Astrit Dehari

Ministria e Drejtësisë sqaron: Britanikëve u kërkuam hetim para se të dilte autopsia e Deharit

Minsitria e Drejtësisë thotë se me datën 11 Nëntor 2016, i kanë dërguar një shkresë Ambasadës Britanike në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar përfshirjen e Policisë Metropolitan “Scotland Yard”, në hetimin e vdekjes së Astrid Deharit, i cili ka ndërruar jetë më 5 Nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Periskopi.com Lajme

Kërkesa e tillë është dërguar para daljes së raporteve nga Mjekësia Ligjore dhe Prokuroria, me qëllim të eliminimit të dyshimeve të shfaqura në publik sa i përket paanshmërisë dhe besueshmërisë së procesit të hetimeve.

“Dje, më datë 22 Nëntor, 2016, Ministria e Drejtësisë ka pranuar përgjigjen e dërguar nga Ambasadori Britanik, në të cilën ka shprehur mbështetjen që i jep Ministrisë së Drejtësisë në reformimin e sektorit të sundimit të ligjit por edhe ka njoftuar se Policia Britanike nuk mund të ndërmarrë hetime në këtë rast meqenëse rasti nuk lidhet me Britaninë. Ambasadori Britanik ka potencuar rëndësinë që ka kryerja e këtij procesi të hetimeve nga institucionet e Kosovës me paanshmëri dhe transparencë si dhe me përfshirje të EULEX-it.”thuhet në njoftimin e tyre, raporton Periskopi

Vazhdimi i sqarimit të MD-së:

Me qëllim të ofrimit të transparencës së plotë të gjithë procesit, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme qysh nga data kur ka ndodhur rasti tragjik i vetëvrasjes së të ndjerit Astrit Dehari. Të gjitha institucionet përkatëse, Policia, Mjekësia Ligjore dhe Prokuroria janë njoftuar me kohë dhe u është ofruar i gjithë bashkëpunimi i mundshëm. Poashtu, gjatë gjithë procesit që nga data e vdekjes së të ndjerit ka qenë i përfshirë për së afërmi edhe EULEX-i, të cilët nuk kanë pasur ndonjë vërejtje sa i përket procesit të autopsisë dhe menaxhimit të rastit nga Shërbimi Korrektues.

Pas publikimit të rezultateve të raportit të autopsisë dhe njoftimit të Prokurorisë se kemi të bëjmë me rast të vetëvrasjes, Ministria e Drejtësisë ka pranuar edhe raportin e Inspektoratit të Shërbimit Korrektues. Sipas të gjeturave të raportit të Inspektoratit menjëherë janë iniciuar procedurat disiplinore dhe janë suspenduar nga puna një zyrtarë korrektues, dy mbikëqyrës dhe Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren edhe pse shkeljet e evidentuara sipas Inspektoratit në asnjë mënyrë nuk kanë qenë nxitëse apo shkaktare të vdekjes së Astrit Deharit.

Nga e gjithë kjo që u specifikua më lartë, Ministria e Drejtësisë ka ndjekur të gjitha hapat e nevojshme dhe çdo veprim ka pasur qëllim të sigurojë transparencë për opinionin publik por edhe për familjen  e të ndjerit.  Aktualisht, rasti është ende në duar të Prokurorisë dhe Ministria e Drejtësisë nuk mund të bëjë më shumë lidhur me këtë proces. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë me të gjitha institucionet dhe tu ofrojë përkrahje të mëtutjeshme nëse ka nevojë.

Gjithnjë me qëllim të sigurimit të transparencës së plotë për opinionin publik, kësaj komunikate i bashkëngjitet edhe Raporti i Inspektimit nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe letrat e këmbyera me Ambasadorin Britanik./ Periskopi