk është komunikuar asnjëherë te organet e Republikës së Kosovës.

Më 3 tetor 2016, Ministria për Punë të Jashtme, Ministria për Punë të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, nën bashkërendimin e Zyrës së Zëvendëskryeministrit të Parë, dhe në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, janë dakorduar për të dërguar notë formale drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë me kërkesën për lirimin e menjëhershëm të nënkolonel Thaqit, raporton Periskopi

 

Në shkresë është argumentuar se Serbia nuk ka juridiksion mbi veprat penale kinse të kryera në territorin e Republikës së Kosovës. Juridiksioni i Serbisë mbi Kosovës është shuar më 10 qershor 1999, kur Kombet e Bashkuara kanë marrë përsipër administrimin e Kosovës. Qe nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, juridiksioni mbi territorin e Kosovës ushtrohet ekskluzivisht nga organet e Republikës së Kosovës.

Nota e dërguar i referohet edhe procedurave të dakorduara midis Kosovës dhe Serbisë lidhur me bashkëpunimin juridik të datës 7 Tetor 2015 ku kemi kërkuar nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë që të bartë lëndën e nënkolonel Thaqit te organet e Republikës së Kosovës.

Në rast se ka bazë dhe dëshmi se nënkolonel Thaqi, si shtetas i Republikës së Kosovës, ka kryer ndonjë vepër penale në territorin e Kosovës, organet e Republikës së Kosovës do të fillojnë procedurat përkatëse sipas legjislacionit të Kosovës.

Nota është dërguar nga Ministria e Drejtësisë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd. Kjo është nota e parë që dërgohet drejtpërdrejtë përmes kanaleve diplomatike pa kaluar nëpërmjet Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian. Duhet theksuar se Ministria e Drejtësisë, në bashkërendim me Zyrën e Zëvendëskryeministrit të Parë, është konsultuar paraprakisht me Zyrën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, i cili ka refuzuar të përfshihet në komunikimin dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë rast konkret pasi që nuk është rast tipik i bashkëpunimit juridik të ndërsjellë, por komunikim i karakterit diplomatik.

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar që nota është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë me datë 7 tetor 2016, por deri tani nuk ka ndonjë përgjigje nga pala serbe. Shkresa e Ministrisë së Drejtësisë është dërguar për njoftim edhe te Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian dhe te Shefi i EULEX-it, si dhe është shpërndarë nga Zyra ndërlidhëse në Beograd te shumica e ambasadave të huaja për të qartësuar qëndrimin e Republikës së Kosovës lidhur me ndalimin e kundërligjshëm të nënkolonel Thaqit.

Sipas informacioneve të fundit nga Ministria e Punëve të Jashtme, më 10 Tetor 2016, është mbajtur seanca dëgjimore në prokurorinë serbe për krim të organizuar ku sipas avokatëve të nënkolonel Thaqit, janë konstatuar një numër i shkeljeve ligjore lidhur me ndalimin e nënkolonel Thaqit. Kështu, për shembull, është konstatuar se nënkolonel Thaqi nuk është ftuar asnjë herë nga gjykata serbe për t’u paraqitur dhe deklaruar rreth akuzës të cila i bëhet, si dhe është vërtetuar se ai ka kaluar edhe më parë nëpër territorin e Serbisë pa u ndaluar për veprën penale për të cilën akuzohet sot.

Ministria e Drejtësisë është në bashkëpunim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila ka rolin kryesor në sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për rastin e nënkolonel Thaqit, si dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me Zyrën e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Zyrën e Kryeministrit.

“Duhet theksuar se Ministria e Drejtësisë, në tre muajt e fundit pas fillimit të mandatit të Ministres, ka ngritur një numër shqetësimesh në drejtim të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian lidhur me qasjen e Serbisë në kuadër të bashkëpunimit juridik të ndërsjellë. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë ka marrë qëndrim parimor se nuk do të ketë bashkëpunim juridik me Serbinë për rastet kur Serbia ka filluar procedura penale kundër shtetasve të Republikës së Kosovës për vepra penale kinse të kryera në territorin e Kosovës. Ministria e Drejtësisë, po ashtu, kundërshton çdo formë tjetër të juridiksionit të Serbisë, përfshirë mbi bazën e parimit të juridiksionit universal, ku akuzohen shtetas të Republikës së Kosovës për vepra të kryera në Kosovë. Çdo kërkesë e Serbisë për bashkëpunim në këtë drejtim është refuzuar nga Ministria e Drejtësisë dhe do të refuzohet edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.

“Ministria e Drejtësisë po ashtu ka marrë qëndrim parimor se do të kërkojë ekstradimin e çdo shtetasi të Republikës së Kosovës i cili ndalohet nga një shtet tjetër mbi bazën e akuzave të ngritura të Serbisë për vepra penale të kryera në Kosovë dhe ekstradimin i të cilit kërkohet nga Serbia.

Ministria e Drejtësisë do të bëjë gjithçka që është e mundshme për të evituar ekstradimin e një shtetasi të Republikës së Kosovës për në Serbi, dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, që shtetasi i Republikës së Kosovës të gjykohet vetëm në Kosovë për vepra të kryera në Kosovë nëse për këtë ka dëshmi”, thotë Hoxha./ Periskopi