Brexit

“Brexit” shtyhet sërish, parlamentit i duhen 2 vjet për ta miratuar

Parlamentit britanik mund ti duhen plot 2 vite për të aprovuar ligjin që aktivizon daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. Të paktën këtë skenar projektojnë disa anëtarë të gjykatës së lartë.

Periskopi.com Lajme

Kjo gjykatë shumë shpejt do të dalë me një vendim të prerë sa i përket çështjes se kujt i përket kompetenca për të aktivizuar nenin 50-të të traktatit të Lisbonës, ekzekutivit apo legjislativit.

Ekzekutivi i Theresa May pas vendimit të parë të gjykatës apeloi këtë vendim me shpresën se gjykata do ti japë të drejtë. Gjithsesi, me shumë gjasa vendimi i parë do të mbetet në fuqi dhe do ti duhet parlamentit që të thotë fjalën e fundit.

Procedurat në parlament mund të zgjasin deri në dy vite pasi me shumë gjasa do të kërkohet zëvendësimi i një ligji të vjetër të vitit 1972 për Bashkimin Europian dhe që sanksionoi hyrjen e vendit në union.

Veç këtyre dy viteve që kërkon parlamenti, dy vite të tjera i kërkon Brukseli për të mbyllur procedurat e daljes. Kështu që Brexit me shumë gjasa nuk do të fillojë të negociohet përpara vitit 2019.

Qeveria e Theresa May ndërkohë ka deklaruar se do të kërkojë aktivizimin e nenit 50-të në muajin Mars të vitit të ardhshëm, me shpresën për të mbyllur negociatat me Brukselin brenda 2019-ës. Ky skenar tashmë duket ai më pak i mundshëm./ ScanTV