Gjykata Federale vendos për dëbimin e kosovarit: Është dënuar 33 herë!

Nga viti 1996, A. ishte dënuar plot 33 herë. Kjo kishte ndodhur për deliktet si ato të trafikut, pastaj për drogë, lëshim në qarkullim të parave të falsifikuara dhe për prishje të rendit publik....

Periskopi.com Lajme

Pas një serie të gjatë të delikteve dhe 33 dënimeve, kosovarit të cilin gazeta e identifikon vetëm me inicialin A., Zyra për Migracion e Kantonit Aargau ia kishte hequr të drejtën e qëndrimit të përhershëm (Viza C), shkuan azonline.ch.

Pasi kishte bërë ankesë në instancën më të lartë gjyqësore të vendit, në Gjykatën Federale me seli në Lozanë. Dhe kjo, në vendimin e saj të marrë më 2 shkurt ia ka kthyer përgjigjen negative: kosovari duhet ta lëshojë Zvicrën, transmeton albinfo.ch. Veç kësaj, ai duhet të paguajë edhe shpenzimet procedurale të gjyqit në lartësi prej 2000 frangash.

Zyra për Migracion e Kantonit Aargau kishte marrë në nëntor 2014 vendimin e saj për t`ia hequr kosovarit vizën C. Mbështetja e saj për këtë veprim ishte mjaft bindëse: Përveç dënimeve të përmendura, atij i ishte tërhequr vërejtja dy herë nga autoritetet zvicerane për të huaj, duke e kërcënuar me dëbim. Kundër kësaj ai fillimisht ishte ankuar në Gjykatën Administrative të Kantonit. Ajo më 16 prill të vitit 2016 ia kishte kthyer përgjigjen negative. Dhe pastaj kosovari e kishte bërë edhe ankesën në Gjykatën Federale.

Nga viti 1996, A. ishte dënuar plot 33 herë. Kjo kishte ndodhur për deliktet si ato të trafikut, pastaj për drogë, lëshim në qarkullim të parave të falsifikuara  dhe për prishje të rendit publik, përcjell albinfo.ch. Për të gjitha dënimet marrë së bashku atij i ishin shqiptuar 28 muaj burg, dënim me para prej 430 njësish ditore dhe gjobë prej 5510 frangash.

Më tutje ai është kapur dy herë me sasi të konsiderueshme të drogës dhe në bazë të kësaj, Gjykata e Qarkut e Horgenit e kishte dënuar atë me 16 muaj burg.

Por kjo nuk është e tëra: Ai akuzohej edhe për bishtnim sistematik  të pagesë së tatimeve, faturave të sigurimit shëndetësor, gjobave dhe taksave gjyqësore. Kështu, deri në vitin 2014 ai kishte në kurriz plot 76 procedura përmbarimi (“Betreibung”) me vlerë të përbashkët prej 370 mijë frangash si dhe 100 procedura të hapura me vlerë prej 460.000 frangash.

Duke i marrë në konsideratë të gjitha këto dënime dhe bishtnime pagesash, Gjykata në Lozanë ka ardhur në përfundim se personi në fjalë karakterizohet nga një indiferencë sa i takon respektimit të rendit juridik të Zvicrës. nisur nga kjo, mbetja e mëtejshme e tij në Zvicër nuk është e arsyeshme ndërsa heqja e vizës C ka qenë veprim i drejtë.

 

Gjykata Federale vendos për dëbimin e kosovarit: është dënuar 33 herë!

 

Greqia dënon me 60 ditë burgim ushtarët që bënë shqiponjën

Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Athinë njoftojnë se 7 rekrutët e ushtrisë greke që pozuan duke formuar me pëllëmbë shqiponjën dykrenare janë dënuar me 60 ditë burgim.

Periskopi.com Lajme

50 ditë janë dhënë nga Shefi i Shtabit të Përgjitshëm të ushtrisë greke, zv/gjenerali Alikiviadhis Stefanis, 10 të tjera nga ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos, raporton TCH.

Vendimi i Stefanisit iu kalua Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe aty ministri Kamenos ka vendosur ta rrisë dënimin me dhjetë ditë, në kufirin maksimal të juridiksionit disiplinor të ushtrisë.

Kjo masë vjen në kohën kur Prokuroria Ushtarake e Janinës është duke i vazhduar hetimet e saj mbi çështjen që bëri bujë në vendin fqinj.

Shtatë rekrutët që po stërviteshin në një bazë të Mesologjit janë duke u hetuar për shkelje të rregulloreve të ushtrisë, që bart një dënim nga gjobë deri në 5 vite heqje lirie. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë greke, ushtarët me origjinë shqiptare dhe nënshtetësi greke duhet ta bënin betimin në datën 2 shkurt.

Kosova kot i mprehu dhëmbët, duhet të paguajë 5 milionë euro dënim për pasaportat

Padia e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila e kontestonte juridiksionin e Gjykatës së Arbitrazhit në rastin e pasaportave, është refuzuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Periskopi.com Lajme

Padia e avokatëve që përfaqësuan Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës në Arbitrazhin e Parisit kundër kompanisë austriake OeSD, e që kontestonte juridiksionin e Arbitrazhit, është refuzuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Me këtë hap, kompania austriake nuk ka më asnjë pengesë ligjore për të kërkuar njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, që taksapaguesve të Kosovës do t’u kushtojë më shumë se 5 milionë euro.

