E mbyllë biznesin në Kosovë, ikë në Serbi te Vuçiqi (Video)

Biznesmeni turk, Besim Minkara e ka lënë në gjendje të mjerë fabrikën "Rematex" në Dragash. Investitori turk ka lënë shumë borxhe në fabrikën shumë të njohur dikur të prodhimit të tekstilit. Afër 2 milionë euro thuhet të jetë shuma e borxheve që Minkara e ka lënë në fabrikën "Rematex".

Periskopi.com Lajme

Besim Minkara ka mijëra euro borxhe në tatime, paga të papaguara të punëtorëve, rrymë, shërbime komunale si dha borxhe të shërbimit në transport.

“Kompanisë tonë Besim Minkara i ka mbetur borxh plot 65 mijë euro. Ne kemi kryer të gjitha shërbimet e transportit të punëtorëve, por që borxhi asnjëherë nuk na është paguar” ka thënë Mehal Rysheni, një nga pronarët e firmës transportuese “Erëza” në Dragash, shkruan Indeksonline

Fabrika “Rematex” ka më shumë se 1 vit që është mbyllur dhe se punëtorët vazhdojnë të kërkojnë paratë e mbetura borxh nga milioneri turk.

Por, biznesmeni turk nuk duket sa ka krizë për para. I njëjti dje është parë në Serbi bashkë me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiq. Ai e ka hapur një fabrikë të re në Lebane të Serbisë në të cilën pritet të punësohen më shumë se 300 punëtorë.

Punëtorët e fabrikës kanë thënë se janë duke ndjekur çdo rrugë ligjore për të marrë paratë e merituara.

“Jemi duke ndjekur të gjitha rrugët për të marrë paratë tona. Kemi angazhuar përmbaruesit të cilët nuk duket se po bëjnë punë të madhe. Por ato janë paratë tona dhe nuk do të ndalemi deri sa Besim Minkara të na i kthej” ka thënë për Indeksonline njëri nga ish punëtorët e Rematex.

Gratë e përjashtuara nga biznesi

Institucionet qeveritare në Kosovë nuk kanë ndërmarrë masa të përshtatshmepër forcimin e pozitës së gruas në biznes dhe ato nuk janë “në agjendat qeveritare”, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Periskopi.com Lajme

Sipas tyre, pavarësisht miratimit të ligjeve për forcimin e pozitës së gruas në shoqëri, gratë nuk kanë qenë të pranishme gjatë hartimit të politikave ekonomike.

Mirlinda Kusari- Purrini, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-ERA”, për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se ndihmë ka pasur, por jo sa deklarohet nga autoritetet vendore. Ajo thotë se problemet e grave në fushën e të bërit biznes janë të shumta.

“Gratë nuk janë në agjendat qeveritare, ato nuk janë të pranishme, as në hartimin e politikave nuk janë të ftuara. Pra, gruaja është ajo e fundit, e cila informohet nga mediet ose organizatat tjera, që ka ndodhur apo është krijuar diçka. Kurrë ato vetë nuk kanë mundur të japin kontributin ose të paraqesin nevojat, me të cilat përballen gjatë aktivitetit të zhvillimit të veprimtarisë së tyre”, thotë ajo.

Sipas shifrave zyrtare, vetëm 18 për qind e kompanive private në Kosovë janë të regjistruara në pronësi të femrave. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, nga mbi 43 mijë biznese të regjistruara, rreth 8 mijë janë me pronare femra. Pjesa më e madhe e kompanive që udhëhiqen nga gratë janë biznese individuale me vlerë të vogël financiare, si në sektorë të tregtisë, industrisë, akomodim dhe ushqim.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë vazhdimisht kanë premtuar fuqizimin e pjesëmarrjes dhe performancës së gruas në biznes.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se me qëllim të mbështetjes së bizneseve me pronare të gjinisë femërore dhe fuqizimit të tyre, janë organizuar panaire dhe janë zhvilluar projekte që kanë të bëjnë me inkurajimin dhe nxitjen e shtimit të bizneseve të grave.

Një nga zhvillimet tjera të rëndësishme në drejtim të fuqizimit të rolit të grave afariste, thuhet në përgjigje, është anëtarësimi i Forumit të Grave me të drejta të plota në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, një platformë e rëndësishme për kultivimin e dialogut publik privat, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për të bërë biznes në vendin tonë.

Por, Mirlinda Kusari – Purrini, pranon se ka pasur organizime të panaireve, projekte për fuqizimin e grave afariste, por sipas saj, këto janë të pamjaftueshme nëse nuk ka lehtësime për një periudhë kohore nga obligimet tatimore.

