Naser Osmani / Foto: Kushtrim Ternava

Aktakuzë për keqpërdorim e 5 milionëve, por vendos për buxhetin e shtetit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani ka një aktakuzë të rëndë, është deputet i LDK’së, por kjo nuk ishte pengese që ai të jetë edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.

Teuta GASHI Lajme

Djaloshi i rrezikshëm i Halil Budakoves – kishte aktruar në filmat e Budakoves – del të jetë po aq i rrezikshëm edhe për partinë e tij, LDK’në.

Ata asnjëherë nuk ia kërkuan dorëheqjen, aq më pak ta shkarkonin nga posti i kryetarit të Komisionit, raporton Periskopi

Ai vet nuk e komenton këtë çështje, flet vetëm për aktakuzën ndaj tij, që e quan drejtësi selektive.

Analistët dhe monitoruesit e Kuvendit vlerësojnë se ai nuk do të duhej të ishte në krye të Komisionit për Buxhet, të paktën për çështje morale, meqë partia në të cilën ishte kandidat, LDK, nuk po ka guximin ta shkarkojë.

Osmani për Periskopi.com thotë se ai akuzohet për votim që ka bërë në vitin 2010 për lirimin nga mbikëqyrja e fabrikës “FAN” në Podujevë.

Ai vlerëson se votimi është e drejtë e garantuar e secilit.

Por, i pyetur se çfarë ndodh kur vërtetohet që dikush voton i ndikuar, ai tha se ndaj tij është bërë drejtësi selektive

Nuk ka pranuar të deklarohet sa i përket dorëheqjes së mundshme nga Komisioni parlamentar për buxhet dhe financa.

Në anën tjetër, monitoruesi i Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Albert Krasniqi thotë për Periskopi. com se Osmani do të duhej të jepte dorëheqje për shkaqe morale.

Madje sipas tij, marrëveshja e partive në koalicion PDK-LDK për largimin e ministrave që kanë aktakuzë do të duhej të vlente edhe për kryetarët e Komisioneve Parlamentare.

“Naser Osmani ende nuk është shpallë fajtor, vlen prezumimi i pafajësisë. Kjo do të duhej të ishte çështje e partisë, ata të përcaktoheshin që të mos mbajnë në poste njerëz me aktakuzë. Por për shkaqe morale ish dashtë më dhanë dorëheqje”, thotë Krasniqi.

Edhe analisti Imer Mushkolaj mendon se Osmani do të duhej të jepte dorëheqje.

Mushkolaj për Periskopi.com thotë se partitë politike në koalicion do të duhet t’i pastrojnë institucionet nga njerëz të dyshuar dhe të akuzuar për vepra penale.

“Është demagogji të flasësh për luftimin e krimit e të korrupsionit, si dhe për institucione demokratike, ndërkohë që në to mbajnë poste njerëz të inkriminuar e me aktakuza. Të tillët do të duhej të jepnin dorëheqje ose të shkarkoheshin nga partia, por fatkeqësisht në Kosovë kjo nuk ndodh”, thotë Mushkolaj.

Madje sipas Mushkolajt, brenda LDK-së ekzistojnë struktura dhe individë të ndryshëm, të cilët edhe i mbrojnë të tillët si Osmani.

“Por, LDK do të duhej ta gjente vullnetin për të vepruar në të mirë të ligjit dhe të institucioneve”, thotë ai.

Ndryshe, bashkë me deputetin Naser Osmani të akuzuar janë edhe Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi dhe Agim Deshishku.

Përveç Agim Deshishkut, që është blerës i ndërmarrjes “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të. Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim,”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi./ Periskopi

Albulena Haxhiu

Haxhiu: Me këtë ndarje buxhetore nuk mund të forcohet sistemi i drejtësisë

Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e mbajtur sot, diskutoi për buxhetin e ndarë për institucionet e drejtësisë.

Periskopi.com Lajme

Të ftuar në këtë takim ishin edhe përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë dhe ato të pavarura, si Këshilli Prokurorial, Agjensioni për Ndihmë Juridike Falas, Instituti Gjyqësor, KQZ dhe Ministria e Drejtësisë.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, shprehi shqetësimet e saj në lidhje me ndarjen buxhetore për institucionet e drejtësisë, duke thënë se nuk mund të forcohet sistemi i drejtësisë me këtë ndarje buxhetore.

