Bekim Çollaku

Bekim Çollaku i ‘pa zëvendësueshëm’

Partia Demokratike ende nuk e ka propozuar kandidatin e saj për ministër të Integrimit Evropian, duke e lënë këtë ministri pa udhëheqës për më shumë se 1 muaj.

Periskopi.com Lajme

Ministria e Integrimit Evropian ka mbetur pa udhëheqës që nga 9 shtatori, pasi që ish-ministri Bekim Çollaku kishte ndërruar zyrë, për të kaluar si shef i kabinetit të Presidentit Hashim Thaçi.

Mirëpo edhe pse ka kaluar më shumë se 1 muaj, Kryeministri Mustafa ende nuk e ka emëruar askënd në atë post.

Madje kjo ministri, nuk ka as ushtrues detyre.

Zëvendësministri në largim Ramadan Ilazi në një prononcim për KALLXO.com e ka pranuar që kjo ministri ende nuk e ka një “zot” të saj.

“Ministria për momentin nuk ka një ushtrues të detyrës së ministrit. Emërimi i ministrit të ri është një pyetje për Presidentin e PDK-së Kadri Veselin.  Mendoj se partnerët e koalicionit duhet të caktojnë pa vonesë një ministër të ri,” tha Ilazi

E nëse Qeveria nuk e gjen së shpejti zëvendësime për pozitat e ministrit dhe zëvendësministrit të Integrimit Evropian, kjo ministri rrezikon të mbetet pa asnjë udhëheqës, për shkak se Ilazi nga 1 nëntori pritet të udhëheq institutin e brendshëm politik të PDK-së, themelimi i të cilit u bë i ditur më 17 shtator.

Mirëpo këshilltari i Kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, shpreson se nuk do të vijë deri te ajo pikë.

Ai tha se janë në pritje që partneri i koalicionit të vijë me propozim.

“Ne presim që PDK-ja ta propozojë një kandidat, sepse është vend që i takon atyre. Në atë moment që ata do ta propozojnë, Kryeministri Mustafa do ta shqyrtojë atë, pra tash është në taborin e PDK-së,” tha Gecaj.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti tha se caktimi i ministrit është çështje e qeverisë, ani pse partia e tij është partnere në qeverisje.

“Unë s’kam ndonjë koment që mundem me të dhënë për këtë çështje. Kjo është përgjegjësi e plotë e Kryeministrit,” tha Pajaziti.

 

Në anën tjetër, partnerët qeveritarë janë pajtuar parimisht që të bëjnë shkurtim të ministrive, mirëpo zëvendësministri në largim, Ramadan Ilazi nuk beson se kjo vonesë e qeverisë për të emëruar një ministër të ri është pjesë e planit të riformatizimit të Qeverisë.

“Nuk besojmë se do të ketë ndonjë ndryshim në lidhje me statusin e Ministrisë për Integrim Evropian. Në të ardhmen, ndoshta pasi të bëhemi anëtarë të BE-së, ministria duhet te bashkohet me Ministrinë e Punëve të Jashtme, ashtu siç ka bërë edhe Kroacia, por tani nuk është koha dhe unë jam i sigurt se udhëheqja politike e Kosova e kupton këtë,” tha Ilazi.