Problem kryesor i të qenët femër në fushën e të bërit biznes, thotë ajo, është mungesa e kapitalit. Gratë nuk kanë pronë të regjistruar në emër të tyre, në mënyrë që ta shfrytëzojnë si hipotekë për të marrë ndonjë kredi në bankat komerciale, për të filluar apo zgjeruar veprimtarinë e tyre.

“Pastaj vijnë pengesat tjera, si politikat fiskale, të cilat ndikojnë te këto biznese, pasi kryesisht janë biznese të vogla dhe mikro, e të cilave iu nevojiten,sa i përket tatimeve, që ato të lirohen së paku vitin e parë dhe të dytë. Të fillojnë të paguajnë diçka, në mënyrë që të shohim se a mund t’i përballojnë ato tatime”, thekson Kusari – Purrini.

Mungesën e mjeteve financiare për të filluar apo zgjeruar veprimtarinë, e përmendin si sfidë kryesore edhe disa gra ndërmarrëse.

Selvete Fetahu, është pronare e Shoqatës “ Shpresa e Llapit”, e cila merret me kultivimin dhe konservimin e perimeve. Ajo tregon se për shkak të mungesës së mjeteve financiare, nuk ka mundësi që të rrisë sipërfaqen për kultivimin e perimeve apo të hapë ndonjë dyqan, por prodhimet i shet në tregun mobil në Prishtinë.

​“Jo nuk kemi ndihmë me mjete financiare nga askush, çdo gjë e fitoj vetë. Është vështirë të merresh me biznes, konkretisht për të fituar treg”, tregon Selvete Fetahu.

Ngjashëm thotë edhe Afërdita Murati, pronare e ndërmarrjes prodhuese “Kastrioti”, e cila merret me kultivimin dhe përpunimin e disa produkteve bujqësore. Ajo tregon se gjatë sezonit të verës ka të punësuar deri në nëntë punëtorë, kurse ndihma nga institucionet ka pasur në mënyrë simbolike.

Afërdita Murati shpreson se gjatë vitit të ardhshëm të hapë dyqan me produktet e kultivuara.

“Për dyqan nuk kam mjete financiare, kërkon shumë investime. Për sipërfaqen rreth 2 hektarë të mbjella me mjedër, kërkohen deri në 12 mijë euro, pastaj duhet rritur edhe numrin e punëtorëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë Afërdita Murati.

Por, një nga kompanitë private, që në Kosovëllogaritet një ndër më të mëdha që udhëhiqet nga një grua, por që ka fituar disa donacione nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare është “Magic Ice”, që merret me prodhimin e produkteve të qumështit.

Syzana Aliu, e cila në kompaninë e saj, ka të punësuar rreth 90 punëtorë, thotë se gjatë zhvillimit të veprimtarisë, paraqiten sfida të ndryshme. Por, megjithatë, ajo tregon se ka arritur që prodhimet e kësaj kompanie të gjejnë hapësirë të mjaftueshme në tregun e Kosovës.

Ajo tashmë është duke bërë përpjekje që prodhimet e kompanisë “Magic Ice”, t’i eksportojë edhe në Evropë.

“Unë jam në Vjenë. Kam ardhur të shikoj qasjen e produkteve tona këtu në Vjenë. Mirëpo, autoritetet në Kosovë duhet të pajisen me një certifikatë për të mundësuar eksportin e produkteve me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Aliu.

Sipas organizatave joqeveritare, edhe paragjykimet dhe traditat e shoqërisë nëse një femër mund të jetë pronare e suksesshme, ndikojnë që gratë të jenë më pak të pranishme në fushën e biznesit.

Përveç përfshirjes së një numri të vogël të grave në biznes, në situatë më të keqe, gratë paraqiten si pronare të shtëpisë apo banesës. Sipas një raporti të quajtur “Gratë dhe burrat në Kosovë”, thuhet se vetëm pesë për qind e grave janë pronare të shtëpive apo banesave, kurse 95 për qind të këtyre pronave janë meshkuj.(REL)

Haxhiislami, personi që po e ndryshon perceptimin e japonezëve për Kosovën

Jeton në Japoni, drejton një biznes të fuqishëm atje por asnjëherë nuk ndalet së punuari për traditat shqiptare.