Ajo tha se një Qeveri e cila e ka në plan forcimin e sistemit të drejtësisë, e reflekton atë në ndarjen buxhetore për këtë sistem ndërsa tek ne po ndodh e kundërta pra institucionet e drejtësisë nuk mund të pavarësohen dhe forcohen me këtë ndarje buxhetore.

Mbështetje institucioneve të drejtësisë iu dhanë edhe përfaqësuesit e tjerë në Komisionin për Legjislacion. Anëtarët e Komisionit u pajtuan që të formojnë një grup punues i cili do t’i shqyrtojë kërkesat e këtyre institucioneve për t’i adresuar në Komisionin. / Periskopi

veriu i Mitrovices

Komunat veriore do të kenë 14 milionë euro buxhet për vitin 2017

Katër komunat veriore të vendit kanë aprovuar për herë të parë buxhetin e tyre për vitin e ardhshëm, sipas kornizës buxhetore të Republikës së Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Buxheti i përgjithshëm i komunave veriore për vitin 2017 është në total 14 milionë e 265 mijë e 712 euro, ndërsa parashihen investime në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe në fusha tjera.Mitrovica Veriore ka aprovuar buxhet prej 5.538. 163 euro, Zveçani 2.203. 452 euro, Zubin Potoku 2.313. 826 euro, ndërsa Leposaviqi ka miratuar buxhetin prej 4.210. 271 euro.

Ndërkohë që në interpelancën e fundit të kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Kosovës, u fol edhe për buxhetin.Mustafa tha para deputetëve se katër komunat veriore kanë miratuar buxhetin me rregullore të Republikës së Kosovës.Bashkim Cimili, shef i grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore, ka bërë të ditur për KP se asamblistët shqiptarë nuk e kanë votuar buxhetin.

Sipas tij, shqiptarët nuk përfshihen në kuadër të buxhetit dhe gjithherë investimet shkojnë vetëm tek komuniteti serb.Në anën tjetër, Adrijana Hoxhiq, drejtoreshë e Drejtorisë së Administratës në Komunën e Mitrovicës Veriore, tha se Mitrovica Veriore, por edhe komunat tjera të veriut të Kosovës, për herë të parë kanë aprovuar buxhetin sipas cirkularit të paraparë nga Prishtina.

Ajo potencoi se nga buxheti i planifikuar për vitin 2017 për veriun e Mitrovicës, që kap vlerën mbi 5.5 milion euro, planet për investime fokusohen kryesisht në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi.Hoxhiq ka mohuar se banorët shqiptarë të veriut nuk janë të përfshirë në investime.Ajo ka përmendur mundësitë e kufizuara buxhetore në radhë të parë, por edhe mungesën e një prone komunale, si pengesë në ndërtimin e një shkolle të re në lagjen ‘Kodra e minatorëve’ që banohet me shumicë shqiptare.Megjithatë, Hoxhiq thotë se komuna e Mitrovicës së Veriut do të investojë një shumë të parave në ambulancë, si dhe në shkollën ekzistuese në ‘Kodrën e Minatorëve’, në mënyrë që të përmirësohen kushtet për nxënësit në atë pjesë.Ajo premtoi investime serioze sidomos në ‘Lagjen e boshnjakëve’, të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e rrugëve, ndriçimin publik, kanalizimin, ujësjellësin dhe gjithçka që tjetër i nevojitet kësaj lagje me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës.

Avdullah Hoti

Hoti thotë se s’ka probleme mes koalicionit PDK-LDK, beson se buxhetin e votojnë edhe opozita

Ministri i Financave, Avdullah Hoti thotë se nuk ka probleme mes koalicionit LDK-PDK sa i përket buxhetit.

Periskopi.com Lajme

Në Klan Kosova ai duke e arsyetuar buxhetin aktual tha se atë e kundërshtojnë edhe njerëz brenda LDK-së, por është i bindur që ato janë vetëm vërejtje.

Madje Avdullahu ka besim që edhe opozita do e përkrahin në parim, ngase sipas tij, buxheti për vitin e ardhshëm është shumë më i mirë se ai i vitit që po lëmë pas.