Pasi MPB në mënyrë të njëanshme kishte shkëputur kontratën për prodhimin e pasaportave biometrike me kompaninë austriake OeSD, kjo e fundit i ishte drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit në Paris.

Pasi Arbitrazhi kishte konstatuar se është kompetente për të vendosur lidhur me këtë rast, pala kosovare e pakënaqur i ishte drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës për të kontestuar juridiksionin në nëntor të vitit 2014.

Dy vite më pas, më 6 tetor të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur të refuzojë këtë padi duke u thirrur në mungesë të juridiksionit.

“Konstatohet se Gjykata e Kosovës nuk është kompetente për të vendosur në padinë e paditësit Republika e Kosovës – Ministria e Punëve të Brendshme kundër të paditurve: Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, me seli në Paris, Republika e Francës , dhe Osterreichische Staatsdruckerei – GmbH, me seli në Vjenë, Republika e Austrisë, me të cilën është kërkuar anulimi i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICA) në Paris”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës për KALLXO.com

Ky aktvendim është marrë me datë 6 tetor 2016.

“Hedhet padia për shkak të mungesës së kompetencës së gjykatës së vendit për shqyrtim dhe vendosje në padinë për anulimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris”, thuhet më tej në aktvendimin e Gjykatës.

 

Po ashtu, në përgjigjen e saj, Gjykata Themelore e Prishtinës thotë se palët janë njoftuar për këtë aktvendim.

KALLXO.com ka kontaktuar lidhur me këtë aktvendim edhe avokatin që përfaqësoi Kosovën në Arbitrazhin e Parisit, Gazmend Nushi, po ai ka thënë se ende nuk është në dijeni se është vendosur ky rast.

Një detaj interesant është se KALLXO.com më 27 shtator të këtij viti i ka dërguar pyetje Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me fatin e padisë së MPB-së të dorëzuar më 6 nëntor 2014.

Në përgjigjen e kthyer më 3 tetor 2016, Gjykata njofton se “lënda i është ndarë në punë gjykatësit”.

Në të njëjtën ditë, KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë për këtë çështje dhe në përgjigjen e kthyer dje, Gjykata Themelore e Prishtinës njofton se “më 6 tetor 2016 padia e MPB-së me aktvendim është hedhur poshtë”.

Historiku i skandalit të pasaportave

Gjithçka nisi më 5 nëntor 2010 kur Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës publikoi një njoftim për kontratë në lidhje me furnizimin me pasaporta biometrike.

Tenderi kryesor u hap në shkurt të vitit 2011 dhe në maj të të njëjtit vit OeSD-ja u njoftua se kishte fituar tenderin.

Tenderi për prodhimin e pasaportave biometrike të kosovarëve, me vlerë prej 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro u nënshkrua në datën 17 qershor të vitit 2011.

Në fillim dukej si një nga qindra tenderë të tjerë që i japin institucionet për kompanitë e vendit dhe të huaja, por shumë shpejt u kthye në skandal që krijoi një lëmsh në Qeveri e gjykatë.

Ishte paraparë të ishte njëri ndër hapat kryesorë që do të plotësonte kërkesën e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, por doli të jetë një nga skandalet më të mëdha dhe më të përfolura në Kosovën e pasluftës dhe vetëm liberalizimit të vizave nuk i kontribuoi.

Krahas procesit civil, të cilin Kosova e humbi në Arbitrazh, lidhur me këtë rast është mbajtur edhe një proces gjyqësor, i cili ka përfunduar në shkallë të parë në dhjetor të vitit 2014.

Si pjesë e këtij procesi, Natali Velija ishte dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave dhe mashtrim, ndërsa më pas ky dënim nga Gjykata e Apelit i ishte ulur në 8 vjet burgim për dy vepra penale – mashtrim dhe pastrim i parave.

Edhe të akuzuarit tjetër Fisnik Blakaj, i cili fillimisht ishte dënuar me 11 vjet burg i është zbutur dënimi nga Gjykata e Apelit. Tani, ai do të vuajë 6 vjet burg për veprën penale të pastrimit të parave.

Dënimet për veprën penale të pastrimit të parave u janë zbutur edhe të dënuarve të tjerë, Betim Blakajt, Ergyn Doganit, Imer Fazlisë dhe Nazmi Thaqit.

Nazmi Thaqi dhe Betim Blakaj janë dënuar me nga një vit burgim, ndërsa Imer Fazlija me dy vjet, e Ergyn Dogani me pesë vjet burgim.

Jakup Blakqori dhe Sefedin Shala u shfajësuan nga vepra penale për të cilën akuzoheshin – pranim i mallrave të vjedhura.

Përkundër se në krejt këtë proces autoriteti kontraktues që inicioi, zhvilloi, mbikëqyri (ose të paktën do të duhej ta mbikëqyrte) tërë procesin e realizimit të këtij projekti dhe në fund shkëputi kontratën e cila qytetarëve të Kosovës do t’u kushtojë për 5 milionë euro më shumë, asnjë zyrtar i Ministrisë nuk është gjykuar deri më tani.