Teuta GASHI Lajme

Micky Haxhiislami, në një intervistë për Periskopi.com tregon se si ndikoni në marrëdhëniet Kosovë-Japoni mos-emërimi i gjatë i ambasadorit të Kosovës atje, për prodhimet e Kosovës që gjenden në tregun japonez dhe angazhimin e tij për komunitetin shqiptar.

Shpejt i bëhet 14 vite që jeton në Japoni, thotë se në mbarë Japoninë jetojnë diku rreth 55 shqiptarë, ndoshta 40 nga Shqipëria dhe 15 nga Kosova.

Udhëheqësi i kompanisë INTERMEDICO JAPAN CO., LTD., që u hap në vitin 2003, tregon se është e specializuar për të zbuluar, zhvilluar dhe plasuar në treg produktet e reja që mbrojnë dhe rrisin cilësinë e jetës.

Haxhiislami që gjithmonë merr pjesë në organizimet për 28 nëntor në Japoni, këtë vit ishte në Prishtinë.

Ai tregon për Periskopin se si mori pjesë në panairin “Blej Shqip” dhe për cilin produkt e kishte marrë malli

Pjesë nga intervista me të:

Periskopi: Pse këtë vit për 28 nëntor në Kosovë, kur gjithmonë keni organizuar ndonjë ngjarje për këtë datë në Japoni?

Haxhiislami: Nga 12-18 nëntor isha në Gjermani ku me partneret tonë Japonez mora pjesë në panairin më të madh të prodhimeve medicinale që quhet MEDICA, i cili mbahet për çdo vit në Dusseldorf, dhe pas këtij panairi vendosa ta kthej rrugën për Kosovë qe të kaloj pakës kohë me familje dhe miqtë e mi të shumtë. Në ndërkohë pata edhe fat që këtë28 nëntor ta përjetoj në Prishtinë pas një kohe mjaftë të gjatë.

Vizitova panairin “Blej Shqip” më pëlqeu edhe pse mendoj që organizimi ka mundur të jetë më i mirë. T’ju them të drejtën për të gjitha ato produkte më kishte marr malli, por ato ushqimore më bënë më shumë përshtypje, sidomos turshitë.

Periskopi: Cilat produkte nga Kosova ndodhen në tregun japonez?

Haxhiislami: Aq sa unë e di, verërat e Bodrumit të Vjetër nga Rahoveci janë produktet e vetme për momentin që ndodhen në tregun Japonez, edhe pse në sasi mjaftë të vogël. Sidoqoftë ato ndodhen në shitje ‘online’ dhe është mirëpritur mjaft pozitivisht nga çdo individ që ka pas rast ta shijoj.

Periskopi: Kompania që drejtoni është e fokusuar në teknologjinë transdermale, çfarë është qëllimi?

Haxhiixlami: INTERMEDICO JAPAN CO., LTD., e cila është e specializuar në prodhimin dhe shitjen e produkteve inovative medicinale, kozmetike dhe kujdes shëndetësor. Kryesisht jemi të fokusuar në teknologjinë transdermale. Po përpiqemi që të ndërtojmë kulturën e përdorimit të barnave, nga ajo orale në atë përmes lëkurës (transdermale), ashtu që ta mbrojmë shëndetin e njeriut duke eliminuar efektet anësore dhe mbrojt dëmtimin e organeve tretëse/digjistive të përdoruesit.

Periskopi: A do të mund të bëhej një biznes i tillë në Kosovë?

Haxhiislami: Besoj që po, edhe pse fatkeqësisht ende nuk kemi hasur në ndonjë distributor të mirëfilltë që do interesohej të merret me këto produkte dhe ti plasojë ato me sukses në trojet shqiptare e më gjerë. Unë mendoj se arsyeja pas kësaj ngecje është që prodhimet e këtilla nuk sjellin përfitime financiare për një afat të shkurtë kohor, sepse siç e ceka edhe më lartë, këtu përfshihet ndërrimi i kulturës, prandaj do edhe kohë, kurse ne si popull fatkeqësisht çfarëdo biznesi qe nuk sjellë fitime të shpejta, e konsiderojmë si jo-atraktiv.

Periskopi: Përveç tjerash, promovon historinë dhe kulturën shqiptare çdo ditë në “Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history”, pse kjo faqe?

Haxhiislami: Ideja e krijimit të kësaj faqe erdhi nga një mik i imi i vjetër nga Peja, Merkur Beqiri. Së bashku, me dy miq tjerë, poashtu nga Peja, Mergim Harxhi dhe Jeta Nushi, filluam me postime në tetor të vitit 2011, pra ne katër jemi edhe edhe administratorët e faqes.