“Nuk ka probleme mes koalicioni, por ka njerëz edhe brenda LDK-së që e kundërshtojnë. Do kalojë në lexim të parë. e pas kësaj, do ulemi do bëjmë shpërndarje. Në parim besoj që  përkrahin edhe opozita. Do e realizojmë këtë buxhet”, thotë Avdullahu.

Buxheti i Republikës së Kosovës, i paraparë për vitin 2017, do të jetë 2 miliardë e një milion euro me të cilin parashihet rritje ekonomike 4%. / Periskopi

Kadri Veseli dhe Isa Mustafa

Tash LDK po tallet me PDK-në

Dy vjet iu është dashur zyrtarëve të PDK-së të vijnë në konstatim se qeveria Mustafa është e dobët dhe se vendi është i bllokuar.

Periskopi.com Lajme

Shukri Buja, Bislim Zogaj, Hajdar Beqa, Isni Kilaj janë disa nga zyrtarët e PDK-së, qe me disa deklarata publike nuk kanë kursyer aspekt kritikat në drejtim të qeverisë Mustafa, sidomos për çështjen e buxhetit.

Por, këtyre akuzave u janë përgjigjur zyrtarë të LDK-së.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Muharrem Sfarqa thotë se nuk duhet të akuzohet se LDK e ka orientuar buxhetin tek komunat e LDK-së, pasi sipas tij, PDK po i jep vetit autogol dhe po tregon se partia e Kadri Veselit në të kaluarën i ka orientu investimet në komunat qe i ka udhëheq PDK.

“Kjo është një autogol për ta dhe s’di pse komunikohet në këtë mënyre. Kosova nuk duhet të shikohet si pjesë e ndonjë subjekti, sepse secili qeverisë më mandat dhe gjërat janë të kufizuara. Kosovën e shoh si tërësi dhe nuk e shoh copëza të ndara”, ka thënë Sfarqa për ‘Indeksonline’.

Kryetari i Ferizajt i ka vlerësuar si aspak të ndershme kritikat e zyrtarëve të PDK-së në drejtim të qeverisë Mustafa.

“Këto më shumë janë zëra të njerëzve të pakënaqur brenda partnerit të koalicionit. Janë përpjekje për komunikim me elektoratin e vet. Besoj qe nuk ka të bëjë më kontestimin e fakteve. Nuk janë aspak të ndershme kritikat e PDK-së, por megjithatë janë brenda kufijve të lejuar në demokraci”, ka shtuar Sfarqa.

Ai ka hedhur poshtë zërat se vendi është në bllokadë. Duke shtuar se në Kuvend janë kaluar vendime të mëdha si ligji për investime strategjike dhe ligji për Trepçën.

Sfarqa ka thënë se në strukturat dhe kryesinë e LDK-së, asnjëherë nuk është diskutuar ideja për zgjedhje të parakohshme. Për këtë sipas tij, do të vendosin liderët e koalicionit.

Komisioni / ARKIV

Procedohet në lexim të parë Projektbuxheti për vitin 2017

Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, me shumicë të votave, kanë miratuar në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2017.

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Shukri Buja, ka votuar kundër, ndërsa pavarësisht vërejtjeve të shumta, kryetarja e Komisionit, Safete Hadergjonaj po nga PDK, ka votuar pro, raporton KP.

 

Kadri Veseli dhe Isa Mustafa

PDK-LDK pajtohen për harmonizimin e buxhetit për vitin 2017

Pas dështimeve katër herë radhazi për të diskutuar të projektbuxhetin e vitit 2017, i njëjti pritet që nesër të diskutohet në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Periskopi.com Lajme

Kryetari i këtij komisioni, Naser Osmani, i ka thënë Radio Kosovës se partnerët e koalicionit tashmë janë pajtuar për harmonizimin e buxhetit për vitin 2017.

“Ne kemi diskutuar me partnerin e koalicionit dhe jemi dakorduar që të bëhen disa precizime në buxhet, fjala është për investime të përgjithshme dhe besoj që të mërkurën do të procedohet në Komisionin për Buxhet dhe Financa, do të vije ministri që të raportojë lidhur me detajet e buxhetit dhe besoj që komisioni, pasi të dëgjojë ministrin dhe pas diskutimit mes vete, ta votojë dhe ta procedojë për kuvend në seancën e radhës”, tha ai.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila më herët  nuk ishte e pajtuar me versionin aktual të projektbuxhetit, konfirmon se koalicioni qeverisës është pajtuar për ndryshime në buxhet.

