Bon Vivant

Punëtori i ‘Bon Vivant’ dëshmon për vrasjen e rojës, lokal ky i zv/kryetarit të PDK-së

Mikpritësi i lokalit “Bon Vivant”, në shumë pyetje që iu parashtruan nga prokurorja dhe avokatët e të akuzuarve u përgjigj se nuk i kujtohet pasi që për një kohë të gjatë kishte qenë në gjendje të shokut.

Periskopi.com Lajme

Dëshmitari Ilir Misini, i cili punonte mikpritës apo Host në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ka treguar momentin kur kishin ardhur të akuzuarit në këtë lokal në të cilin ndodhi një vrasje.

“Ishte ditë e zakonshme, isha duke punuar në lokal kanë hyrë dy persona. Unë i kam përshëndetur, i kam pyetur a keni rezervuar, më kanë kthyer përgjigjeje ‘ne nuk rezervojmë’”, tha dëshmitari Misini.

Për vrasjen që ka ndodhur më 13 tetor 2014 në qendër të Prishtinës të akuzuar janë Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

Ata akuzohen se kanë vrarë pjesëtarin e sigurimit të lokalit, Rrahman Uka.

Mikpritësi i lokalit “Bon Vivant”, në shumë pyetje që iu parashtruan nga prokurorja dhe avokatët e të akuzuarve u përgjigj se nuk i kujtohet pasi që për një kohë të gjatë kishte qenë në gjendje të shokut.

Dëshmitari tregoi se ai kishte dalë përpara lokalit për t’i treguar sigurimit për bisedën që kishte me dy mysafirët që nuk kishin rezervuar.

“Unë kam dalë përpara lokalit aty ka qenë sigurimi Rrahman Uka, unë i tregova se më thanë se ne nuk rezervojmë, i ndjeri shkoi me pa çka po ndodhë prapë, e pyeta të ndjerin ‘Xhaxhi’ çka po ndodh ai më tha se tani çohen”, tha Misini.

Dëshmitari shtoi se kishte vazhduar punën e tij dhe pas tre apo pesë minutash një koleg i tij i kishte thënë që të ikte pasi që një personi kishte një revole.

“Pas tre apo pesë minutash erdhi një koleg i imi me tha ik, ik se me allti, unë kam ikur me vrap kam hyrë në banesë dhe kam dalë në parking”, deklaroi Misini.

Ilir Misini, në gjykatore tha se posa kishte mbërritur në parking kishte dëgjuar dy krisma të armës, më pas ishe kthyer në lokal ku ishte një tollovi e madhe dhe e kishe parë të ndjerin Rrahman Ukën e shtrirë në prag të derës.

Pas përfundimit të dëshmisë së Ilir Misinit, trupi gjykues e caktoi 14 nëntorin për të vazhduar me seancën e radhës në këtë proces gjyqësor.

Ndryshe, në këtë lokal, një nga tre pronarët është edhe zëvendës kryetari i PDK-së, Uran Ismaili . E që në kohën kur ndodhi vrasja, ai ishte shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.