Qëllimi primar i kësaj faqe është që përmes fotografive të vjetra të përcjellura me përshkrime të shkurta dhe informacione tjera të ndërlidhura me historinë tonë, të mësojmë sa më shumë për të kaluarën tonë.

Personalisht unë i dedikoj çdo ditë së paku 30 minuta për postime dhe mirëmbajtjen e faqes. Fatëmirësisht tani kemi edhe shumë anëtarë të cilët me postimet dhe komentet e tyre kontribuojnë pa masë për çdo ditë në mbajtjen e kësaj faqe sa më aktive.

Periskopi: Kush mundet aty me postu dhe çka?

Haxhiislami: Në këtë faqe mund të postoj çdo anëtar, mirëpo vetëm fotografi të vjetra me motive shqiptare. Gjithashtu, fotot duhet të jenë të një rezolucioni / kualiteti mundësisht sa më të lartë.

Periskopi: A vërtetohen ato fotografi paraprakisht?

Haxhiislami: Natyrisht që fotot vërtetohen paraprakisht, mirëpo ndodh nganjëherë që përshkrimet në burimet prej nga fotot rrjedhin, mos të jenë të sakta. Mirëpo përmes ndihmës së anëtarëve të shumtë, ne shpesh vijmë tek informatat/identifikimet/verifikimet e sakta.

Periskopi: Nga ata që njeh dhe punon me ta, cili është mendimi i japonezëve për Kosovën?

Haxhiislami: Personalisht njoh një numër mjaft të madh te njerëzve me ndikim në Japoni dhe fatmirësisht shumica e tyre kanë një opinion pozitiv për Kosovën. Mirëpo në përgjithësi ende ka pak njohuri për Kosovën në Japoni, edhe pse pas pavarësisë kjo njohuri është në ngritje e sipër, kryesisht fal aktiviteteve të shoqatës miqësore Japonezo-Kosovare të cilën s’ bashku me bashkëshorten time dhe disa miq tjerë, unë e udhëheqi nga marsi i vitit 2008. Gjithashtu në këtë drejtim luan rol pozitiv edhe hapja e ambasadës së Kosovës në Japoni në prill të vitit 2010, si dhe programet e ndryshme televizive për Kosovën, kryesisht ne lidhje me sportin dhe kulturën, që emitohen në kanalet kryesore televizive Japoneze.

Periskopi: A ka ndikuar në këtë marrëdhënie mos emërimi i gjatë i ambasadorit të Kosovës në Japoni?

Haxhiislami: Marrëdhëniet Kosove-Japoni besoj që janë relativisht të mira, mirëpo besoj se këto marrëdhënie duhen të përforcohen shumë më tepër.

Sa i përket mos emërimit të ambasadorit për një kohë të gjatë, në bazë të asaj qe unë di dhe dëgjoj, kjo ka ndikuar mjaftë negativisht në avancimin e këtyre marrëdhënieve. Mos të harrojmë se ambasada është hapur më shumë se 6 vite më parë, mirëpo ajo ka qenë pa ambasador më shumë se gjysma e kësaj kohe.

Periskopi: Vlerësohet se Japonia është vend i zhvilluar, na i thuaj disa veti të tyre në punë?

Haxhiislami: Vetitë e punës së japonezëve nuk mund të hasen askund tjetër në botë.

Si pikë e parë kanë respekt tepër të madhe për punësuesin, aq sa edhe kur prezantohen në një mënyrë e humbin identitetin e tyre personal, sepse çdo prezantim fillon me emrin e kompanisë ku ata punojnë, si psh ‘Intermedico Japan no Takei-san desu’, qe dmth jam Takei “ dhe i  takoj” Intermedico Japan, e jo jam Takei “dhe punoj për” Intermedico Japan.

Gjithashtu një veti tjetër shumë interesante është se asnjë punëtor nuk e përfundon punën para se ta përfundon atë shefi/mbikëqyrësi/menaxheri, sepse konsiderohet si një veprim shumë i pasjellshëm.

Dhe në fund dua ta ceki që shërbimet ne Japoni janë me të mirat në botë, jashtë imagjinatës njerëzore. Në Japoni i kushtojnë tepër rëndësi dhe kujdes të pafundmë sjelljeve dhe mënyrës se si myshteriu/klienti trajtohet./ Periskopi

 

Micky Haxhiislami 10914865_10152958784595631_8613138971420927260_o 305497_10151294821375631_92888358_n 10155445_10152381125290631_3778889458331301506_n 10624905_10152675879555631_1483814351055741107_n 14484951_10205337560677897_434529659832897353_n

 

 

Kosova biznes më të madh me Serbinë se sa me Shqipërinë

Dy shtetet më të varfra në Evropë, të prapambetura, të pa shkollë, të pa shnetë e të pa drejtë. Kështu e përshkruan Kosovën dhe Shqipërinë, Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit “Riinvest”.