Megjithatë, anëtari i Komisioni për Buxhet dhe Financa nga PDK-ja, Shukri Buja, thekson se për këtë parti është i pa pranueshëm versioni aktual.

“Jemi ende në konsultime dhe duke e konsoliduar buxhetin në marrëveshje me partnerët e koalicionit që të mos kemi probleme me buxhetin. Por besoj që ka me u kry mirë buxheti, por jo në këtë formë që është, por në çfarë do të pajtohemi ne partnerët e koalicionit” , tha Buja.

Ndërkohë, dy partneret e koalicionit, PDK dhe LDK, mohojnë se buxheti mund të jetë shkaktar për përçarjen e koalicionit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Naser Osmani, nga LDK, thotë se shtyrja e buxhetit ka ardhur për shkak të çështjeve të projekteve që kanë të bëjnë me dobishmërinë në komuna të caktuara për interes të Kosovës.

Ndërsa, Shukri Buja, i cili është më i zëshmi në PDK që kërkon prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, potencon se ka shumë çështje të tjera që duhet shkuar në zgjedhje por nuk është çështja e buxhetit që mund ta përçajë koalicionin. /RTK

Kadri Veseli dhe Isa Mustafa

Buxheti mund të përçajë seriozisht koalicionin PDK-LDK

Buxheti i parashikuar për vitin 2017 vazhdon të mbetet çështje diskutimesh, por edhe mospajtimesh, rreth ndarjes dhe planifikimit në mes partive të koalicionit, përkatësisht Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës, në fillim të këtij muaji, kishte miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2017. Projektligji tashmë i është proceduar Kuvendit, ku pas shqyrtimit nëpër komisionet përkatëse, pritet të dalë në votim për miratim.

Zëvendësministri i Financave nga Partia Demokratike e Kosovës, Isni Kilaj, ka thënë se projekt-buxheti ende nuk është shqyrtuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, pasi buxheti, sipas tij, ka mangësi dhe se Grupi Parlamentar i PDK-së është duke u konsultuar rreth ndryshimeve që duhet të pësojë.

“Ende nuk është proceduar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, aty ka ngecur, sepse grupi i PDK– së është duke bërë harmonizimin dhe vendosjen e kërkesave në buxhet”.

“Përmirësime janë duke u bërë tek Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit. Në këto ministri ka vend për përmirësime”, ka thënë Kilaj.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se projekt-buxheti ka arritur në Komision, në fund të muajit tetor, sipas afateve ligjore.

Osmani tha për Radion Evropa e Lirë se në mbledhjen e radhës të Komisionit, që pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme, do të shqyrtohet në parim Projektligji për Buxhetin e vitit 2017. Pastaj, shton ai, do t’i rekomandohet kryesisë së Kuvendit që ai të radhitet në njërën nga seancat e radhës për shqyrtim dhe miratim.

Për dallim nga deklaratat e Kilajt, deputeti Osmani thotë se nuk janë duke u bërë ndryshime në këtë draft.

“Si të kalojë në leximin e parë, vetëm atëherë mund të bëhen ndryshime dhe amandamentime në projekt-buxhet. Kjo është procedurë është rregull dhe nuk mund të dalë jashtë kësaj procedure”, ka thënë Osmani.

Kurse Shukri Buja, anëtar i këtij Komisioni, nga Partia Demokratike e Kosovës, shprehet kritik sa i përket ndarjes buxhetore, sidomos në nivelin komunal.

Ai ka thënë se mjetet më mëdha buxhetore janë ndarë nëpër komunat që udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Për këtë, thotë ai, të hënën kur mbahet edhe mbledhja e komisionit, do të dilet me qëndrime konkrete sa i përket projekt-buxhetit.

Buja, ndërkaq, thotë se ky koalicion duhet të prishet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Partia Demokratike ka qëndrime të ndryshme, por ne po shpresojmë ‘ti harmonizojmë këto qëndrime. Ndërsa, unë personalisht, kam qëndrime tjera. Qëndrimi im personal është që ky koalicion duhet të shpërbehet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka theksuar Buja.

