infatino2

Vështirë se do të ketë Botëror me 48 skuadra

“Kampionati Botëror 2026” vështirë se do të zgjerohet në 48 skuadra. Propozimi i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, është nën rrezik. Ai ballafaqohet me kritika të ashpra, por edhe akuza se ideja është një interes i tij personal për vota.

Periskopi.com Sporti

Propozimi i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për krijimin e një gare prej 48 skuadrash do të diskutohet kur vendimmarrësit e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit të analizojnë procesin e kandidimit për “Kampionatin Botëror 2026” gjatë kësaj jave.

Këshilli i FIFA-s, që do të takohet të enjten dhe të premten në Zurich, ende nuk ka vendosur në lidhje me çështje të rëndësishme, duke  përfshirë zgjerimin e garës dhe cilat shtete do të kenë të drejtë të pjesëmarrjes. Vendimi ishte pritur të merrej gjatë kësaj jave por Infantino ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë deri në janar.

Numri i skuadrave pjesëmarrëse është një çështje e madhe. Infantino, i zgjedhur në detyrë në shkurt si pasardhës i Sepp Blatterit, premtoi gjatë fushatës së tij për të zgjeruar Kampionatin Botëror në 40 ekipe, por ideja e tij u kundërshtua nga klubet e mëdha evropiane. Ai shkoi edhe më larg gjatë javës së shkuar kur sugjeroi se mund të shtojë edhe tetë skuadra të tjera, përcjell “Zëri.info”.

Plani i Infantinos është që 32 ekipe të marrin pjesë në rrethin e parë të eliminimeve në shtetin nikoqir, ku 16 fitues të vazhdojnë në fazën e grupeve ku do t’u bashkohen edhe 16 ekipe të tjera. Gara pastaj do të vazhdojë njësoj sikurse tani me 32 skuadra në fazën e grupeve, të përcjella me rrethin eliminator.

E përditshmja sportive franceze “L’Equipe” e përshkroi propozimin si qesharak, ndërsa selektori i Gjermanisë, Joachim Loë, u ankua se me ndryshime do të zbehet fuqia e garës. Kritikët kanë thënë se plani mund të jetë edhe sinjal për 211 federatat e futbollit që zgjedhin presidentin e FIFA-s.

Infantino po ashtu duhet ta bindë Këshillin se është një ide e mirë për t’i dërguar skuadrat anembanë botës për të luajtur mundësisht vetëm një ndeshje para rikthimit në shtëpi.

Kjo do të sjellë vështirësi për të drejtat e transmetimit. “Faza e kualifikimit tingëllon si shkatërruese për mua. Ndoshta, Infantino dëshiron ta dërgojë përpara për arsye të tij”, u shpreh Alexandra Ërage, eksperte antikorrupsion dhe presidente e kompanisë “Trace International”.

Problem me nikoqirin

FIFA po ashtu duhet të konfirmojë nëse shtete nga Evropa mund të kandidojnë për nikoqire. Në sistemin e tanishëm, konfederatat kontinentale duhet të presin tetë vjet mes tyre para se të jenë nikoqirë të Kampionatit Botëror, por FIFA mund të vendosë rreth zgjerimit në 12.

Rusia është caktuar nikoqire e garës më 2018, andaj kjo do të nënkuptonte se Evropa duhet të presë deri më 2030 për të kandiduar sërish.

FIFA ishte detyruar të reformojë procesin e kandidimit para garave të viteve 2018 dhe 2022 që janë caktuar në Rusi dhe në Katar gjatë të njëjtit votim, më 2010. Ai votim ishte peng i hetimeve kriminale nga autoritetet zvicerane dhe Infantino ka thënë se kësaj radhe procesi duhet të jetë me “antiplumb”.