Periskopi.com Lajme

 

104 vite pas shpalljes së pavarësisë, statistikat tregojnë se shqiptarët më së paku bashkëpunojnë mes vete në fushën e ekonomisë. Në Kosovë e Shqipëri, më shumë hyjnë mallra nga Serbia, (mbi 500 milionë euro në vit), edhe pse për tu lidhur bashkë shtete shqiptare u investuan miliarda euro në autostrada.

Ndërkaq, numri i bizneseve të regjistruara në të dyja anët del të jetë modest.

Sipas të dhënave të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, 78 është numri i bizneseve të regjistruara në këtë ministri me pronarë nga Shqipëria, nga mbi 100 mijë sa janë gjithsejtë.

Ndërkaq, gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri janë regjistruar 169 mijë biznese, ku 380 prej tyre janë nga Kosova, shkruan Gazeta Fjala.

Të dhënat zyrtare tregojnë se deri më tani vlera e importit për vitin 2016 në Kosovë ka arritur në 2.86 miliardë euro, nga kjo shumë mbi 99 milionë euro janë produkte që janë importuar nga Shqipëria.

Në anën tjetër, vlera e eksportit deri në fund të muajit tetor ka qenë rreth 300 milionë euro, nga kjo shumë në Shqipëri janë eksportuar produkte me vlerë vetëm 15 milionë euro.

Kurse, sa i përket vlerës së investimeve të huaja, gjatë vitit të kaluar Shqipëria në Kosovë ka investuar mbi 34 milionë euro.

Mungesa e shkëmbimeve më të mëdha tregtare dhe investimeve të ndërsjella nuk vlerësohet shqetësuese për politikanët, shkruan Gazeta Fjala.

Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria bazuar në deklaratat e dhëna nuk e konsiderojnë njëra-tjetrën si konkurente, por si partnere të cilat bashkëpunojnë për të mirën reciproke me qëllim gërshetimi ekonomik.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë, Milva Ekonomi, ka thënë se janë duke punuar me institucionet e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare që prodhimet e Kosovës dhe Shqipërisë të regjistrohen si marka, si mundësi më e lehtë për eksport.

“Prandaj, po punojmë bashkërisht, për ta bërë këtë gjë, regjistrimin si marka. Dhe, e dyta që të marrim në konsideratë që edhe konsumatori ka nevojë të mbrohet në momentin që konsumon një produkt të këtij lloji. Prandaj, edhe për këtë po punohet që marrëveshjet tona të rregullohen dhe të jenë të barabarta në fushën e prodhimit të produkteve që janë për eksport”, ka thënë Ekonomi.

Deri më tani janë nënshkruar një numër i madh marrëveshjesh, por që në praktikë statistikat nuk vërehet se kanë ndryshuar shumë për të mirë, shkruan Gazeta Fjala.

Naim Gashi, profesor i ekonomisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e aktuale e Shqipërisë, ndonëse kishte një fillim pozitiv të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investiv, megjithatë me kalimin e viteve, u dëshmua se edhe kjo qeveri vazhdon avazin e qeverive të kaluara, që Kosovën e përdorin si kartë, sa herë që kanë kriza të brendshme politike.

“Shqipëria ende nuk njeh certifikatat e origjinës së mallrave të lëshuara nga autoritetet kosovare, me çka vështirëson eksportin e prodhimeve tona dhe shkakton kolona dhe pritje të panevojshme në kufirin në Vërmicë”, ka thënë Gashi.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami marrëdhëniet me Shqipërinë i vlerëson shumë të mira. Sipas saj të dyja vendet nuk kanë asnjë çështje të hapur tregtare, për dallim nga vitet e kaluara kur produktet “Made in kosova” bllokoheshin në kufi.

“U dakorduan rreth krijimit të një marrëveshje në mes të dy vendeve për shkëmbimin e forcës punëtore sidomos gjatë sezonës turistike në Shqipëri. Po ashtu, diskutuam rreth mundësisë së shkëmbimit të eksperiencës në fushën e përpunimit të produkteve me qëllim të ngritjes së cilësisë së produkteve vendore të të dyja vendeve”, ka thënë ajo pas takimit me ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë, Milva Ekonomi.