Në anën tjetër, Naser Osmani nuk jep ndonjë përgjigjeje në lidhje me atë se sa i ka lëkundur themelet e koalicionit buxheti për vitin 2017. Por, megjithatë, ai shprehet se kushdo që flet për buxhet duhet të jetë kompetent në këtë fushë.

“Unë konsideroj se për çështje profesionale, siç është çështja e financave, politikat financiare, çështjet buxhetore, ata që marrin fjalën duhet të jenë më pak politik dhe më shumë profesionist”, ka thënë Osmani.

Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 2 miliardë euro, kurse pjesa më e madhe do të gjenerohet nga të hyrat fiskale. Sipas procedurave ligjore, Buxheti i Kosovës duhet të miratohet në pjesën e dytë të dhjetorit.

 

Qeveria

Buxheti rrezikon koalicionin qeverisës, zakon kanë miratimin e përshpejtuar të tij

Një nga kompetencat e Kuvendit e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës është miratimi i Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Sipas procedurave ligjore, Qeveria e Kosovës pasi të miratoj projektligjin për Buxhetin e Kosovës për një vit fiskal është e obliguar t’ia dorëzoj atë Kuvendit jo më larg se 31 tetor të vitit aktual.

Ndërsa Kuvendi ka afat që t’i jap miratimin përfundimtar deri në fund të muajit dhjetor.

Komisioni funksional që angazhohet për shqyrtimi të këtij projektligji ka afat dy muaj që t’i paraqes Kuvendit raportin me rekomandime, vlerësojnë KDI raporton Periskopi

Projektbuxhetet për vitin 2015 dhe 2016 janë miratuar me procedura të përshpejtuara.

Projektbuxheti për vitin 2015 është miratuar brenda një periudhë kohore prej pesë ditësh kurse projektbuxheti për vitin 2016 është miratuar brenda tri javësh.

Duhet theksuar që projektbuxheti për vitin 2016 përveç miratimit me procedura të përshpejtuar, është bërë pa praninë e opozitës e për më tepër në një sallë të improvizuar të Kuvendit.

Legjislaturat e fundit të Kuvendit kanë kthyer në praktikë miratimin dhe rishikimin e buxhetit me procedurë të përshpejtuar, duke mos lënë hapësirë që ky projektligj t’i nënshtrohet një debati konstruktiv parlamentar dhe konsultimeve të nevojshme me publikun.

“Duke marrë parasysh që me anë të këtij ligj përcaktohet plani i shpenzimeve të buxhetit të shtetit për një vit fiskal, kjo formë e miratimit me nguti krijon mundësinë për planfikim jo të duhur buxhetor i cili do të duhej të reflektonte nevojat e qytetarëve. Është më se e nevojshme që miratimit i projektbuxhetit të bëhet brenda afateve të përcaktuar me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, njëkohësisht t’i nënshtrohet një debati parlamentar të mirëfilltë dhe të merren parasysh kërkesat dhe nevojat e qytetarëve”, vlerëson Instituti Demokratik i kosovës./ Periskopi

Shukri Buja

Çdo ditë dikush po e paralajmëron LDK-në, kësaj radhe Shukri Buja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shukri Buja, është shprehur i pakënaqur me funksionimin e deritanishëm të koalicionit qeverisës PDK-LDK.

Periskopi.com Lajme

Ai ka vlerësuar se ky koalicion nuk ka perspektivë të gjatë, pasi thotë se LDK-ja nuk është partnere korrekte politike.

Në intervistën dhënë për “Epoka e Re”, Buja ka theksuar se PDK-ja nuk duhet ta paguajë faturën e dështimeve të kryeministrit Isa Mustafa.

“Nuk shoh perspektivë të gjatë për këtë koalicion. LDK’ja nuk është partnere korrekte politike, pasi po pret vetëm momentin e vet: dobësimin e PDK-së”, ka thënë Buja.

Deputeti Buja ka folur edhe për buxhetin e vitit 2017, për të cilin ka thënë se është buxhet manipulues, tipik komunist. Sipas tij, preken edhe paratë e pensionistëve dhe punëtorëve nga privatizimi për rritje ekonomike.

Sipas deputetit Buja, PDK-ja nuk duhet të lejojë që, pas një viti, si pasojë e këtyre mashtrimeve, të kolapsojë Kosova me borxhe dhe të mos ketë mundësi t’i paguajë pagat për mësuesit, mjekët dhe punëtorët.

