ndertesa

Vështirë që buxheti i vitit të ardhshëm të jetë 2 miliardë euro

Dy miliardë euro pritet të jetë buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm. Të paktën, ky është zotimi që ka dhënë ministri i Financave, Avdullah Hoti. Sipas tij, rritja e buxhetit do të ketë 50 përqind rritje të investimeve kapitale dhe 5 përqind për shpenzime.

Periskopi.com Lajme

Hoti ka thënë se janë në proces të finalizimit të buxhetit, që deri në fund të muajit tetor të shkoj në Qeveri për miratim. Këto të dhëna Hoti i kishte prezantuar në një dëgjim publik ditë më parë. Por përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe anëtar të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, janë skeptik se me trendët aktuale ekonomike, vendi do të arrij projeksionet e Qeverisë.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se pa tërheqje të investime të huaja dhe rritje të aktivitetit ekonomik është e vështirë të arrihet buxheti prej 2 miliard euro.

Ndërsa, Besim Beqaj, ish ministër i Financave, tash deputet dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, tha se çdo planifikim buxhetor duhet të jetë shumë i kujdesshëm që të mos bëhet planifikim buxhetor mbi baza të të hyrave të njëhershme. Duhet të kemi parasysh që ajo rritje duhet të jetë e vazhdueshme dhe e bazuar në të hyra të rregullta, ka thënë Beqaj.

Skeptik se do të mund të arrihen të hyra prej 2 miliard euro për vitin e ardhshëm, është shprehur edhe Enver Hoti, anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik. Sipas tij rritja e buxhetit duhet të bazohet në mirëqenie dhe punë, e që sipas tij Qeveria nuk ka parametra real të të hyrave dhe se nuk e beson që mund të arrihen këto parashikime.

Raporti i fundit i publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ‘Vlerësimi i ekonomisë për 3 mujorin e dytë të këtij viti’, nxjerrë në pah gjendjen ekonomike reale në vend. Gjitha vlerësimet tregojnë se ka rënie të investimeve të huaja, rënie të eksporteve dhe remitencave.  Investimet e Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë, deri në qershor 2016, arritën vlerën prej 97.5 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 163.0 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015. Përndryshe, për vitin 2016 buxheti ka qenë rreth 1 miliard e 600 milionë euro. /KosovaPress/