Ai ka paralajmëruar se nuk do ta votojë këtë version të buxhetit.

Buxheti / ilustrim

A do të realizohet buxheti dy miliardësh?

Dy miliardë euro pritet të jetë buxheti i Kosovës për vitin 2017, apo rreh 320 milionë euro më i lartë se buxheti i këtij viti.

Periskopi.com Lajme

Gjatë prezantimit të Kornizës së përgjithshme të buxhetit për vitin e ardhshëm, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka treguar se rritja kaq e madhe e Buxhetit shkon kryesisht për investime kapitale, deri në 51 për qind, dhe jo për shpenzime koherente ose për shpenzime të tjera.

Buxheti i shtetit për vitin 2017,ka thënë Hoti, është buxhet i realizueshëm, i qëndrueshëm, i cili ruan stabilitetin fiskal.

Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, japin vlerësime të ndryshme rreth qëndrueshmërisë së buxhetit, por pranojnë se vlera prej dy miliardë eurosh është premtuese, për një përmirësim të mundshëm të zhvillimit ekonomik.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nëse do të ketë një përfshirje të të gjitha institucioneve relevante dhe sundim të rendit dhe ligjit, shifra prej 2 miliardë eurosh do të arrihet, por edhe do të tejkalohet.

Por, për gjithë këtë, Gërxhaliu ka thënë se nevojitet disiplinë financiare, ndalje të tenderomanisë masive dhe mbi të gjitha luftë kundër ekonomisë joformale dhe evazionit fiskal.

“Dhe, kur i shtohet edhe vetë fakti se do të punohet më tepër në përmirësimin e imazhit, duke mbështetur sektorin privat dhe motivuar diasporën, besoj se janë trendë që duhet të mbështetën dhe jo vetëm të kritikohen. Prandaj, besoj se nëse do të ketë një gatishmëri të të gjithë aktorëve, në veçanti sundim të rendit dhe ligjit, atëherë buxheti do të jetë i realizuar”, është shprehur Gërxhaliu.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se Ministria e Financave nuk ka dhënë shumë detaje rreth buxhetit.

Por, megjithatë, sipas tij, shifrat e përmendura janë ambicioze. Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, ka deklaruar Rexhepi, përmban premisa zhvillimore dhe minimizim të ndikimit të skemave sociale.

Kurse, shprehet me rezerva se vlera e buxhetit mund të ndikojë në rritje të qëndrueshme ekonomike dhe të krijojë vende të reja të punës.

“Do të ishte e dëshirueshme që kjo normë, megjithatë të realizohet edhe pse nuk paraqet ndonjë zgjidhje për problemet sociale, çështjen e punësimit, meqenëse shifra prej 4.5 për qind e mban një nivel të kënaqshëm, por jo që i zgjidh problemet”, ka thënë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Korniza e buxhetit për vitin 2017, është e balancuar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike. Ai konsideron se me vetë faktin se ka rritje të vlerës për investime kapitale, mund të ketë edhe gjenerim të vendeve të reja të punës.

“Projektet publike, zakonisht gjenerojnë vende pune dhe krijojnë parakushte për rritjen e vendeve të punës për vitet e ardhshme. Kosova fatkeqësisht në të kaluarën, zakonisht ka pasur rritje të buxhetit për paga dhe mëditje të pakontrolluara, të cilat në fakt e kanë sjellë Kosovën edhe në largimin për katër pesë vjet nga programi i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe është dashur disa vjet që të kthemi në këtë program”, ka vlerësuar Gashi.

Ndryshe, gjatë diskutimit publik me palët e interesit, që ka ndodhur për herë të parë gjatë planifikimit të buxhetit në Kosovë, është thënë se përparësi do të jetë financimi dhe përkrahja për sektorët e sigurisë, drejtësisë, shëndetësisë, arsimit dhe përmirësimi i mjedisit afarist.

Ndryshe, përderisa buxheti për vitin e ardhshëm vlerësohet të arrijë në 2 miliardë euro, buxheti për këtë vit ka qenë 1 miliard e 680 milionë euro. Nga kjo vlerë, 463 milionë euro të buxhetit ishin paraparë të investohen në projekte kapitale.(REL)